E Mërkurë, 12.11.2019, 01:43pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
RUSIA BËRI 11 SHTATORIN E MARRËDHËNIEVE NDËRKOMBËTARE
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 05.12.2014, 07:19am (GMT+1)


Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mund të jenë më siç ishin para aneksimit me forcë nga Rusia të një pjese të territorit të Ukrainës dhe para krizës ukrainase. Ato kanë pësuar tronditjen më të madhe, që nga 11 shtatori i vitit 2001, kur sulmet terroriste ndaj objekteve civile në SHBA hapën një kapitull krejt të ri orientimesh strategjike dhe ndryshimesh gjeopolitike në sistemin ndërkombëtar të shteteve dhe të funksionit të sigurisë ndërkombëtare. Në pasojat dhe në nevojën e rivlerësimit të mekanizmave dhe të marrëveshjeve themelore të sistemit ndërkombëtar të shteteve, ndërhyrja e armatosur e Rusisë në Ukrainë dhe aneksimi i dhunshëm i Krimesë janë në fakt të ngjashme me reaksionin zinxhir të 11 shtatorit dhe me kapitullin tronditës të terrorizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Nëse me 11 shtatorin e Al Kaedas patëm kalimin epokal nga terrorizmi i shtetit tek terrorizmi i grupit terrorist ndërkombëtar si rrezik i funksionimit të shteteve dhe të sistemit ndërkombëtar, me “11 shtatorin” e tanishëm të Rusisë kemi kalimin epokal, në kohë paqeje, tek terrorizmi i shtetit të madh të ekspansionit territorial, i cili rivizaton kufijtë e shteteve në mospërfillje të rregullave dhe ekuilibrave të funksionimit të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ukraina përbën rastin e parë unikal të pushtimit të një pjese të territorit të një shteti europian nga një shtet i madh fqinj, që nga Lufta e Dytë Botërore. Ajo që ndodhi në Gjeorgji në vitin 2008 dhe që shënoi hapin e parë të ekspansionit rus nëpërmjet përdorimit të forcës ishte një ngjarje, që i takonte kontinentit aziatik dhe nuk mund të kishte as vlerësimin gjeopolitik dhe as reflektimin strategjik, qoftë kontinental europian, dhe aq më pak botëror. Ukraina përbën rastin e vetëm unikal, që nga Lufta e Dytë Botërore, sepse është shteti i parë europian, të cilit në kohë paqeje i pushtohet dhe i aneksohet një pjesë e territorit të vet nga një shtet i madh fqinj. Edhe pushtimi i Çekosllovakisë në vitin 1968 nga Moska nuk ishte shkëputje e territorit apo aneksim i territorit çekosllovak nga Rusia, por një ruajtje e pushtetit të sundimit rus në të gjithë hapësirën e vendeve të Europës Lindore, që ndodheshin nën çizmen e ushtrisë së kuqe. Nëse agresioni rus ndaj Çekosllovakisë hyri në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare si simbol i doktrinës së “sovranitetit të kufizuar” të udhëheqësit të atëhershëm të Kremlinit, Leonid Brezhnjev, Ukraina do të hyjë simbol i doktrinës së “integritetit territorial të kufizuar”, që po aplikon udhëheqësi aktual i Kremlinit, Vladimir Putin.

Në këtë kundërshtim, Ukraina përbën tronditjen e madhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse inauguron sipërmarrjen e paparashikueshme të Rusisë në një ofensivë gjeopolitike në kontinentin europian, e cila fillimin e ka në Ukrainë, por vazhdimi është e vështirë të parashikohet se deri ku do të shkojë. Është një tronditje e madhe e marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse Rusia shfaqet si një fuqi e madhe, e cila zhvleftëson, anulon, shkel dhe nuk respekton normat, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat i ka firmosur.

Marrëveshjet ndërkombëtare mes shteteve, në baza dypalëshe apo shumëpalëshe, janë themeli i funksionimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i ruajtjes së ekuilibrave të sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar. Por Rusia, me ndërhyrjen dhe aneksimin e një pjese të territorit të Ukrainës, i bëri atentat pikërisht këtij themeli të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Rusia shkeli marrëveshjen e shkrirjes së ish- Bashkimit Sovjetik të 21 dhjetorit 1990, sipas së cilës dalja e republikave sovjetike nga BRSS dhe formimi i shteteve të reja do të bëhej mbi bazën e kufijve ekzistues të republikave. Ukraina shpalli pavarësinë në 1 dhjetor 1991, pikërisht mbi këta kufij, ashtu si dhe shtetet e tjera ish-republika sovjetike dhe Moska nuk pati asnjë rivendikim apo kundërshtim për këtë marrëveshje.
Rusia shkeli marrëveshjen ndërkombëtare apo Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, të nënshkruar nga ajo, ku është garante bashkë me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, dhe të cilave iu bashkëngjit edhe Kina me Francën, sipas së cilës Rusia angazhohej të respektonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, në shkëmbim të dorëzimit të armëve bërthamore, që ndodheshin në Ukrainë dhe të nënshkrimit të Traktatit të Mospërhapjes së armëve bërthamore nga ana e Ukrainës. Neni 1 i kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare shkruan tekstualisht: “Respekt për pavarësinë, sovranitetin dhe kufijtë ekzistues të Ukrainës”.

Rusia shkeli “Traktatin e Miqësisë dhe të Bashkëpunimit” mes Ukrainës dhe Rusisë, të nënshkruar në 31 maj të vitit 1997, ku në nenin 3 theksohet se “palët do t’i ndërtojnë marrëdhëniet mbi respektin reciprok të barazisë, integritetit territorial, paprekshmërisë së kufijve”. Rusia ka shkelur marrëveshjen e vitit 1997, të nënshkruar mes Ukrainës dhe Rusisë mbi statusin dhe kushtet e qëndrimit të flotës së Detit të Zi të Federatës Ruse në territorin e Ukrainës. Rusia shkeli Marrëveshjen e Gjenevës të 17 prillit 2014, të nënshkruar nga ministri i saj i Jashtëm, për deshkallëzimin e tensioneve në Ukrainë. Nuk po përmendim shkeljet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, ku Ukraina është shtet anëtar, apo Kartën Helsinkit të vitit 1975 për respektimin e kufijve të shteteve sovrane.

Pas gjithë kësaj serie shkeljesh tepër serioze, jemi në një kapitull të ri të dinamikës së marrëdhënieve ndërkombëtare, ku Rusia, një fuqi e rëndësishme kontinentale, zhvleftëson marrëveshjet ndërkombëtare dhe ndërmerr një aneksim të dhunshëm të një pjese të territorit të shtetit sovran të Ukrainës. Argumenti historik, që jep presidenti rus për përligjjen e aneksimit të dhunshëm të territorit ukrainas, është një precedent shumë i rrezikshëm për hapjen e kapitujve të errët në marrëdhëniet ndërkombëtare, sepse është lehtësisht e imagjinueshme çfarë mund të ndodhë, nëse fuqitë e mëdha apo fuqitë rajonale do të nisnin të hapnin hartat e vjetra historike dhe të kërkonin rikompozimin e shteteve në bazë të kufijve të dikurshëm historikë, që kanë pasur perandoritë.

Goditja që Rusia i jep mekanizmit të marrëveshjeve ndërkombëtare, dypalëshe apo shumëpalëshe, dhe që kanë të bëjnë me njohjen dhe garantimin e sovranitetit dhe të integritetit territorial të shteteve, vë në dyshim perspektivat e vazhdimit të këtij rregullatori jetik të mbarëvajtjes së marrëdhënieve ndërkombëtare. Sepse po në këtë mënyrë, në funksion të synimeve të saj gjeopolitike dhe të strategjisë së shndërrimit në një fuqi globale, Moska mund të shkelë të gjitha marrëveshjet dhe angazhimet ndërkombëtare, në të cilat ka vënë firmën dhe vulën e vet me partnerë ndërkombëtarë. Këtu nuk është çështja vetëm se Rusia del si partner i pabesueshëm ndërkombëtar, por del çështja se çfarë pritet të ndodhë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare nga një politikë e jashtme dhe nga një strategji e një shteti të rëndësishëm si Rusia. A do të vazhdojë doktrina e re e Putinit e integritetit territorial të kufizuar me “koregjimet historike” të mëtejshme?

Është e kuptueshme se goditjen më të madhe e pësojnë marrëdhëniet mes Rusisë dhe Bashkimit Europian, sepse tronditja ndodhi në kontinentin europian dhe Ukraina është një shtet europian. Pas krizës ukrainase, marrëdhëniet mes Rusisë dhe BE-së nuk mund të jenë më ashtu siç kanë qenë para këtyre zhvillimeve. Përplasja gjeopolitike mes Rusisë dhe Europës për Ukrainën ishte e drejtpërdrejtë dhe ajo do të ketë pasojat e veta në këto marrëdhënie, që nga çështjet e sigurisë e deri tek çështjet e energjisë. Atë që Rusia bëri ndaj Ukrainës, një shtet me të cilin ndan të njëjtën racë sllave, të njëjtën fe ortodokse dhe gjuhë sllave, do ta bënte akoma më me lehtësi ndaj çdo shteti tjetër të Europës, sado i fuqishëm të duket ekonomikisht apo ushtarakisht. Ithtarët e teorisë së përplasjes së civilizimeve duhet të koregjojnë disa dogma, sipas koordinatave të reja të busullës së zhvillimeve ndërkombëtare.

Impakti i krizës ukrainase të krijuar nga Rusia do të jetë më i gjerë, në tërë sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, në të gjithë rajonet. Fantazma e Bashkimit Sovjetik, që zvarritet mureve të pushtetit në Kremlin, nxit që ambicia dhe strategjia e Rusisë të mos shtrihet vetëm në kontinentin europian, por shkon në të gjithë rajonet dhe kontinentet. Ajo do të ketë herët a vonë pasojat e veta edhe në Azi, sepse nuk duhet të ketë iluzione se Kinës mund t’i pëlqejë metodologjia agresive e presidentit të Rusisë për të shkëputur me dhunë territore të shteteve fqinj dhe as perspektiva e një Rusie superfuqi. Në Pekin me siguri e kanë të regjistruar në memorien shtetërore se kur Rusia ishte “Bashkimi Sovjetik”, ndodhi çarja dhe përplasja mes Moskës dhe Pekinit për hegjemoni në perandorinë komuniste, si dhe luftimet kufitare mes dy shteteve në vitin 1969. Edhe Ballkani duhet të përgatitet të presë tani e tutje të papritura të pakëndshme me karakter gjeopolitik në Bosnjë-Hercegovinë, në Serbi, në Kosovën e Veriut, në Maqedoni, etj.

Aneksimi i dhunshëm i një pjese të territorit të Ukrainës nga Rusia po shoqërohet me një teori të re të rrezikshme ruse në marrëdhëniet ndërkombëtare, atë të justifikimit të agresionit dhe të pushtimit në emër të mbrojtjes së shtetasve rusë dhe të “njerëzve që flasin rusisht” në një shtet tjetër. Duke qenë se Moska ka qenë qendra drejtuese e perandorisë sovjetike komuniste, që shtrihej nga Europa Lindore në Oqeanin Paqësor dhe në kontinente të tjera, shtetas rusë mund të gjenden në çdo shtet e cep të botës. Sipas teorisë së re ruse të ndërhyrjes, Kremlini mund të pretendojë këtë të drejtë për çdo shtet të botës. Arroganca e kësaj teorie shkon deri në pikën, që ajo po aplikohet edhe pa pasur asnjë lloj preteksti për ndonjë spastrim etnik apo për persekutim masiv të shtetasve me pasaporta ruse. Për ilustrim po përmendim Krimenë, e cila në vitin 1991, kur u zhvillua referendumi për pavarësinë e Ukrainës, votoi me 54 për qind në favor të shtetit të pavarur të Ukrainës dhe jo për bashkimin me Rusinë. Moska nuk e kontestoi vendimin e referendumit dhe as protestoi për këtë vendim demokratik të popullit të Krimesë në atë kohë.

Një nga dukuritë e reja më negative të zhvillimeve, që po sjell politika e presidentit Vladimir Putin, është sanksionimi i emocionit personal të udhëheqësit dhe të kultit të tij të individit si emocion qeveritar e gjeopolitik i shtetit dhe si instrument i diplomacisë së emocioneve në marrëdhëniet ndërkombëtare. Historia e Europës në 100 vitet e fundit ka një listë të gjatë dëshmish se çfarë i kanë shkaktuar popujve të kontinentit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare ata udhëheqës shtetesh, të cilët i imponuan emocionet personale si emocione shtetërore, diplomatike dhe gjeopolitike.

Udhëheqësit dhe diplomacia perëndimore kanë tani para tyre një Rusi tjetër. Marrëdhëniet Perëndim-Rusi nuk mund të jenë më si para këtyre zhvillimeve, ashtu siç nuk mund të jenë më njëlloj as marrëdhëniet ndërkombëtare. Thelbin e kësaj kthesë të madhe regresive, që ka ndodhur tani në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, e përcakton drejt Jeffrey Mankoff në revistën prestigjioze amerikane “Foreign Affairs”, numri maj-qershor 2014, kur shkruan: “Putin beson hapur që ai dhe Rusia kanë për të fituar më shumë nga konfrontimi i hapur me SHBA-të dhe me Europën, se sa nga bashkëpunimi me ta”.

“Reset” apo rikurdisja e marrëdhënieve me Rusinë tani nuk u takon vetëm marrëdhënieve mes SHBA dhe Rusisë, por tërë sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo që po ndodh nuk është vetëm produkt i misionit të pamundur dhe obsesiv të presidentit Vladimir Putin për të koregjuar “katastrofën më të madhe kombëtare”, siç e ka cilësuar ai prishjen e Bashkimit Sovjetik, me përpjekjet për ta ringjallur atë. Kjo është produkt edhe i stanjacionit të një shteti dhe një shoqërie demokratike në Rusi, e cila si shtet i madh dhe me potenciale të jashtëzakonshme, jo vetëm nuk u shkëput dot nga rruga autoritariste e drejtimit nga modeli tradicional rus i kultit të individit, por edhe nuk arriti të shndërrohet në një pol subjekti ndërkombëtar, që të jetë në gjendje të gjejë rezonancën me tendencat e zhvillimit të shoqërisë moderne.

Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mund të jenë më, siç kanë qenë para zhvillimeve tronditëse në Ukrainë, sepse Rusia realizoi 11 shtatorin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
TAKIM ME ZONJËN JOHANNA NEUMANN E CILA I TREGON BOTËS SE MORALIN E EUROPËS E SHPËTUAN SHQIPTARËTNga ELIDA BUÇPAPAJ (05.11.2014)
FORCA, ZOTËRI PRESIDENT - BËJA FORANga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times (05.10.2014)
Mendime rreth një debatiKUSH JANË FITIMTARËT?Nga RESHAT KRIPA (05.09.2014)
FTESA NDAJ QYTETARËVE TË KOSOVËS DHE LUGINËS SË PRESHEVËS - NJË LËVIZJE TJETËR MË SE BOSHE E TIRANËSNga SKËNDER BUÇPAPAJ (05.08.2014)
SHQIPËRIA, ATËHERË DHE SOTNga FRANK SHKRELI (05.08.2014)
ZËRAT QË GJËMOJNË NË SHKRETËTIRËNga RESHAT KRIPA (05.06.2014)
PAPULIAS DHE SHQIPTARËTNga FRANK SHKRELI (05.05.2014)
RILINDJA - MATJA E RRITJES CILËSORE NË SHOQËRI...!Nga PËRPARIM KABO (05.05.2014)
LDK-ja E ISA MUSTAFËS FITON ME DONIKA GËRVALLËNNga ELIDA BUÇPAPAJ (05.05.2014)
ISAIH BERLIN DHE ANA AHMATOVA - NJË HISTORI DASHURIENga DAVID BROOKS, New York Times (05.04.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2019  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]