VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VOTA NË ZGJEDHJET E ARDHSHME NË KOSOVË
Nga ALBINOT MALOKU

E Hënë, 05.19.2014, 06:19am (GMT1)


Që pas shpalljes së pavarësisë, zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit të këtij viti janë të dytat për Republikën e Kosovës. Si vend të cilit, kur i krahasojmë periudhat i referohemi vitit 1999, kur u bë çlirimi dhe 2008, kur u bë pavarësia, shikuar me optiken e të arriturave dhe dëshirave për Republikën tonë, vazhdojmë të ngelemi si shoqëri tek dëshirat. Zgjedhjet e para parlamentare pas pavarësisë janë konsideruar e vlerësuar si zgjedhjet me turpëruese për vendin, sa që vjelja e votave nga të zgjedhurit në Kuvendin e kaluar dhe subjektet politike, jashtë dhe brenda llojit është quajtur “vjedhje industriale e votës”. Vet-shpërbërja e Kuvendit të parë të pas pavarësisë në Republikën e Kosovës, - puna e të cilit është konsideruar më e dobëta që prej kur Kosova e ka Kuvendin e vet-, me të drejt do të duhej të nxiste ndërgjegjen e votuesit për të mos votuar më, atë që më shumë i ka bërë dëme legjislativit se sa të mira.
Studiues të shumtë kanë hulumtuar sjelljet e votuesit si, pse, për çfarë arsye votojnë, në çfarë mënyre i bëjnë zgjedhjet e tyre për të preferuarit e tyre, për subjektet politike për të cilat mendojnë që i sjellin dobi vendit e shoqërisë. Bazuar nga këta studiues, duke u nisur nga Paul Lazarsfeld si pionierë i hulumtimeve të tilla e deri te Anthony Down e të tjerët, vërejmë se arsyet për zgjedhësit janë të ndryshme, dhe se vota për kandidatin apo subjektin politik ka bazën e vetë. Edhe nga njohësit e partive politike, është përsërit e ripërsërit se në Kosovë, për shkak të mungesës së profilizimit politik e ideor të partive politike, asnjëherë qytetarët nuk e kanë pasur të lehtë të gjejnë arsyen mbi ç’bazë ata do ta japin votën e tyre. Mungesa e demokracisë së mirëfilltë përbrenda subjekteve politike, programet pa konsistencë e koherencë të subjekteve politike, interferimet e bashkësisë ndërkombëtare tek politikat e subjekteve politike në vend, përmes ambasadave të tyre, shkrirja e dallimeve parazgjedhore të subjekteve politike pas zgjedhjeve dhe bashkëveprimi i tyre jashtë-institucional, futjet, aderimet dhe kalimet nga një subjekt politik në tjetrin nga figura politike, sidomos ato figura që janë përdorur nga një subjekt politik dhe kanë ikur tëk tjetri e shumë faktor të tjerë, janë pengesa kryesore e të kuptuarit mirëfilli të të bërit politik e cila i shkon në dobi vendit e shoqërisë.

Pavarësisht asaj, që siç thotë filozofi Ferid Muhiq, inflacioni i fjalë së intelektualëve është në nivelin më të lartë, ata duhet të aktivizohen e ti kontribuojnë me çdo metodë mirë-formimit dhe drejtë-formimit të përgjegjësisë politike e shtetërore të atyre që kërkojnë votën e qytetarit në Kosovë. Pashmangshëm më duhet të them se vota e qytetarëve për çdo palë zgjedhje në vendin tonë është dhunuar në forma e mënyra të ndryshme. Paturpësisht është kërkuar dhe paturpësisht është shfrytëzuar.

Zgjedhjet e ardhshme të 8 qershorit, duke u bazuar nga e kaluara, por edhe nga kjo para-parafushatë elektorale e nisur nga liderët e subjekteve politike, secili me kapacitetin dhe metodat e veta, me nuancat e programeve të prezantuara, përmes fjalimeve, spoteve, debateve televizive, deri më tani, votuesin në Republikën tonë e gjejnë pa të vetmen bazë mbi të cilën ata duhet të votojnë, pra mungon e vazhdon të mungojë vota e dhënë mbi bazën e arsyeshmërisë.

Zgjedhësit në këto zgjedhje parlamentare i kanë të garantuara pesë baza mbi të cilat do ta japin votën e tyre. Votuesit të cilët në mungesë të votës së bazuar mbi arsyeshmëri dhe duke u nisur nga përvojat e deritanishme do ti përkasin grupit të para, e ata janë votuesit të cilët votën e tyre do ta japin mbi bazën e interesit krejtësisht personal, çoftë edhe nëse zgjedhja e tyre është dëshmuar si e gabuar deri tani. Në rrethin e dytë, do të hyjnë votuesit të cilët votën e tyre do ta japin vetëm e vetëm për inati të fuqisë tjetër politike, e cila bënë pjesë në grupin e parë. Në grupin e tretë do të jenë votuesit të cilët votën do t’ia lëshojnë liderit shpirtërorë, pra do të jetë votë emocioni . Në grupin e katër të votuesve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovës do të jenë votuesit mbi lidhjet familjar. Dhe në fund votuesit periferik që deri në momentin e fundit, nuk u bëhet vonë dhe nuk e ndjejnë peshën e votës së tyre.
Kur i shohim këto mënyra të të bazuarit të votës, ku ende mungon mirëfilli arsyeja e të votuarit të subjektit të caktuar politik në Republikën e Kosovës, gjithherë duke u nisur nga puna e bërë nga figurat që i përbëjnë këto subjekte politike dhe angazhimi i tyre, si qytetar imponohem ti bashkohem kërkesës së Atifete Jahjagës, - e që për kohen në të cilën jetojmë, hapësirën gjeografike, dhe tentimin e spektrit politik në Kosovë për një shtet normal, përbën kulminacionin e perversionit-, pra kërkesa që zgjedhjet në Kosovë të jenë demokratike, të ndershme, te drejta e gjithëpërfshirëse.

ALBINOT MALOKU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.