VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

"SHQIPTARËT I SHPËTUAN MORALIN EVROPËS"
      Johanna Neumann
Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

E Martë, 05.20.2014, 06:38am (GMT1)



    Para pak ditësh dhe pikërisht më 14 maj, lexova në internet shkrimin mjaft interesant të publicistes së talentuar, zonjës Elida Buçpapaj, me titull:

    "Takim me zonjën Johanna Neumann, e cila i tregoi botës se moralin e Evropës e shpëtuan shqiptarët".

    Në atë shkrim fort prekës dhe me një domethënie mjaft të thellë, flitet për zonjën 84-vjeçare Johanna Neumann, e cila mundi të shpëtonte nga zhdukja fizike e nazizmit gjerman, falë humanizmit dhe besës proverbiale të popullit shqiptar.

    Shkrimi i zonjës Elida më la shumë mbresa dhe më bëri të përsias gjatë me veten time. Para se të filloja t'i hedhja në faqet e kompjuterit përsiatjet e mia, mendova se titullit të shkrimit të zonjës Elida mund t'i shkonte shumë mirë edhe nëntitulli: "Në gjurmët e një të vërtete të braktisur nga Tirana zyrtare".

    Qëndrimi aq fisnik, aq i besës, aq burrëror i popullit shqiptar ndaj hebrenjve në vitet e luftës së Dytë Botërore, kur, as edhe në një rast të vetëm, askush prej tyre nuk ra në duart e nazistëve gjermanë, dëshmon për kodin moral të shqiptarëve që nuk mund të krahasohet me kodin moral të asnjë populli tjetër evropian.

    Por ky qëndrim kaq i madhërishëm i popullit shqiptar ndaj hebrenjëve, i cili u bë për ta mburojë e sigurt përballë egërsisë naziste për zhdukjen e tyre, u shoqërua me heshtjen paradoksale gati gjysmëshekullore të Tiranës zyrtare, e cila, me të drejtë, kishte se çfarë t'i tregonte jo vetëm Evropës, por edhe botës mbarë se çfarë aktesh heroike kishin kryer shqiptarët e thjeshtë për të shpëtuar jetën e hebrenjve Kjo e vërtetë, po ashtu, duhej të ishte dokumentuar me rrëfime të familjeve që i strehuan hebrenjtë, familje këto që vunë veten në rrezik, vetëm e vetëm që asnjë hebre të mos binte pre e mizorisë naziste. Këto rrëfime, të dokumentuara edhe me pohimet e vetë hebrenjve që asokohe ishin strehuar në Shqipëri, pas mbarimit të luftës, duhej t'u bëheshin të njohura të gjitha institucioneve ndërkombëtare, deri edhe në Këshillin e Sigurimit dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që bota ta mësonte se ç'vlera të larta morale e karakterizojnë kombin shqiptar, se ç'dimensione befasuese përfton instituti i besës në formimin psikologjik të kombit shqiptar.

    Në periudhën e sundimit komunist në vendin tonë, Izraeli, si një shtet që gëzonte përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vlerësohej si shtet armik i Shqipërisë. Prandaj edhe heroizmit të pazakontë që manifestuan familjet e thjeshta shqiptare për t'i strehuar hebrenjtë në vende të sigurta, komunizmi enverian i vuri përsipër një gur të rëndë. Kjo ishte edhe arsyeja që temës së heroizmit të popullit tonë në mbrojtje të tyre, nuk iu kushtua asnjë fletëpalosje, asnjë album, asnjë libër artistik, asnjë pikturë, nuk u xhirua një film artistik për be, nuk u përgatit asnjë libër i posaçëm me mbresa dhe me kujtime të vetë hebrenjve dhe të familjeve që sakrifikuan veten e tyre për t'i shpëtuar nga barbaria gjermane, libër që të përkthehej edhe në gjuhë të huaja dhe të shpërndahej në mbarë Evropën dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në bibliotekën e tim biri, Plarentit, në Santa Barbara (Kaliforni) gjeta albumin interesant, për të cilin bën fjalë zonja Elida, të botuar në gjuhën angleze. Albumi titullohet: "BESA. Myslims who saved jews in World War II" (BESA. Myslimanë që shpëtuan hebrenj në Luftën e Dytë Botërore). Syracuse Unicersity Press. New York 2008". Autor i këtij albumi mbresëlënës është hebreoamerikani Norman H. Gershman, me profesion fotograf. Punimet e tij në artin e fotografisë janë paraqitur në mjaft muze në mbarë botën. Fotografitë e tij kanë qenë të ekspozuara në Izrael dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Fotografitë që ai ka bërë në Kosovë dhe në Shqipëri, kanë shërbyer si subjekt për përgatitjen e një dokumentari me titull "God's House" (Shtëpia e Zotit).

    Nga ky album, që autori edhe në anglisht titullin ia ka lënë "BESA", me qëllim që të nxjerr në pah faktin se hebrenjtë shpëtuan nga vdekja për forcë të institutit të besës që karakterizon shqiptarët, mësova se kanë qenë 58 familje shqiptare që kanë pas strehuar hebrenj gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Mes atyre familjeve të nderuara dhe të respektuara, ishte edhe familja e Abaz dhe Zade Sinanit nga Lushnja, prindërit e të njohurve të mij të vjetër, Agim Dhe Petri Sinani. Në album, në faqen 81, ishte botuar fotografia e zotit Agim Sinani, të cilin autori e kishte nxjerr në një pozicion të tillë, ku ai mbante në dorë fotografinë e të atit, të vendosur pranë zemrës.

    Këtë album duhej ta kishin përgatitur me kohë e me vakt autoritetet komuniste shqiptare. Por ato, për fatin e keq të mbarë kombit shqiptar, mendjen e kishin te miqësia e pamoralshme me sllavizmin, te lufta e egër e klasave, te shtypja e lirive dhe e të drejtave më elementare të njeriut, te varfërimi kriminal i popullit shqiptar, i cili në vitet '80 të shekullit të kaluar mori përmasa katastrofike, dhe te forcimi i pushtetit të tyre diktatorial.

    Tiranë, 20 maj 2014

Prof. Dr. ESHREF YMERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.