VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ÇFARË FSHIHET PRAPA ALEANCËS EKONOMIKE EUROAZIATIKE?!
Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

E Shtunë, 05.31.2014, 06:24pm (GMT1)



    Siç është bërë e ditur, më 29 maj 2014, presidenti rus Putin, i cili ka ardhur në krye të Federatës Ruse më 26 mars të vitit 2000 dhe, së paku, deri në vitin 2024 do të vazhdojë të jetë president i vendit, presidenti i përjetshëm Nazarbajev i Kazakistanit që prej 10 dhjetorit të vitit 1991, dhe presidenti gati i përjetshëm Llukashenko i Bjellorusisë që prej 20 korrikut të vitit 1994, u mblodhën në Astana, kryeqytet i Kazakistanit, dhe nënshkruan marrëveshjen për krijimin e Aleancës Ekonomike Euroaziatike. Parlamentet e të tre vendeve duhet ta ratifikojnë këtë marrëveshje deri në fund të vitit 2014 dhe ajo duhet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2015.

    Mendohet se kjo marrëveshje do të shënuaka daljen në skenë të një bashkësie të madhe ekonomike, pas Bashkimit Evropian, në një hapësirë pa kufi dhe pa dogana për 170 milionë banorë.

    Marrëveshja në fjalë, siç thuhet, dashka të shënojë një shkallë të re integrimi, për të siguruar lëvizjen e lirë të mallrave, të shërbimeve, të kapitaleve dhe të fuqisë punëtore dhe krijimin e një tregu të përbashkët në një hapësirë gjigante, të shoqëruara këto me heqjen e pengesave kufitare dhe të migracionit. Qytetarëve iu krijuaka mundësia për të zgjedhur, pa kurrfarë kufizimesh, se ku dëshirojnë të banojnë, të punojnë apo të vazhdojnë shkollimin. Sipërmarrësit do të gëzuakan të drejtën ta vendosin me dëshirën e vetë se ku u pëlqen ta regjistrojnë firmën e tyre.

    Por nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është shoqëruar edhe me ca rezerva nga ana e Kazakistanit dhe e Bjellorusisë. Kështu, Nazarbajevi i përmbahet pikëpamjes se marrëveshja në fjalë duhet të jetë vetëm e natyrës ekonomike, pa kurrfarë politizimi. Më herët, kur bëhej fjalë për projektin e kësaj marrëveshjeje, qe menduar edhe për futjen e sistemit të një valute të përbashkët. Madje qe menduar edhe emërtimi i valutës, si rubla euroaziatike ose euraz. Por tani qe vendosur të hiqej dorë nga valuta e përbashkët. Është e paqartë, gjithashtu, se ku do të jetë kryeqyteti i Aleancës Ekonomike Euroaziatke. Këto "paqartësi" për punën e kryeqytetit, sigurisht që janë hile të Putinit, i cili kërkon t'u mbush mendjen Kazakistanit dhe Bjellorusisë se ai na qenka, demek, i shqetësuar për ngritjen e aksioneve të tyre në raportet e ardhshme me Moskën. Dhe për t'i bindur edhe më shumë ortakët e tij, Nazarbajevin dhe Llukashenkon, paskej vendosur që takimi për nënshkrimin e marrëveshjes së lartpërmendur, të zhvillohej në kryeqytetin e Kazakistanit dhe jo në Moskë.

    Por edhe presidenti bjellorus Llukashenko, që para nënshkrimit të marrëveshjes,  paska shprehur njëfarë pakënaqësie për sa i përket krijimit të Aleancës Ekonomike Euroaziatike. Ai pati deklaruar:

 "... ne kemi ende mundësi për t'i bërë marrëveshjet tona më të mira, për leverdinë e ndërsjellë të të gjithë pjesëmarrësve të aleancës sonë. Dhe duke qenë partner të çiltër, të besueshëm, se ndryshe Bjellorusia e ka të pamundur. Ne, detyrimisht, do të bisedojmë për një gjë të tillë edhe me presidentin e Rusisë, edhe me presidentin e Kazakistanit" (Citohet sipas: Putini, Llukashenkoja dhe Nazarbajevi nënshkruan marrëveshjen për Aleancën Ekonomike Euroaziatike". Marrë nga faqja e internetit "topnews.ru". 29 maj 2014).

    Të bëjnë përshtypje rezervat e Nazarbajevit dhe njëfarë pakënaqësie e Llukashenkos lidhur me këtë marrëveshje. Këta të dy, së bashku me presidentin Putin, janë komunistë palcarë dhe stalinistë të regjur. Putini, i lindur më 7 tetor 1952, Nazarbajevi, i lindur më 6 korrik 1940 dhe Llukashenkoja, i lindur më 30 gusht 1954, si komunistë të vendosur dhe stalinistë besnikë, kanë qënë këmbëngulës në ruajtjen e perandorisë sovjetike.

    Putini ka qenë kundërshtarë i rreptë i shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik. Kundërshtimin  e tij të prerë për këtë shpërbërje ai e ka shprehur gjatë fushatës zgjedhore për mandatin e tij të dytë presidencial, të zhvilluar në muajt e parë të vitit 2004. Sipas zotit Malcom Haslet, analist i BBC-së për Euro-Azinë, zoti Putin paska deklaruar se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik paska qenë "një tragjedi kombëtare e parmasave të papara" (Citohet sipas: Gazeta "Tribuna", 19 shkurt 2004, f. 11. E përjavshme informative e pavarur që botohet në Athinë). 

 Megjithatë, kjo shpërbërje qe e  pashmangshme, prandaj, sipas marrëveshjes që u arrit më 8 dhjetor 1991 në Bjellovezh të Bjellorusisë mes Presidentit të Federatës Ruse Boris Jelcin, Kryetarit të Sovjetit Suprem të Ukrainës Leonid Kravçuk dhe Kryetarit të Sovjetit Suprem të Bjellorusisë Svjatosllav Shushkeviç, u mor vendimi për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe për krijimin e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura. Llukashenkoja madje, gjatë ratifikimit të marrëveshjes së Bjellovezhit në Sovjetin Suprem të Bjellorusisë, votoi kundër dhe më pas pati deklaruar se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik na paskej qenë katastrofa më e madhe gjeopolitike e shek. XX.

    Me sa duket, brymosja e tyre me stalinizëm, këta tre komunistë në botëkuptim, i bën të dyshojnë te sinqeriteti i njëri-tjetrit, meqenëse tradita e sundimit komunist në mbarë vendet ish-komuniste të Evropës Lindore, ka pas vërtetuar në praktikë se udhëheqësit komunistë i kanë ngrënë kokën njëri-tjetrit. Dyshimi i Nazarbajevit dhe i Llukashenkos në sinqeritetin e Putinit ka një bazë reale, meqenëse Rusia, tradicionalisht, e ka vërtetuar në praktikë se s'e ka për gjë t'i katandisë marrëveshjet në një copë letër pa vlerë. Prandaj jo më kot Bismarku dikur pati deklaruar:

    "Një marrëveshje e nënshkruar me Rusinë nuk vlen as sa copa e letrës në të cilën është shkruar" Citohet sipas: "Aforizma të Bismarkut për Rusinë dhe për rusët". Marrë nga faqja e internetit "aforizmik.ru". 20 dhjetor 2013).

    Pikërisht kjo është edhe arsyeja që si Nazarbajevi, edhe Llukashenkoja, i druhen fort politizimit të kësaj marrëveshje, politizim ky që do të thotë cënim i sovranitetit dhe i tërësisë territoriale të Kazakistanit dhe të Bjellorusisë për interesat neoperandorake të Moskës.

    Në shikim të parë, kjo duket si marrëveshje ekonomike, por prapavijën e saj politike Putini e fsheh djallëzisht. Ndërkohë, puthadorët e tij të shumtë, të cilët ai i ka selitur me kujdes në mjetet e informimit masiv dhe në fushën e filozofisë, hilenë e Putinit e zhveshin nga petku i  demagogjisë dhe hedhin në publik idenë putiniane për ringjalljen e perandorisë sovjetike.

    Ja se çfarë deklaron njëri nga filozofët, politologët dhe publicistët rusë:

    "Gabimi kryesor i oponentëve të Rusisë në Perëndim qëndron në faktin se ata hamendësojnë se po i kundërvihen pak a shumë një grupi të aftë politik të elitës ruse që ka mundur ta monopolizojë pushtetin në duart e veta. Dhe nuk po e kuptojnë se po pleksen në një kundërvënie me ca ligjësi historike, me aspiratën e një populli të madh për vetëvendosje në formën e ringritjes së tërësisë së mjedisit të vetë historik të banimit, domethënë të ringritjes së organizimit të vet shtetëror në kuadrin e atdheut të vet historik - Bashkimit  Sovjetik" (Citohet sipas: Sergej Çernjakovski. "Amerikanëve nuk ua vlen të bëhen pengesë në rrugën e historisë - kjo do t'i flakë mënjanë". Marrë nga faqja e internetit "km.ru". 26 mars 2014).

    Po cili është ky Sergej Çernjakovski?

    Është filozof politik rus, politolog, publicist, anëtar efektiv i Akademisë së Shkencës Politike, doktor i shkencave politike, profesor i Katedrës së Kulturës së Paqes dhe të Demokracisë të Fakultetit të Historisë, të Politologjisë dhe të së Drejtës të Institutit Historiko-Arkivor të Universitetit Shtetëror Humanitar Rus, këshilltar i presidentit të Universitetit të Pavarur Ekologo-Politologjik Ndërkombëtar.

Por frymëzimet shoviniste për ringritjen e Bashkimit Sovjetik, Putini i merr jo vetëm nga puthadorët e tij të regjur në mjetet e informimit masiv, si puna e Dmitri Kiselovit, i cili kuturis të deklarojë se "Federata Ruse, po të jetë nevoja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund t'i kthejë në hi radioaktiv, duke përdorur armët bërthamore" (Citohet sipas: Rusia mund t'i kthejë në hi radioaktiv Shtetet e Bashkuara të Amerikës - drejtuesi i emisioneve televizive Kiselov". Marrë nga faqja e internetit "news.liga.net". 16 mars 2014), jo vetëm nga filozofët e kallëpit të Sergej Çernjakovskit, por edhe nga shkrimtarë të mëdhenj, si Aleksandër Sollzhenjicini (1918-2008).

Në korrik të vitit 1990, Sollzhenjicini pati shkruar një broshurë me titull "Si ta rregullojmë Rusinë", e cila u botua në gazetën "Komsomolskaja pravda" më 18 shtator të po atij viti. Në atë broshurë, Sollzhenjicini shpreh pikëpamjet e veta për Kazakistanin dhe për Ukrainën. Këtu po ndalem në dy citate nga broshura e tij dhe në reagimet që ngjalli ajo asokohe në Kazakistan dhe në Ukrainë.

Pikëpamjet e Sollzhenjicinit për Kazakistanin:
"... Për Kazakistanin. Territorin e tij të sotëm gjigant komunistët e patën copëtuar pa mend në kokë, si u qëlloi: nëse diku kopetë endacake kalojnë një herë në vit, atëherë atje vendi u quaka Kazakistan... Por Kazakistani përbëhet prej Siberisë Jugore, prej zonave jugore përbri Uralit, si edhe prej hapësirave qëndrore të shkretëtirave, të cilat i patën transformuar dhe sistemuar rusët, të burgosurit dhe popullsitë e internuara. Dhe sot, në mbarë Kazakistanin me kufinj të fryrë, kazakët përbëjnë më pak se gjysmën e popullsisë. Kompaktësia e tyre, pjesa amtare e qëndrueshme e tyre, shtrihet në harkun e madh jugor të krahinave, që prej skajit lindor deri në perëndim, pothuajse deri në brigjet e detit Kaspik, që popullohet kryesisht me kazakë. Dhe në qoftë se në këtë hapësirë ku shtrihen, ata dëshirojnë të shkëputen, atëherë udhë e mbarë u qoftë" (Сitohet sipas: "Thirrja e Sollzhenjicinit: reagimi i parë". Marrë nga faqja internetike e gazetës ruse "Panorama". 12 (24) tetor 1990).

Reagimet në Kazakistan:

Në sheshin para ndërtesës së Akademisë së Shkencave në Alma-Ata, më 22 shtator 1990, u zhvillua një miting që e organizonin përfaqësuesit e organizatave politiko-shoqërore. Në miting u hodhën parullat:

"Nuk do ta lejojmë copëtimin e Kazakistanit!"
, "Sollzhenjicini është përfaqësues i shovinizmit të shtetit të madh!". "O popull, bëju gati për mbrojtjen e tokës tënde!". "Nuk do të japim asnjë pëllëmbë nga toka e Kazakistanit!" (po aty).

Pikëpamjet e Sollzhenjicinit për Ukrainën:

"... populli ynë u nda në tri degë vetëm për shkak të fatkeqësisë kërcënuese të dyndjes mongole, si edhe të kolonizimit polak. Në këtë mes kemi të bëjmë me një gënjeshtër të trilluar pak kohë më parë, sikur gati që nga shek. IX na paska ekzistuar një popull i veçantë ukrainas, me një gjuhë të veçantë joruse" (po aty).

Reagimet në Ukrainë:

Igor Juknovski, kryetar i grupit te deputetëve "Narodnaja Rada" (Parlamenti i Popullit) në Sovjetin Suprem të Ukrainës, lëshoi këtë deklaratë për broshurën e Sollzhenjicinit:
"Disa teza të asaj broshure, kaq shumë më befasojnë, saqë unë nuk gjej dot fjalë për të shprehur revoltën time... Është e çuditshme që disa intelektualë të shquar rusë qëndrojnë në pozita imperialiste" (po aty).

Zëvendëskryetari i Këshillit Krahinor të Lvovit, Nikollaj Gorin, u shpreh:

Qëndrimi i Sollzhenjicinit ndaj çështjes ukrainase është shovinist" (po aty).

Njëri nga udhëheqësit e partisë republikane të Ukrainës, Sergej Naboka, deklaroi:

"Duke e respektuar Sollzhenjicinin si shkrimtar, unë e konsideroj atë një mendimtar pa kurrfarë vlere. Duke mbetur imperialist në pikëpamjet e veta, ai fut hundët atje ku nuk i takon. Nga të gjithë patriotët rusë, për mendimin tim, nuk ka asnjë të vetëm, i cili do të mund t'i lante mëkatet që bolshevikët rusë kanë bërë në tokat e popujve që kishin nën sundim" (po aty).

Në sesionin e Këshillit Krahinor të Lvovit qe aprovuar një deklaratë lidhur me përmbajtjen e broshurës së Sollzhenjicinit. Në atë deklaratë, ndër të tjera, thuhej:

"Fatkeqësia fillon që nga mësuesit dhe profetët e paftuar... Halli nuk është aspak tek ato fyerje që Sollzhenjicini i lejon vetes në adresë të popullit ukrainas.., halli është se neve po na përfshijnë përsëri brenda hapësirës historike të popullit rus... Ne asnjëherë nuk kemi pasur asgjë kundër popullit rus dhe dëshirojmë që popujt tanë të jetojnë si popuj paqësorë dhe të mirë. Por dashuria dhe respekti duhen merituar. Ideja e rilindjes së pansllavizmit që propozon Sollzhenjicini, për ne është e rrezikshme si asnjë tjetër. Është e rrezikshme sepse neve na lihet përsëri roli i vëllait të vogël... Ne i kemi pasur me kohë dhe tani i kemi profetët tanë. Ukraina në Shtëpinë e Përbashkët Evropiane do të hyjë si Ukrainë. Aleancë me Rusinë nuk do të ketë" (po aty).

Me nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e Aleancës Ekonomike Euroaziatke, Putini, sipas të gjitha gjasave, kërkon t'i rikthehet, nën rrogoz, procesit të rusifikimit të ish-republikave sovjetike.

Në periudhën e perandorisë sovjetik, ky rusifikim ishte një tjetër mënyrë nënshtrimi që sajoi shovinizmi rusomadh në raport me republikat sovjetike. Ky ishte i ashtuquajturi sundim "i butë", "i kadifenjtë", ishte rusifikim i tyre shkallë-shkallë. Shqetësimi për rusifikimin e republikave erdhi e u ravijëzua sidomos pas shpërbërjes së perandorisë sovjetike. Ky shqetësim u shfaq me forcë sidomos në Estoni, në të cilën 33% të popullsisë prej 1,5 milionë banorësh e përbënin rusët.

Njëri nga përfaqësuesit e diasporës ruse në Kazakistan, Jakov Bjellousov, shkruante më shumë se një dekadë më parë:

 "Historia i pati rregulluar punët asisoj që pothuajse gjatë dy shekujve popujt e Kazakistanit të ndodheshin në përbërjen e Perandorisë Ruse dhe mandej të Bashkimit Sovjetik. Kultura ruse dha një kontribut të ndjeshëm në zhvillimin e kulturës së popujve të Kazakistanit...Por, gjatë viteve të fundit, funksionimi i kulturës ruse në Kazakistan po has në vështirësi. Nëpër institucionet arsimore është pakësuar në mënyrë të konsiderueshme mësimi i gjuhës ruse, i letërsisë ruse. Gjuha ruse sa vjen e po i humbet pozitat e veta në administratën shtetërore. Deri tani nuk është aprovuar ligji për statusin e gjuhës ruse, si gjuhë që përdoret zyrtarisht në institucionet shtetërore. Opinioni publik rus në Kazakistan shpreh shqetësimin për faktin që sapo vjen e ngushtohet sfera e funksionimit të gjuhës ruse dhe të kulturës ruse. Pavarësisht nga largimi i rreth 2,5 milionë rusëve nga Kazakistani, 4,5 milionë kanë mbetur" (Citohet sipas: Gazeta "Rossija", 27 qershor - 3 korrik 2002, f. 11).

Sipas të dhënave statistikore të vitit 2013, diaspora ruse në Kazakistan kishte zbritur në 3 milionë e 712 mijë frymë.

Kot ankohej zoti Bjellousov. Gjuhës ruse në Kazakistan nuk ia kishin fajin kazakët. Fajin ia kishte shovinizmi rusomadh me revanin që kishte marrë gjatë sundimit komunist sovjetik për rusifikimin pa zhurmë e pa bujë të popullit kazak. Faktin e prirjes së hapur të rusifikimit të Kazakistanit nga ana e shovinizmit rusomadh të periudhës së komunizmit, zoti Bjellousov kërkon ta anashkalojë. Shpërfillja për gjuhën dhe për letërsinë ruse që i rënka në sy zotit Bjellousov, tregon se ato i janë imponuar popullit të Kazakistanit nga ana e shovinizmit rusomadh të periudhës sovjetike. I thonë gati 7 milionë rusë në një vend me një popullsi prej rreth 16 milionë banorë në vitin 1989. Mirë që në Kazakistan u dyndën shumë rusë se atje Hrushovi pati nisur aksionin e famshëm për hapjen e tokave të reja, atje u ndërtuan kozmodromet për lëshimin e raketave. Mirë që në Ukrainë u vendosën, po ashtu, mjaft rusë, se aty funksionon pellgu i pasur qymyrguror i Donbasit, aty qenë ngritur uzina dhe fabrika të shumta, stacion termobërthamor etj., po në Republikën e vogël të Estonisë pse duhej të vendoseshin aq shumë rusë kur nuk kishte gjëra të tilla? Përgjigjja është e thjeshtë: se duhej bërë rusifikimi i saj.

Me sa duket,Putini po mundohet ta minimizojë në maksimum shqetësimin që e bren përbrenda për Ukrainën, problemet me të cilën i krijoi vetë, në bashkëpunim të ngushtë me mashën e tij në Kiev, ish-presidentin Janukoviç. Se atij nuk mund të mos i bëjnë përshtypje fjalët e dikurshme të Bismarkut, i cili ka pas deklaruar:

"Madhështia e Rusisë mund të minohet nëse Ukraina do të ndahet prej saj..." (Citohet sipas: "Bismarku për Rusinë". Marrë nga faqja e internetit "bugaga.ru". 21 mars 2013).

Prof. Dr. ESHREF YMERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.