E Shtunë, 08.08.2020, 03:33pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
ZGJIDHJE KOSOVE
Nga AFRIM KRASNIQI

E Enjte, 06.12.2014, 06:44pm (GMT+1)


Nuk ka dilemë se pritshmëritë e votimeve të 8 qershorit nuk do të ishin zgjidhje, por vetëm zgjedhje për Kosovën. Zgjedhjet vlejnë kur bëhen periodike, kur ka standarde demokratike, kur ka konkurrencë dhe kur respektohen parimet e votimeve të lira, - arritje që Kosova i synoi dhe i meritoi plotësisht, madje shumë më me standarde sesa Shqipëria e vitit 2013. Për të pasur zgjidhje do të duhet të ketë pritshmëri të tjera, - 8 qershori do të duhej të krijonte një mazhorancë solide, qytetarët do shënonin pjesëmarrje të lartë në votime, perspektiva e sistemit politik dhe qeverisës do të garantohej përmes një modeli efektiv mirëqeverisjes dhe përfaqësues. Në zgjedhje fitoi PDK, një “fitore si e Piros”, e pamjaftueshme për të krijuar stabilitet, mazhorancë, efektivitet dhe garanci për mirëqeverisjen. Në kërkim të mandatit të tretë qeverisës PDK ia lejoi vetes të përdorë çdo mjet të mundshëm, përfshirë koalicionin me radikalët fetarë islamikë, përdorimin e të gjitha mjeteve shtetërore financiare për fushatë, premtimeve liberale pa sens ekonomik dhe thithjes pa kriter të bizneseve kryesore operuese në Kosovë. Strategjia ia doli ta nxjerrë PDK dhe koalicionin e saj fituesin e parë ligjor të zgjedhjeve, njësoj si Gruevski në Maqedoni apo Gjukanovic në Malin e Zi. Një fitore e dukshme përballë një opozite të lodhur, të ndarë dhe pa strategji, por të pamjaftueshme për të sjellë qeverisjen që kërkon Kosova. Ndaj festat në rrugë përpara rezultatit final zgjedhor ishin të gabuara dhe sinjal për të kuptuar se me gjithë standardet në rritje zgjedhore sjellja politike mbetet e njëjtë në Ballkan.

Zgjedhjet ishin evropiane por zhvillimet më pas i shndërruan ato në zgjidhje kosovare. Brenda 48 orësh Kosova njohu një zhvillim të ri: opozita kuptoi gabimin e saj më të madh, ndarjen, dhe vendosi të riorganizohet. Nëse do ta kishte bërë këtë përpara 8 qershorit mandati i saj do kishte qenë solid dhe rotacioni politik formalitet. E bëri pas zgjedhjeve, duke negociuar brenda pak orësh postet kryesore në shtet: presidentin, kryeministrin, qeverinë dhe kryetarin e parlamentit. Aksioni i saj politik e gjeti PDK të dehur nga pushteti, pa ide novatore dhe të papërgatitur për një plan shpëtimi. Dhe brenda pak minutave debati i mitingjeve dhe festimeve në rrugë u zëvendësua nga debati kushtetues: a është legjitime që qeveria të jetë vetëm e forcës së parë politike? A ka të drejtë opozita të bashkohet për ti dhënë vendit qeveri? A është kushtetuta garanci për kapërcimin e dilemave dhe krizës? Të gjithë u ndanë në dy grupe të kundërta, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Tiranë, ku pushteti uroi fitoren përpara se të fitohej dhe grupet oligarkike nisën të mbrojnë partnerët e Prishtinës me argumente kryesisht para-demokratike.
 

Kushtetuta e Kosovës ka një paqartësi kur flet për “konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën” dhe pas dështimit të raundit të parë, për “të njëjtën procedurë”. Nuk jam i sigurt se kjo përbën një bazë për padi kushtetuese dhe për një investim të Gjykatës Kushtetuese. E sigurt është se pala e parë fituese nuk i ka votat e duhura për krijimin e mazhorancës dhe se në çdo vend demokratik, mandati i kalon palës së dytë fituese. Kjo e fundit i ka edhe votat, edhe partnerët, edhe të drejtën të jetë përfitues i sistemit demokratik të mazhorancave. Argumenti se nuk ka sens që një palë të fitojë dhe ajo të mos qeverisës është politik dhe formal, për sa kohë kjo palë nuk arrin të përmbushë detyrimin kushtetues për krijimin e mazhorancës së kërkuar. Kërcënimi me zgjedhje të reja po ashtu nuk ka sens. Nuk mund të shkojë Kosova në zgjedhje të reja vetëm për shkak të një emri dhe posti, kur praktikisht ka një mazhorancë të gatshme të marrë drejtimin. Argumenti tjetër se në dy rastet mandati kalon vetëm nga partia e parë nuk ka sens, për sa kohë nuk ka sens që një palë me 30% të votave të kushtëzojë mbi 60% të votave të palës tjetër.  A është Kosova unike në këto praktika? Jo. Në Turqi në disa zgjedhje ka fituar partia islamike por qeverinë e kanë krijuar forcat laike të dyta e të treta. Në Slloveni, një vend i BE, më 2011 partia e parë fituese nuk krijoi dot qeveri, mandati i kaloi koalicionit të partisë së tretë dhe të katërt, dhe të gjithë e pranuan. Në Itali kryeministri Renci nuk erdhi kryeministër përmes zgjedhjeve por pasi fitoi garën brenda partisë së tij dhe në një senat ku nuk ka shumicën. Në Greqi, Austri, dhe disa vende të tjera evropiane ka pasur gjithashtu raste të ngjashme. Kancelari historik Helmut Kohl erdhi në pushtet përmes një votimi procedural në parlament, jo nga zgjedhjet parlamentare dhe askush nuk e akuzoi atë për grusht shteti apo tradhti ndaj demokracisë! A vlejnë këto modele për Kosovën? Natyrisht që po.
 

Ajo për të cilat nuk flitet shumë janë argumentet morale dhe politike. Votuesi kosovar e ka bërë zgjedhjen e tij mbi preferencat. Por fituesi i zgjedhjeve në Kosovë përfaqëson jo më shumë se 11% të banorëve madhorë të Kosovës, pra shumë pak për të qenë pushtet absolut dhe apriori. Për shkak se në demokraci ka praktika koalicionesh votuesi ka zgjedhur disa parti, dhe secila, ka të drejtë të vendosë për koalicione pas-zgjedhore, në varësi nga aksioni politik. A nuk kaloi në Shqipëri më 2005 PAA me PD pas zgjedhjeve kur në fushatë ishte kundër saj? A nuk fitoi PS më shumë vota sesa PD më 2009 por pushtetin e mori koalicioni i djathtë me një aleat të majtë, ky i fundit pasi erdhi në parlament me premtimin se do të largonte të djathtën nga pushteti!! Në Maqedoni a nuk ishte dhe është BDI aleate edhe me të majtën, edhe me të djathtën maqedonase? A nuk kishte Kosova kryeministra pakice si Haradinaj, Ceku, Kosumi, Rexhepi, etj, gjatë viteve të kaluara? A nuk ia morën postin kryeministrit Haradinaj jo përmes zgjedhjeve por përmes një procesi ekstra ligjor dhe ekstra territorial të nisur në Hagë? A nuk zgjodhi Kosova Presidentë emra si Jahjaga apo Pacolli që ose nuk ishin votuar nga qytetarët ose ishin pakicë politike? Kur sheh shembuj të tillë e kupton se në një lojë dhe sistem politik pluralist kompromiset politike janë të natyrshme. Dhe elektorati nuk ndjehet i tradhtuar për sa kohë vota e tij numërohet, reflektohet në parlament dhe përfaqësuesit e tij e përdorin atë “në të mirën publike” siç e justifikojnë sjelljen e tyre të gjitha palët politike.
 

Brezave të rinj u mësojmë në auditorë se demokracia nuk është thjesht procedurë, është më shumë se kaq, - është frymë, vlera, standarde dhe parime. Ndaj në Kosovë kur flitet për moralitetin dhe vlerat e demokracisë ka një dilemë më se normale. Jo tek kompromisi, jo tek e drejta e opozitës të bëhet mazhorancë, jo tek koalicionet, por tek liderit politikë dhe aftësia e tyre për të bërë marrëveshje personale, që e trajtojnë shtetin si një pronë private ku postet ndahen në tavolinë dhe institucionet shndërrohen në njësi formale, të detyruara të jetësojnë marrëveshjet jashtë tyre. Kur një parti humbet zgjedhjet në radhë të parë duhet të mbajë përgjegjësi, lideri duhet të votëbesohet nëse e meriton dhe më pas të ketë një aksion politik afatgjatë. Kalimi i kësaj faze në një kompromis të minutës së fundit vetëm sa forcon liderit politikë, i bën ata të paprekshëm, të fuqishëm, autoritare dhe një kërcënim për demokracinë e vlerat e saj. E njëjta vlen për të gjitha palët politike: ata që për mandatin e shefit të tyre janë të gatshëm ta çojnë Kosovën në krizë të re politike dhe ata që shefat e tyre i deleguan në postet e larta shtetërore me një mekanizëm që nuk mori votë direkt me 8 qershor. Koncepti që, p.sh, në Tiranë dy burra dhe në Kosovë tre burra të vendosin në tavolinë se kush do jetë President pas dy-tri vitesh nuk duket aq demokratik. Nëse ata propozonin emër por duke premtuar votim direkt nga qytetarët kjo quhet sfide dhe do ishte pozitive, - përndryshe mbahet në këmbë një sistem dhuratash dhe pazaresh politike, i cili dëmtohet shteti, imazhi e besimi tek demokracia, institucioni aktual i Presidentit, institucionet e partive politike dhe pritshmëria se në demokraci vendos vota qytetare.
 

Huntington ka mbrojtur tezën se një vend e kalon tranzicionin jo vetëm kur bën zgjedhje demokratike, por kur bën të paktën tri rotacione demokratike. Kosova bëri zgjedhje demokratike, por duhet të pranojë sfidën të bëjë edhe rotacion demokratik nëse votat e deleguara (parlamenti) vendos ashtu. Kjo është arsyeja që faktori ndërkombëtar në Kosovë është deklaruar kundër projektit të qeverisë në ikje dhe pro çdo vendimi të institucioneve të Kosovës. Përpjekjet tipike ballkanike kur një lider humbet shumicën dhe premton model “shumetnik në qeverinë e re” në fakt janë dëshmi e traditës së gabuar shqiptare se për pushtet, secili është i aftë të bëjë çdo kompromis. Një kabinet me bazë PDK dhe etnitë e tjera etnike e bën Kosovën dyfish të ndërvarur nga pakicat, një kabinet opozitar ku prania etnike është sjellje politike por jo detyrim numrash ia jep shansin Kosovës ta drejtojë shumica, pra shqiptarët. Ndaj asnjë palë, në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk mund të mendojë aventura që mund të vënë në dilemë aftësinë për rotacion politik e sjellje institucionale. Kush ka ankesë le të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Kush nuk e bën këtë dhe është ende i pakënaqur, le ta përdorë mendimin e tij për të votuar kundër atyre që krijuan situata të tilla, ata që ishin apo ata që po vijnë në qeveri.


Kosova sot është vendi më i varfër në Evropë, me papunësi të lartë, korrupsion dhe gjendje problematike sociale, në sprovë me aftësitë e saj funksionale dhe në përpjekje për njohje të plotë ndërkombëtare dhe krijimin e profilit të shtetit sovran. Në këtë fazë ajo përballet me sfida të mëdha, madje urgjente, dhe se kriza e re qeverisëse që po krijohet vetëm sa dëmton vendin, interesat, institucionet, prestigjin, qytetarët dhe shtetin e Kosovës. Aftësia për zgjidhje institucionale, të plotë, demokratike dhe legjitime do të jetë investim jo vetëm në kapërcimin e vakuumit qeverisës, por edhe një sinjal i qartë se Kosova është dhe do jetë një vend evropian, në të cilin demokracia nuk mbetet në letër, nuk është thjesht procedurë, dhe ku sjellja racionale dhe demokratike, pavarësisht se e brishtë, - mbetet dominuese dhe identifikuese për shtetin e qytetarët. Një premtim për të cilin votuan ose u votuan me 8 qershor, një premtim që vijon të jetë parim i munguar edhe në Tiranë, Tetovë dhe Ulqin.

 
AFRIM KRASNIQI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MISIONI I RI I HASHIM THAÇIT ËSHTË NË OPOZITËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.11.2014)
NJË MALËSORE KONKUROI PËR MISS USA 2014Nga FRANK SHKRELI (06.10.2014)
MOS HESHTNI, ZOTËRINJ!Nga RESHAT KRIPA (06.10.2014)
SKENARËT E PAS 8 QERSHORIT VAREN NGA MORALI I PALËVENga ELIDA BUÇPAPAJ (06.09.2014)
PËR KË DO TË VOTOJË POPULLI SHQIPTAR I KOSOVËS?!Nga Prof. dr. ESHREF YMERI (06.07.2014)
KUMTET HAMLETIANE NË KOHËT MODERNE...Nga DR. PËRPARIM KABO (06.07.2014)
PDK BËRI ZULLUME NË QEVERISJE, BËFTË HAJËR NË OPOZITËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.06.2014)
8 QERSHORI - VOTA PËR ÇLIRIM!LDK-ja, mundësia e vetme - Votojeni LDK-nëNga XHAVIT BEQIRI (06.06.2014)
Zgjedhjet e 8 Qershorit - QYTETARË TË KOSOVËS DILNI NË VOTIME – ABSTENIMI I KRIJON SHANS KEQQEVERISJES, PROFITERËVE DHE MAFIES!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (06.05.2014)
MISIONI I PAKRYER I ISH TË BURGOSURVE POLITIKË!Nga SULEJMAN GJANA, Kryetar i PLL (06.04.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Gusht 2020  
D H M M E P S
            1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30 31          
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]