VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - VIZITA E PAPËS NË TIRANË DHE HISTORIA E PERSEKUTIMIT FETAR NË SHQIPËRINË KOMUNISTENga FRANK SHKRELI

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 01:25pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
VIZITA E PAPËS NË TIRANË DHE HISTORIA E PERSEKUTIMIT FETAR NË SHQIPËRINË KOMUNISTE
Nga FRANK SHKRELI

E Mërkurë, 06.18.2014, 05:53pm (GMT+1)

         
  "Me këtë vizitë të shkurtër dua të vërtetoj mbështetjen time për Kishën Shqiptare dhe njëkohsisht  të dëshmoj inkurajimin  dhe dashurinë time për një vend i cili ka vuajtur, aq shumë dhe gjatë, nga pasojat e ideologjive të kaluara."

Të djelën që kaloi, Papa Françesku i deklaroi botës nga dritarja e tij në Sheshin e Shën Pjetrit se kishte pranuar ftesën e Kishës Katolike Shqiptare dhe të udhëqesve politikë të vendit, duke njoftuar se do të vizitojë Shqipërinë më 21 shtator.  Duke bërë njoftimin e vizitës në Tiranë, Papa tha para mijëra pelegrinëve në Vatikan se po shkon Shqipëri me qëllim për të inkurajuar pakicën katolike në atë vend, si edhe popullin shqiptar në përgjithësi, i cili "ka vuajtur shumë dhe për një kohë të gjatë, si pasojë e ideologjive të kaluara", nën një diktaturë komuniste e cila e shtypi dhe e izoloi popullin shqiptar nga bota, për pothuaj një gjysëm shekulli.  Papa Françesku tha gjithashtu se Shqipëria është vendi i parë europian që ai ka në plan të vizitojë në shtator, me qëllim për të nderuar të gjithë ata që vuajtën nën komunizëm.  Një zëdhënës i Vatikanit theksoi për gazetarët se vizita e parë e Papës në  Europë, po bëhet në një vend me një histori persekutimesh shoqërore dhe fetare, si dhe në një vend të prekur nga varfëria e vazhdueshme.

Sipas burimeve të lajmeve, vizita e Papës në Shqipëri ka për qëllim gjithashtu që udhëheqsi i Kishës Katolike të tregojë nderimin dhe të deklarojë respektin e tij për bashkjetesën fetare që ekziston midis shqiptarëve të feve të ndryshme, një traditë kjo dhe një thesar kombëtar, i cili mund të shërbejë si shembull bashkjetese ndërfetare dhe ndërkombëtare, jo vetëm në Balkan dhe në Europë, por edhe më gjërë.

Vizita e Papës Françesku në Shqipëri në shtator, ashtu siç ishte edhe vizita e Papës Gjon Palit të dytë më 1993 në tokën arbërore, megjithë historinë e persekutimeve të regjimit komunist ndaj kundërshtarve të tij -- qofshin ato për arsye fetare ose politike tregon se gjithçka ngjallet e përtrihet dhe se arsyeja, megjithëse për fat të keq e kishte humbur drejtimin gjatë atij regjimi, më në fund të shpresojmë se e ka gjetë rrugën dhe se e mira më në fund triumfon mbi të keqën dhe se kombit shqiptar, pas më shumë se 20-vjet tranzicion, po i hapen shtigje të reja kah liria dhe drejtësia e përhershme.

                
Papa Françesku në Vatikan përshëndetet me vizitorët duke mbajtur mbi supe Flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbe  në vigjiljen e festës së Pashkëve të këtij viti
Kjo pra është vizita e dytë e një Pape në Shqipëri pas rënjes së komunizmit në atë vend.  Vizita e parë e një udhëheqsi të Kishës Katolike në tokën e Arbërit,  ishte natyrisht vizita historike e Papa Gjon Palit të dytë në vitin 1993, menjëherë pas rënjës së komunizmit.  Njoftimi i vizitës së Papës Françesku në shtator në Tiranë, u mirëprit me kënaqësi dhe entuziazëm nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, nga Kryeministri Edi Rama dhe nga ish-Kryeministri Sali Berisha.

Marrëdhënjet e Arbërit me Vatikanin dhe udhëheqsit e tij janë aq të vjetëra sa edhe historia dy mijë vjeçare e ekzistencës së Kishës Katolike. Por fatkeqsisht, këto marrëdhënje u ndërprenë tragjikisht me ardhjen në fuqi të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, pas Luftës së Dytë botërore.  Megjithëse të gjitha regjimet komuniste ishin shtypëse, ishin dy gjëra  kryesore që e dallonin regjimin e Shqipërisë enveriste nga regjimet e tjera komuniste:  Ishte kolektivizimi i plotë i bujqësisë dhe ligji absurd i vitit 1967 me të cilin u ndalua rreptësisht feja dhe praktikimi i saj.  Ishte ky një ligj kundër të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat fetare, në një nga vendet, i cili ishte bërë në përgjithësi skenë e shkeljeve më brutale të të drejtave bazë të njeriut në Europë dhe në botë.  Ishte faza ideologjike maoiste e Enver Hoxhës dhe të ashtuquajturit "revolucion kulturor" që kishte përfshirë Shqipërinë, dhe i cili në procesin e zbatimit, shkatërroi kulturën shqiptare, eliminoi fenë dhe zhduku më të zgjedhurit e kombit.  
 
Shqipëria enveriste ishte vendi i parë dhe i vetmi në botë që deklaroi veten shtet ateist, më 1967 duke ndaluar të gjitha fetë, duke prishur kisha e xhamia ose duke i këthyer ato në salla sporti dhe përdorimesh të tjera.  Por për më keq, regjimi komunist  kishte burgosur ose kishte zhdukur shumicën e klerikëve të të gjitha feve, e sidomos klerikët e Kishës Katolike shqiptare, të cilët e pësuan më së keqi nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ç'prej ardhjes së tij në pushtet, më 1944. 

Lajmi i njoftimit të vizitës së Papës në Shqipëri u njoftua nga mediat kryesore botërore, përfshirë edhe ato amerikane, duke i kushtuar rëndësi faktit se Papa kishte vendosur  që vizitën e parë në kontinentin europian ta bënte në Shqipërinë.    Duke shkruar për vizitën e ardhëshme të Papës në Tiranë, si dhe duke pasqyruar persekutimin e fesë në të kaluarën, agjencitë e lajmeve ndërkombëtare thanë se persekutimi i feve dhe i përfaqsuesve të tyre nën regjimin enverist, ishte bërë normë -- normë e moralit të Partisë Komuniste shqiptare  për të zhdukur jo vetëm kundërshtarin politik, por edhe përfaqsuesit e feve.  Kështuqë për dekada të tëra, si asnjë vend tjetër komunist në lindje apo kudo në botë, Shqipëria komuniste, me krenari e paraqiste veten si vendi i parë ateist në botë, i cili kishte ndaluar Zotin me ligj, ndërkohë që i vetmuar kishte ndërprerë ose  kufizuar lidhjet me shumë vende të botës, gjë që e bëri atë të cilësohej si vendi më ksenofobik në botë.  

Si rrjedhim, Shqipëria u bë "vendi i harruar".  Shqipëria komuniste ishte e vet-izoluar për aq shumë kohë sa që pjesa më e madhe e botës, kishte hequr dorë prej saj dhe nuk dihej asgjë se ç'po ndodhte në atë vend.  Por, me vdekjen e diktatorit Enver Hoxha më 1985, Shqipëria dhe gjëndja e të drejtave të njeriut në atë vend, përfshirë lirinë e fesë, tërhoqi interesimin e botës dhe  ato u bënë tema të ditës në gazetat amerikane dhe në televizion, dhe si rrjedhim edhe në nivele të tjera . Ishte ky një kuriozitet i paparë deri atëherë, siç duket i shtyrë nga "shpresa kundër shpresës", se me vdekjen e diktatorit Enver Hoxha, gjërat mund të ndryshonin në Shqipëri dhe se më në fund do të kishte liri më të madhe në atë vend.  Kjo, siç dihet nuk ndodhi, por interesimi për fatin e popullit shqiptar dhe për të drejtat e njeriut nuk u zhduk, por vinte e shtohej dita ditës. 

Megjithëse Shqipëria ishte anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, politika që ajo ndiqte, sidomos në fushën e të drejtave të njeriut, ishte një tallje nga ana e saj, me parimet e shënjta të OKB-së mbi të drejtat bazë të njeriut.  Tirana komuniste e ndiente veten si immune ndaj reagimeve dhe kritikave të jashtëme dhe nuk çante kokën.  Por në vitin 1985, Shoqata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Lirisë së Fesë, me qëndër në Berne të Zvicrës, duke besuar se shkelja e të drejtave fetare nuk ishte një "çështje e mbrendshme", siç pretendonin komunistët, ndërmori një fushatë për të bindur botën se shkelja e të drejtave të njeriut në Shqipëri, përfshirë lirinë e fesë ishte reale dhe tepër e rëndë dhe si e tillë nuk duhej toleruar më nga bota.   E shqetësuar shumë për gjëndjen e lirisë fetare në Shqipëri, kjo organizatë kishte vendosur që të bënte ç'mos për të bindur Kombet e Bashkuara, që çështja e shtypjes së fesë në Shqipëri të vendosej në agjendën e Komisionit të OKB-ës për të Drejtat e Njeriut.  Shoqata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Lirisë Fetare kishte marrë qendrimin se komuniteti ndërkombëtar nuk mund të qëndronte më krejtësisht i pa interesuar në lidhje me shkeljet brutale e të përgjithëshme të të drejtave të njeriut në Shqipëri.  Si rrjedhim i presioneve nga organizata, si shoqata  e lartë-përmendur dhe individë të ndryshëm, në shtator të vitit 1985,  Komisioni i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut miratoi më në fund rezolutën mbi shtypjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, duke kritikuar ashpër regjimin e atëhershëm të Shqipërisë, se ndonëse, "si të gjitha shtetet anëtare të OKB-ës edhe ajo e ka për detyrim të promovojë dhe të mbrojë të drejtat e njeriut dhe liritë bazë në përputhje me angazhimet e saj sipas dokumentave përkatës në këtë fushë", por dhe në bazë të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut, nënshkruese e së cilës është edhe Shqipëria.  Rezoluta shprehte shqetsimin e thellë të organizatës botërore në lidhje me masat ligjore dhe konsitucionale që kishte marrë Shqipëria komuniste gjatë viteve për të, "ndaluar praktikimin e lirisë së fesë dhe të ndërgjegjes për të gjithë individët, mbrenda territorit të saj."  Kjo rezolutë si edhe kritika të tjera ndaj regjimit të Tiranës as nuk tërhiqnin fare vëmendjen e regjimit arrogant komunist.  

Fatkeqsisht, sistemi komunist i Enver Hoxhës, i cili ushtronte kontroll të plotë mbi jetën e çdo individi, ka lënë pas një trashëgimi të tmerrshme që  pasqyrohet edhe sot në një tranzicion post-komunist tepër të stërgjatur dhe të vështirë.  Falë të Madhit Zot dhe vuajtjeve të atij populli, Shqipëria nuk është më ajo e fund-shekullit të kaluar, kur  -- siç tha edhe Papa Francesku të djelën që kaloi -- ajo vuante nga ideologjia e së kaluarës.  Sot, Shqipëria është e lirë dhe feja gëzon lirinë e plotë.  Është një vend anëtar i Natos, me perspektivë antarësimi në Bashkimin Europian, në paqë me të gjithë popujt dhe faktor stabiliteti në Ballkan dhe në Europë.  Andaj, vizita e Papa Françeskut në Tiranë në shtator, duhej të shërbente si përforcim i përpjekjeve dhe i dëshirave të kombit shqiptar për të gjetur më në fund vendin e vet aty ku i takon, në rradhë me kombet e tjera europiane,  aty ku e ka vendin.  Të jetë gjithashtu edhe një rast për përforcimin e mëtejshëm të bashkjetesës fetare, kësaj tradite dhe virtyti që e dallon kombin shqiptar nga shumë të tjerë dhe njëkohësisht pse mos të jetë gjithashtu edhe një rast, që përveç harmonisë fetare të shqiptarëve gjatë kësaj vizite të shpaloset edhe harmonia dhe tolerance midis palëve, edhe në fushën e acaruar politike të vendit.  Një shfaqje e tillë tolerance dhe harmonie midis faktorëve të ndryshëm politikë do të ishte mikpritja më e mirë shqiptare që mund t'i bëhej Papa Françeskut në Tiranë, si dhe një dhuratë e madhe për Shqipërinë e shumë vuajtur, e cila meriton një fillim të ri. Një tolerancë më e madhe politike dhe një diskurs më njerëzor politik në radhët e politikës, do të shënonte njëkohësisht edhe një shkëputje të përhershme nga trashëgimia e atyre e regjimit komunist dhe e atyre, që Papa Françesku i cilësoi si, "pasojat e ideologjive të huaja të këtij vendi, i cili ka vuajtur aq shumë dhe për një kohë aq të gjatë".  

FRANK SHKRELI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RA LAZARATI S'RA LAZARATINga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.18.2014)
SHTETI, EKONOMIA, POLITIKANËT DHE...Nga UK LUSHI (06.16.2014)
BlogAPEL SHQIPTARËVE DHE POLITIKËSNga ELIDA BUÇPAPAJ (06.15.2014)
100 VJET BRENGË KOLONEL TOMSONINga Dr. PËRPARIM TOMSONI (06.15.2014)
CA ÇASTE TË KËNDSHME ME Dr BUJAR LESKAJNga Prof. dr. ESHREF YMERI (06.14.2014)
AY, VETËM NJËNga RESHAT KRIPA (06.14.2014)
ARSHI PIPA PËR FAN NOLINNga FRANK SHKRELI (06.12.2014)
ZGJIDHJE KOSOVENga AFRIM KRASNIQI (06.12.2014)
MISIONI I RI I HASHIM THAÇIT ËSHTË NË OPOZITËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.11.2014)
NJË MALËSORE KONKUROI PËR MISS USA 2014Nga FRANK SHKRELI (06.10.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]