VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHQIPTARËT E BALLKANIT JASHTË SHQIPËRISË DHE KOSOVËS RROJNË NË GJENDJE REVOLUCIONARE, SEPSE U MOHOHET IDENTITETI KOMBËTAR
Nga ARTUR VREKAJ

E Hënë, 07.07.2014, 07:35am (GMT1)


Shkupi ishte kryeqendra e vilajetit të Kosovës dhe u çlirua në Gusht të vitit 1912, por që fatalisht u tradhtua arritja e kësaj lirie. Bile, ishte fare afër edhe shpalljes së Pavarësisë së shtetit Shqiptar që na kushtoi aq shumë sa u bë fakt historik deri edhe tre muaj të tjera nga Shpallja e Pavarësisë në Vlorë të një Shqipërie Natyrale të pushtuar nga fqinjët grabitqarë.

102 vjet më pas Shqiptarët jashtë Shqipërisë dhe Kosovës rrojnë në gjendje revolucionare me Identitet kombëtar të nëpërkëmbur, me territor të bërë çarçaf me ndarjet e reja territoriale në shtetet Sllave dhe Greqi ku Shqiptarëve u është cënuar shumica etnike në vëndbanimet autotoktone.

Shteti Maqedon që e mban regjimin policor vetëm të mos ngrejnë kokën Shqiptarët ushqehet nga aleanca Moskë-Beograd dhe ka probleme me emrin, sepse ardhacakëve Sllavë nuk u përshtatet Identiteti, sepse Aleksandri i Madh, Skënderbeu dhe Nënë Tereza janë figura botërore frymëzuese më tepër në anën e Shqiptarëve, ndaj ata vunë statujën e Car Dushanit për tu identifikuar më qartë si Sllavë. Kjo vetëm se i ka irrituar Shqiptarët jo vetëm në Maqedoni. Gjithashtu, tregon edhe për një mungesë vendosmërie nga krahu politik që bëri luftën dhe që është i kënaqur sot me vegjetimin në karriket ministrore të Shkupit, ndërsa protestat e fundit dhe në vazhdim tregojnë se segmente të politikës Shqiptare në Maqedoni janë bërë palë me Sllavët.

Po çfarë ka ndodhur në realitet së fundi në rajon?  Fyle përkrahu nismën e Jugosllavisë numër 2 ti kthente edhe një shekull prapa prapë Shqiptarët e Ballkanit me propozim të Malit të Zi; Putini kërkoi bazë ushtarake në tokat Shqiptare të Malit të Zi; Serbia ka vënë nën presion Kosovën Lindore dhe ka shkelur marrëveshjen me shtetin e Kosovës pasi do që të mbajë nën kontroll edhe Mitrovicën ku hyn e del me xhandarë sa herë të dojë; Greqia mohon Çështjen Çame dhe natyralizimin pa kushte të Shqiptarëve të Greqisë dhe është e interesuar për shtimin e hapësirës detare si dhe Maqedonia nuk e ka përmbushur Marrëveshjen e Ohrit dhe e ka kthyer shtetin ku janë shteformues edhe Shqiptarët  kundër Shqiptarëve.

Në përgjithësi, Shqiptarëve jashtë shteteve të Shqipërisë dhe Kosovës u ndalohen simbolet kombëtare, u ndalohen ABETARE-t, u ndalohet Gjuha e folur Shqipe, u ndalohet flamuri kombëtar në qeverisjet vendore ku janë shumicë apo pakicë vendimtare, u tjetërsohet territori që të bëhen pakicë e papërfillshme, që të ikin nga trualli autokton ose të shpërngulen fare. Kjo është përndjekje në Europë e Shqiptarëve që janë ndër banorët e parë Europianë dhe të fundit të paafruar ende në familjen Europiane dhe ata rrojnë ende me shpresë për liri dhe pavarësi nëpërmjet bashkimit kombëtar, së pari.

Modeli multietnik nuk i shkon përshtat Kosovës me shumicë absolute Shqiptare që i kanë diktuar të përdorë një flamur që i bën karshillëk flamurit kombëtar dhe një himn memec që shurdhohet nga himni ynë kombëtar. Më e keqja është garantimi i 20 vëndeve në parlament për pakicat plus edhe përfaqësimet e Serbëve vetëm e vetëm për ta mbajtur peng demokracinë në Kosovë prej Beogradit.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe marrja e statusit të kandidatit për në BE; prania e NATO-s në Kosovë si dhe afrimi i Kosovës me NATO-n dhe Brukselin i ka vënë ballë për ballë Shqiptarët e Ballkanit me tre shtetet Sllave dhe shtetin e  Greqisë që kanë ndihmë diplomatike dhe shtetërore nga Rusia.

Kjo praktikë e shtetbërjes Sllave dhe Greke në dëm të Shqiptarëve është e njëjta strategji edhe me ish-Jugosllavinë e Millosheviçit veçanërisht në Kosovë e deri me Serbinë e sotme në Kosovën Lindore, është e njëjta me regjimin policor të Gjukanoviçit në vëndbanimet Shqiptare, si dhe po e njëjta strategji e shpërnguljes dhe asimilimit që u frymëzua nga Greqia për Çamërinë e ndihmuar edhe nga marrëveshjet e këmbimit të popullsisë me Turqinë, sikundër bëri edhe Serbia. Mos të harrojmë se Greqia bashkëpunoi me Gjermaninë Naziste për të nisur në dhomat e djegies Hebrenjtë, në veçanti ata të Selanikut që ishin të sukseshëm në tërë rajonin vetëm e vetëm edhe për ta Greqizuar përfare Selanikun.

Të gjitha këto masakra, spastrime etnike dhe territorndarje për këta 102 vjet rresht , që nga 1912-ta,  në dëm të Shqiptarëve të Ballkanit që janë i vetmi komb me rrënjë të pastër Pellazgo-Ilire, me gjuhë dhe me truall kanë ndodhur në sy të botës e në veçanti të Europës që akoma nuk e pranon se vërtet me firmat e Fuqive të Mëdha të saj i ka mbajtur peng ose ka ndihmuar që Shqiptarët e Ballkanit të shuhen dalëngadalë si komb nëpërmjet asimilimit me çdo mënyrë shtetërore, diplomatike, ushtarake dhe fetare. Vetëm kështu është garantuar mbajtja nën kontroll e Shqiptarëve të Ballkanit mbi një shekull që ata të mos jenë shumicë e mirëorganizuar të paktën në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni dhe të munden të fuqizohen ekonomikisht për të kërkuar të Drejta të plota dhe vetëqeverisje apo bashkim kombëtar me Shqipërinë amë apo edhe me Kosovën së fundi.

Prania Amerikane në rajon, veçanërisht në Kosovë dhe ndihma e saj e vazhdueshme diplomatike është garantuesja e një drejtësie ndërkombëtare që bota diplomatike dhe Brukseli të reflektojnë për çfarë po ndodh sot aktualisht me Shqiptarët e ndarë në gjashtë shtete e të vendosur nën kontroll policor në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi, shtete të cilat janë fuqizuar edhe në kurriz të përvetësimit të pasurisë së Shqiptarëve që banojnë brenda territorit administrativ të tyre.

Shqiptarët e Ballkanit janë një komb luftarak dhe gjithnjë e më shumë po ndërgjegjësohen se vetëm hapërimi kombëtar në saj të një dialogu gjithëShqiptar të  tyre me Diasporën, që është më e madhja për nga numri krahasuar me atë Sllave apo Greke; fuqizimi i një tregu panShqiptar në Ballkan; hapja e rrugëve që lidhin me Shqipërinë dhe Kosovën, Shqiptarët e Maqedonisë, Kosovës Lindore dhe të Malit të Zi; unifikimi kombëtar i arsimit, kulturës dhe ekonomisë për politika të përbashkëta vendore dhe qëndrore në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Ulqin dhe Preshevë do të sjellë një vëmëndje më të madhe për ti thënë ndal shpërnguljes së Shqiptarëve nga regjimet policore Sllave si dhe tutelës Greke në Tiranë.
Vetëm kështu, duke punuar me një Strategji kombëtare, të gjithë Shqiptarët e Ballkanit së bashku edhe me Diasporën, do ti tregojmë botës dhe në veçanti Europës se kemi mundësi më shumë të bëhemi shembull i progresit dhe patjetër që merr më shumë kuptim afrimi me BE-në kur ne si komb jemi më të bashkuar, sepse paqja dhe stabiliteti i rajonit të Ballkanit është mbajtur në kurriz të mohimit të Identitetit Kombëtar të Shqiptarëve si dhe paralizimit ekonomik të tyre në vazhdimësi.

Praktikat korruptive dhe mungesa e atdhedashurisë dhe e një kombëtarizmi të pastër dhe deri diku edhe qëndrimet pro Sllave apo pro Greke të qeverive të Tiranës apo Prishtinës e kanë favorizuar inferioritetin e Shqiptarëve të Ballkanit si dhe ndërhyrjen diplomatike të shteteve fqinje që duan të përvetësojnë nga Identiteti ynë Kombëtar edhe sot, sepse fqinjët Sllavë dhe Grekë nuk kanë në themel histori të pastër si e Shqiptarëve vëndas.

Sa herë që Shqiptarët janë bashkuar kanë ecur më përpara në histori edhe pse kanë patur ekonomi të dobët. Dhe së fundi, nëse vërtet bashkohemi me një strategji kombëtare për hapërimin e kombit me të gjithë Shqiptarët e Ballkanit, Europa e ka më të lehtë procedurën diplomatike të anëtarësimit për një shtetkomb  Shqiptar të fortë ekonomikisht, nëse edhe Europa do që të jetë vërtetë e lirë edhe në Ballkan ku Shqiptarët janë vlerë e përparimit dhe qëndresës si komb e si popull i pandarë me Gjuhë, flamur dhe truall.  Europianëve le tu vërtetojmë se ç'fuqi jemi në të vërtetë kur ndërtojmë më shumë ura paqeje në rajon ndërmjet nesh apo edhe me Diasporën ku vetëm në BE rrojnë një numër i konsiderueshëm Shqiptarësh (disa milionë) edhe më shumë se popullsia e ca shteteve Sllave që shtypin Shqiptarët në Ballkan.

Europa duhet të na ndihmojë diplomatikisht pa na dëmtuar në Identitetin Kombëtar indirekt apo direkt. Këtë duhet ta bëjë nëse vërtet ajo është e kthjellët se çfarë dëmi na ka bërë duke favorizuar Serbët dhe Grekët që nuk kanë kërkuar të falur për masakrat e genocidin ndaj Shqiptarëve. Europa nuk po e ngre zërin ti dënojë këto krime dhe kjo flet për mungesë kurajoje për të na afruar me dinjitet të vërtetë, jo të nëpërkëmbur si sot edhe prej saj.

Ky është shekulli i përbashkimit të Shqiptarëve si komb njëherë, e pastaj me BE-në. Është ora e përbashkimit kombëtar për ti bërë Trojet Shqiptare vëndbanime me ekonomi të përparuar që të ndihemi vërtetë që rrojmë në liri dhe në paqe edhe me fqinjët pro Rusë. Nëse ne Shqiptarët e Ballkanit i themi ndal edhe faktorizimit politik, e ardhmja jonë është më e sigurtë, sepse edhe tradhëtitë kombëtare nuk do të gjejnë terren si deri më sot.

Kështu, do ti tregojmë Perëndimit, se ne Shqiptarët e Ballkanit dimë të reflektojmë, ne dimë të vetqeverisim pa u qarë shumë në ambasadat e kancelarive të tyre në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë si deri më sot.

ARTUR VREKAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.