VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ASIMETRIA E PADURUESHME
Nga UK LUSHI

E Hënë, 07.07.2014, 07:42am (GMT1)


Të premten, më 4 korrik 2014, në rrugët e Shkupit protestuan mijëra qytetarë shqiptarë duke ushtruar dy nga të drejtat themelore të njeriut: të tubimit dhe lirisë së shprehjes së mospajtimit me institucionet shtetërore. Policia dhe forcat e sigurisë së Republikës së Maqedonisë reaguan ashpër me lotsjellës, granata shushatëse, topa uji dhe arrestime pa dallim. Dhjetëra protestues dhe policë përfunduan të lënduar dhe plagosur.

Nuk është hera e parë që shqiptarët goditen me dhunë të shfrenuar në Ballkan vetëm pse deklamojnë ankesat dhe pakënaqësitë e tyre demokratisht. Por protesta e Shkupit javën që iku mund të jetë incidenti i fundit para shpërthimit të revoltës që është duke u përmbajtur me shtrëngesë. Për çdo gjë, dikur mbushet kupa.

Paramendoni për një çast sikur policia e Kosovës të ndërhynte ndaj vendosësve të barrikadave dhe bandave serbe në rreth 20 për qind të territorit të Republikës së Kosovës dhe sikur të përdorte forcë të tepruar siç kanë përdorur shpesh Mali i Zi dhe Serbia, ose konkretisht si të premten Maqedonia, ndaj shqiptarëve që jetojnë në këto shtete dhe duhet të gëzojnë statusin e njëjtë sikur qytetarët joshqiptarë të tyre. Imagjinoni ortekun e deklaratave lebetitëse dhe dënuese të të ashtuquajturës bashkësi ndërkombëtare. Mirëpo kur rrihen shqiptarët asgjë, asnjë pipëtimë.

Ka një keqkuptim që mund të kthehet në katastrofë në Ballkan"” shumë faktorë kujtojnë që shqiptarët janë duke qenë konstruktivë për shkak se jemi të pafuqishëm. Është gabim kjo bindje false. Ne, përkundër tentimit të gjenocidit dhe abuzimeve tjera ndaj nesh, kemi treguar gjakftohtësi dhe mirëkuptim sepse ne besojmë që siujdhesa jonë më në fund duhet të emancipohet dhe civilizohet.
Një nga arsyet kryesore pse Republika e Maqedonisë është shtet prej vitit 1991 janë mu shqiptarët: si ata autoktonë në Maqedoni, si ata në trojet tjera shqiptare"” të gjithë"” jemi hisedarë në krijimin e Maqedonisë. Bile ish-republika jugosllave ka mbijetuar falë ujdisë së UÇK-së të ndalonte përparimet e rrufeshme luftarake më 2001 dhe përkrahjes së drejtpërdrejtë të Republikës së Shqipërisë, e cila, ndërsa Greqia vazhdon të përdor embargon dhe çdo shantazh të mundshëm për zhdukjen e saj, i ka ofruar shtetit të brishtë infrastrukturën e saj tokësore dhe detare që të mund të funksionoj dhe mbetet gjallë. Ne nuk u treguam subversiv as në Luginën e Preshevës ku kryengritësit e UÇPMB-së u pajtuan të dorëzojnë armët, që i kishin marrë në dorë për të rezistuar neglizhencën dhe shkeljet, dhe të provojnë të zgjedhin problemet me shtetin e Serbisë me marrëveshje. E njëjta ndodhi me Malin e Zi kur ai organizoi referendumin për pavarësi më 2006: përsëri, qenë shqiptarët e Malit të Zi ata që vulosën mëvetësinë e shtetit të ri duke anësuar peshoren e rezultatit të plebishitit në favor të pavarësisë. Në të gjitha këto raste, ne dorëzuam një pjesë të madhe të së drejtës dhe aspiratave tona natyrore për një shtet kombëtar shqiptar. Si shqiptarë dhe europianë, ne besuam që Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia do të jenë shtete edhe të shqiptarëve dhe jo shtete njerka. Por, çuditërisht, asnjëri nga to nuk është duke lënë gur pa rrotulluar që të fusë shqiptarët në kurthe politike, fetare dhe gjeostrategjike.
Ekzistojnë tri marrëveshje në letër"” e Konçulit, Ohrit dhe Brukselit"” dhe në të tria pala e vetme që ka bërë koncesione përtej të dhimbshmes janë palët shqiptare. Ç'është më zi, palët joshqiptare kanë përmbushur pak e hiç nga obligimet e tyre, për të cilat kanë vënë firmën nën dorëzaninë e fuqive të mëdha si SHBA-të dhje BE-ja, ndërkaq që vazhdojnë të qesin lloj-lloj cingla minglash që të mos i zbatojnë marrëveshjet në praktikë.

Trajtimi asimetrik i shqiptarëve në krahasim me popujt tjerë nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Nuk ka logjikë dhe nuk është e drejtë që 4-5 për qind serbë në Republikën e Kosovës të kenë 100 herë më shumë privilegje se sa një numër gati ekuivalent i shqiptarëve në Serbi, 7-8 për qind e shqiptarëve në Mal të Zi dhe 25-30 për qind e shqiptarëve në Maqedoni. Nuk është në interesin tonë sa duhet të jetë në interesin e shteteve ku jetojnë edhe shqiptarë, sidomos Maqedonisë dhe Malit të Zi, që të konsiderojnë dhe trajtojnë popullin tonë si aleat. Gabimi më i madh që mund të bëjnë këto shtete është të armiqësojnë shqiptarët.

Shpina e popullit shqiptar është ngarkuar me pjesën më të madhe të barrës së stabilitetit regjional në krejt gadishullin, por populli ynë nuk mund e thyen kurrizin dhe jetojë i gjymtuar përjetësisht pse popujt tjerë nuk duan të bartin përgjegjësitë e tyre për barazinë dhe paqen mes popujve ballkanas. Asimetria e krijuar në mënyrën e marrjes nëpër këmbë të shqiptarëve nga disa kombe, në njërën anë, dhe trajtimit sublim të serbëve, malazezëve, maqedonasve dhe grekëve nga shqiptarët, në anën tjetër, ka arritur një amplitudë të rrezikshme.

Dihet botërisht që të gjithë popujt ballkanas kemi shumë më shumë periudha të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit me njëri-tjetrin se sa kemi epoka të luftimit dhe konfliktit. Për gati një shekull simetria e balancës kombëtare në Ballkan ka qenë e prishur në dëm të shqiptarëve, por, për hir të së ardhmes, ne kemi dëshmuar gatishmëri që të mos merremi me hesape të së kaluarës. Sidoqoftë, ashtu siç thotë një proverbi shqiptar"”peri i së keqes këputet dikur. Protesta e të premtes në kryeqytetin e Maqedonisë është rikujtesë që peri i durimit të asimetrisë ndërballkanike është telikosur në kufijtë e të padurueshmes dhe nëse nuk bëhet diçka që ai të mos këputet, shqiptarët nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për eskalimin. Kambanat e alarmit janë duke rënë për ata që kanë veshë dhe"” nëse nuk dëgjohen"” tragjedia do t'i arrijë njësoj, si ata që dëgjojnë, si ata që janë të shurdhër; veçse, çmimin final do ta paguajnë ata që shtihen të paditur dhe ëndërrojnë që shqiptarët do të durojnë përgjithmonë të jenë viktimë.
[email protected]

UK LUSHI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.