VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Në gjurmët e një shkrimi  me tingëllim aktual
ALI AHMETI, KY MERCENAR NË SHËRBIM TË SLLAVIZMIT
Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

E Premte, 07.11.2014, 08:01am (GMT1)



    Më shumë se dy vjet të shkuara, në faqet e internetit pata botuar një shkrim me titull: "Ali Ahmeti, ky mercenar në shërbim të sllavizmit". Ngjarjet e ditëve të fundit në Maqedoni, kur populli u ngrit në protesta kundër dënimit me burgim të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve, për të cilët organet hetimore dhe gjykata nuk paraqitën para opinionit publik kurrfarë provash konkrete për fajësinë e tyre, vërtetuan haptazi se partitë politike shqiptare heshtën në një mënyrë të turpshme para arrogancës së shtetit maqedonas kundër protestuesve dhe popullin e vet e braktisën në mëshirën e kamxhikëve të policisë. Mes partive politike shqiptare, përgjegjësia kryesore bie mbi kryemercenarin e shovinizmit xhuxhomaqedonas Ali Ahmeti. Kjo ishte edhe arsyeja se pse e quajta me vend që artikullin e mëposhtëm ta ribotoj edhe një herë në faqet e internetit për frymën e tij aktuale lidhur me mercenarizmin e Ali Ahmetit.

 10 korrik 2014


Ali Ahmeti, ky mercenar
 në shërbim të sllavizmit


Në kalanë e fshatit Sellcë të Maqedonisë, më 16 mars 2012, për të njëmbëdhjetën herë, u zhvillua aktiviteti me temë "Pranvera e Dinjitetit", një manifestim ky që mbahet për të përkujtuar dëshmorët e rënë të luftës së vitit 2001. Me këtë rast, kryetari i BDI-së, zoti Ali Ahmeti, deklaroi:

"Program i UÇK-së, është i pandalshëm siç nuk ndalet ky diell, pavarësisht se disa thera të vogla mendojnë se mund ta ndalin dritën e diellit. Amanet që nga rilindësit e deri tek ushtarët e UÇK-së e kemi të jetojmë të lirë në hapësirat ku ne jetojmë. Dhe ne do e bëjmë se nuk bën ndryshe, shqiptarët do frymojnë lirshëm dhe pa kufij".

Nga kjo përshëndetje e zotit Ali Ahmeti, mësojmë se ai kërkon ta nanurisë popullin shqiptar në Maqedoni me pallavrat e veta karakteristike për jetesën e shqiptarëve pa kufij. Por është halli se kufijtë po i ruajnë me xhelozi sllavogrekët. Me kësilloj deklaratash të paturpshme edhe gati 11 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, zoti Ali Ahmeti, ky sulltan i popullit shqiptar në Maqedoni, po e vërteton në praktikë që është një tradhtar i regjur i kombit shqiptar dhe një shërbëtor besnik i sllavizmit.

Drejtori i Radios "Kosova e Lirë", zoti Ahmet Qeriqi, shkruan:

"Luftëtarët e lirisë nuk e mirëpritën marrëveshjen, meqë ishin qind për qind të bindur se autoritetet sllavomaqedonase njohin vetëm një gjuhë, atë të forcës, e cila i detyroi ta nënshkruajnë armëpushimin, në të cilin kreu i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nuk diktoi kushte, edhe pse kishte forcë të diktonte dhe të mos i lëshonte armët nga dora, për shkak se në mënyrë direkte nuk ishte palë në bisedime... Dihet, po ashtu se asokohe, në Shkup, kishte shkuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, admirali Gregori Xhonson dhe i kishte bindur autoritetet e Qeverisë së Shkupit se nuk mund ta fitonin luftën kundër shqiptarëve, por mund ta ruanin shtetin e tyre, nëse do të nënshkruanin një marrëveshje, e cila do t' i joshte shqiptarët mendjelehtë dhe do të ruhej status quoja edhe për një kohë të gjatë në këtë shtet të krijuar si Republikë jugosllave në vitin 1945 (Citohet sipas faqes së internetit "I robëruari s'ka ç'humb në luftë, përveç këmishës së zezë të robërisë". 16 dhjetor 2009).

Pra, admirali Xhonson, si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, kishte shkuar në Shkup për të përcjellë mendimin e kristalizuar të Evropës se shqiptarët janë mendjelehtë dhe ata mund t'i joshësh fare kollaj me çfardolloj marrëveshjesh në dëm të interesave të kombit shqiptar. Deklarata e admiralit Xhonson nënkuptonte tradhtinë e zotit Ali Ahmeti në krye të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, i cili, për interesat e karrierës së tij të fëlliqur politike, ishte gati të bënte kurban interesat kombëtare të popullit shqiptar në Maqedoni dhe të shkelte mbi gjakun e dëshmorëve të rënë në beteja. Mendjelehtë nuk është kombi shqiptar, mendjelehtë nuk është populli shqiptar në mbarë trojet e veta etnike, mendjelehtë janë mercenarët dhe tradhtarë që dalin nga gjiri i tij, të cilët "për kolltuk dhe ylefe" shndërrohen në paçavure për të fshirë këpucët e të huajve.   Deklarata e admiralit Xhonson, po ashtu, nxjerr në shesh një të vërtetë tragjike për kombin shqiptar: klasa politike shqiptare, në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup, është një mercenare e kualifikuar dhe tradhtare e çështjes kombëtare shqiptare.

Me këtë deklaratë prej tradhtari besnik të sllavizmit, zoti Ali Ahmeti kërkon që ta vërë në gjumë popullin shqiptar në Maqedoni dhe të vazhdojë të përjetësojë pushtetin personal, duke u tërhequr zvarrë para shovinizmit sllavomaqedonas.

Tiranë,16 mars 2012


Prof. Dr. ESHREF YMERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.