VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MAQEDONIA E SËMURË PO PI ILAÇIN E GABUAR
Nga MENTOR KIKIA

E Djelë, 07.20.2014, 07:05am (GMT1)


Ne shqiptarët kemi histori të trishta me ambasadat dhe pikat e kalimit kufitar. Në përpjekjet tona për të marrë një vizë e për të kaluar kufirin tonë jemi ndjerë të poshtëruar, të dhunuar e të fyer. Aq e madhe ka qenë shkalla e këtij poshtërimi, sa heqja e vizave dhe liria për të udhëtuar në një vend tjetër ishte me përmasat e një çlirimi kombëtar. Tashmë ne mund të udhëtojmë në tërë Europën, pa pasur nevojë për vizë. Por m'u kujtuan sërish ato tmerret e radhës pas dyerve të ambasadave dhe makthi në kufi, ndërsa një polic i huaj e shfletonte e stërshfletonte pasaportën, e kthente mbarë e mbrapsht, i kontrollonte vizat e tjera, hyrjet dhe daljet, fërkonte me mollëzat e gishtave fletët e pasaportës si të ishin kartëmonedha, të pyesnin ku do të shkosh, pse do të shkosh, sa do të rrish, sa njerëz ke në shtëpi.... Dhe ky makth pra merrte fund pasi ai përplaste vulën në një nga faqet e pasaportës e të hidhte pa pikë edukate.

M'u kujtuan këto skena sërish ndërsa dëgjoja rrëfimin e dy grave, Luljeta Telalli dhe Violeta Telalli, nënë e bijë, të cilat tregonin përpjekjet e dështuara për të kaluar kufirin me..... Maqedoninë. Po, po, kufirin me Maqedoninë fqinje, atij shtetit që gati gjysmën e popullsisë e ka shqiptare dhe është i rrethuar nga shqiptarë. Me pak fjalë, historia, sipas rrëfimit të dy grave, ishte kjo: Vajza do të shkonte në Shkup për të marrë një vizë në ambasadën kanadeze, pasi kishte marrë konfirmimin. Por në Qafë-Thanë policia i ka ndaluar, i ka zbritur nga autobusi në mes të natës, duke u kërkuar informacion se përse do të shikonin në Shkup (përse duhet ta kërkojë), duke u kërkuar të kishin me vete konfirmimin e ambasadës kanadeze? Pastaj kanë lejuar të kalojë vetëm vajza dhe nënën e kanë bllokuar në kufi. Nëna e ka kontestuar këtë veprim dhe ka kërkuar t'i kthejnë pasaportën e të ktheheshin të dyja, pasi nuk do ta linte vajzën vetëm. E provokuar psikologjikisht, pas më shumë se një orë dhune verbale, ajo i ka marrë pasaportën nga dora policit dhe kjo është konsideruar si dhunë ndaj policisë. Pastaj i kanë ndaluar të dyja në stacionin e policisë kufitare, i kanë keqtrajtuar (gratë kishin shenja të dukshme të dhunës) dhe i kanë arrestuar, për kundërshtim të policisë. Ato tregonin brutalitetin e policëve, fyerjet e ofendimet, duke u thënë se ju nënat shqiptare i dërgoni vajzat si prostituta...

Shtetasit shqiptarë mund të shëtisin sot pa vizë në të gjitha vendet e lejuara sipas marrëveshjes, pa u dhënë shpjegime policëve nëpër trarë doganash, që kanë për detyrë vetëm të kontrollojnë nëse personi që kalon është apo jo në kërkim, apo gjëra të tjera të paligjshme. Kështu udhëtohet për në Gjermani, Francë, Holandë, Greqi e gjetkë. Por policët maqedonas kërkojnë shpjegime se përse do të shkosh në Shkup, a thua dogana e Qafës së Thanës është muri prej betoni që ndan Izraelin nga Rripi i Gazës.
Dhe kjo nuk është hera e parë që fodullëku fshataresk maqedonas ngrihet mbi takatin e një shteti artificial, i ndërtuar me vullnetin ndërkombëtar me "pjese këmbimi" nga rajoni. Kur ky vend firmosi lirinë e lëvizjes, gjëja e parë që bëri ishte të rikthente vizat me Shqipërinë. Është sjellja tipike e fshatarëve ballkanas kjo, që sapo kanë një gjë në dorë, të parën gjë që mendojnë është si t'i bëjnë gropën fqinjit. Duke harruar se kur Greqia i mbylli kufirin dhe portin e Selanikut, i ngarkonte në Durrës kamionët me ushqime.


Shkupi tashmë është në telashe të mëdha si pasojë e valës së protestave të shqiptarëve dhe është duke bërë gabimin që një dhunë të vogël përpiqet ta mbulojë me një dhunë më të madhe. Pamjet e disa ditëve më parë, ku krahas policisë që qëllonte me gurë ndaj protestuesve shqiptarë ishin edhe disa civilë sllavo-maqedonas, tregojnë se janë bërë njësh, në një vrer antishqiptar të gjithë nacionalistët e sëmurë, nga horrat e lagjeve të Shkupit, deri në zyrat më të larta të shtetit dhe policia është ajo pjesë e tij (shtetit) që mund ta demonstrojë më hapur këtë.

Sjellja brutale ndaj shqiptarëve atje ka mbërritur mesa duket edhe në kufi dhe horrat me uniformë shteti janë duke menduar se kanë të drejtën "kushtetuese" të dhunojnë po njësoj si të rinjtë në rrugët e Shkupit e Tetovës, ashtu edhe shqiptarët që vijnë nga këndej kufirit. Në ditët e protestave të dhunshme në Shkup, Qeveria shqiptare reagoi në mënyrë shumë të kujdesshme duke bërë thirrje për të ndalur dhunën nga të dyja palët, por sërish Shkupi kërceu duke akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme. Por në rastin e ndalimit e kalimit, rrahjes dhe arrestimit të dy grave, shtetase shqiptare, Tirana duhet të reagojë e të kërkojë shpjegime zyrtarisht dhe Shkupi kësaj radhe nuk mund të mendojë se kjo është një ndërhyrje në punët e brendshme.

Shqipëria është shumë komode në pozicionin e saj si një "fqinj konstruktiv e paqedashës", por ajo duhet të dijë të ngrejë zërin ndaj një fqinji harbut e mosmirënjohës, i cili tulatet para presionit grek dhe hakërrehet ndaj shqiptarëve për shkak të qëndrimit të butë dhe dashamirës prej fqinji të Shqipërisë. Maqedonia është duke punuar shumë për t'ia shkurtuar jetën shtetit të përbashkët me shqiptarët. Ata janë duke punuar shumë për të shkatërruar çdo mundësi bashkëjetese me shqiptarët, por duket se janë aq të budallallepsur në këtë valë sa nuk kanë dëshirë të jenë as fqinj, e jo më bashkëjetues me shqiptarët.     

MENTOR KIKIA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.