VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - VAJTONI NANA, VAJTONI E MOS PUSHONI...!Nga SAMI REPISHTI

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 02:56pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
VAJTONI NANA, VAJTONI E MOS PUSHONI...!
Nga SAMI REPISHTI

E Enjte, 07.24.2014, 07:22am (GMT+1)


Këto ditët e fundit kemi përjetue tragjedi me përmasa shqetësuese: lufta në Lindjen e Mesme në mes të shtetit të Izraelit dhe refugjatëve palestinezë të grupit Hamas në Gaza, si dhe rrëzimin e avionit civil në Ukrainë nga forcat rebele pro-ruse në atë vend, me 298 viktima, tue përfshi edhe fëmijë...!

Tragjedia izraelo-palestineze ashtë veçanërisht e randë. Ajo tronditë çdo ndërgjegje njerëzore. Çfaqjet në TV të skenave me të vramë, sidomos fëmijë, nuk lejojnë heshtjen, nji situatë ku heshtja vret... të pafajshmin. Këtë ndjenjë kam unë sot.

Këtë ndjenje përgjegjsie morale kam pasë dhe në tetor 1982, gjatë sulmit izraelit në Liban dhe vrasjen, nga falangjistët libanezë, të qindëra refugjatëve palestinezë në kampet Sabra dhe Shattila, nji masakër që u dënue edhe nga gjykatat izraelite, sepse krimi ashtë krim, pavarësisht nga dorasi që e kryen. Revoltimin tim e përshkrova me nji artikull në "Dielli" të Vatrës. Ishte nji detyrë qytetare që duhej përmbushë.

Në Liban, poeti arab Halil Havi vrau veten nga dëshprimi kur dëshmoi "heshtjen e madhe" të botës para tragjedisë monstruoze...! Ndjenjë revoltimi pata disa herë edhe ma vonë, e veçanërisht këto ditët e fundit me vrasjen e katër fëmijëve palestinezë, katër engjëj, në plazhin e Gazës. Aksident sigurisht, por aksident vdeksor, rezultat i luftës që shkatërron.

Ashtu si shkruente edhe gazeta The New York Times më 19 korrik: "Palestinezë të pafajshëm po vriten dhe brutalizohen; katër fëmijë palestinezë në plazh; katër fëmijë në terracë të shtëpisë; nji spital për rehabilitim, të gjithë të shkatërruem nga zjarri izraelit. Kombet e Bashkueme njoftojnë se (deri të premten) përmbi 260 palestinezë janë vra. Tri të katërta janë civilë dhe ma shumë se 50 janë fëmijë". Sot numri i fëmijëve viktima arriti në 80. Ekstremizmi nga të dy palët po fiton! Kjo ashtë çmenduri, dhe duhet të përfundojë!

Nuk jam nji diplomat, dhe aq ma pak nji politikan! Por, jam mbijetues i "brezënisë së djegun", të rijëve që u dogjën nga zjarri i L2B, brezënia që urren luftën ma shumë se çdo moshë tjetër. Dhuna, padrejtësia, shtypja e përherëshme dhe vdekja e gjithanëshme rreth e rrotull nesh u banë, në ato vite të vështira, shkolla e jetës sonë djaloshare. Prindë që vuejshin, shokë që ekzekutoheshin, fqinj që zhdukeshin pa lanë gjurmë, mësues të burgosun, të torturuem, e të tjerë, ma guximtarë, që vriteshin në fushën e nderit, në luftën pa kompromis për liri e dinjitet njerëzor.

Kështu vdiq baba im mbas nji keqtrajtimi brutal që pësoi nga policia fashiste italiane. Kështu vdiq kushërini i im moshatar, maturant 17-vjeçar, që humbi pa lanë gjurmë në udhëtimin fatal drejt kampit nazist të Mauthausen. Kështu humbën shumë shokë, të lagjes e të shkollës, që luejtën së bashku me mue, e së bashku me mue u arsimuen në bankat e Liceut të Shkodrës, qytetit tim të lindjes.

Njeni nga ata ka qenë Ugo Arditi, izraelit me banim në Shkodër, që u internue e ekzekutue së bashku me kushërinin tim, Zyhdi Repishti. Kurr nuk pushova së përfytyruemi dy të rijtë, nji kushëri e nji shok shkolle, të lidhun me hekura dorë më dorë e të masakruem së bashku në nji natë të vetmueme e në nji vend të huej. E tmerrshme!

Zyhdi Repishti e Ugo Arditi pushojnë ende sot në nji vorr pa emën diku afër Sajmishtes së Beogradit, varrezë e mijëra viktimave të nazismit, dy viktima të shtypjes politike dhe diskriminimit racial, dy të rijë aktivë në punë ndërtuese të nji bote të re, ma të mirë, viktima të nji rendi të vjetër që thërmohej nën peshën e së resë që po lindëte. Dy të rij plot shpresa dhe andrrime për të ardhmen u flijuen në altarin e së tashmes që kalitej në zjarrin e luftës së pakompromis kundër së keqes që mundonte ata dhe prindët e tyne. Dy të rij që nuk gëzuen as thjeshtësinë e ceremonisë në banesën e fundit. Pa vorr, pa emën u shuen në detin e pafund të miljona viktimave, si dy pika uji në oqean. Sot, vorri i tyne ashtë në zemrat tona...!

Ma vonë, vdekja e tyne filloi me marrë përmasa të reja, monstruoze me zbulimin e krimeve të fashizmit në Europë dhe Azi. Atëherë u pa i qartë rreziku i madh që kishte mbështjelle botën tonë të vogël në Shqipëri, dhe atë të madhen jashtë vendit tonë, kur në rrugët e qytetit filluen, për të parën herë, e për të gjithë, me u pa nanat, gratë e motrat e viktimave të panumërta të luftës, të veshuna me të zeza.

Filloi me u shpalosë madhësia e tragjedisë gjashtëvjeçare të L2B. Për nanën time dhe për prindët e kushërinit nuk u gjet ngushëllimi dhe asnjiherë nuk u pranue humbja e të dashtunëve të tyne. Sa herë që dikush kthehej nga internimi i gjallë, ngjallej edhe shpresa, e thyhej vetëm pak ditë ma vonë. Atëherë fillonte përsëri përleshja në mes të shpresës e frikës që kishte zanë vend në zemrat tona të plagosuna.

Për shokun tim izraelit nuk u fol ma. Nji vëlla që shpëtoi u largue nga Shkodra pak muej mbas luftës. E kishte pranue se familja e tij ishte shkri, diku në vendet e hueja... I dhashë dorën; e ngushëllova! Ndoshta ai e dinte që në fillim atë që unë mësova ma vonë. Sistemi i çfarosjes së qëllimshme dhe sistematike në kampet naziste ishte diçka e re për miljonët që po zgjoheshin si nga nji andërr e frikshme, para nji hataje që kalonte edhe kufijtë e imagjinatës ma të ndezun. Çfarosja në masë me uri, punë të rande e pushkatime, e sidomos zbulimet e sistemit të krematorëve na lanë shtang e për shumë kohë, si në mosbesim të ultësisë njerëzore në përpjekje me çnjerëzue njeriun.

Në këtë kuadër frikësues persekutimi masiv, i qëllimshëm e sistematik i izraelitëve, i evgjitëve, i kombeve sllave, i miljona të pafajshëmve, delte në shesh si dukunia ma çoroditëse e të gjithë kësajë veprimtarie që, në largësinë e saj, dukej sikur njolloste çdonjenin nga ne, edhe të pafajshmit, ndoshta edhe viktimët e persekutueme që nuk përfunduen në furrat krematore ose para skuadrës së ekzekutimit. Poshtë, shumë poshtë ra njeriu në ato vite të përleshjes me Satanin, para nji bote që heshti, në nji kohë kur heshtja nuk ishte ma pak fajtore se gjesti i shoqënuesit të kolonave të gjatë që përfunduen në dhomat e mbylluna të vdekjes me gaz....!

Megjithatë, padrejtësia në bote nuk u eliminue. Në shumë vende, përpjekja me ndërtue nji të ardhme ma të mirë e ma të lirë nuk u realizue. Ndoshta dështimi ma i randë i mbasluftës ra mbi kurrizin e nji populli që jetoi i pa-emën e që emni i të cilit ma vonë u ngjall bashkë me atë të tokës që banoi me shekuj, e që ngjarjet e mbasluftës e vunë në qendër të interesimit botënor: populli palestinez.

Miljonat e izraelitëve që shpëtuen nga çfarosja u betuen me gjetë nji vend për vete e për fëmijt e tyne - mbas nji ekzili dymijëvjeçar. Vendosmënia e guximi i tyne u kuptuen mirë për të parën herë mbas nji jete endacake, të shoqënueme me vuejtje, përbuzeje e persekutim. Pesha e fajit të pranuem ndryshoi shumë zemra njerëzore. Vala e simpatisë u rrit çdo ditë e ma shumë, si dhe mundësia për mbasardhësit e tyne me pasë nji vend që quhet "atdhe", nji shtet që i mbron e i përfaqëson, nji shoqëni që nuk i përbuzë, por i vëllaznon në përpjekjet e tyne të përbashkëta me rindertue folenë e humbun njizet shekuj ma parë...!

Por, eksodi izraelit kah "toka e premtueme" nuk mbushi nji boshllëk në hapësinë. Atdheu i ri, shteti i ri, shoqënia e re izraelite çvendosi banorët autoktonë, që të frikësuem, të kërcënuem dhe të mashtruem me premtime boshe lanë votrat e tyne mijëvjeçare. Vargje të gjata të mjerueshme, leckamanë të çveshun morën rrugën e mërgimit zemërplasun. Kështu u krijue armata tremiljonëshe e refugjatëve palestinezë e kampet e tyne, me tenda e pa shtëpi, me frikë e pa shpresë, me vuejtje e pa të ardhme që premton. Ky fenomen njihet nga viktimët me emnin "Nakba"! (Dëbimi). Kujtimi i truellit të lëshuem e ndjenja e dëbimit që i la pa plang, pa shtëpi, ushqeu për ma shumë se shtatëdhjetë vjet të pambarim shpresën e kthimit bashkë me dëshprimin që ngjallë sjellja neveritëse e nji bote të shurdhër.

Vdiq brezënia e parë në kampe refugjatësh! Breznitë e tjera që lindën në këto kampe u banë objekt manipulimesh politike që trajtojnë gjithçka dhe harrojnë atë që ashtë thelbësore: njeriun palestinez, prindët që vriten, fëmijtë që masakrohen, nji popull i tanë që përfundon në kasaphanë...! Sot, akti violent i të dëshpruemëve palestinezë quhet "terrorizëm". Kur skuadra e fedainëve palestinezë lëshon raketa në afërsi të qendrave të banueme izraelite "monstruoziteti" i aktit dënohet nga ndërgjegjja e "botës së qytetnueme", ndërsa invazioni i ushtrisë moderne izraelite quhet "aksion i justifikuem" nga ana e nji shteti që "vetëmbrohet". Nji "newspeak" oruellian!

Pamjet e përditëshme të djegieve, të vrasjeve që mbjellë ushtria e nji populli që ka vuejtë kaq shumë në të kaluemen ka shtangue edhe ata që deri sot nuk kanë gjetë asnjiherë guximin me ngritë zanin kundër padrejtësisë së ditëve tona. A nuk i tronditë zemrat e viktimave të djeshme akuza që u drejtohet sot nga viktimët e katastrofës palestineze? Çka do të thojshin viktimët izraelitë në ghettot e Varshavës që u ngordhën nga uria e mungesa e ujit të bishave naziste, po të shikojshin si ushtarët e Izraelit këpusin bukën, ujin e medikalet për zonat arabe të bombardueme nga avionët e tyne? Vetëm udhëheqja politike e sotme izraelite kremton "fitoret ushtarake" në këto fushata të çmenduna..., aq sa i quejnë "nji luftë e urdhënueme nga Zoti" ("The divinely ordained war". M. Begin).

Kurdoherë që në ekranin e televizorit ose në faqet e shtypit shoh e lexoj shkatërrimin masiv e vdekjen e gjithëmbarëshme që mbjell gjithëherë invazioni, më duket sikur nji pjesë e mirë e njerëzimit në veten time avullohet që të mos kthehet përsëri. Çdo ditë ndiej veten ma pak njeri, ma pak i lirë e ma pak i aftë me folë e me veprue. Kjo ndjenje pamundësie që më rrethon e më mundon, bahet edhe ma e dendun kur jam koshient i faktit se ndihma, përkrahja, e tashti edhe cinizmi i vendit ku jetoj - i Amerikës - ka kontribue në nji mënyrë të dukshme e të pafalëshme, që të bahet e mundun tragjedia e sotme palestineze!

Në mbrendinë time, o vëlla, o motër palestineze që vueni sot pa faj, e ndiej veten fajtor... e kërkoj të falun!

Le të mbetet vajtimi për ne, për të gjithë ne, dhe për ata që në qetësinë e jetës së tyne të përditëshme, shikojnë shpalosjen e tragjedisë palestineze në ekranin televiziv me indiferencën e lojnave olimpike...! E harrojnë skenën zemër-coptuese të nanës palestineze që, e gjunjëzueme e me krahëhapun, mallkon para ushtarit 18-vjeçar izraelit, të heshtun e të tronditun thellë nga kjo skenë e dhimbëshme: "Pse më vratë dy fëmijtë e vegjël, o ju dalshin të dy sytë e ballit"!

E konflikti vazhdon, e vazhdon, me egërsinë e nji të çmenduni! Kemi sot nji kulturë urrejtje për njeni-tjetrin që fatkeqsisht po i kalohet brezënisë së ardhme, mbasardhësit, që ka mundësi të jenë ushqyesit e nji përleshje të re. Çmenduri që plotëson dëshirat e ekstremistëve nga të dy palët.

Ashtu si shkruente gazetari i njohun, Roger Cohen, këto ditët e fundit: "Të vdekunit vdesin për asgja... sepse të dy palët udhëhiqen nga njerëz të vegjël të paaftë me prue ndryshime... Por, ndryshimet do të vijnë, sepse në thellësi gjanat ndryshojnë. Jeta ashte nji fluks..." e jo nji vakuum që prodhon vetëm radikalizëm shkatërrues!
SAMI REPISHTI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Shënimi ditor8 QERSHORI I TRYSNUARNga SKËNDER BUÇPAPAJ (07.23.2014)
NËNË TEREZA NË BANJA LUKËUrat janë më të dobishme dhe më të rëndësishme se kufijtëNga UK LUSHI (07.21.2014)
Shënimi ditorSHËN 8 QERSHORINga SKËNDER BUÇPAPAJ (07.21.2014)
MAQEDONIA E SËMURË PO PI ILAÇIN E GABUARNga MENTOR KIKIA (07.20.2014)
GJERMANIA ËSHTË WELTMEISTERNga ROGER COHEN, New York Times (07.18.2014)
SHOQATA TË MEDIAS AMERIKANE KRITIKOJNË ASHPËR ADMINISTRATËN OBAMANga FRANK SHKRELI    (07.17.2014)
KUR T'I NDËRSEJNË ANALFABETËT!Nga GANI MEHMETAJ (07.17.2014)
ALBINI - MË LARG PARIMIT, MË PRANË DOGMËSNga SKËNDER BUÇPAPAJ (07.16.2014)
KUSH MUND TA SHPËTOJË LIDHJEN DEMOKRATIKE TË KOSOVËS?Nga GANI MEHMETAJ (07.16.2014)
SI U BË PËRZGJEDHJA E KANDIDATËVE TË LDK-së PËR DEPUTETË?Nga GANI MEHMETAJ (07.15.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]