VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Zonja Klinton duhet të ndërhyjë për zgjidhjen e krizës në Shqipëri

Nga Elida Buçpapaj

E Martë, 12.15.2009, 08:23pm (GMT1)

 

Po mbushet gati gjysëm viti pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ku në Shqipëri po bëhen të gjitha tentativat për destabilizimin e situatës. Ka elementë brenda dhe jashtë Shqipërisë që janë të interesuar dhe do të jepnin gjithçka që aty të kthehej një vit si 1997.

 

Shqiptarët në Shqipëri e ndjejnë të parët këtë rrezik, andaj gati një gjysmë milion mbushën sheshin Skënderbe më 8 Dhjetorin që shkoi, ku u kremtua përmbysja e diktaturës. Festës iu bashkua edhe LSI-ja, për të unifikuar qëndrimin me qendrën e djathtë, ndryshe nga pozicioni i distancuar që vazhdon të mbajë opozita, e mbizotëruar nga një pjesë e djemve dhe dhe nipave të ish-kastës së kuqe. Por nuk dua të ndalem këtu, pasi edhe kjo temë meriton vemendje të posaçme.

 

Çështja është kriza, e cila në fakt nuk është krizë, ose nëse është, është një krizë artificiale, porse rrezikon që të degjenerojë situatën nëse nuk do të ndërhyhet shpejt.

 

Kur jemi tek ndërhyrja dikush do të thotë se faktori ndërkombëtar ka bërë një ndërhyrje energjike. Dhe kështu është, duke filluar prej OSBE-së, BE-së, e me rradhë. Zgjedhjet u certifikuan dhe u përshëndetën nga institucionet ndërkombëtare në veçanti, nga kryetarët e shteteve Perëndimore në përgjithësi, nga eksponentët e Bashkimit Europian, dhe lista nuk ka fund, ku që të gjithë pa përjashtim kanë përshëndetur zgjedhjet dhe kërkuar futjen në parlament të opozitës. Por pa dobi. Sepse Ed Rama vazhdon bojkotin parlamentar duke paralajmëruar protesta dhe manifestime të mëtutjeshme, duke e kthyer krizën nga sajesë artificiale dhe virtuale në krizë reale. Sepse ta lësh opozitën jashtë Parlamentit është krizë.

 

Për ta bindur Ed Ramën që të lejojë deputetët e majtë të futen në Kuvend kanë bërë përpjekjet e tyre edhe diplomatët e huaj në Tiranë. Midis tyre edhe Ambasadori Amerikan Uidhërs. Në takimin që ka patur me Zonjën Topalli në mes të Nëntorit që shkoi, Zoti  Uidhërs ka kërkuar që "T'i jepet fund krizës politike", duke  nënvizuar se "krerët e politikës duhet të zgjidhin problemin e bojkotit të opozitës".

 

Ky deklarim i Ambasadorit Amerikan që nuk është eksplicit, është komentuar nga të dyja krahët si mbështetje për secilin krah. Qeveria e Tiranës ka të drejtë ta bëjë këtë, pasi kanë qenë institucionet ndërkombëtare që i kanë njohur të parat zgjedhjet, të cilat janë certifikuar njëkohësisht nga të dyja partitë e mëdha, PD dhe PS. Por do të jetë problem nëse Ed Rama e ushqen partinë dhe elektoratin e tij me iluzionin se hapjen e kutive e kërkon apo e mbështet edhe Amerika. Pasi vetëm ky iluzion mund të hedhë në erë situatën.

 

Prandaj e kam shprehur që në titull, nevojën urgjente të ndërhyrjes Amerikane në mënyrë të qartë dhe të prerë. Sepse një deklarim i qartë do të qartësonte situatën. Nëse nuk do të bindej Ed Rama për t'i lejuar deputetët të ktheheshin në Parlament, nëse nuk do të bindeshin rrethi i ngushtë i deputetëve të Ed Ramës, duke filluar prej ish-Ministrit të Brendshëm të diktaturës, Gramoz Ruçi, padyshim që do të bindej një grup i madh i deputetëve të PS-së, të cilët e kuptojnë se bojkoti është kundër interesave të Shqipërisë, por edhe kundër stabilitetit të rajonit në përgjithësi.

 

Në vend të Ballkanit përdora fjalën "rajon", porse precedenti i krizës që afron Ed Rama, synon që ta riballkanizojë Evropën Juglindore. Precedenti që afron Ed Rama është infektues, shumë më i keq se Gripi A1, andaj duhen marrë në mënyrë imediate masat për të ndalur përshkallëzimin.

 

Dhe kjo bëhet me një ndërhyrje energjike të SHBA dhe të vetë Zonjës Clinton, që shqiptarët të vazhdojnë e të besojnë se demokracia në Shqipëri nuk është një kështjellë prej rëre, porse një realitet konkret.

 

Elida Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.