VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - LETËR E HAPURNGA ROMEO GURAKUQI PËR DEPUTETET QË DESHIROJNË TË MBROJNË SHTETIN, LIRINË, LIGJIN DHE GJITHPËRFSHIRJEN

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 08:09am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
LETËR E HAPUR
NGA ROMEO GURAKUQI
PËR DEPUTETET QË DESHIROJNË TË MBROJNË SHTETIN, LIRINË, LIGJIN DHE GJITHPËRFSHIRJEN

E Enjte, 07.31.2014, 07:34am (GMT+1)


Të nderuar Përfaqësues,

Sot, ju deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, jeni thirrur për të votuar disa ligje të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe interesat e Publikut të gjërë, ligje që kanë të bëjnë me vendosjen e disa themeleve të administrimit të ardhshëm, përforcimit të themeleve të sigurisë publike dhe krijimit të strukturave bazore të përfaqësimit. Siç po ndodh rëndom në këtë vend, janë projekte që, në vend që të arriheshin me pjekuri, maturi dhe konsensus të gjërë, po ofrohen me ngut, pa konsultim të rretheve të specialistëve, pa një zemërgjërësi dhe largapamësi ndaj popullit dhe komuniteteve krahinore dhe fetare, në kushtet e mungesës së opozitës, që jeton në një botë të sajen, jashtë realitetit të popullit opozitar.

Projektet Ju janë paraqitur në ditët më të rënda që po kalon besimi i Publikut tek Shteti, kur ka ndodhur një prej skandaleve më të rënda financiare në institucionin që duhej të ishte me i sigurti i këtij vendi, 35 ditë pas vrasjes së njëriut më të rëndësishëm të finances shqiptare, vrasje që frikësoi jo vetëm popullin e thjeshtë, por para së gjithas Atë dhe Ata që do të duhet të mbronin Qytetarin, Shtetin dhe Liritë, në një ditë kur pushteti i tretë i këtij vendi, Drejtësia, është vënë dhe po tentohet të mbahet nën domen, nga një dorë e padukshme që kontrollon numrat e pozitës dhe opozitës, ekonominë e vendit, kontrollin shtetëror të pasurisë dhe që përcakton deri edhe mënyrën e votimit dhe rezultatet spektakolare të kolegjeve gjyqësore, votimeve parlamentare, një dorë që ben sikur ndërmjetëson mes palëve, por që fshehtas gllabëron Lirinë dhe Ligjin, një dorë që ka paracaktuar deri edhe mënyrën se si do të duhet të ndahen zonat administrative të Shqipërisë.

Nuk duhet të harroni se një shtet me demokraci dhe liri të deformuar, marrë për t'u qeverisur, do të mund të fillonte të korigjohej me promovimin dhe fillimin e zbatimit të një tërësie reformash në sistem. Të gjithë ne, njërëzit e thjeshtë të ketij vendi, kemi pritur me ankth këto 300 ditë: 1. një Reformë Konstitucionale që do të përforconte demokracinë parlamentare, operimin e shtetit të se drejtës që do të ndihmonte trajtimin barabar para ligjit të të gjithë shtetasve, të ndante e kontrollonte pushtetet në mënyrë të pavarur; 2. një reformë të partive politike që do t'i transformonte ato nga organizata klienteliste dhe familjar, në parti të mirëfillta demokratike, pa konflikte interesi;3. Një reformë administrative që do t'i zbuste dhe eliminonte gradualisht dallimet krahinore, do të respektonte komunitetet etnografike tradicionale,do të zbuste shpëndarjen e pabarabartë të pasurive dhe hapte poret zhvillimore të gjepave të varfërisë të një "Shqipërie Tjetër", të panjohur për Tiranën zyrtare dhe ndoshta për pjesën më të madhe të Juve aty; 4. Një plan të qartë për reformimin e sistemit të drejtësisë, jo përmes venies së këtij sistemi nën kontrollin e ekzekutivit apo legjislativit, që kanë ndërtuar një piramide shkembimi interesash në shtet, por përmes hapjes së rrugeve për ndryshimit të burimeve njërëzore, ndryshimit të elitave të drejtësisë me njerëz të rinj me patentë të qartë të sigurisë dhe pasurisë, dhe shmangies konfliktit të interesave mes familarëve në dy ose tre pozita të larta në Shtet.; 5. Një vendosje serioze nën garancinë publike të transparencës së institucionit të kontrollit të pasurisë dhe institucionit të kontrollit financiar shtetëror.6 .një reformë të shërbimit policor, të shërbimit të hetimit policor që do të duhej të përqendrohej në modernizimin, informatizimin, rritjen e aftësisë së hetimit shkencor dhe kontrollit elektronik të territorit, duke shkurtuar numrin e policëve në terren, por duke rritur forcën reaguese të forcave të specializuar policore, në mbrojtje të jetës se qytetarit, institucioneve shtëterore dhe biznesit; 7 një vendosje nën kontroll e sistemit bankar qendror dhe dytësor, permes mbylljes së të gjitha kanaleve dhe mundësive të pastrimit të parave të krimit të organizuar; 8. një rimëkembje të ekonomisë përmes nxitjes së biznesit, eliminimit të klientelizmit, përforcimit dhe jo dobësimit të klasave të mesme, nxitjes së prodhimit bujqësor dhe sidmos atij blegtoral dhe një seri politikash sociale etj. E radha e prioriteteve mund të vazhdonte edhe më tej.

Por, kjo ka qenë radha e veprimeve të menduar nga ne, publiku me ideal kombëtar e shpresë, për të pasur një Rilindjeje Ideale të Shqipërisë Europiane. Kjo sepse, grupimi politik socialist, erdhi me premtimin për shkatërrimin e "regjimit të një kaste oligarkesh", " për ripërtëritjen e demokracisë, lirisë, ndërtimit të një shteti për të gjithë", nën ligj dhe liri, me kauzen e europianizmit dhe të një shteti serioz gjithpërfshirës, të reformave të thella strukturore, konstitucionale, ekonomike, politike, krahinore dhe mbi të gjitha me divizen e vendosjes së rendit publik.

Mirëpo u çuditën që në fillesë, sepse nga pikëpamja e njësisë politike, u nisën ta bëjnë një hap të tillë me një pjesë të kastës së oligarkëve të pushtetit të djeshëm, madje pjesën më të korruptuar dhe më antishtet dhe serish mendojne se janë duke e bërë dhe mund ta bëjnë. Nga pikpamja e taktikave politike dhe reformative, hapat e ndërmarrë janë një shmangie nga një linjë e studiuar liberiste dhe liberale. Zakonisht, në vendet e demokracisë liberale, qeveria ndërhyn në tregun e lirë për ta çliruar atë nga prirjet monopoliste dhe dorët e padukshme të së keqes. Ajo çfarë verehet sot nuk është aq shkatërrimi i monopoleve klienteliste, për t'i dhënë frymëmarrje dhe barazi shansesh të gjithë tregut, sa ndrydhja e tregut në tërësi dhe zhvendosja e dorës monopoliste; ajo çfarë vërehet sot, nuk është aq kontrolli rigoroz i politikave fiskale, monetare dhe bankare, sa përpjekja për ta zhvendosur establishmentin pararëndës financiar drejt vehtes, pa kontrollin e ligjshmërisë së brendshme të këtij sistemi, pa dashur të kuptojnë shmangien e saj në pararëndie, gjë që u pasua me ngjarje të jashtëzakonshme, kërcënuese për sigurinë financiare të vendit. (Edhe pse në dukje bëjnë sikur nuk kuptojnë, ata me 26 qershor dhe me 26 korrik kanë kuptuar gjithshka: kanë kuptuar limitet deri ku duhet të shkojnë, rrugicat nga duhet të ecin, hapësirat bulevardeske nga nuk duhet të orientohen. Shteti nga këto ditë është operues deri në një nivel të caktuar nga baza e shoqërisë, përtej të cilit nuk do të duhet të ngjitet dhe ka frikë të ngjitet. Ata do të duhet të jenë vetëm interpretë të botës së padukshme dhe asnjëherë dhe kurrë më endërrues të përfaqësimit të njimendtë të botes së publikut shqiptar). Në pikpamje të politikave fiskale, në vend të stimulimit të klasave të mesme, ndodhi e paimagjinueshmja: rikthimi i kërkesës maksimaliste të Robespierit dhe e Jakobinëve për tatimin progresiv të të ardhurave dhe pasurisë, e pangjashme për një demokraci liberale bashkëkohore, por e denjë për Francën revolucionare të viteve 1792-1794. Në pikpamje të respektimit të lirive individuale, duke rendur pas nevojave të militantizmit politik majtist, krahinor, familjar dhe klanor, u kopjuan taktikat e viteve 2011-2014 të qeverisë demokratikase: u shkatërrua konsesusi pararëndës i arritur me sponsorizimin e BE, për krjimin e një administrate profesioniste, u pezulluan kodet ligjore, u tentua të veprohej në mënyrë antikushtetuese, duke krijuar një zinxhir të pafund thyerjesh të administratës, trazimesh të jetës qytetare dhe intelektuale, duke rritur rëndë tensionet sociale në vend, tensione që vazhdojnë t'i peshojnë mbi krye Shqipërisë në krizë ekonomike. Ju të nderuar deputetë të pozitës politike zyrtare, nuk duhet të harroni se sovraniteti pozitar mund të ushtrohet vetëm brenda disa kufizave të caktuara, të cilat nuk mund t'i shkapërceni mbasi aty është e mishëruar LIRIA për të GJITHË, e garantuar nga Kushtetuta.

Për fat të keq, serish po ndodh i njejti cikël që përsëritet çdo rifillim pushtetesh në Shqipëri: e gjithë propaganda parazgjedhore për rindërtim shtetëror dhe korigjimi të parametrave të demokracisë dhe lirisë, përmes reformave kushtetuese dhe demokratizuese, ç'montohet shumë shpejt, në të kundërtën: në krijimin e një qeverije të mbyllur, me këndveshtrime sektare, klienteliste që zëvëndeson gradualisht klientelen e krijuar nga pararëndësja, duke përthithur pjesët fluide të paraardhëses, duke krijuar rishtazi segmentin e vet të pushtetit, i cili, në qoftë se nuk është në gjendje të gllabërojë menjëherë hapësiren e klienteles pararëndëse, përpiqet të zhvendosë gjithnjë e më në përiferi atë, dhe punon për përforcimin e hapësires së vet sunduese në vend, duke kontrolluar të gjitha pushtetet. E kemi parë këtë qartësisht, me kristalizim gjithnjë e më të qartë në segmentet kohore 1994-1997, 1999-2005, 2007-2013. Po e shohim edhe sot, në një mënyrë shumë më të kamufluar, por në një përmasë të frikshme për Shqipërinë, në ditët kur ajo do të duhej të gëzohej më shumë së asnjëherë për shkak të pozicionit të ri në Europë. Janë kohet e deformimeve më të FSHEHTA të ligjit, rendit, standardeve të demokracisë, të shformimit të lirisë ekonomike dhe shkeljes masive të lirisë civile, politike dhe bastardimit të mendimit të lirë, që ju të nderuar deputetë, nuk do të duhet ta harroni ose ta lini menjanë kaq lehtësisht edhe sot.

Qytetarët e thjeshtë të këtij vendi jetojnë në një realitet që nuk arrin të përceptojë dot botën e politikës, të pushtetit dhe të opozitës, të përzjerë me biznesin e madh, monopolistët, një pjesë të medias dhe bankat: një botë që urren lirinë, ligjin, rregullin, seriozitetin, përparimin e vendit, deformon leximin e kushtetutes, lejon cenimin e laicitetit të shtetit përmes mosveprimit ose veprimit të fshehtë, sfidon nevojen për reformim konstitucional, hesht përballë vrasjeve të njërëzve shumë të rëndësishëm të pakicës së biznesit serioz, qytetar dhe intelektual, frikësohet përballë më të fortëvë të mafias regjionale dhe shfren gjithë inatin vetëm ndaj njerëzve të varfër të këtij vendi që çdo ditë mendojnë të largohen nga sytë këmbët nga kjo Republikë e pabesë e injorantëve dhe e oligarkëve. Shpirti i kësaj bote është krejtësisht i ndryshëm nga shpirti politik i klasës së mesme të vendeve normale në agimin e demokracisë, të përshkruar aq mjeshtërisht nga Aleks Tukevili. Shpirti i kësaj bote pseudokapitaliste shqiptare, është shpirti i një bote, mediokre, të pandershme, cinike, të paarsyeshme deri në kotësi, egoizëm, agresivitet dhe pabesi, dhe po aq dritëshkurtër për të ardhmen e vendit dhe brezit të ri të Shqipërisë. Kjo kastë oligarkësh ka kapluar dhe mbërthyer jetën e vendit në një rreth vicioz që frenon reformen e njimendtë dhe ta ngrin buzëqeshjen edhe atëherë kure mendon se dera e Europës nuk mund të mbyllet më.

Kjo botë e përforcuar nën pushtetin demokratikas-integrist, që ka qënë më tipiku deri tani në ushqimin e një shkatërrimi të tillë të pangjashëm të demokracisë, lirisë, ligjit, rendit, sistemit të drejtësisë, krijimit të klientelave, konfliktit dhe trafikut të interesave, zhbalancimit institucional dhe deformimit të demokracisë në përgjithësi, po përjeton një moment risistemimi në rrethanat e reja kur pjesa integriste e pushtetit të djeshëm është rimodeluar serish në pushtetin socialist pas shtatorit 2013, dhe ka ruajtur e zgjeruar hapësiren e vet të ndikimit në shtet. Ky proces risistemues dhe rishpërndarës, ka rezultuar i dhunshëm dhe tragjik, për shkak të nevojave për me mbajtë pushtet dhe për të krijuar pushtet, hapësirë dhe linja dhe struktura të reja që shkatërrojnë ose menjanojnë të vjetrat.

Oligarkia e djeshme krijoi rrethe të mbyllura, duke shmangur konkurrencën e lirë, veçoi një pjesë të popullit nga përfaqësimi duke ndertuar një sistem zgjedhor proporcional regjional, shkëputi përfaqësuesit e popullit nga interesat publike. E njëjta gjë po ndodhë edhe sot, madje me një intensitet dhe me vendosmëri jakobiniste në njërin segment tëpushtetit dhe krejtësisht e ashpër dhe pa rregulla logjike për arsye thjeshte klienteliste, në segmentin tjetër të pushtetit. Produkt i gjithë këtij kaplimi është heshtja, frika, indiferentizmi i imponuar, manipulimi propagandistik.

Të nderuar deputetë, është e vështirë të përcaktohet sot me saktësi çfarë ndodh në pushtetin e sotëm, përderisa transparenca është e paçertifikuar dhe opozita ndodhet nën gjumin e kontrolluar. Por indikacionet strukturore tregojnë se brenda mazhorancës aktuale ka një dyzim të qartë strukturor, programor, domenial dhe një operim me standarde plotësisht diferente në projektimin administrativ, përgjegjshmërinë ndaj publikut, krijimin e kultures shpjeguese ndaj sjelljeve dikasteriale.

Mbyllja e sesionit e gjen vendin në një ditë të vështirë: reforma kushtetuese, ajo e partive politike dhe e sistemit zgjedhor të harruara; reforma e sistemit të drejtësisë e mbetur në tentativë dhe e impostuar në kahun e kundërt me parimin themelor të Shtetit të se Drejtës; reforma policore, ajo e Byrosë Nacionale të Hetimit dhe ajo e Gardës Kombëtare, e kontrolluar me një pikatore të fshehtë përmes një ish kryehetuesi të diktatorit dhe e shtënguar të mbetet vetëm në nivelin e ndërrimit të stafeve dhe stimulimit të përgjegjesisë, por pa njohur as shkëndijen e parë të modernizimit, digjitalizmit dhe forcës së reagimit të shpejtë. Forca e ndryshimit policor është kufizuar vetëm në një sukses të dukshëm të luftës kundër prodhimit dhe shpërndarjes së lendëve narkotike, kontrollit në një masë të madhe të territorit, seriozitetit të shefit të dikasterit të punëve të brendshme dhe një liste varësish seriozë, por efikasiteti dhe reagimi i shpejtë, zbulueshmëria e krimeve të rënda dhe mbrojtja e jetës së qytetarit, janë ende larg dhe kanë nevojë për mbështetje financiare urgjente. Logjika qeverisëse më ngjan të jetë logjika e një optimumi të mjaftueshëm minimalist, e kontrollit të disa parametrave themelore të programit, pa u futur në rrugën ë zhbërjes së ekonomisë informale, pa filluar procesin e korigjimit të hapësirave të kontrollit të pastrimit të parave, kontrollit të transfertave bankare, kontrollit të pasurisë së zyrtarëve. Ngjan më shumë të jetë një përpjekje për të kontrolluar mundësine e hapit dhe vendosjen e një kontrolli mbi shtetin për arsye grupi, me shumë se sa për arsye të interesave të përgjithshme publike.

Nga ana tjetër, me kauzen e shkatërrimit të politikës së djeshme të forcës, po sendertohet një pol i ri selektiv i forcës dhe kontrollit të gjerëva në shtet, jo aq në shërbim tëpublikut, sa në shërbim të përforcimit të shtyllave të mbajtjes së strukturës aktuale governative. Reforma Administrative për të cilen sot, Ju të nderuar deputetë, jeni thirrur për të votuar, është një prej shtyllave deformuese të botës shqiptare dhe e elektoratit të cilin përfaqësoni, që neser do ta deformojë edhe me tej demokracinë, përfaqësinë dhe do të mbajë më tutje në heshtje lirinë e pakicave. Që Shqipëria të mund të bëhet një demokraci dhe një shtet i vertetë europian, duhet të ndërtohen kushtet që e mundësojnë, mbrojtjen dhe përfaqësimin më të mirë të pakicave, në të gjitha hallkat e administratës, legjislativit, diplomacisë dhe qeverisjes, mbasi këto janë provat më të sigurta se një vend është i lirë, gjë që ndryshimi administrativ i projektuar, orvatet ta vdesë.

Mirëpo ka pak përpjekje serioze për të dalë nga shoqëria konfliktuale drejt shoqërisë konsensuale. Demokracia e shumicës e kuptuar si tirani e shumicës, është një keqkuptim i madh i të gjithë majtistëve shqiptare, që e kanë qeverisur këtë vend për 23 vite, që bëjnë vazhdimisht gjithshka për kontrollin e të gjitha pushteteve, duke shkelur mbi ndarjen e institucioneve. Politika introverse e veprimit dhe e lojës së pushtetit të mbyllur brenda rrethit strikt të majtë dhe ultra të majtë, këshillimi mbi një optikë bardh e zi, karakteristikë e ekstremizmit në përgjithësi dhe veçanërisht e tipit të ekstremizmit të majtë që prodhoi ky vend në vijimësi edhe gjatë post diktaturës, po mbetet edhe më tutje një karakteristikë e jetës sonë politike. Përgjithësisht pushtetet në këtë vend janë armiqësuar me realizmin, të vertetën dhe mbi të gjitha me kritiken dhe oponenecën konstruktive, jo partiake dhe kjo do të thotë të demtosh edhe demokracine dhe të shkurtosh afatin e qeverisjes tënde mbi binarët e lirisë dhe interesit të publikut, t'ia dorezosh vendin kastës se oligarkëve, njëlloj sikurse dikur iu dorëzuan fashizimit, liberalet italianë në vitet 1920'.

Të nderuar deputetë të shumicës, është në nderin tuaj sot, të ndaloni veprimin mbi forcën e kartonit, sidomos për projektligjin mbi Reformën Administrative dhe këtë duhet ta bëni për interesat e stabilitetit të Shqipërisë së neserme, interesat e Shqipërisë së varfër, elektoratit që ka pritur një tjetër qasje teknike, e cila do t'i hapte rrugët e zhvillimit, jo permes kursimit të 75 milion dollarëve në vit, por përmes investimit të 1 miliard dollarëve në vit, për zhvillimin e Dukagjinit, Kurveleshit, Mirditës, Himarës, Malësisë së Gjakovës, Shpatit, Malësisë së Madhe dhe Lunxherisë, Pogonit, Hasit, Lumës, Gollbordës dhe Dropullit, etj., si njësi administrative të njohura nga projektiligji, që sot ua mohon me dinakeri.

Të nderuar deputetë të opozitës, ajo çfarë ju përfaqësoni është as më shumë dhe aq më pak por vetëm një organ sovran i popullit, po aq vital sa edhe qeveria. Ndaj vendi juaj sot është në Parlament për të mbrojtur jo kauzen e partisë suaj të dëmtuar rëndë, por kauzen publike, që është nën kërcënim. Reforma administrative kështu e ndërtuar do jetë shkatërrimi i jetëve të njërëzvë të varfër të Shqipërisë, krahinave më të varfëra, mohimi i të drejtave të komuniteve krahinore dhe kulturore, një ndarje që do përjetësojë kastat e djeshme dhe ato të sotme. Ndaj qenia e juaj sot larg sallës së parlamentit është tërësisht e pajustifikuar, e padrejtë dhe përkundrejt interesave të një Shqipërie tjetër. Ju duhet të ndalni sot pushimet e Parlamentit dhe do të duhet të kërkoni që ky institucion të vijojë punën gjatë muajit gusht, për zgjidhjen e administrimit të vendit, kontrollin e njimendtë të sistemit të drejtësisë nga ligji, kontrollin e financave dhe Bankës Kombëtare që skandalizoi shoqërinë dhe demtoi imazhin e Shqipërisë europiane. Këtë ju duhet ta bëni duke bashkëpunuar me pjesën idealiste dhe shteformuese të pozitës. Shqipëria sot është e sëmurë rëndë ndaj Parlamenti nuk mund të pushojë me tre kartona të ngritur, ndërkohë që Publiku pret reagim demokratik për shkak se Respublica dergjet.

Romeo Gurakuqi, Universiteti Europian i Tiranes. Instituti i Historise Bashkekohore
Shkoder 30.07.2014


ROMEO GURAKUQI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KUSARI NUK E FUT DOT NË BURG KUSARINNga ARTUR VREKAJ (07.31.2014)
MUND TË JETË KRIM LUFTENga FRANK SHKRELI (07.29.2014)
MATRAPAZËT S'MUND TË JENË FAKTORË OPOZITENga MENTOR KIKIA (07.29.2014)
CIVILITETI I SHQIPTARËVENga UK LUSHI (07.29.2014)
PËR HIR TË SË VËRTETËSNga Prof. dr. ESHREF YMERI (07.28.2014)
ROMAN I KRIJUAR ME DASHURI DHE DHIMBJE - DËSHMI E NJË PLAGE SHOQËRORE JO VETËM SHQIPTARE Nga ARTUR VREKAJ (07.27.2014)
EVROPA DUHET TË PËRBALLET ME RUSINËBE nuk mund ta lejojë Rusinë të vazhdojë me vrasjetNga ARTIS PABRIKS*, New York Times (07.26.2014)
MAZHORANCA DHE OPOZITA NË UNISONNga ELIDA BUÇPAPAJ (07.25.2014)
SANKSIONET MË NË FUND E KANË GJETUR THEMBRËN E AKILIT TË RUSISËNga WILLIAM E POMERANZ, Reuters (07.24.2014)
VAJTONI NANA, VAJTONI E MOS PUSHONI...!Nga SAMI REPISHTI (07.24.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]