VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Serbia kërkon të ketë përballë një Kosovë sa më të dobët
E Hënë, 02.02.2009, 03:58pm (GMT1)

Editorial (Voal-online) Serbia nuk e resht dhe nuk e pakëson trysninë ndaj bashkësisë ndërkombëtare për t'i rifilluar bisedimet me Kosovën. Kombet e Bashkuara, Bashkimi Europian, institucionet e tyre në Prishtinë, siç shihet përherë e më qartë janë të prirura të mos marrin parasysh destruktivitetin e dëshmuar nga Serbia, vetë, nëpërmjet aleates së saj kryesore Rusisë, si dhe faktorëve të tjerë të favorshëm ndaj saj, si në bisedimet para Ahtisarit, ashtu edhe gjatë tyre e më vonë, si në terrenin e Kosovës, ashtu edhe nëpërmjet formave të tjera të panumërta. Kundër shtetit më të ri në botë, pa përvojë, pa mjete dhe pa mundësi të shumta, vemë re një Serbi që vepron më shpejt sesa flet, që i manifeston më tepër hapur sesa fshehur veprimet dhe qëllimet e saj, një Serbi që imponon dhe që nuk gjen imponime, një Serbi që shkel, nga njëra anë sovranitetin e Kosovës në vijimësi të pandërprerë e me përshkallëzime në rritje, nga ana tjetër, një Serbi që ia mohon të drejtat Luginës së Preshevës, ia redukton ato, pra një Serbi që nuk do t'ia dijë për askënd dhe për asgjë në synimet e saj të mbrapshta, të cilat nuk mund të çojnë në ndonjë pasojë më të mirë se atë të viteve 1990. Synimi imediat i sjelljes së tillë të Serbisë është, që me çdo kusht, përditë e më tepër, të bëjë që përballë saj, në çfarëdo tryeze ku do të ulet, të ketë përballë një Kosovë sa më të dobët, sa më të papërfillshme, një Kosovë që, sa më pak, mundësisht hiç, të zerë fjala vend, një Kosovë që sa më pak, mundësisht hiç, të ketë mundësinë, autoritetin, presitgjin, peshën për ta mbrojtur të drejtën e vet të ligjshme që shteti i saj i pavarur dhe sovran të funksionojë në gjithë territorin e saj, për ta mbrojtur të drejtën e vet të ligjshme për të qenë në bashkësinë ndërkombëtare anëtare e barbartë me Serbinë, deri dje okupatore gjakatare e Kosovës, sot me të njëjtat qëllime jopaqësore si dje ndaj Kosovës.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.