VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

AKADEMIA E SHKENCAVE NË SHËRBIM TË KISHËS SHOVINISTE GREKE
Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

E Premte, 09.19.2014, 05:13pm (GMT1)



    Më 24 gusht 2014, Anastas Janullatosi, në fshatin Kolkondas të Libofshës në Fier, organizoi kremtimin e 300-vjetorit të lindjes së "Shën" Kozmait, armikut të betuar të etnisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe. 

    Për këtë djall të veshur me petkun e shenjtorit kanë shkruar dhe kanë folur me fakte të pakundërshtueshme shumë shkencëtarë të historiografisë shqiptare, si profesori Kristo Frashëri, profesori Pëllumb Xhufi, profesori Sherif Delvina,  profesori Rasim Bebo, studiuesi i mirënjohur Kastriot Dervishi dhe intelektualë të tjerë. Por, çuditërisht, vetëm Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë ka heshtur për  faktet historike rreth figurës armiqësore të djall Kozmait. Në vend që Akademia e Shkencave të sqaronte bindshëm jo vetëm besimtarët ortodoksë, por edhe mbarë opinionin publik shqiptar dhe të hidhte dritë me objektivitet shkencor mbi veprimtarinë armiqësore të të dërguarit të sulltanit dhe të Patrikanës së Stambollit me emrin Kozma në trojet shqiptare, me të vetmin qëllim që ai të hapte sa më shumë shkolla greke dhe të mallkonte me tërë urrejtjen e vetë gjuhën shqipe, ajo, përkundrazi, ka heshtur në një mënyrë të pabesueshme, duke u bërë pjesë e politikës së Tiranës zyrtare, e cila që prej vitit 1991 vazhdon të tërhiqet zvarrë para shovinizmit grekokaragjoz dhe kishës shoviniste greke. Akademia e Shkencave, në të vërtetë, duhej të luante një rol të rëndësishëm për emancipimin e politikës së Tiranës zyrtare dhe të jepte kontributin e saj shkencor për nxjerrjen në vazhdimësi në dritën e diellit të krimeve që kisha shoviniste greke ka kryer kundër vendit tonë, duke na vrarë korifenj të ortodoksisë shqiptare, që patën mbrojtur me gjakun e tyre gjuhën shqipe para stuhisë së sulltanëve të perandorisë otomane dhe veglës së tyre të bindur, Athinës zyrtare, e cila, duke i kërkuar padishahut të madh ndalimin e gjuhës shqipe në trojet tona etnike, vetë kishte rënë në bark para tij. Për këto arsye, Akademia e Shkencave duhej t'ia kishte kthjelluar trurin me kohë klasës politike të Tiranës dhe t'i kërkonte me këmbëngulje që ajo të mos lejonte në asnjë mënyrë pushtimin e kishës sonë fanoliane prej një prifti grek.

     Akademia e Shkencave ka heshtur para historianit shovinist grek Nikolas Stavros, i cili, në librin e vet me titull "Grekët dhe ballkanasit e rinj", ka deklaruar botërisht këtu e më shumë se dhjetë vite të shkuara:

"Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX".

Mjaftonte kjo deklaratë skandaloze e këtij historiani shovinist që Akademia e Shkencave të çohej peshë më këmbë dhe t'i kërkonte Tiranës zyrtare ta dëbonte Janullatosin një sahat e më parë nga territori shqiptar.

Profesor Kristo Frashëri, me rastin e qëndrimit skandaloz të veglave të bindura të Janullatosit në ngjarjet e Përmetit të gushtit të vitit të kaluar, ka dalë para opinionit publik me deklaratën e mëposhtme:

"Dihet se Kisha si institucion fetar, madje jo vetëm Kisha Ortodokse, por të gjitha institucionet fetare monoteiste, kanë pretenduar, sidomos gjatë mesjetës, të përvetësojnë funksionet e shtetit. Pra, kanë pretenduar që ta mbërthejnë në kthetrat e tyre pushtetin politik, financiar, juridik, ushtarak dhe, mbi të gjitha, pushtetin shpirtëror mbi popullsinë e vendit të tyre. Përkundrazi, shteti ka qenë dhe vazhdon të jetë shtet modern kur është shkëputur nga Kisha dhe e ka zhveshur Kishën nga pushteti i dikurshëm politik, ekonomik, juridik, ushtarak dhe e ka lënë të lirë të ushtrojë vetëm pushtetin e saj fetar. Madje, në viset ku ka pluralizëm fetar, pushteti i Kishës kufizohet nga shteti deri në atë masë, sa ta ushtrojë veprimtarinë e saj vetëm brenda mureve të faltoreve. Kjo, për arsye se shteti është përgjegjësi kryesor i përparimit, i mirëqenies, i sigurisë, i pronës, i lëvizjes dhe i unitetit kombëtar të shtetasve që banojnë brenda kufijve të tij" (Citohet sipas: "Kisha e Përmetit, Kristo Frashëri: Djallëzia Janullatos, nga 25 metra, do 600". Marrë nga faqja internetike "BalkanWeb". 26 gusht 2013).

Faktet tregojnë se në raportet që ka ndërtuar me Janullatosin, klasa politike e Tiranës e ka zbritur shtetin shqiptar në nivelet e kohës së mesjetës, kur ligjin e bënte kisha dhe shteti rrinte sus para saj. Këtë të vërtetë tragjike e zbulojnë ngjarjet në Përmet në gushtin e vitit të kaluar, ku shërbëtorët e Janullatosit kërkonin të mbanin të pushtuar Shtëpinë e Kulturës "Naim Frashëri", e zbulon moszbatimi i ligjit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2002 për kthimin e asaj shtëpie kulture në identitetin e saj. Moszbatimi i atij vendimi dëshmonte më së miri se Janullatosi e ka kapur për fyti shtetin shqiptar, tamam sikur të ishim në mesjetë. Por Akademia e Shkencave ka heshtur në mënyrën më të çuditshme për këtë nëpërkëmbje dhe për këtë poshtërim që i bëhej dinjitetit tonë kombëtar prej Janullatosit, i cili për 11 vjet rresht shkelte rëndë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që është Kështjella e Drejtësisë Shqiptare.

Akademia e Shkencave ka heshtur për zërin e fuqishëm që personalitetet e larpërmendura shkencore kanë ngritur kundër Janullatosit, i cili, si misionar i Athinës shoviniste, udhëhoqi aksionin monstruoz për blerjen e eshtrave të shqiptarëve për ngritjen e varrezave të ushtarëve agresorë grekë. Dhe sot, territorin e Shqipërisë së Jugut, e kanë ndotur varrezat, manastiret dhe memorialet në nderim të atyre ushtarëve agresorë që përbëjnë një poshtërim të rëndë për ndërgjegjen kombëtare shqiptare.
Me rastin e ngjarjeve të Përmetit, qëndrimi heshtës i politikës zyrtare të Tiranës ndaj Janullatosit, tregoi në praktikë se ajo ka rënë në kthetrat e kishës shoviniste greke dhe emisari i Athinës Janullatos sillet në vendin tonë si një guvernator fuqiplotë. Këtë e vërteton fakti që Janullatosi e nderon Kozmain me salltanete të mëdha, paçka se ai ka qenë një armik i egër i etnisë shqiptare dhe i gjuhës shqipe.

Atë Petraq Simsia,  Atë Kristaq Subashi, Atë Nikolla Lushi, Dhiakon Joan Qako, Ilia Zaka, Miltiadh Veveçka,  Ilda Sylari, Xhovan Kajana, Naun Dyshniku tërhiqen zvarrë me një servilizëm të pështirë para Janullatosit, sulmojnë pabesisht profesor Pëllumb Xhufin për demaskimin që i bën djall Kozmait me fakte konkrete nga burime shkencore për misionin armiqësor që po kryente në Shqipëri për greqizimin e saj dhe, duke shfaqur mangësi të dukshme në formimin e tyre intelektual, dalin me një deklaratë të pahijshme:
"Për të kuptuar misionin e Shën Kozmait, duhet të përfytyrojmë botën e atëhershme, kur ishte shumë e vështirë të shtypej dhe botohej një libër dhe thuajse e pamundur për shkak të mungesës së alfabetit shqip..." (Citohet sipas: "Replikë me Pëllumb Xhufin". Marrë nga faqja internetike e gazetës "Dita". 15 gusht 2014).

 Për dijeninë e këtyre servilëve shembullorë të Janullatosit, gjuha shqipe është më e vjetra në Evropë dhe, sipas natyralistit të famshëm romak Gaius Plinius Secundus, i njohur si Plini Plaku (23-79 e.r.), "ilirët (arbërit) kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët". Por gjuhës shqipe dhe alfabetit të saj ia patën zënë frymën fermanët e sulltanëve otomanë që ata i firmosnin me kërkesën këmbëngulëse të Patrikanës kriminale dhe të kishës shoviniste greke, në këmbim të poshtërimit të vetvetes para agait të Stambollit.

Që t'u kthjellohet truri shërbëtorëve servilë të Janullatosit se kush ishte Kozmai i vërtetë në qëndrimin armiqësor që mbante ndaj gjuhës shqipe, ata le të lexojnë librin e botuar në Greqi, i cili titullohet "Vendet e dhimbshme të Greqisë. Dëshmitarët e Vorio-Epirit dhe të vllehëve". Për këtë libër, analisti i tij, Kastriot Dervishi, thotë:

"Botimi luksoz prej 400 faqesh është profilizuar në tri çështje dhe është përgatitur nga mbi 35 vetë dhe Greqia ka angazhuar këtu historianë, politikanë, gazetarë, shkrimtarë etj., të drejtuar nga Kostandin Vakapulos për çështjet historike, Nikos Maxhupulos për çështjet politike dhe Aristidhis Kesopulos për problemet e së ardhmes" (Citohet sipas:  Kastriot Dervishi." Të mos harrojmë atë që na kanë bërë dhe atë që po na bëjnë grekët". Marrë nga faqja e internetit "Forumi Horizont". 26 tetor 2005).

Në këtë libër, servilët janullatistë që janë zhveshur kokë e këmbë nga dinjiteti kombëtar dhe kanë tradhtuar një herë e mirë veprën e Fan Nolit, do të gjejnë fakte konkrete se cili ishte misioni i vërtetë i Kozmait në territoret shqiptare. Këta servilë dhe argatë të bindur të Janullatosit le ta provojnë, të paktën, një herë të vetme në jetën e tyre, të kenë burrërinë për të deklaruar se si e komentojnë ata deklaratën e lartpërmendur të historianit shovinist Nikolas Stavros për pushtimin e kishës sonë fanoliane prej shovinizmit grekokaragjoz.

Akademia e Shkencave ka heshtur dhe vazhdon të heshtë për faktin që Enver Hoxha dje kishte si dado Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën, të cilët më 8 nëntor 1941 i vunë minat nacionalizmit shqiptar për interesat e shovinizmit serbomadh, kurse sot Tirana zyrtare, më shumë se njëzet vjet, ka si dado Janullatosin, i cili, për interesat e shovinizmit grekokaragjoz dhe të kishës shoviniste greke, ka ngritur kishë ortodokse edhe në fshatin Greshicë të Mallakastrës, ku nuk gjendet asnjë këmbë ortodoksi për be dhe ku majë çatisë së saj dergjen vetëm sorrat. Pse ka heshtur Akademia e Shkencave për ngritjen e kësaj kishe?

Akademia e Shkencave ka heshtur për mjerimin intelektual ku e kanë katandisur veten ortodoksët shqiptarë që i kanë lejuar vetes të drejtohen për më shumë de dy dekada nga një prift grek, pa qenë në gjendje të nxjerrin nga radhët e veta një kryepeshkop me gjak dhe me prejardhje shqiptare. Akademia e Shkencave heshti kur Partia Socialiste përgatiti projektkushtetutën e vitit 1998 dhe e hodhi në referendum, duke hequr prej saj nenin e projektkushtetutës së vitit 1994, në të cilin kërkohej që krerë e institucioneve fetare të ishin me gjak dhe me prejardhje shqiptare. Akademia e Shkencave ka heshtur dhe vazhdon të heshtë që Janullatosi, me bekimin e politikës së Tiranës zyrtare, të trashëguar prej kriminelit Ramiz Alia, vazhdon të mbjellë përçarje mes ortodoksve shqiptarë dhe të sulmojë Atë Nikolla Markun, i cili, në Kishën Shënmëria të Elbasanit, vazhdon të mbrojë trashëgiminë fanoliane të ortodoksisë shqiptare.

Janullatosi, pas nderimit që i bëri djall Kozmait në përkujtim të 300-vjetorit të vdekjes së tij, po përgatitet që në Korçë, sipas fjalëve që po qarkullojnë në këtë qytet, të ngrejë një mauzole në nderim të Fotit. Se ç'armik i betuar i kombit shqiptar ishte peshkop Foti në Korçë, e dinin shumë mirë përfaqësuesit e shquar të shqiptarisë, si Çerçiz Topulli, Mihal Grameno dhe Spiro Ballkameni. Prandaj në shtator të vitit 1906, çeta e Çerçiz Topullit ia ktheu patkonjtë nga dielli peshkop Fotit, duke i dhënë një mësim të mirë shovinizmit grekokaragjoz dhe kishës shoviniste greke. Prandaj studiuesi atdhetar Kastriot Dervishi, i cili në hulumtimet e veta udhëhiqet nga objektiviteti shkencor, deklaron me shumë të drejtë:

"Puna e klerikëve grekë ka qenë kaq e poshtër, saqë njihen edhe disa përfundime logjike të tyre. Kështu, për shembull, në shtator 1906, çeta e Çerçiz Topullit vrau peshkop Fotin që shërbente në Korçë. Edhe ky peshkop mbahet si "martir" nga grekët, ngaqë të gjithë ata që punojnë kundër shqiptarëve kështu cilësohen" (po aty).

Është kjo arsyeja që Noli ynë i madh porosiste prerë që dhespotlerët grekë duhet t'i pastrojmë me mashë. Por Akademia e Shkencave s'ia ka vënë veshin ndonjëherë porosisë së Fan Nolit dhe s'i ka shtruar kurrë pyetjen vetes se pse Janullatosi s'ka organizuar asnjëherë ndonjë meshë në përkujtim të përvjetorit të lindjes së Papa Kristo Negovanit, të Naum Veqilharxhit, të Petro Nini Luarasit, të Anastas Kulluriotit, të Koto Hoxhit,  të Atë Stath Melanit, të Fan Nolit, të Visarion Xhuvanit, të Kristofor Kisit. Këto personalitete të shquara të ortodoksisë shqiptare zënë një vend nderi në historinë e kombit shqiptar. Por Janullatosi nuk organizon për ta ceremoni përkujtimore se ai ndodhet në Tiranë si misionar i shovinizmit grekokaragjoz dhe i kishës shoviniste greke.
Si është e mundur që Akademia e Shkencave heshti për polemikën që profesor Kristo Frashëri, akademik veteran, zhvilloi me Janullatosin dhe kërkoi largimin e tij nga Shqipëria? Akademia nuk mund të mos heshtte për atë polemikë, ashtu siç nuk mund të mos heshtte edhe në rastin e fundit kur Janullatosi organizoi ceremoninë për nderimin e figurës së Kozmait, sepse ajo e ka vënë veten në shërbim të kishës shoviniste greke.

Ksamil, 25 gusht 2014


Prof. Dr. ESHREF YMERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.