VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

RESPEKTIMI I HABEAS CORPUS ACT NË SHQIPËRINË E VITIT 2014
(Kazusi i kryeinspektores se Bankes Nacionale)
Nga ROMEO GURAKUQI

E Shtunë, 09.20.2014, 10:55am (GMT1)


Për më shumë se dy dekada gjatë tranzicionit Shqipëria perjetoi një deformim të paimagjinueshëm të ligjit, të drejtës: liria u konceptua si e drejtë e pakufizuar e individit për të bërë gjithshka, pa u druajtur për kufizimin e ligjit dhe të drejtave të të tretëve dhe ligji nuk u respektua në një linjë piramidale, që vinte e pasqyrohej në një formë progresive në të gjithë administraten e shoqërinë shqiptare.

Qeveria aktuale shqiptare, duke filluar sidomos nga tremujori i dytë i vitit 2014, nën presionin e fuqishem ndërkombëtar, kushteve të vendosur nga EU dhe pjesës së vetëdijshme të opinionit publik, ka treguar një shkallë më të spikatur përgjegjshmerie në imponimin e shtetit ligjor, kufizimin e ilegalitetit masiv në shoqëri dhe në administratë, por gjithsesi pa një metodikë të qartë dhe pa një radhë hierarkike veprimi. Shqyrtimi i deritanishëm i ligjshmërisë është ende larg me vlerësimin e kritereve të barazisë së të gjithë qytetarëve para ligjit dhe veprimit tërësor të sistemit, pa dallime partiake.

Impostimi i ligjit, në këndvështrimin tim, do të duhej të ndiqte dy linja paralele: (a)- atë të mbjelljes së kulturës së sjelljes konform me ligjin të administratës aktuale dhe (b) verifikimin e ligjshmërisë së sjelljes së administratës pararëndëse. Duke e pasur të qartë se administrata pararëndëse,  ishte e mbushur me një tërësi veprimesh dhe mosveprimesh të pandëshkuara nga administratorët pararëndës, qeveria aktuale filloi veprimin implementues ligjor nga pika (b), duke e lënë pothuajse në heshtje drejtimin (a), madje, duke e lënë adminstratën aktuale në një situatë imuniteti të njëanshëm, të paarsyetuem. Mbi të gjitha vërehet qartë se qarkimi nën ligj ka lënë krejtësisht jashtë klientelen socialiste dhe integriste: pjesa kontribuese për ardhjen në pushtet të koalicionit aktual, po lejohet të ndërtojë mbi pasurinë e përbashkët komunitare, në plazhet më të rëndësishme të vendit, etj.

Shoqëria dhe shteti ku filloi të aplikohej një qasje e imponimit drastik të ligjit, është e ngarkuar me një pabarazi të tejskajshme pasurore, me korrupsion galopant, me trafik interesash, përzjerje interesash nepotike, krahinore dhe klanore. Gangrena e së keqës është futur anëkend. Verifikimet paraprake në administratë të ndërmarra nga qeveria aktuale, në të gjithë sektorët, treguan një shkallë të lartë ilegaliteti, veprimesh dhe mosveprimesh, të futura në çdo qelizë të  shoqërisë.

Dhe pikërisht këtu plasi skandali 3 i Bankës së Shqipërisë, në të cilin, përmasat reale të vjedhjes së realizuar nga individi i vetëdenoncuar, mënyra e veprimit të tij, thellësia e bashkëpunimit në krim, ende nuk dihen me saktësi nga organi i akuzës, së paku në pjesën e deklaruar për publikun.

Skandali 3 në BSH gjeti plotësisht të papërgatitur, Pozitën dhe Opozitën. Institucioni drejtohej nga një njeri i të gjitha palëve, i cili, në vend që të ishte garanti i thesarit shqiptar, kishte shërbyer si përfaqësues privat i politikës për një përiudhë të gjatë. Ai ishte përsoni që komandonte çdo gjë në atë institucion, në gjërësi dhe në thellësi, kishte uzurpuar legalisht pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ të BSH dhe përmes atij kalonin të gjitha emërimet, veprimet, mbikqyrjet dhe paketat kontrolluese dhe transferuese të parave në RSH, caktimi i normave të interesit, kurset e këmbimit etij., ndërkohë që Publiku ende nuk din se Kush ishte mbi atë?!

Sapo Prokuroria filloi veprimet për zbulimin e së vertetës, Politika në tërësi filloi pushimet, ndali aktivitetin e Shtetit dhe institucioneve, në vend që të bënte të kundërtën, për shkak të rëndesës së ngjarjes dhe reaksionit zinxhir që mund të krijonte. Zerin e Publikut filloi ta përfaqësonte një grupim aktivistësh, të cilët me të drejtë vunë para përgjegjësisë politikën. Por ndërkohë ajo lëvizje shërbeu edhe si një katalizator për gjenerimin e një histerie që bënte thirrje për kapërcimin masës dhe maturisë në shqyrtimin profesional të situatës dhe në nxitjen e disa skifterëve të politikës, që duke përdorur mandatin e deputetit, filluan të vepronin pa e ditur mirë kompetencën e tyre dhe rregullat procedurale të kërkesës dhe hetimit të rregulluara nga kushtetuta dhe legjislacioni shqiptar.

Megjithëse gjithkush në këtë vend e ka të qartë se historikisht në sistemin e korruptuar parademokratik shqiptar, ka një linjë vertikale urdhnimi që shmang me "finesë", përgjegjësitë e shpërndara mes institucioneve dhe individëve, që janë të ngarkuar për check and balance midis edhe të njejtit institucion, Agjitatorët më të dalluem të politikës së majtë, filluan të akuzonin gjithkënd, çdo individ dhe institucion brenda Bankës, duke marrë rolin tipik të një njësie bazë partiake të PPSH së viteve 1970', të kohës së "grupeve puçiste". Dhe kjo ndodhte ndërkohë që të njejtët njerëz, heshtnin plotësisht mbi skandalin e përfitimit  nga fondet publike të kolegut të tyre, nuk guxonin të flisnin fare mbi skandalin e vjedhjes nr. 2 të Bankës, të vitit 1999, dhe mbi të gjitha harronin të bënin një thirrje përbashkuese për thirrjen në bllok të të gjithë parlamentit për të ndërmarrë një zgjidhje adekuate të situatës në BSH.

Përpjekja e politikës për mbrojtur njëriun e të gjitha palëve, pati efektin e parë në shpërndarjen e përgjegjësisë padrejtësisht, drejt institucioneve të tjera brenda Bankës, që kishin qenë nën komandën e plotë të Guvernatorit e Kokave, duke krijuar një turbullirë të përgjithshme, dhe një presion të panevojshëm ndaj individeve që nuk e meritonin prozhmimin dhe fyerjet publike. Mbi të gjitha profesorët e nderuar të KM u vendosën nën goditjen e fletë-rrufeve militante, ndërsa e gjitha kjo nuk mund të mos ndëshkonte edhe moralin e administratës së BSH, në të cilën gjenden disa nga njerëzit më të zotë, më të ndritur dhe më të shkolluar të këtij vendi të çmendur, me batakçinj dhe injorantë.

Vetë Parlamenti në këtë përiudhë ushtronte një funksion prej muajsh të cunguar dhe  Komisioni i Ekonomisë, pa marrë një mandat respektiv nga ana e Byrosë Parlamentare, në përbërje të paplotë e njëngjyrëshe, filloi një proces aspak të matur sqarimi, krejtësisht jo profesional dhe të papërcaktuar  ligjërisht. Kam përshtypjen se kemi të bëjmë me një veprim procedural të paautorizuar dhe të pa marrun me vendim kolegjial parlamentar. Fakti që ky komision nuk guxoi të thërriste në shqyrtim Guvernatorin, por nxitoi të thërriste në  shpjegim Inspektoren e Përgjithshme, me ngjan si një përpjekje për të shpërndarë objektin e kërkesës, për të turbulluar Publikun, për të goditur një hallkë të pambrojtur nga politika, për të ndërhyrë politikisht mbi organin e akuzës. Ngurrimi i Inspektores së Përgjithshme për t'u përgjigjur para Komicionit të Cunguar Parlamentar të Ekonomisë, sherbeu për riorientimin të militantëve, për të nxitur histerinë dhe për manipulimin e publikut, edhe ashtu mjaft i shqetësuar nga thellësia e skandalit, në njërin nga nëndepartamentet në departamentin e Thesarit.

Duhet të kemi parasysh se aktiviteti i Komisionit të Cunguar Parlamentar të Ekonomisë, i përbërë edhe nga individë krejtësisht jo ekspertë, nuk kishte marrë një aprovim nga shefi i maxhorancës, i cili, me mbarimin e pushimeve, filloi ta vlerësonte me masë të caktuar seriozitetin e ngjarjes, duke ia lënë organit të akuzës dhe atij të drejtësisë, procesin hetimor. Gjithsesi shefi i maxhorancës nuk mori dot vendimin e shpejtë të shkarkimit të Guvernatorit dhe përforcimin e masave mbrojtëse të sigurisë së dokumentacionit dhe vlerave monetare. Përndryshe, heshtja e Speaker-it të parlamentit dhe mosveprimi gati absolut i Tij ndaj Komisionit  të Cunguar, shprehte qartë se brenda shumicës qeverisëse, nuk kishte një unitet për masat që do të duheshin marrë për zgjidhjen e shpejtë të situatës, që siç duket ndikuan edhe në sjelljet ngurruese të Kryeministrit të vendit.

Ndërkohë që pritej mbledhja urgjente e Parlamentit për vlerësimin menyrës së qeverisjes së Guvernatorit, për shkak të përgjegjësisë së tij të drejtpërdrejtë, në këndvështrimin tim, (nisur nga sistemi i urdhnimit vertikal e përqendrimi i pushteteve në një dorë të vetme që ekziston në atë institucion), për mos kontrollimin e situatës në bankë, së paku, Prokuroria shqiptare, kreu ndalimin demonstrativ si masë sigurie të Guvernatorit dhe për habinë e të gjithëve, edhe të Inspektores së Përgjithshme, të dy me akuzen e shpërdorimit të detyrës.

Me datën 10 shtator, kemi mësuar arsyet e verteta që kanë shtyrë Prokurorinë ë Përgjithshme për kapërcimin përjashtimor të masës së sigurisë për një vepër penale shpërdorim detyre, arsye që lidhen me rendesën e ngjarjes, përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Guvernatorit në sistem dhe nevojën për ruajtjen e paprekur të provave. Pavarësisht këtyre arsyeve, mënyra e arrestimit të Guvernatorit, është absolutisht e padenjë për një vend demokratik, jashtë të gjitha normave etike të veprimit procedural, gjë që përbën një rast për vlerësim të menduar shumë mirë.

Nga ana tjetër, Publiku mbetet i pasqaruar për arsyet që e kanë shtyrë Prokurorinë dhe më pas Gjykatën, të aprovojë masën e sigurisë, në mënyrë të përsëritur, për Inspektoren e Përgjithshme, ndërkohë që akuza e deklaruar shpërdorim detyre, në rastin e saj, nuk përmban asnjë nga sqarimet përjashtimore të përcaktuar nga ligja për ndërmarrjen e kësaj mase.

Situata u rëndua nga dy vendime të ndryshme që mori e njejta Gjykatë dhe i njëjti trup gjykues me datën 15 shtator. Drejtësia është sovrane, por është nën Ligj, nën Arsyetim Ligjor bazuar në kodifikacione gjegjese, dhe sot jemi para zhbalancimit total të të gjithë elementeve përbëres e veprues të asaj njësie.

Për mendimin tim kemi rastin tipik kur shkelet, liria e qytetares Elivar Golemi, një funksionareje shtëtërore që vazhdon të jetë e tillë, liria nga arrestimi dhe nga gjykimet arbitrare të pa shpjeguara nga gjykatësi bazuar në legjislacion. Gjyqtarët e çështjes e kanë pasë detyrimin ta bëjë shpjegimin përjashtimor, në bazë të legjislacionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, dhe nuk e kanë bërë.

Duket qartë se presioni shpërndarës i fajësisë nga ana e politikës mbi sistemin e drejtësisë dha efektet e veta, por me një pasojë të rëndë: barazia e të gjithë qytetarëve para ligjit e dhunuar, prishje e balancës në mes nevojës së respektimit të ligjit dhe zbulimit të se vertetës së rendë nga njëra anë, dhe nevojës për respektimin e të drejtave të individit që dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, nga ana tjetër. Saktësisht, në rastin e Inspektores së Përgjithshme, për shkak të mungesës së tre konditave të parashikuara nga ligja për raste të figurave të tilla penale, do të duhej të gjykohej në gjendje të lirë, mbase me marrëveshjen e pezullimit të përkohshëm nga detyra, të dorëheqjes etj.

Rëndesa e ngjarjes dhe ndjeshmeria e publikut, nuk mund të na errësojë sa te mos shohim shkeljen drastike të të drejtës së një gjykimi të drejtë dhe fyerjen e rëndë që ka shkaktuar ndaj një intelektualeje, një femre, e prezumuar e pafajshme, ky vendim i paarsyetuar dhe i pabazuar kjartësisht në legjislacion, me akuzen e formuluar ashtu sikurse është bërë e njohur për ne, Publikun. Një shoqëri e emancipuar dhe e drejtë duhet të drejtojë gishtin tek gallofet e vërtetë të abuzimit me paranë publike dhe jo të habitet mbas zhurmës që kërkon ta shpërndaje fajin tek njerëzit që janë ndodhur, pa e kuptuar, në një fushe ku shkembehet zjarri i interesave të parasë së madhe, gjë të cilën gjithkush në këtë vend e din mirë. Mbi të gjitha organi i akuzës dhe Gjykata e ka për detyrë të vlerësojë me një maturi dhe ftohtësi të plotë, në një rast të tillë, kur bëhet fjalë për një çështje kaq të rëndësishme dhe të ndjeshme, edhe për fatin edhe të një intelektualeje, profesoreje universitare, qytetareje, të një familjareje të rregullt. Në një vend demokratik, të emancipuar, jetët njërëzore nuk mund të shkatërrohen me propagandistë sankylotë. Institucionet e hetimit dhe gjykimit do të duhet të shqyrtojnë me kujdes të gjithë CV e zonjushës Golemi, punen e saj sistematike, në universitet dhe si nëpunëse e sistemit bankar shqiptar, të verifikojë si ka funksionuar Banka e Shqipërisë në vite, cila ka qenë time table revizionues i 19 Departamenteve dhe 117 sektorëve të Bankës, që kryeinspektorja kishte përcaktuar për kontroll, cila ka qenë përvoja dhe rekordet që zonja Golemi ka lënë, duke mbajtur parasysh gjithmonë, se Ligji, Liria dhe Mbrojtja e Individit, janë të pazgjidhuna njëra me tjetren dhe në një balancë mjaft të brishtë, të cilën janë të thirrur pikërisht Ata, Njërëzit e Drejtësisë, që ta gjejnë, duke mos shkelur dhe renduar asnjërën dhe duke vlerësuar njëlloj të gjitha., dhe interesat më të rëndësishme të Publikut. Me  vendimin e datëa 15 shtator, drejtësia në këtë vend, mund të konsiderohet qartësisht e zhbalancuar, ne menyren më të pangjashme.

Presioni i skifterëve të politikës, që janë edhe jashtë kontrollit të vetë Kryeministrit, nuk do të duhej ta çonte sistemin tonë të drejtësisë për të prishur balancën mes tre instituteve të lartpërmendura në Rastin Golemi dhe në çdo rast analog. Përsonalisht, në momentin e parë edhe unë kam menduar se mos paraqitja e Golemit në Komision ka përbërë një gabim të pajustifikuar. Mirëpo ishte zonja tjetër e nderuar Meksi dhe vetë zoti Kryeministër që na shkunden të gjithëve me qartësinë e tyre: Komisioni ishte mbledhur extra ordinem dhe po rrezikonte të gjithë konfidencën e hetimeve të ndërmarra nga organi i akuzës, dhe për rrjedhojë, çdo vijim i mëtejshëm i punës së tij, kështu i ndërtuar dhe pa funksione të përcaktuara dhe me ekspertizë qesharake, e bante te pavlefshëm  çdo ndeshkim për shkak të mosparaqitjes.

Qytetarja Elivar Golemi  nuk e meriton ate trajtim vendesh pa kode etike sjelljesh ne procedurat gjyqesore. Jam i bindur se faji i vetem i saj eshte se asht ndodhun rastësisht, në vendin e gabuar në momentin e gabuar. Respektimi i dinjitetit human të kujtdo dhe në çdo hallkë, është një e drejtë që nuk duhet t'i mohohet askujt. Sa më sipër nuk do të thotë që ajo të shmanget nga përgjegjësitë e saj në administrim,  madje as vetë ajo besoj nuk e kërkon një gjë të tillë. Po kjo nuk do të thotë që qytetari të vendoset në kushte të papërshtashme garancie dhe jashtë parashikimit të Kodit të Procedures Penale. Aq më pak mund të përdoret rasti i saj si një Dreyfus Case i Shqipërisë së vitit 2014, për të shpëtuar  Esterhazy e skandalit shqiptar . Askush nuk mund të heshtë para shkeljes së të drejtave të një qytetareje të këtij vendi që në mënyrë të padyshimte, deri në këtë moment, prezumohet e pafajshme dhe gjendet e mbrojtur nga Ligja dhe Kushtetuta. Sot ajo do të duhej të ishte e lirë dhe të përgatitej për mbrojtjen e së vertetës dhe deshmimin e së vertetës, që Publiku e kërkon.

Jemi në një moment kur ky vend ka nevojë të gjejë balancën mes Ligjit, Lirisë dhe Mbrojtjes së Individit, edhe kur ai individ është i dyshuar. Kapërcimi nga kaosi në rend e ligj, nuk mund të shkojë përkundër lirive. Ndërkohë prioriteti i interesave publike mbetet zbulimi i të gjithë skemes së vjedhjes nr 3 dhe asaj nr 2 të BSH, të sendërtojë një ekspertizë të kualitetit të lartë në shqyrtimin e çdo transaksioni të kryer në banka, rritjen e ekspertizës informatike në verifikimin e serverave, gjëra për të cilat, anëtarët e Komisionit të Cunguar Parlamentar të Ekonomisë, as nuk kujtohen ta kërkojnë.
Është koha që sistemi ynë juridik dhe ekzekutiv të gjej balancat me të drejtat dhe më të sakta në mes instituteve të se drejtës, të ndalë dhunën psikologjike sankylote, veprimet ekzekutuese që shkelin Karten e Lirive. Deri më tani, po orvatemi të vendosim Ligjin, duke shkelur një pjesë të Lirive, në një formë të denjë për vendet e paqyteruara. Nje prej veprimeve të para që do të duhet të bëjë Kryeministri, në nderim të frymes europiane e liberale, do të duhet të jetë largimi i menjëhereshëm nga ekipet keshillimore të dikastereve të të gjithë pensionisteve, që në vitet 1970' 1980' kanë shërbyer në organizatat bazë revolucionare, të cilet me frymen aktuale sankylote, duke dhunuar Habeas Corpus Act,me pretekstin e vendosjes së ligjit të rendit, po priren drejt shndërrimit të Shqipërisë në një kamp perqendrimi e burgjesh, njelloj sikurse bënë baballarët e tyre dje. Rendi demokratik ka mjete më të fuqishme dhe me efikase për të vendosur ligjin, pa shkelur liritë, duke rritur eskpertizen, kulturen hetimore, policinë shkencore dhe hetimin informatik.


Tiranë, me 15 Shtator 2014

ROMEO GURAKUQI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.