VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

REPUBLIKA E ILIRIDËS - SIMBOL I PAQES DHE I PAJTIMIT NË BALLKAN
Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI

E Premte, 09.26.2014, 07:35am (GMT1)



*** Vetëm FEDERALIZIMI PAQËSOR, do ta shpëtonte Maqedoninë artificiale titoiste nga copëtimi i saj nga forcat nacionaliste të brendshme dhe nga shtetet fqinje.
*** Askush nuk duhet t'i frikësohet shpalljes së Republikës së Iliridës, sepse ajo është minimumi i kërkesës politike të shqiptarëve në Maqedoni ngase "Marrëveshja e Ohrit" (2001) nuk arriti, t'i pajtojë shqiptarët dhe maqedonët, sepse shqiptarëve (me Kushtetutën diskriminuese në fuqi) iu "vulos" statusi i minoritetit, që do të thotë se (ende jetojnë të diskriminuar, të zhveshur nga liritë dhe të drejtat kombëtare, politike dhe historike etj.), jetojnë si robër në një shtet të huaj!!!

Një gjendje të tillë të mjerueshme dhe të padurueshme të shqiptarëve, nuk e pranojnë sunduesit kolonialë, si dhe mbështetësit e tyre. Mirëpo, kjo është edhe arsyeja, pse më 18 shtator 2014, u shpall Republika e Iliridës me në krye liderin e njohur demokrat, Nevzat Halili, veprimtar i palodhshëm dhe i dalluar i kauzës kombëtare shqiptare.
Urime Republika paqësore!

-Më 18 shtator 2014, " U shpall Republika e Iliridës te sheshi Skënderbeu në Shkup nga kryetari Nevzat Alili, i cili vendimin për shpalljen e Iliridës e bazoi në Kushtetutën e SHBA-ve, e cila në preambulën e saj thotë se çdo qenie njerëzore ka të drejtë të qeverisë me vetveten si dhe në qëndrimin e presidentit amerikan Udrou Uillson se popujt kanë të drejtën e vetëvendosjes.

Kërkesa ishte që Maqedonia të funksionojë si shtet i dy republikave të barabarta, ajo e Iliridës dhe ajo e Maqedonisë, sipas shembullit të ish federatës Serbi dhe Mali i Zi dhe federatës belge. Halili kërkoi nga kryeministri Nikolla Gruevski që sipas shembullit të ish kryeministrit belg që dha urdhër në vitin 1970 Belgjika të federalizohet edhe Gruevski ti japë urdhër parlamentit që të fillojë procedurën për federalizmin e Maqedonisë. Halili tha se kjo është e domosdoshme për shkak se Marrëveshja e Ohrit edhe pse e ndali konfliktin e vitit 2001 nuk arriti të sigurojë barabartësi mes shqiptarëve dhe Maqedonasve.

Shpalljen e Iliridës e përshëndeti edhe kryetari i FMDNJ-së Idriz Snani i cili tha e Ilirida i jep fund diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni." Ky lajm u citua në tërësi nga http://lajmpress.com/index.php?news=38565 .

Shqipëria, ta njohë Republikën e Iliridës!

*** Ndryshe, do të marrë përsipër përgjegjësinë historike, çfarë do që të ndodhë me shqiptarët e kolonizuar nën Maqedoni. Nuk dëshirojmë që Tirana zyrtare, të jetë në vonesë sikurse në rastin e Kosovës, kur Serbia gjenocidale e Slobodan Milosheviqit, e dogji dhe e shkrumoi pëllëmbë më pëllëmbë (1998-1999).

Pa dyshim se shpallja e Republikës së Iliridës, është test serioz për t'u dhënë fund grindjeve dhe konflikteve të përgjakshme shqiptaro-maqedone të derisotme. Kështu që, në asnjë mënyrë, nuk do të ishte racionale, që apriori , të hudhej poshtë as nga regjimi aktual sllavomaqedon-shqiptar, as nga vendet fqinje ballkanike, as nga faktorët relevantë evropianë ndërkombëtarë, sepse është në interesin e paqes dhe të pajtimit të dy popujve në rajon.

Në veçanti Republika e Shqipërisë, duke marrë parasysh Kushtetutën në fuqi të vitit 1998, e cila flet për bashkimin kombëtar, si dhe për mbrojtjen e shqiptarëve jashtë kufijve aktualë të Shqipërisë), është e obliguar ta njohë shpalljen e Republikës së Iliridës, sepse njohja dhe jetësimi i saj, do të ishte në funksion të ruajtjes së paqes, të sigurisë, të bashkëpunimit, të stabilitetit dhe të paqes në Ballkan.

Shpallja e Republikës së Iliridës, pikësëapri, dhe mbi të gjitha, është zgjidhja më konkrete, më racionale dhe më e saktë për interesin e përbashkët dhe të ndërsjellë të dy popujve të armiqësuar pothuajse një shekull. Prandaj, duhet të jetë e pranueshme si nga pala maqedone, ashtu, edhe nga ajo shqiptare, sepse është GARANT i arritjes së kompromisit politik, i pajtimit, i toleranës, i mirëkuptimit dhe i koekzistencës paqësore dhe të qëndrueshme.

Gjithashtu, Repubklika e Iliridës, do të përjashtonte çdo "forumulë" të nacionalshovinizmit, të radikalizimit dhe të ekstremizmit, që konflitki shqiptaro-maqedon, të zgjidhej me forcë apo me luftë, në rastin më të skajshëm, gjë që kjo, do të ishte fatale për të dy palët, si dhe do të ishte në kundërshtim flagrant me normat dhe me rregullat e së drejtës ndërkombëtare ngaqë ato zgjidhjen e çdo konflikti politik, e parashikojnë në mënyrë paqësore dhe me dialog, jo me forcë, assesi, ashtu siç veproi Republika Serpska në Bosnjë, e cila u krijua me agresin dhe me gjenocid në sy të gjithë Evropës dhe të botës demokratike.

Republika e Iliridës, JO luftë!

Nëse faktori i brendshëm politik shqiptaro-maqedon dhe faktorët ndërkombëtarëtarë, janë të interesuar, që konflikti dhe mosmarrëvesjhjet ndëretnike në Maqedoni, të zgjidhen me dialog demokratik, ligjërisht dhe në mënyrë paqësore, atëherë, pse të mos pranohet shpallja e Republikës së Iliridës, bërë më 18 shtator 2014, që vërtet është një kompromis racional politik, i pranueshëm si për palën shqiptare, ashtu edhe për atë maqedone, sepse një federalizim i tillë i Maqedonisë, në afat të gjatë, do të garantonte bashkëjetesën, barazinë, tolerancën dhe mirëkuptimin reciprok të dy popujve, të cilët e meritojnë të jetojnë të lirë, në harmoni dhe në paqe sikurse popujt e tjerë të Evropës.

Së fundi, të gjithë duhet të rindërgjegjësohemi (t'i braktisim kolltukët, jetën luksoze baroneske, banditeske, dekadente, shfrytëzimin dhe sundimin e egër të pafund të popullit shqiptar), ka ardhur ora historike që ta shikojmë të vërtetën në sy, duke mbajtur parasysh faktin e pamohueshëm se gjithmonë "nuk shkon kungulli mnbi ujë": me mashtrime, me spekulime, me rrahje, me tortura, me arrestime, me perkuizime, me burgosje, me përbuzje, me vrasje, me apartheid, me diskriminim, me ekzod institucional, me shkeljen dhe me mohimin e të drejtave dhe lirive njerëzore, kombëtare, politike, juridike, sociale, kushtetuese, historike, demokratike...etj.

Prandaj, nuk kemi asnjë arsye pse të tëkurrim dhe të turbullojmë mendjen, duke jetuar në vetëkënaqësi se gjoja shpallja e Republikës së Iliridës "është një akt i thjeshtë dhe irelevant politik", por duhet të triumfojmë mbi heshtjen, hipokrizinë, demagogjinë, injorancën, provincializmin, karrierizmin, tradhtinë dhe kolaboracionizmin, dhe, në vend të tyre, ta pohojmë, ta mbrojmë dhe ta përligjim të VËRTETËN,asgjë tjetër.

Sa më sipër, shpallja e Republikës së Iliridës në mënyrë paqësore dhe demokratike, është e drejtë dhe e pranueshme si për shqiptarët, ashtu edhe për maqedonët mbase një FEDERALIZIM i tillë, është në interesin e ndërsjellë të të dy palëve, që të bashkëjetojnë të lirë dhe në paqe të qëndrueshme.

Prof. Dr. MEHDI HYSENI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.