VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

E KUJT ËSHTË PRISHTINA - E LLAPIT A E GOLLAKUT?
Nga GANI MEHMETAJ

E Mërkurë, 10.08.2014, 10:24am (GMT1)



"Jeton në Prishtinën e tyre dhe i shan njerëzit e Llapit e të Gollakut, vetëm dukagjinsat mendon se janë të mençur", me tha papritmas në rrugë, para Bibliotekës Kombëtare një ish-përkthyes i gazetës ku punova kohë të gjatë. Ma la fjalën në gjysmë, sepse posa nisa t'i them në shaka më këtë mjekër si të vehabistave, vetëm pantallonat "treqerekesh" të mungojnë, kur nisi të më hidhte rrebeshin e fjalëve. E shikova në sy, në kërkim të ndonjë buzëqeshje, ndërsa gjatë gjithë kohën qeshja, prisja që edhe ai pasi të përfundonte barcaletën të më tregonte se po tallej, dikur më shkoi mendja se donte të luante budallain deri në fund, e pastaj të më thoshte: a të skandalizova? A të lashë pa frymë? Por, jo, ai e pati më gjithë mend: ai nuk po e lunte budallain, ai ishte budallai vet.  Eci me nervozë, ndërsa unë e shikova edhe një kohë derisa ecte. 

Dikur u këndella pak, e ktheva kujtesën. E gjeta: ishte mllefosur i shkreti me një shkrim timin për krizën e LDK-së dhe për privatizimin e kësaj partie nga një grup njerëzish kryesisht të katundeve të tij, apo në fqinjësi me të. Duket se edhe atij ia kishin hedhur një kockë, prandaj ma lëshoi atë rrebesh fjalësh. Me habiste aq më shumë, sepse nga unë, derisa isha shef i gazetës, pati vetëm të mira si i përvuajtur e i varfër që ishte.

Pastaj dëshmohej militant i flaktë i Ibrahim Rugovës. E privilegjova para dy dukagjinasve, që pretendonin të shkonin në Bruksel, kurse unë e dërgova atë. Atëherë nuk ishte lokalist, nuk ma thoshte se Prishtinën e ka sjell në brirë nga Malësia e Gollakut. Edhe kur e mbrojta nga një dukagjinas tjetër, i cili kishte vërejtje në punën e tij të përkthyesit, prapë nuk me tha: pse më privilegjon kur nuk jam i rajonit tënd, ndërsa armiqësohesh me dukagjinasit e tu. Atëherë rrezikonte të mbetej pa rrogë, ndërsa me tregoi se vareshin nga ai. Të gjitha këto i kishte harruar, ndërsa iku duke shkumëzuar.
Pas gjysmë ore u tregova dy miqve të mi llapjanë çka më rastisi në rrugë.

"Pse habitësh? , me pyeti miku, "ai është asistent i S. Hamitit, ndërsa ti ia ke kritikuar shefin. Ai e ka shkruar një libër prej 500 faqesh për te". Nisa të qesh. Miku tjetër që nuk pretendonte se Prishtina është vetëm e llapjanëve me tha: "e sheh kush e udhëheq LDK-në? A janë ata zëvendësim i Ibrahim Rugovës?" Rrudha me krah. Megjithëse nuk kisha lexuar kurrë asgjë nga ky far asistenti i S. H. , (në gazetë përkthente a kompilonte tekste nga agjencitë e huaja), prapë me erdhi keq për të. Çmimi për asistent qenka i lartë: elozhe me 500 faqe tekst?

Por ajo që s' më hiqej nga mendja ishte pronësomi i Prishtinës nga grupi ku paska nisë të thithte edhe ai, thua se kryeqytetin e Kosovës e paskan sjell në brirë nga katundet e tyre. Çfarë primitivizmi parak! E dija se ky nuk ishte mendimi i tij. Ky ishte mendimi i mentorit të tij dhe i grupit të I. Beqirit që u thoshin elektoratit, mos i votoni kandidatët e Dukagjinit, le të kthehen në Pejë e Gjakovë, pse na përzihen në Prishtinë? Shefi i tij më shumë se një dhjetëvjetësh ka punuar nën rrogoz me ndihmën e nëntokës që t'i hiqte nga LDK-ja të gjithë njerëzit e mençur e me dinjitet, ndërsa u kanë mbetur të dëgjueshmit e tipit të asistentit me mjekër që kur del para studentëve mund t'i frikësojë.

Prandaj, partia që e pati pushtetin gati një dhjetëvjetësh tallet me LDK-në, tallet edhe më votuesit e LDK-së, sepse e di fare mirë se ata nuk mund të bëjnë asgjë, pushtetin nuk e marrin dot se nuk e kanë shumicën, në zgjedhje të reja nuk dalin se do t'i humbasin edhe votat e tashme, meqë e gënjyen dhe e dëshpëruan elektoratin.
  
Me pikëlloi më shumë gjendja në arsim se sa në LDK që po e hanë dreqi me këtë udhëheqje që ta gremisin një katund po ua dha ta menaxhojnë e lere më Kosovën. Ku ka rënë arsimi: u ligjërojnë katundarë të pagdhendur që mendojnë se çdo gjë në Prishtinë ka filluar kur zbritën ata në rrafsh, ndërsa nuk e dinë çka është teatri, çka është filmi dhe as çka është qytetërimi.

GANI MEHMETAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.