VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ZGJEDHJA E GUVERNATORIT TË BSH DHE SHOQËRIA SHQIPTARE
Nga AJET NURO

E Premte, 10.10.2014, 07:19am (GMT1)



Vjedhja në Bankën e Shqipërisë e zbuluar në stinën e nxehtë të këtij viti përveç ushqimit që i dhuroi mediave shqiptare nxori në pah edhe një dobësi të shoqërisë shqiptare që është mungesa e besimit tek klasa politike, por edhe te mungesa e besimit të gjetjes së kandidateve të besueshëm për të siguruar rolin e guvernatorit të bankës. Pas arrestimit të Ardian Fullanit, zevendësimi i tij, është padyshim detyra numër një e organeve kompetente, por shpejtësia dhe maturia në këtë zgjedhje janë vendimtare në vendosjen e besimit tek ky institucion kaq i rëndësishëm në jetën ekonomike dhe ne mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.

Kush duhet ta zgjedhë guvernatorin?

Kushtetuta është e qartë, i takon kreut të shtetit të zgjedh numrin një të bankës, por duke qenë një rol kyç në jetën ekonomike të vendit, të gjithë aktorët e ketij vendi duan të fusin hundët në këtë zgjedhje. Jo se shqiptarët dhe në mënyrë të veçantë politikanët nuk i dinë rregullat dhe ligjet por, siç ndodh shpesh, atyre u pëlqen të fusin hundët n¸e kompetencat e njëri-tjetrit, ndonëse pushtetet janë të ndara. Ata janë mësuar në këtë çerek shekulli ti futen në kompetenca njëri tjetrit në emër të ... së mirës së popullit.
Kë duhet të zgjedhim apo caktojmë në krye të Bankës së Shqipërisë?

Është hera e parë që te gjithë shqiptarët i janë futur llogarise se kush duhet të jetë në krye të Bankës së Shqipërisë. Pasi, ka rënë besimi ndaj klasës politike por, edhe ndaj atyre funksionarëve të lidhur me pushtetin sa nga e majta edhe nga e djathta, për herë të parë shqiptarët u kujtuan se kanë një diasporë që ka aq shumë kuadro sa me të vërtete mund te drejtojnë jo bankën e Shqipërisë, por edhe jetën politike të Shqipërisë edhe te Kosovës dhe, nuk vonoi dhe diaspora i paraqiti kandidatët e saj. Në krye të listës është bankieri i suksesshëm Rikard Lukaj, i cili duhet thënë se është i gatshëm të ndihmoj Bankën e Shqipërisë. Pastaj sytë, sidomos ato të shumicës në pushtet u kthyen nga bota. U hodh ideja e një « Princ Vidi » të financave. Pra, të marrim një të huaj që të qeverisë Bankën e Shqipërisë. Edhe këtu, asgjë e keqe. Banka e Mbretërisë së Bashkuar ka në krye të saj një kanadez. Por, ... vërtet nuk ka shqiptare atje në Republikën tonë të Shqipërisë sa duhet te sjellim kandidate nga Argjentina apo Kolumbia? Ky do të ishte një përfundim më i hidhur edhe se vetë vjedhja e parave në fjalë.

Nëse jemi të mendimit se një Guvernator nga diaspora apo një i huaj do bëje ndryshimin në Shqipëri, pyetja është, me kë do te punoje ky guvernator? Nëse të gjithë atje janë hajdute, mendoni se ky guvernatori do t'i bëjë ata zap?

Po t'u hedhësh një sy ngjarjeve të fundit në Shqipëri, nuk ishte klasa politike që kërkoi dorëheqjen e Fullanit, por ishte Shoqëria Civile, madje një segment i saj. A nuk ishin po këta intekektualë që sfiduan qeverinë në bllokimin e shkatërrimit të armëve kimike te Sirise në Shqipëri, a nuk ishin këta aktivistë që kundërshtuan fort shkatërimin e mjedisit dhe ndërimin e një xhamie në mes të Tiranës. Pra, Shqipëria nuk prodhon veç hajdutë. Ndoshta Shoqëria Civile shqiptare nuk e ka arritur ende pjekurinë e duhur, por siç e thamë me siper ajo ka dhënë prova pjekurie dhe ka sfiduar klasën politike të inkriminuar shqiptare.

Nga ana tjetër, ka ardhur koha që publiku të marre pjesë në zgjedhjen e guvernatorit. Le të kujtojmë se në demokracitë e zhvilluara, kandidatët e mundshëm për një funksion të lart thirren në intervista publike (interpelanca parlamentare etj.) ku publiku të dëgjoj për atë se çfarë ata kanë mundur të bëjnë në karrierën e tyre dhe faktin se si ata do të mundin të bëjnë ndryshimin në institucionin që i pret të drejtojnë. Zgjedhjet apo emërimet pas kuintave janë tashmë demode.

Nëse do të mundesha t'i jepja një këshillë kryetarit të shtetit do t'i thoja vetem një fjalë : Pavarësisht nga momentet e vështira që kalojmë, ka djem e vajza shqiptare me integritet të lartë moral e profesional, me besueshmeri dhe garanci publike të njohur, e të ndershëm që mund të vendosin në vend besushmërinë ndaj Bankës së Shqipërisë, krijoni kushtet zoti President për t'i përzgjedhur...

AJET NURO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.