VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BEN BLUSHI NË GJURMËT E BIZANTINIT PHRANTES
Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

E Shtunë, 10.11.2014, 08:57am (GMT1)



    Nuk kam pasur rastin ta lexoj librin e Ben Blushit me titull "Hëna e Shqipërisë", por para do kohësh lexova në faqen e Facebook-ut (20 prill 2014) të zotit Kastriot Muftaraj analizën shteruese me titull "Mbi librin e Ben Blushit "Hëna e Shqipërisë"". Në atë analizë, zoti Kastriot Myftaraj e kishte skanerizuar mrekullisht librin e Ben Blushit. Nga ajo analizë, në këndvështrimin tim, dalin në spikamë dy gjëra interesante.

    Së pari, Ben Blushi është kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Në këtë aspekt, ai i bashkohet korit të argatëve të kollarisur të Serbisë në Kosovë, të përfaqësuar nga Nexhmedin Spahiu, Migjen Kelmendi, Imer Mushkolaj, Halil Matoshi e ndonjë tjetër, të cilët janë munduar e po mundohen të shpikin një komb kosovar dhe një gjuhë kosovarishte.

Shovinizmi rusomadh, për interesat e shovinizmit serbomadh, nuk dëshiron në asnjë mënyrë që në jugun e Serbisë të krijohet një shtet i fuqishëm shqiptar. Prandaj ka shpikur "kombin kosovar", pronar të shtetit kosovar, siç i pëlqen të shprehet Nexhmedin Spahiu. Shovinizmit rusoserbomadh i intereson, makar edhe të ekzistojë një shtet i pavarur kosovar, me qëllim që të tallet me të, ashtu siç ka vazhduar të tallet deri tani, në mënyrë që të vijë duke e shkërmoqur ca nga ca përmes argatëve të tij të kollarisur që ka në Kosovë. Prandaj ka shumë të drejtë një analist atdhetar kosovar që thotë se prapa kodrës sebe dhe prapa malit grek qëndron Rusia.

Shteti karagjoz grek, nga ana e vet, po ashtu, nuk e dëshiron në asnjë mënyrë krijimin e një shteti të fuqishëm shqiptar në veriun e vet. Që prej vitit 1913 dhe deri në ditët e sotme, Greqia, kjo kryekështjellë e gënjeshtrës, e hipokrizisë dhe e mashtrimit, s'ka lënë kusur pa bërë që të marrë Epirin e Veriut, duke harruar qëllimisht faktin që trojet etnike shqiptare shtrihen deri në Artë e Prevezë. Arsyen e vërtetë se pse këtij shteti karagjoz i shkon lodra e fëmijës kur e mendon se sipër kufijve të tij veriorë mund të krijohet një shtet i  fuqishëm shqiptar, brenda trojeve të veta etnike, na e zbulon gazetarja holandeze Ingeborg Beugel në një intervistë që ka dhënë për Sarajevo-x.com.

 Ajo ka deklaruar:
"... kam dëgjuar gjatë gjithë kohës argumentet greke mbi rrezikun e një "aksi mysliman" rreth Greqisë, ku, me marifet, Kosova do të bashkohej me Shqipërinë dhe do të bënin një Shqipëri të Madhe, që do ta bënte Greqinë një "sanduiç" me armikun e saj të vjetër, Turqinë. Natyrisht që ishte edhe argumenti i solidaritetit ortodoks dhe urrejtja e vjetër ndaj myslimanëve, aleatëve të Turqisë. Por unë nuk e kam besuar kurrë këtë gjë" (Citohet sipas faqes së internetit: "Greqia, kjo bishë e Ballkanit". 05 prill 2010. Përgatiti Albert Hitoaliaj. Marrë nga Sarajevo-x.com).

Pra, ja ku fle lepuri: Serbia dhe Greqia, me përkrahjen e Rusisë "prapa kodrës serbe" dhe "prapa malit grek", nuk dëshirojnë në asnjë mënyrë që të  krijohet një shtet i ribashkuar kombëtar shqiptar, brenda trojeve të tij etnike. Prandaj treshja ortodokse ka shpikur një detyrë shumë të vështirë për t'u zgjidhur, siç është sajimi i "kombit kosovar" që nesër-pasnesër mund të shoqërohet edhe me sajimin e "kombit iliridas", pas një shpërbërjeje të mundshme të Maqedonisë. Dhe këtë detyrë kaq të vështirë, kjo treshe ortodokse ua ka lënë në derë për ta zgjidhur argatëve të lartpërmendur, të cilëve, në vetminë e tyre dëshpëruese, u bashkohet Ben Blushi për t'u dhënë kurajë në misionin e tyre antikombëtar kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Së dyti, Ben Blushi për Shqipërinë paska bërë një parashikim katastrofik (apokaliptik), sipas të cilit pas dy shekujsh dhe pikërisht në vitin 2214, Shqipëria dashka të zhduket nga faqja e dheut. Me këtë rast, zoti Kastriot Myftaraj, në analizën e vet, shkruan:
"Shqipëria do të zhduket nga mungesa e lindjeve, e kombinuar me largimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Blushi qartësisht nuk e duron dot ekzistencën e Shqipërisë. E vetmja brengë për Blushin është se ai nuk do të jetojë që ta shikojë zhdukjen e Shqipërisë".

Parashikime të tilla apokaliptike për Shqipërinë sigurisht që mund t'i bëjë një njeri që s'është shqiptar. Prandaj ka të drejtë zoti Kastriot Myftaraj kur thotë se  "Blushi në fakt nuk e konsideron veten shqiptar". Ky pozicionim prej jo shqiptari i Ben Blushit më solli menjëherë në kujtesë letrën e Mitrush Kutelit, drejtuar Mustafa Greblleshit më 28 gusht të vitit 1961. Në atë letër, Kuteli, ndër të tjera, shkruan:


"...
Një ditë në Belgrad Shutja (Dh. Shuteriqi - sqarimi ynë) më pat pyetur: Mitrush, ç'do të bënje ti po të kishe gjetur një vepër të pabotuar të një shkrimtari të vdekur? - Ia ktheva: - Do t'i bënja një parathënie dhe do ta botonja. Ay: - Me emrin e kujt? - Të atij që e ka shkruar. Do të kënaqesha t'i jepnja lexonjësit një vepër që mund të zhdukej. - Jo, më tha, vepra e gjetur është imja se unë e gjeta. Pra unë, gjetësi jam "˜autori' i saj. - Ti s'je autor se nuk e brumose në mëndje e shpirt, nuk vuajte ti në të lindurat, nuk...nuk...- Ay më shikoi tinzar dhe e ktheu fjalën: - Po kur boton një këngë popullore? - Kur botonj një këngë popullore, them se ku e kam mbledhur, kush ma ka treguar. Roli im është ta mbledh, ta botoj, t'i tregoj burimin. -Ay përsëri: - Po ay që ta dha këtë këngë s'është autor i saj, pra...- Unë s'them se filani e ka qitur këtë këngë, them vetëm se ay ma ka treguar...- Shutja e ktheu prapë, të prerë: - Jo, s'jam dakord ! Vepra që kam gjetur është imja...- I thashë : - Kësaj i thonë vjedhje !..- Ay u ngrys...

Këtu u mbyll muhabeti ynë në rrugët e Belgradit në dhjetor 1945. Atëhere Shutja ishte mjaft modest, por brenda tij gurgullonte kazani i madh i shejtanit. Lëvdonte shkrimet e mia, ngrinte në qiell Lame Kodrën. Pastaj nisi të ngrihet gjersa u bë burrë me llullë, me berè e me automobil; më shau e përshau, pështyu, lëpiu, hoqi "i" -në në fund të mbiemërit që të vërtetonte tezën e tij, siç i tha Popoviçit vetë në tryezë: "Emri ynë vjen nga fjala serbe "˜Shute' që do të thotë "˜shaka'. Rjedhim nga një familje e Stara Serbisë të Despotatit të Elbasanit. Pra, si të thuash, "˜unë' jam "˜ti'. Ndihmomë të ngrihem lart! Jepmë, të kam vëlla"!

...
Më falni që u zgjata kaq shumë me këtë "Dhimitriadë Shuteriqore", po këto të gjitha m'i zgjoi karasyfeti i tij arogant që endej rrugëve të Pogradecit...Një grek i moçëm me emrin Phrantjes, historian, paska thënë:  "Shqiptarët janë populli më i lig e më i kotë ("˜le plus inutile') në botë" . Përfundimi? Duhet të çduket... Kështu thotë bizantini Phrantes. Domosdo, Phrantes është armik, është ujk dhe ka folur, shkruar e vepruar ndofta si ujk. Por ujku njihet dhe njeriu di se si të mbrohet kundër tij: me sëpatë, me kopaçe. Por si të mbrohet kundër ujkut të veshur me lëkurë dele!? Si të mbrohet kundër atij që i flet si ëngjëll e vepron si shejtan? Të gjitha këto i lexoj, i bluaj me mëndje natën, s'më zë gjumi dhe më vjen të çmëndem... (Citohet sipas: "Letër e Mitrush Kutelit, dërguar Mustafa Greblleshit". Gazeta "E djathta". Nr. 53. 03 nëntor 1995).

Dhe Miladin Popoviçi e ndihmoi vëllain e vet. I vuri detyrë argatit të vet Enver Hoxha që Dhimitër Shuteriqin ta ngrinte në detyra të larta shtetërore, deri në Kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve. Me sa duket, Blushin nuk e lë të qetë thirrja e gjakut.

Gjyshi i tij me prejardhje serbe, i thërret që nga bota e përtejme që të ngrihet në mbrojtje të kauzës serbe kundër ribashkimit të trojeve etnike shqiptare. Por, për arsye të miqësisë ortodokse serbogreke, në gjakun e Blushit, me sa duket, lëvrijnë edhe qeliza greke, të cilat, me parashikimin që bën për zhdukjen e Shqipërisë pas dy shekujsh, e binjakëzojnë me historianin shovinist grek të kohës së bizantit, Phrantes.

Por duhet t'i japim hakun Blushit: megjithëse që të dy, edhe Blushi, edhe Phrantes, janë për zhdukjen e Shqipërisë, Blushi parashikon zhdukjen e vetvetishme, zhdukjen paqësore të Shqipërisë, ndërkohë që Phrantes, si grek që është, si armik i betuar i etnisë shqiptare, bën thirrje pë zhdukjen e dhunshme të saj.

Kot brengoset Blushi kur mendon se nuk do të jetojë që ta shikojë zhdukjen e Shqipërisë. Si deputet që është, ai, me paratë e shtetit, mund të niset për një vizitë në Kinë dhe atje, me ndihmën e autoriteteve vendase, të shkojë për piknik në zona të thella dhe të ngjitet deri në Tibet, ku rritet bari (eliksiri) i rinisë dhe i jetëgjatësisë. Atje ai, po me paratë e shtetit, mund të sigurojë dozën e nevojshme që do t'i sigurojë një jetë bukur të gjatë që do ta kapërcejë edhe vitin 2214, kur ai do të soditë i qetë "zhdukjen" e Shqipërisë.

Santa Barbara, Kaliforni


10 tetor 2014

Prof. Dr. ESHREF YMERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.