VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PAS FJALËVE TË MJERIMIT TË BALKAN AUTOR-it
Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

E Hënë, 10.13.2014, 08:28am (GMT1)



    Pas botimit në internet të shkrimit tim me titull "Ben Blushi në gjurmët e bizantinit Phrantes", vjen menjëherë reagimi i Balkan Autor-it, i cili, në rubrikën "Komente" të organit "Fjala e Lirë", më sulmon si më poshtë. Tekstin e sulmit të tij po e riprodhoj me pikë e me presje:

I "nderuar" Prof.dr. Eshref Ymeri, si mund te shkruash per nje autor dhe letersine e tij pa e lexuar? Si mund te mbeshtetesh mbi pandehme e fakte te paqena me ato grada qe ke krah emrit? Ku ka ne kete bote analiza dhe analiste shterues? Pse duhet paargjykuar Ben Blushi si shkrimtar? Apo se u shpall nga juria e vleresimt si shkrimtar evropian? Po kot flasim se ju kedo qe te qe shpalluar njesoj do te paragjykonit".

Së pari, Balkan Autor-i, duke qenë i fushës së letrave, duhet të kulturohet nga ana gjuhësore. Shqipja jonë e bekuar ka 36 shkronja, jo 35, siç i pëlqen Balkan Autor-it. Me sa duket, shkronjën ë ky Balkan Autor-i e paska flakur nga alfabeti i shqipes.

Së dyti, si i fushës së letrave që është, Balkan Autor-it nuk i ka hije, për të mos thënë që është e turpshme, t'i shkruaj fjalët me gabime drejtshkrimore trashanike, siç është rasti i fjalës paargjykuar, që duhet shkruar paragjykuar, dhe i fjalës shpalluar që duhet shkruar shpallur. Me sa duket, nga zelli i tepruar për të më sulmuar mua sa më shpejt që të ishte e mundur, Balkan Autor-i, duke mos pasur respekt për publikun, nuk e ka quajtur të nevojshme ta lexonte tekstin para se ta niste për në faqen e internetit.

Së treti, Balkan Autor-i harron që i-ja  është nyje e përparme e mbiemrit "i nderuar", që është, pra, mbiemër i nyjshëm dhe kur i drejtohesh dikujt me dëshirën për ta fyer apo për ta ironizuar, ai duhet futur në thonjëza i tërë. Prandaj Balkan Autor-i, duke m'u drejtuar mua me ironi apo për të më fyer, ka vepruar gabim që i-në e ka lënë jashtë thonjëzave. Kjo dëshmon përsëri se Balkan Autor-i e ka të gjymtë kulturën gjuhësore.

Së katërti, zoti Kastriot Myftaraj analizën e librit të Ben Blushit "Hëna e Shqipërisë" e ka bërë në mënyrë shteruese. Ai ka folur me gjuhën e fakteve, me citime konkrete nga faqet e librit dhe Ben Blushin e ka mbërthyer me shpatulla pas murit. Por deri tani, në faqet e internetit, unë s'kam parë të botuar  ndonjë reagim të Ben Blushit kundër zotit Kastriot Myftaraj. Po ashtu, edhe Balkan Autor-i, deri tani, në faqet e internetit s'është bërë i gjallë për të dalë në mbrojtje të Ben Blushit dhe për t'iu kundërvënë zotit Kastriot Myftaraj.

Së pesti, nga analiza mjaft autoritare e zotit Kastriot Myftaraj, dilnin në spikamë dy çështje të mprehta: e para: Ben Blushi është kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë; e dyta: Shqipëria, sipas Ben Blushit, do të zhduket pas 200 vjetësh.

Përfundimi i parë i Blushit i vjen shumë në osh Evropës, e cila, në bashkëpunim të ngushtë me shovinizmin rusomadh, për interesat e grekosllavizmit, na copëtoi trojet tona etnike. Me këtë përfundim që nxjerr Blushi, mbron interesat e shovinizmit serbomadh dhe të kishës shoviniste serbe, e cila, me gojën e fashistit me veladon me emrin Irinej, ka deklaruar botërisht se Serbia do të kthehet në Kosovë, qoftë edhe pas 2 mijë vjetësh. Blushi nuk mund të nxjerrë përfundim tjetër se në dejet e tij rrjedh gjak serb, se gjyshi i tij ia ka thënë troç Miladin Popoviçit se cila ishte prejardhja e tij (e gjyshit të Ben Blushit): "nga një familje e Stara Serbisë të Despotatit të Elbasanit".

Çuditërisht, Balkan Autor-i, në sulmin që ndërmerr kundër meje, e  anashkalon këtë përfundim të Ben Blushit që zoti Kastriot Myftaraj e ka analizuar hollësisht dhe që unë u ndala posaçërisht në artikullin tim. Me sa duket, Balkan Autor-i i bën fresk me servilizëm Ben Blushit dhe e radhit veten në përkrahje të të gjithë antishqiptarëve që janë kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Pra, duke zënë një pozicion antikombëtar, Balkan Autor-i çon ujë në mullirin e boshtit shovinist  Beograd-Moskë-Athinë që është kundër ribashkimit të trojeve etnike shqiptare.

Gjate verës dhe vjeshtës së vitit 1999 kam qenë katër herë me shërbim në Kosovë, si përkthyes. Tri herë kam shoqëruar grupe gazetarësh ukrainas dhe një herë një grup gazetarësh rusë. Nga takimet e shumta që ata patën me qytetarë të thjeshtë të Kosovës, që nga fshati Çabër i Mitrovicës e deri në fshatin Grejkoc të Prizrenit, nga Kaçaniku e deri në Pejë, rezultoi një tjetër mendim, i përkundërt tani me atë të Ben Blushit. Pyetjes së gazetarëve se si e shikonin ata, si qytetarë të thjeshtë, perspektivën e Kosovës, të gjithë i përgjigjeshin njëlloj: të pavarur dhe të ribashkuar me Shqipërinë.

Është tjetër punë nëse Ben Blushi, në kafenetë e Prishtinës, është takuar me njerëz të kallëpit të Nexhmedin Spahiut, të Migjen Kelmendit etj. të cilët kanë bukën e Kosovës, por bëjnë duanë e Serbisë.

Balkan Autor-i anashkalon qëllimisht edhe përfundimin e dytë të Ben Blushit, sipas të cilit Shqipëria do të zhduket pas 200 vjetësh. Rrjedhimisht del vetvetiu edhe përfundimi i nënkuptueshëm se do të zhduket edhe gjuha shqipe. Ben Blushi dhe servili i pështirë i tij Balkan Autor-i kot rreken t'u mbushin mendjen njerëzve se një gjë e tillë ka për të ndodhur me të vërtetë. Mbi etninë shqiptare, që prej antikitetit dhe deri në fundin e shek. XX janë dyndur dallgët e 27 pushtimeve barbare, por ajo ka arritur të mbijetojë. Sepse forca e mbijetesës së saj është e jashtëzakonshme. Etnia shqiptare nuk mund të zhduket kurrën e kurrës se është e pazhdukshme gjuha shqipe që është gjuhë hyjnore, gjuha e ilirëve, të cilët, siç thotë natyralisti i famshëm romak Plini Plaku (23-79), kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e morën prej tyre.

Etnia shqiptare nuk do të zhduket kurrë dhe nuk dëshiron as zhdukjen e etnive fqinje, por me kusht që çdo etni të jetojë në trojet e veta etnike, në kuadrin e një shteti mbarëkombëtar.

Në fund dëshiroj të theksoj se zeja e mercenarit është mjaft fitimprurëse, se mercenar mund të bëhesh kollaj. Kurse zeja e atdhetarit, e njeriut me dinjitet të lartë kombëtar, është shumë e vështirë për t'u ushtruar. Është në dorën e gjithsecilit të vendosë se cilën zeje duhet të zgjedhë. Kjo varet nga edukata që ka marrë gjithsekush në familjen e vet, e cila është kudhra e parë e formimit të personalitetit të njeriut. Një aforizëm i kohëve të kahershme thotë:

"Mercenarët nuk vdesin, ata zbresin në skëterrë për t'u rigrupuar".

Santa Barbara, Kaliforni
12 tetor 2014


Prof. Dr. ESHREF YMERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.