VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - IDEJA E PUTINIT PËR RINEGOCIMIN E LUFTËS SË FTOHTË - PASOJAT E SAJ PËR RAJONIN E BALLKANITNga SHABAN MURATI

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 07:00am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
IDEJA E PUTINIT PËR RINEGOCIMIN E LUFTËS SË FTOHTË - PASOJAT E SAJ PËR RAJONIN E BALLKANIT
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 10.27.2014, 12:45pm (GMT+1)


Etapat e mbyllura historike mund të ridiskutohen apo të rishkruhen në tekstet e Historisë. Ato janë të kapërcyera, së bashku me mënyrën si janë zhvilluar dhe së bashku me mënyrën se si janë mbyllur. Të kërkosh sot tratativa të reja për rezultatet apo për marrëveshjet e tyre, do të përbënte një nonsens historik. Është njëlloj sikur Gjermania, Japonia dhe Italia, tre fuqitë e boshtit që humbi Luftën e Dytë Botërore, të ngriheshin dhe të kërkonin tratativa të reja për traktatet e paqes, që mbyllën kapitullin e Luftës së Dytë Botërore. Ndaj ideja apo kërkesa e re e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për një rinegocim të rezultateve të luftës së ftohtë, 25 vjet pas shembjes së murit të Berlinit, përbën një qëndrim surprizë të kreut të Kremlinit, që meriton një vëmendje të veçantë në planin politik, diplomatik dhe historik. Në fjalimin e tij të mbajtur në sesionin e 11-të të Klubit të diskutimeve ndërkombëtare të Valdait, në Soçi, në 24 tetor, i zhvilluar me temën "Rendi botëror: Rregulla të reja apo një lojë pa rregulla", Vladimir Putin deklaroi se "Lufta e ftohtë mbaroi, por nuk mbaroi me nënshkrimin e një Traktati Paqeje me marrëveshje të qarta dhe transparente për respektimin e rregullave ekzistuese ose krijimin e rregullave dhe standardeve të reja". Është hera e parë, që udhëheqja e Rusisë jo vetëm shpreh pakënaqësinë globale për rezultatet e mbarimit të luftës së ftohtë dhe të shembjes së komunizmit, por kërkon që për këtë periudhë historike të mbyllur të luftës së ftohtë të ketë Traktatin e saj të Paqes.

Presidenti rus nuk e zgjeroi analizën e tij për të shpjeguar arsyet përse kërkon një Traktat Paqeje, nuk specifikoi se kush duhej të ishin palët, që do të zhvillonin tratativa për këtë traktat mes tyre dhe nuk sugjeroi as rrugët se si do të realizohet një Traktat Paqeje për një etapë të mbyllur historike. Është e njohur se Vladimir Putin, që kur erdhi në fuqi 14 vjet më parë, nuk është pajtuar me humbjen e statusit të superfuqisë nga ana e Rusisë dhe vazhdimisht ka deklaruar se prishja e Bashkimit Sovjetik është katastrofa më e madhe kombëtare për popullin rus. Por është hera e parë, që ai del me idenë apo rivendikimin që mbarimi i luftës së ftohtë kërkon një Traktat Paqeje mes palëve.

Për realizimin e idesë së presidentit rus mungojnë, së pari protagonistët, dhe së dyti rrethanat historike. Sepse protagonistët ishin blloku demokratik i botës perëndimore nga njëra anë, dhe nga ana tjetër blloku komunist i botës lindore, i drejtuar nga Bashkimi Sovjetik. Bota komuniste lindore dhe Bashkimi Sovjetik nuk ekzistojnë më. Presidenti i jep Rusisë atributin e përfaqësuesit të ish-botës komuniste lindore, gjë për të cilën nuk ka e nuk mund të ketë mandat nga shtetet që kanë përmbysur regjimet komuniste, të cilat ekzistonin në mbarim të luftës së ftohtë. Fakti që Rusia i jep vetes të drejtën e mandatit të negociatorit për një Traktat Paqeje është një element kyç për të shpjeguar se Kremlini rivendikon një status të ri fuqie të Rusisë në arenën ndërkombëtare. Putini u shpreh kundër "të ashtuquajturve fitimtarë të luftës së ftohtë" dhe paraqiti pikëpamjen se periudha e dominimit njëpolar pas luftës së ftohtë ka demonstruar se të kesh një qendër fuqie nuk i bën proceset globale më të menaxhueshme. Boshti i gjithë platformës së tij ishte pretendimi kryesor rus "për një balancë të re të fuqisë në sistemin ndërkombëtar të shteteve". Kjo mund të quhet thembra e Akilit e filozofisë së politikës së jashtme të shtetit rus të Putinit.

Ideja dhe rivendikimi për një Traktat Paqeje të luftës së ftohtë shfaqen si një pretekst apo platformë e re e rimodelimit të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare në formën bipolare, që kishte gjatë luftës së ftohtë dhe ku Rusia ishte poli i dytë. Megjithëse presidenti rus u përpoq të zbusë dyshimet botërore për ambiciet e Rusisë, duke deklaruar se "ne nuk kemi nevojë të jemi superfuqi", dalja me kërkesën për një balancë të re fuqie ndërkombëtare për Rusinë shënon një fazë të re në impostimin e strategjisë globale të shtetit rus në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Faza e parë drejt kësaj, e iniciuar nga udhëheqja e Kremlinit, ka qenë faza e koregjimit vetjak të hartës politike dhe gjeopolitike ruse, që rezultoi pas prishjes së Bashkimit Sovjetik. Kjo fazë pati dy pjesë. Pjesa e parë ishte ajo e viteve 1990-1992 e krijimit të zonave separatiste dhe e konflikteve të ngrira në disa shtete, që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik, si rajonet e Abhazisë dhe Osetisë së Jugut në Gjeorgji, rajoni i Nagornij Karabakut në Azerbajxan, rajoni i Transniestrit në Moldavi, Krimeja në Ukrainë etj. Pjesa e dytë e koregjimit është ajo që u përurua me ndërhyrjet ushtarake të drejtpërdrejta ruse në vitin 2008 në Gjeorgji dhe në vitin 2014 në Ukrainë, me aneksimin e dhunshëm të territoreve ukrainase si Krimeja, ku morën pjesë direkt forcat speciale ruse, sipas pohimit të vetë presidentit rus pas përfundimit të operacionit. Faza e parë ka në objektivin e vet zgjerimin gradual të Rusisë drejt kufijve të dikurshëm të Bashkimit Sovjetik si shtet.
Me idenë dhe rivendikimin për një Traktat Paqeje të luftës së ftohtë kemi kalimin në një fazë të re të politikës së jashtme dhe të strategjisë globale ruse dhe të rolit të Rusisë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo mund të përkufizohet si faza e rinegocimit të luftës së ftohtë. Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe teoria e marrëdhënieve ndërkombëtare njohin se Traktate Paqeje mes dy shteteve apo dy blloqeve kërkojnë mbarimet e luftërave me armë dhe me ushtri, siç ka qenë rasti pas mbarimit të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Pra luftërat e nxehta, pas mbarimit të tyre, kërkojnë Traktate Paqeje. Por ideja e një Traktati Paqeje pas mbarimit të luftës së ftohtë duket një kërkesë jashtë kohës dhe hapësirës, kërkesë e cila nuk duket se e ka qëllimin tek ajo që ndodhi 25 vjet më parë, por tek koregjimi apo legalizimi i ambicies së udhëheqjes ruse për një pozicion të ri global drejtues të Rusisë. Për hir të së vërtetës duhet thënë se mes NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, si dhe mes SHBA dhe Bashkimit Sovjetik, në fund të luftës së ftohtë janë nënshkruar disa marrëveshje, që kishin të bënin si me praninë e trupave ushtarake ruse në vendet komuniste të Europës Lindore, ashtu dhe me armatimet bërthamore dhe konvencionale, që Bashkimi Sovjetik kishte dislokuar në ato shtete. Pjesë e marrëveshjeve në kuadër të mbarimit të luftës së ftohtë ishte edhe largimi i gjithë forcave ushtarake ruse, që ndodheshin në territoret e vendeve ish-komuniste të Europës Lindore. Dëshmi e marrëveshjes Lindje-Perëndim është edhe bashkimi i Gjermanisë. Gjithë këto marrëveshje përbënin bazën juridike të rregullimit të marrëdhënieve të reja ndërkombëtare në kontinentin europian pas shembjes së komunizmit dhe pas prishjes së Bashkimit Sovjetik. Edhe vetë Bashkimi Sovjetik u shemb pas një marrëveshjeje të arritur nga Rusia dhe 11 republikat, që përbënin Federatën komuniste sovjetike, në Alma Ata të Kazakistanit në 21 dhjetor 1991. Rusia as në atë kohë dhe as gjatë 25 vjetëve nuk është kujtuar të paraqesë ankesë dhe kërkesë për një Traktat Paqeje të luftës së ftohtë.

Rezultatet bazë të mbarimit të luftës së ftohtë dhe të shembjes së komunizmit kanë qenë dy: Së pari, prishja e perandorisë komuniste të sunduar nga Rusia dhe që konkretizohej në planin ushtarak me Traktatin e Varshavës dhe në planin ekonomik me Këshillin e Ndihmës Ekonomike Reciproke, KNER. Së dyti, ka qenë prishja e Bashkimit Sovjetik si një federatë artificiale popujsh, e cila u krijua mbi bazën e bashkimit të dhunshëm dhe aneksimit të territoreve të popujve dhe të shteteve të tjera nga Moska pas revolucionit të madh socialist të tetorit 1917. Të dyja këto produkte globale ishin shprehje e zhvillimit dhe e ligjshmërisë historike të ngjarjeve dhe të sistemit ndërkombëtar. Ato nuk u provokuan as nga ndonjë luftë globale dhe as nga ndonjë luftë lokale. Te dy proceset u zhvilluan paqësisht me pjesëmarrjen e ndërgjegjshme politike dhe kombëtare të klasave politike dhe të udhëheqjeve në të gjithë shtetet e përfshira në rezultatet e luftës së ftohtë e bashkë me ta edhe Rusia. Pakënaqësia, që ka Vladimir Putini për paraardhësit e tij, që nga Nikita Hrushovi e deri tek Gorbaçovi e Jelcini, nuk mund të shërbejë si makinë kohe për të koregjuar veprat apo politikat e tyre, që nuk i përshtaten vizionit të presidentit të sotëm.

Rihapja e dosjes së luftës së ftohtë dhe sidomos kërkesa për një Traktat Paqeje, që të sanksionojë rezultate të reja të luftës së ftohtë, ka synimet e saj.

1- Ajo tregon mospajtimin e udhëheqjes ruse me rezultatet e luftës së ftohtë dhe me vetë formatimin historik, që e pasoi atë. Kjo do të thotë: A- në planin ideologjik të mos pranohet shembja e komunizmit si ideologji totalitare dhe as shembja e regjimeve komuniste, që i kishin kthyer shtetet e tyre në satelitë të Moskës. B- në planin politik do të thotë të mos pranohet ikja e superfuqisë sovjetike nga skena e historisë.
2- Kërkesa për një Traktat Paqeje për luftën e ftohtë përmban embrionin e ndërmarrjes së përpjekjeve për restaurimin e influencës së Rusisë në vendet e ish-Traktatit të Varshavës, të cilat janë tani anëtare të BE dhe të NATO-s. Kjo përkthehet si zhvillim i tratativave me interesat, sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve ish-komuniste, që tani janë shtete demokratike dhe kanë vendosur me vullnet të lirë, demokratik dhe popullor, të jenë pjesë e familjes euroatlantike.
3- Kërkesa e presidentit rus mund të kuptohet edhe si përpjekje për të bllokuar proceset e integrimit euroatlantik. Orientimet e integrimit europian dhe atlantik lindën pasi mbarimi i luftës së ftohtë, një rrethanë historike që krijoi hapësirat e lirisë për vullnetin e popujve. Ky është një proces në vazhdim e sipër, sepse ende ka shtete ish-komuniste, që nuk janë bërë anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Rusia synon ta bllokojë vazhdimin e këtij procesi të integrimit euroatlantik dhe sidomos të pengojë shtetet kandidate për në BE dhe për në NATO që të realizojnë objektivat e tyre shtetërore dhe kombëtare të anëtarësimit në aleancat demokratike perëndimore.

Ideja dhe rivendikimi i presidentit Putin për rinegocimin e rezultateve të mbarimit të luftës së ftohtë përbëjnë një zhvillim të ri, i cili mund të sjellë disa të papritura në politikën dhe në strategjinë e Rusisë edhe në rajonin e Ballkanit. Përderisa Rusia nuk pajtohet me rezultatet e luftës së ftohtë në shkallë europiane dhe globale, është e kuptueshme se nuk pajtohet as në shkallë rajonale, që nga gadishulli ballkanik e deri tek deti Balltik. Në këtë kuadër mund të pritet që Ballkani të jetë një fushë e përpjekjeve restauruese të Rusisë drejt hartës politike dhe gjeopolitike, që ishte në kohën e perandorisë komuniste me qendër Moskën. Këto përpjekje mund të konkretizohen si në drejtim të shteteve, që janë kandidatë për anëtarë të BE dhe të NATO-s, ashtu dhe të shteteve, që janë anëtarë në këto dy organizata perëndimore. Ballkani mund të konsiderohet terren i përshtatshëm, sepse duke qenë një rajon klasik i sherreve dhe i problemeve të shumta të trashëguara historike, ku ziejnë çështjet e kufijve, të territoreve dhe të popullsive brenda njëri-tjetrit, mund të përbëjë një barut të lehtë për çdo diversion rajonal dhe ndërkombëtar. Ndaj është e nevojshme që qeveritë dhe shtetet ish-komuniste të Ballkanit dhe të Europës Lindore të refuzojnë me vendosmëri çdo ide dhe rivendikim për revizionimin e rezultateve të luftës së ftohtë. Nuk ka rëndësi nëse janë shtete të vegjël apo të mesëm. E rëndësishme është që edhe shtetet e mesëm dhe të vegjël, që dikur kanë qenë pjesë e perandorisë komuniste dhe e sferës ruse të influencës, t'i bëjnë të qartë Rusisë se historia nuk kthehet mbrapa.
SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PËRSHËNDES MIQËSISHT GRUPIN POLIFONIK 'JEHONA LABE' - IU KUSHTOI KËNGË FUTBOLLISTËVE TANË TRIMANga Prof. dr. ESHREF YMERI (10.27.2014)
FUNDTETORI HUNGAREZ I VITIT 1956 THËRRET PËR REFLEKTIMNga PËRPARIM KABO (10.27.2014)
Barometri diplomatikRACIZMI SERB DHE POLITIKA E UEFA-s E VRANË DREJTËSINË DHE SPORTIN EVROPIANNga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (10.26.2014)
E VËRTETA NA BËN QYTETARË TË LIRËAta që kritikojnë gabimet e vendit të tyne, shpëtojnë shpirtin e nji kombiNga SAMI REPISHTI (10.25.2014)
ASGJË E RE NGA FRONTI I SERBISËNga SULEJMAN GJANA (10.25.2014)
25 VJET MË PARË RA MURI I BERLINIT DHE U SHEMB KOMUNIZMINga FRANK SHKRELI (10.23.2014)
...AQ SA KA KRAHËT SHQIPONJA, KATËR VILAJETET TONA   Vargje poetike nga Lefter ÇipaNga Prof. dr. ESHREF YMERI (10.22.2014)
PAPA PALI VI PËR SHQIPTARËT DHE KARRIGA BOSH E SHQIPËRISË NË OKBNga FRANK SHKRELI (10.21.2014)
LETRA IME PËR MAJA KOCIJANCICNga UK LUSHI (10.20.2014)
SERBIA E TRAJTON EDHE SHQIPËRINË ME FUSNOTËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (10.19.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]