VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SERBIA SI ZGJATIM I RUSISË NË ZEMËR TË EUROPËS
Nga SULEJMAN GJANA

E Shtunë, 11.01.2014, 08:16am (GMT1)


Vizita e tretë dhe sërish madhështore e Putinit në Serbi, në kuadër të 70-vjetorit të çlirimit të Beogradit nga Ushtria e Kuqe dhe tanket ruse, ishte sfida e hapur dhe fyese e Serbisë për Brukselin, ishte përgjigjja brutale për përqafimet dhe përkëdheljet e baroneshës Ashton për rioshët Daçiç e Vuçiç. Por mbi të gjitha ishte përgjigjja poshtëruese për aksionin diplomatik integrues të Serbisë në Europë, ndërmarrë prej shteteve anëtare të BE, në shumicë edhe anëtare të NATO-s. Shtete këto të angazhuara pothuajse totalisht (ndonëse shpesh pa dëshirë dhe me ngurrime prej interesash) në kushtëzimin e Rusisë me sanksione pas aneksimit prej saj të Krimesë, pas aksionit separatist në Ukrainën lindore dhe pas kërcënimeve ushtarake të saj për zgjerimin e konfliktit ukrainas.

Dhe përgjigjen më të mirë "shpërblyese" për dashurinë pa kundërshpërblim të europianëve ndaj serbëve, e dha presidenti Nikoliç kur i deklaroi Putinit në Pallatin e Bardhë: "Shumë gjëra ne serbët i kemi bërë në të kaluarën bashkë me ju, dhe do t'i bëjmë edhe në të ardhmen. Ne ju falënderojmë për mbështetjen tuaj kur ka qenë fjala për Kosovën, ndaj dhe Serbia e serbët do t'i mësojnë fëmijët e tyre ta duan fort Rusinë". Pasi theksoi se serbët presin ndihmën e Rusisë në bujqësi dhe energjetikë, por sidomos në industrinë petrokimike dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare në kushtet e sanksioneve, Nikoliç i deklaroi Putinit me emocion: "Rusia është një mbështetje e fuqishme për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, sidomos në lidhje me Kosovën dhe Metohinë".

Ndërsa Putin u deklaroi miqve serbë se "Qëndrimi proserb i Rusisë është një pozicion parimor që nuk do të ndryshojë kurrë", dhe se "Rusia është e angazhuar për problemin e Kosovës, përmes rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së".

Si qokë për vizitën dhe pritjen madhështore, Putini kishte sjellë në Beograd një paketë financiare ndihmash prej 1.2 miliardë dollarësh dhe garancinë se "ndihmat humanitare ruse për vëllezërit e vuajtur e të kërcënuar serbë në Kosovë do të vazhdonin edhe në të ardhmen".

Gjatë kësaj vizite, Serbia dhe Rusia nënshkruan disa marrëveshje dypalëshe tejet të rëndësishme, sikundër: Marrëveshja me Hekurudhat e Rusisë për rindërtimin e pjesëve veriore të hekurudhës në Serbi; Memorandumi për efikasitetin energjetik dhe furnizimin rus të Serbisë me energji elektrike; Marrëveshja për mbrojtjen e ndërsjelltë të informacionit të klasifikuar; dhe më në fund "qershia mbi tortë", marrëveshja për bashkëpunim ushtarak-teknik.

Dhe për të dëshmuar dashurinë personale e të serbëve për Rusinë, presidenti Nikoliç u rikujtoi me mburrje të pranishmëve të përzgjedhur për ceremoninë e pritjes, se në përgjigje të vizitës përkujtimore të 70-vjetorit të çlirimit rus të Beogradit, më 9 maj 2015, me ftesë të Putinit, ai do të merrte pjesë me gëzim të veçantë në ceremonitë moskovite për kremtimin e 70-vjetorit të fitores mbi fashizmin.

Vizita e fundit e Putinit në Beograd bëri bilancin e marrëdhënieve dypalëshe të shkëlqyera, por njëkohësisht ishte edhe kurorëzimi në fillimshekullin XXI i aksionit të pandalshëm e shekullor rus për ruajtjen e ndikimit mbi Serbinë dhe në zhvillimet ballkanike, sidomos në kushtet e ekspansionit rus drejt Lindjes dhe Juglindjes së Europës, si kundërpërgjigje ndaj ekspansionit të NATO dhe BE drejt Ballkanit Jugperëndimor dhe Lindjes së Europës.

Ishte pikërisht Putin ai që ripromovoi dhe intensifikoi aksionin total rus drejt Ballkanit dhe Serbisë, pas zbythjes prej një dekade që shoqëroi pushtetin e Jelcinit, të cilin "delfini" Putin e rrëzoi për paaftësi dhe rrezikim të objektivave politiko-ushtarakë ndërkombëtarë të Rusisë në kushtet e triumfit të Perëndimit mbi komunizmin dhe zhvillimeve gjepolitike pas Luftës së Ftohtë.

Parë në këtë mënyrë, Putini shkoi në Beograd për të korrur të mbjellat e dekadës së fundit, të cilat i futi në hambarin rus me ndihmën e çirakëve serbë, me presidentin Nikoliç në krye, të cilin e solli në fuqi në vitin 2012 pasi e mbajti dhe përgatiti gjatë në Moskë dhe e zbarkoi në Serbi me stafe dhe premtime të shumta ndihme ekonomike, si dhe me fushata të financuara e të përgatitura nga të dërguarit e Kremlinit në Beograd.
***
Pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, ambasada ruse në Beograd u shndërrua në Mekë dhe Medinë të pelegrinëve ultranacionalistë serbë, të cilët përzgjidheshin dhe merrnin bekimin e Moskës për karrierë partiake e politike.

Natyrisht që ambasadorët e njëpasnjëshëm rusë nuk e humbnin asnjëherë rastin për t'u kujtuar serbëve se kishin mbështetjen e Rusisë, e cila, sipas tyre, do të përdorte veton dhe të gjitha mekanizmat bllokues në OKB dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë për të sabotuar pavarësimin, njohjen, anëtarësimin dhe integrimin e Kosovës. Betim të cilin Rusia e mbajti, teksa me mburrje theksonte pafundësisht se ishte ajo që, "në mbështetje të popullit dhe kombit vëlla serb, sabotoi sistematikisht të gjitha objektivat perëndimore për Kosovën, sidomos gjatë periudhës 2005-2008".

Pohimi i ish-ministrit të Jashtëm të Federatës Serbi-Mali i Zi, Vuk Drashkoviç, në vitin 2004, se "Elita jonë intelektuale dhe politike e ka të qartë se proceset integruese të Federatës në bashkësinë perëndimore (nënkupto NATO dhe BE), kanë rëndësi jetike për ardhmërinë tonë, ndaj ne duhet të angazhohemi dhe të punojmë me të gjitha forcat në këtë drejtim...", alarmoi Rusinë dhe shënoi fillimin e fundosjes dhe përfundimit të karrierës së Drashkoviçit, krahas pakësimit gradual të peshës politike dhe rezultateve të mëtejme zgjedhore të partisë që Drashkoviç kryesonte.

Ky fund fatkeq ishte edhe pasojë e kundër-reagimit adekuat të politikës dhe elektoratit serb për çdo aktor dhe faktor politik properëndimor në Serbi, objektiv ky i arritur padyshim edhe me ndihmën dhe kontributin e Rusisë, që ka dorë në të gjitha zhvillimet politike në Serbi.
***
Kundërshtimi i zgjerimit të NATO-s në Lindje të Europës është vektori konstant politik dhe gjeostrategjik i Rusisë, që e konsideron këtë zgjerim si kërcënim ushtarak në kufijtë e saj.

Kur në prill të vitit 2008, në samitin e NATO-s të mbajtur në Bukuresht, SHBA-të propozuan ftesën e Aleancës për anëtarësim të Shqipërisë dhe Kroacisë, Rusia u nervozua dhe menjëherë planifikoi strategjinë për sabotimin me çdo kusht të zgjerimit të NATO-s me vendet e tjera të Ballkanit ende të paanëtarësuara.

Natyrisht që në krye të listës së vendeve ballkanike që nuk duheshin anëtarësuar, Rusia vendosi aleaten strategjike, Serbinë, të cilën e përzgjodhi edhe si shtetin ballkanik që do të balanconte ushtarakisht armiqtë historikë, Shqipërinë dhe Kroacinë properëndimore.

Por nervozizmi rus kaloi parashikimet dhe u shndërrua në kërcënim, pas propozimit amerikan në këtë samit, që NATO të fillonte menjëherë procedurat për anëtarësimin në Aleancë të Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Me këtë rast presidenti Putin deklaroi: "Zgjerimin e NATO-s në kufijtë e Rusisë do ta konsiderojmë kërcënim për sigurinë e saj dhe do të ndërmarrim kundërmasat adekuate." Dhe e mbajti fjalën, teksa Gjeorgjinë e ndëshkoi duke e sulmuar ushtarakisht dhe duke e neutralizuar totalisht po atë vit, pra në vitin 2008, ndërsa Ukrainën e tmerroi dhe e ndëshkoi pas 6 vitesh, me pasojat e njohura të një konflikti që ende nuk dihet se kur do të përfundojë... Teksa më parë aneksoi Krimenë me peshë të stërmadhe gjeostrategjike, ndërsa aktualisht ka marrë peng rajonet lindore të Ukrainës (gjithashtu me peshë të madhe gjeostrategjike dhe ekonomike) me ndihmën e separatistëve rusë të armatosur dhe drejtuar me telekomandë nga Rusia.

Strategjia e vendeve kryesore të NATO-s për të anëtarësuar njëkohësisht edhe në BE të gjitha vendet ish komuniste, sikundër Polonia, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Çekia e Sllovakia, është dëshmi e qartë e faktit të pohuar, në vitin 2008, nga ish sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Japp de Hop Shefer, sipas të cilit "NATO dhe BE ecin së bashku, dorë për dore". Por pikërisht kjo strategji ka alarmuar Rusinë, që i konsideron të rrezikshme përpjekjet e NATO-s dhe BE për të integruar në këtë proces edhe Serbinë.
***
Në vitin 2010, kryetari i Komitetit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Dumës ruse, Kostantin Koshaçev, deklaroi: "Anëtarësimi i Serbisë në NATO nuk do të ishte tjetër veçse legjitimim i agresionit kriminal të vitit 1999 të NATO-s mbi Serbinë, por njëkohësisht do të ishte edhe riposhtërim i kombit dhe popullit serb, të cilit me këtë rast iu shkëput me dhunë Kosova, që është djepi ku lindi dhe u mëkua kombi serb. Këtë agresion, asokohe Rusia-aleate strategjike e Serbisë e kundërshtoi me forcë dhe e konsideroi si poshtërim i patolerueshëm".

Para dy vitesh, pyetjes së mediave serbe se çfarë do të humbiste Serbia nëse do të anëtarësohej në NATO, ambasadori rus në NATO, Dmitri Rogozin, iu përgjigj, qartë dhe në mënyrë lakonike: "Duke patur parasysh se Kosova është pjesa thelbësore e sovranitetit kombëtar serb dhe djep i kombit serb, si dhe duke qenë se Serbia është një vend vëlla i Rusisë, jam i detyruar t'ju sjell ndërmend se me anëtarësimin në NATO Serbia do ta humbte përfundimisht Kosovën, duke e vetëpranuar këtë akt dhe realitet". Ndërsa ambasadori rus në Serbi, Aleksandër Konuzin, e thelloi konceptin e kolegut të tij të atashuar në Bruksel, teksa deklaroi: "Ne rusët, të dashur vëllezër serbë, do ta respektojmë vendimin tuaj për të hyrë në NATO, por duhet ta dini se, duke u bërë pjesë e NATO-s, ju do të bëheni gjithashtu pjesë e një kërcënimi për sigurinë e Rusisë, çka do ju shndërronte automatikisht, nga një vend mik, në një vend armik".

Kushtëzimin e njëanshëm politik të marrëdhënieve ruso-serbe, me moton "ose me Moskën, ose me Perëndimin", Rusia po përpiqet ta shtrijë edhe në marrëdhëniet dypalëshe ekonomike, teksa nëpërmjet ambasadorit rus në Beograd, Konuzin, deklaroi para dy vitesh se "në qeverinë serbe ka ministra që janë pozicionuar hapur kundër firmave dhe kompanive ruse, dhe se firmat dhe kapitalet ruse trajtohen keq në Serbi, çka ne e konsiderojmë fyerje dhe kundërvënie...".

Fakti që nga 28 vende anëtare të NATO-s, 24 vendet kryesore të saj e kanë njohur Kosovën, është përdorur dhe po përdoret vazhdimisht nga Rusia për të trembur dhe armiqësuar serbët me NATO-n.

Duke u kujtuar serbëve me ironi pikën 6 të kapitullit të titulluar "Qëllimet dhe parimet e zgjerimit", të Traktatit të Aleancës Veri-Atlantike, në të cilën përcaktohet qartë dhe prerë se në NATO pranohen vetëm shtetet që i kanë zgjidhur përfundimisht, apo që ndodhen në vijim të proceseve të suksesshme të zgjidhjes paqësore të problemeve territoriale me fqinjët dhe të njohjes reciproke, ambasadori rus pranë NATO-s, Dmitri Rogozin, i kujtoi publikisht Beogradit në vitin 2011, se përpiqet më kot të anëtarësohet në NATO, nëse nuk njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe nëse nuk heq dorë nga humbja e sovranitetit mbi të.
***
Aktualisht, në Perëndim dhe kudo ekziston një paqartësi e dukshme në lidhje me të ashtuquajturën "asnjanësi ushtarake" të vetëshpallur të Serbisë, e shprehur si gjoja detyrim shtetëror, bazuar thjesht në një fjali të shkruar në tekstin e një rezolute parlamentare, para disa vitesh. Dhe kjo paqartësi rritet akoma më shumë kur vërehet mungesë vullneti politik tek mbarë klasa politike dhe shoqëria serbe, për të hapur një debat publik të njëmendtë, debat ky që do të qartësonte se çfarë nënkuptohet me "asnjanësi" dhe cilat janë garancitë përkatëse!?

Askush më shumë se Rusia nuk ka interes për këtë paqartësi lidhur me "asnjanësinë" serbe, sa kohë që shfrytëzohet maksimalisht urrejtja serbe për NATO-n dhe fushatën e saj të bombardimeve, që paraprinë ndërhyrjen ushtarake në Kosovë dhe shkëputjen e saj nga Serbia në vitin 1999.

Për ultranacionalistët dhe shumicën e serbëve, "anëtarësimi i Serbisë në NATO do të thotë jo vetëm dorëzim vullnetar i një pjese të identitetit dhe sovranitetit kombëtar, por edhe riposhtërim pas poshtërimit që NATO u bëri serbëve në vitin 1999 dhe vënie e ushtrisë nën komandën e një strukture ushtarake armiqësore".

Mendimi që mbizotëron në qarqet intelektuale, në klasën politike, në shoqërinë civile dhe qendrat studimore strategjike serbe, është ai sipas të cilit Perëndimi duhet t'i japë dhe garantojë Serbisë një status special, si parakusht për anëtarësimin e saj në NATO dhe BE. Thënë ndryshe ata kërkojnë gjetjen e një lloj formule të "Anëtarësimit të kushtëzuar të Serbisë", gjithmonë me kushtin e qartë që Serbia kurrë të mos detyrohet të marrë pjesë në veprime ushtarake të NATO-s kundër Rusisë, që kurrë të mos angazhohet në sanksione ekonomike kundër saj, kundër interesave të saj, apo të përfshihet në veprime të ngjashme në zonat e saj të influencës. Kushtëzim absurd ky që, kurrsesi, nuk mund të pranohet nga Perëndimi, e që mund të shërbejë në çdo kohë si pretekst... dhe për lojë me dy porta të Beogradit, midis Moskës dhe Brukselit.

Por deri kur të merret vendimi përfundimtar, si objektiv afatshkurtër dhe afatmesëm, Beogradi do të vazhdojë të bëjë rolin e koketës që flirton me Perëndimin dhe fle me Lindjen. Dhe si kurtizane e vjetër 2 shekullore, do të zhvasë sa të mundet nga mëtonjësit, sidomos nga vendet e pasura perëndimore. Shembulli i kohës së Titos është tejet i freskët, teksa diktatori komunist u vetëshpall aleat i Perëndimit në Lindje, por që kurrë nuk e pranoi pluralizmin politik dhe demokracinë. Asokohe Beogradi kishte garant Çurçillin, sot ka garant Baroneshën Ashton.

Në fundore, kuptohet se Serbia ka ditur gjithnjë të përdorë politikën dhe diplomacinë në shërbim të interesave të shtetit dhe kombit serb. Ndërsa për fat të keq, Shqipëria zyrtare vazhdon që prej 70 vitesh të përdorë këta instrumenta të rëndësishëm, në shërbim të interesave të pushtetit dhe individëve çka cënon rëndë interesin e popullit dhe kombit shqiptar...

*Kryetar i PLL

SULEJMAN GJANA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.