VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VENDIMI I DREJTË I SUEDISË PËR SHTETIN E PALESTINËS
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 11.03.2014, 09:30am (GMT1)


Janë të pakta shtetet, të cilat në themel të politikës së tyre të jashtme dhe në marrëdhëniet me shtetet e tjera vendosin parimin e së drejtës dhe të së vërtetës. Ndër këta shtete të paktë, Suedia qëndron në krye si shteti etalon i mbrojtjes së të drejtës dhe të së vërtetës në arenën ndërkombëtare. Në këtë vijë është vendimi që mori në 30 tetor qeveria e Suedisë për njohjen e Palestinës si shtet dhe që pati një jehonë të pazakontë ndërkombëtare. Kjo jehonë i dedikohet peshës morale dhe reputacionit ndërkombëtar të Suedisë, të fituara me një angazhim të rrallë dhe konstant në mbrojtje të lirisë, pavarësisë, vetëvendosjes dhe të drejtave demokratike të popujve në të gjithë botën.

Hapat dhe vendimet e Suedisë në fushën e politikës së jashtme kanë forcën dhe efektin ndikues të modelit dhe të argumentit, sepse shpesh në forumet, debatet dhe institucionet ndërkombëtare, qëndrimi suedez është argument për të provuar drejtësinë e qëndrimit ndaj një çështjeje të diskutueshme ndërkombëtare. Në këtë kuptim, vendimi i qeverisë së Suedisë për njohjen e shtetit të Palestinës është jo thjesht një vendim i drejtë, jo vetëm një model për t'u ndjekur, por edhe një kontribut i shquar i qeverisë dhe i shtetit suedez në krijimin e një dinamike pozitive në përpjekjet e shumta për zgjidhjen e konfliktit 66-vjeçar mes Izraelit dhe Palestinës.

Përse është i rëndësishëm vendimi i tanishëm i Suedisë? Bisedimet e fundit për paqen mes Izraelit dhe Palestinës janë pezulluar që në muajin prill dhe nuk është sekret se ka qenë qëndrimi radikal i qeverisë izraelite të Beniamin Netaniahut, shkaku kryesor i ndërprerjes së tyre. Kursi radikal i qeverisë aktuale izraelite për të vazhduar zgjerimin më tej të kontrollit izraelit në territoret palestineze, duke ndërtuar koloni të reja, si në Jeruzalemin Lindor, ashtu dhe në Bregun Perëndimor, ka krijuar vështirësi të reja dhe një klimë bllokuese për bisedimet e paqes. Ndërmarrja nga ushtria izraelite e ofensivës disporporcionale ushtarake në territoret palestineze gjatë verës së këtij viti, ku u vranë mbi dymijë palestinezë dhe sipas të dhënave të OKB-së mbi 75 për qind ishin civilë të pafajshëm dhe mes tyre qindra fëmijë ka rënduar akoma më shumë rrethanat e arritjes së paqes. Kjo klimë dhe mungesë predispozicioni nga qeveria izraelite ka tërhequr mbi vete kritikat e SHBA dhe të BE mbi Tel Avivin dhe nuk është e panjohur se marrëdhëniet e tanishme të qeverisë izraelite me presidentin amerikan Barak Obama dhe me Sekretarin e Shtetit, Xhon Kerri, janë në një nivel të ulët historik. Është i njohur paralajmërimi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Kerri, se "Izraeli rrezikon të bëhet shtet aparteidi". Gazeta izraelite "The Jerusalem Post", në datën 29 tetor citonte gazetën amerikane "The Atlantic", ku botohej një intervistë me një zyrtar të lartë të qeverisë amerikane, i cili deklaronte: "Kryesorja që mund të thuhet për Bibin (Netaniahun), ai është një chickenshit. Gjëja e keqe është se ai nuk do të bëjë asgjë që mund të arrijë një rregullim me palestinezët ose me shtetet arabe".

Bisedimet diplomatike mes Izraelit dhe Palestinës duhet të jenë bisedime palësh të barabarta, që marrin në konsideratë interesat e secilës palë dhe jo vetëm të shtetit, që është ushtarakisht më i fortë dhe mban të pushtuara territoret palestineze. Suedia kupton dhe kërkon të ndihmojë pikërisht në funksionimin e çelësit të suksesit të bisedimeve, që është barazia mes palëve. Sikurse nënvizoi ministrja e Jashtme e Suedisë, Margot Wallstrom, në një intervistë me "˜CNN', duke shpjeguar vendimin e qeverisë së saj: "Ne mendojmë se është koha e duhur të njihet shteti i Palestinës. Ne shpresojmë që mund të bëjmë palët më pak të pabarabarta, që ne mund të injektojmë një dinamikë të re në bisedimet e pezulluara të paqes". Në këtë plan, njohja e shtetit të Palestinës nga Suedia, duke sanksionuar të drejtën e popullit palestinez për shtetin e vet, i bën palët në bisedimet izraelito-palestineze më të barabarta dhe më afër arritjes së kompromisit. Vendimi i Suedisë është në të mirë të arritjes së realizimit të formulës së njohur të "dy shteteve të Izraelit dhe të Palestinës" në kufijtë e vitit 1967, të cilën e mbështesin edhe SHBA, edhe BE. Dallimet janë vetëm për kohën se kur duhet të njihet shteti i Palestinës, por siç theksoi ministrja e Jashtme e Suedisë, mund të thuhet se jemi shumë vonë në njohjen e shtetit të Palestinës. Nuk duhet harruar se Palestina e ka njohur shtetin e Izraelit dy dekada më parë.

Suedia është shteti i 135-të anëtar i OKB, që njeh Palestinën si shtet. Nga vendet e Bashkimit Europian, Palestinën si shtet e kanë njohur Polonia, Çekia, Hungaria, Bullgaria, Rumania, Qipro, Malta. Përveç tyre, e ka njohur edhe Islanda. Qysh në vitin 2009, BE ka konfirmuar gatishmërinë për të njohur shtetin e Palestinës. Në datën 14 tetor 2014 parlamenti britanik, me 274 vota pro dhe 12 kundër, votoi rezolutën, që i kërkon qeverisë britanike të njohë Palestinën si shtet. Një javë më pas edhe parlamenti i Irlandës miratoi një rezolutë, që i bën thirrje qeverisë irlandeze të njohë shtetin e Palestinës. Ndërkohë një grup prej afro 500 personalitetesh izraelite i ka dërguar një peticion parlamentit të Spanjës, ku i kërkon që të njohë Palestinën si shtet, kur të zhvillohet diskutimi i një rezolute të posaçme në muajin nëntor. Mes këtyre personaliteteve është edhe ish-drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Alon Niel, i cili deklaroi me këtë rast se "ne jemi tmerruar nga mundësia, pothuaj realiteti i një shteti të vetëm. Ne kemi frikë se një shtet i tillë do të përfundojë si një shtet aparteidi". Në 29 nëntor të vitit 2012, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi për dhënien e statusit të shtetit vëzhgues për Palestinën, vendim që u miratua me votën e 138 shteteve, përfshirë Suedinë dhe vetëm 9 ishin kundër. Palestina i plotëson të gjitha kriteret e ligjit ndërkombëtar për statusin e shtetit dhe ministrja e Jashtme suedeze solli shembullin e njohjes, që Suedia i ka bërë Kroacisë në vitin 1992 dhe Kosovës në vitin 2008. Në 25 maj të vitit 2014, gjatë vizitës në tokën e shenjtë, Papa Françesku iu referua "shtetit të Palestinës".

Pra, vendimi i Suedisë nuk është një rast i izoluar, por vazhdon dhe sanksionon një realitet dominant diplomatik ndërkombëtar, i cili ka kuptuar se pa njohjen e pa pranimin e Palestinës si shtet, nuk mund të ecë përpara procesi i paqes dhe vetë Izraeli nuk mund të sigurojë paqen dhe qetësinë, që e kërkon që nga viti 1948. Të mos njohësh shtetin e Palestinës do të thotë të inkurajosh kursin radikal dhe elementët ekstremistë të qeverisë së Netaniahut. Suedia është shteti i 135 në botë që njeh shtetin e Palestinës, por hapi i saj shkaktoi tërmet në Tel Aviv, sepse as qeveria radikale dhe as qarqet fondamentaliste ebraike nuk kanë se çfarë t'i thonë Suedisë, vendit klasik të politikës së jashtme të pavarur, demokratike dhe neutrale. E veçanta në rastin e vendimit të Suedisë është se ai mund të merret si shembull nga shtete të tjera europiane, të cilat kanë hezituar deri tani ta bëjnë këtë gjë. Ndikimi dhe reputacioni i Suedisë është i tillë, që mund të krijojë një tendencë të re në shikimin e raporteve në konfliktin e Lindjes së Mesme. Pikërisht për këtë qeveria izraelite do të duhej të mendohej dhe të nxirrte disa mësime nga qëndrimi, që po mban një shtet mik i Izraelit si Suedia, një shtet me nivele të larta dhe të pashoqe demokracie dhe sjellje civilizuese ndërkombëtare.
Është për të ardhur keq që qeveria e Netaniahut dhe e Libermanit reagoi me emocion radikal, duke sulmuar Suedinë dhe duke tërhequr ambasadorin e saj nga Stokholmi. Ministri i Jashtëm i Izraelit, Avigdor Liberman, i cili është emigrant nga ish-Bashkimi Sovjetik, lëshoi disa akuza tipike sovjetike ndaj Suedisë, me një gjuhë aspak diplomatike, duke deklaruar se "qeveria suedeze duhet të kuptojë që marrëdhëniet në Lindjen e Mesme janë më komplekse se një pako me pajisje vetëmontuese të IKEA-s", (firma gjigante suedeze e njohur dhe e pranishme në tërë botën për cilësinë e mallrave të saj të mobilieve dhe pajisjeve vetëmontuese). Ironia rurale sovjetike e Libermanit e kërkonte një përgjigje dhe ajo i erdhi me qetësinë dhe qytetarinë diplomatike të ministres së Jashtme suedeze, e cila deklaroi në "˜CNN' se do të dëshironte t'i dërgonte homologut izraelit një paketë pajisjesh vetëmontuese të IKEA-s dhe ai do të shohë se "ajo që keni nevojë është një partner, ju gjithashtu keni nevojë të bashkëpunoni dhe ju keni nevojë për një manual të mirë".

Mesazhi elegant diplomatik i ministres së Jashtme suedeze sugjeron që Izraeli dhe qeveria e tij aktuale duhet të reflektojnë me realizëm ndaj klimës së re dhe ndryshimeve, që ndodhin në botën diplomatike dhe në marrëdhëniet aktuale ndërkombëtare. Brezat e rij duan paqen dhe paqja arrihet duke biseduar e bashkëjetuar me të tjerët dhe jo duke kërkuar ekskluzivitete rajonale, botërore apo providenciale. Ky është mësimi që del nga vendimi i drejtë i qeverisë suedeze për njohjen e shtetit të Palestinës. Suedia është modeli shoqëror dhe ndërkombëtar, që duhet ndjekur edhe nga Izraeli, edhe nga Palestina.

*Ish-ambasador i Shqipërisë në Suedi.

SHABAN MURATI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.