VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

'HEROIZMI' I RAMËS SI PJESË E NEVOJËS PËR RILINDJE KOMBËTARE
Nga MENTOR KIKIA

E Enjte, 11.13.2014, 08:16am (GMT1)


Padyshim që Edi Rama nuk ka menduar kurrë se do t'i merrte ndonjë premtimin homologut serb se "do e marrim në konsideratë njohjen e Kosovës". Por, me apo protokoll, ai e ka vendosur më parë ta lëshojë "bombën" në konferencën për shtyp, që më shumë i ngjau, fillimisht një fjalimi e më pas një debati televiziv alla shqiptar. Kjo, pasi në Shqipëri, Kosovë e gjetkë shqiptarët ishin gjithë sy e veshë për të parë e dëgjuar se çfarë do të thuhet për Kosovën. Nëse për momentin do të mendojmë se Rama do t'i përmbahej protokollit, sikundër pretendoi Vuçiç dhe nuk do ta zinte në gojë Kosovën, ne do t'i ishim turrur të tërë, për ta akuzuar si njeri që iu lëpi serbëve dhe nuk guxoi të përmendë Kosovën. Por, Rama nuk është nga ajo racë politikanësh që e ha këtë kokërr ulliri.

Padyshim që kryeministri shqiptar nuk shkoi në Beograd si Enver Hoxha në 1946 për të kërkuar mbështetje politike, për të vrarë shokët e tij, apo ca lëmosha në ushqime e teknologji për një vend gjysmë mesjetar. Rama shkoi si kryeministër i një vendi anëtar i NATO-s, në një kohë kur shqiptarët nuk janë më çifutët e dikurshëm të Ballkanit, si dhe për t'u promovuar si një lider europian, në një rajon që pjell vetëm luftëtarë dhe politikanë luftënxitës. Si e tillë, kjo ishte një vizitë e artë për atë vetë, që të vendoste në xhaketën e tij dekoratën e heroit, nga ato që në Shqipëri t'i japin pa kursim. Dhe ia arriti, pasi Rama nuk u prezantua në sytë e Europës aspak si një nacionalist ballkanas, grindavec, luftënxitës e ambicioz, ndërsa në planin e brendshëm politik ai rriti aksionet e tij, ndoshta në pikën më të lartë qëkurse numëroi 1 milion votat që e çuan në selinë e Kryeministrisë.

Ka një arsye madhore se përse shqiptarët, në mënyrë masive, përcollën si heroizëm atë që bëri Rama, i cili në fakt nuk bëri asgjë me shumë, por përmendi një gjë, të cilën serbët e dinë dhe e kanë pranuar, derisa janë në bisedime me "atë shtetin", për të cilin Rama tha se thjeshtë është aty, matanë gardhit serb. Të mësuar tërë kohën me kokulësinë dhe nënshtrimin prej frikës, pasi historia ka treguar se fqinjët tanë, sa herë kanë dashur, kanë marrë nga arat tona tokë dhe na kanë djegur kasollet, shqiptarët janë të etur për pak krenari. Po, po janë të etur ta ngrenë dhe nuk ngopen duke e parë flamurin e tyre shtyllë më shtyllë e pemë më pemë. Ndaj dhe për pak shpallën heronj kombëtarë 11 futbollistë që u zunë me grushte në fushë për një beze që kishte të përbashkët me flamurin tonë zyrtar vetëm ngjyrën.

Sukseset takimeve mes kryeministrave në fakt vlerësohen nga sasia dhe cilësia e marrëveshjeve dhe pasojat që ato kanë në ecurinë e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik, kulturor, social etj., etj. Por në këtë kuadër, shqiptarëve duket se më shumë se kjo, pra ekonomia, u interesonte krenaria. Megjithëse Serbia është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë në rajon dhe padyshim fuqi ekonomike e ushtarake. Në kushtet kur grekët, për arrestimin në Gjirokastër të një minoritari si hajdut pulash, u vinin fshesën mijëra emigrantëve, apo kur serbët për një libër shqip digjnin gjithë shkollën, e maqedonasit po ashtu, shqiptarët sot, po aq sa për bukë duket se kanë nevojë edhe për më shumë krenari. Kanë nevojë të ngrenë zërin në rajonin e tyre, pasi deri dje i kishin lënë atje në fund të kuvendimit, pa i konsideruar. Për këtë arsye, mijëra njerëz, kryesisht të rinj, dalldisën me flamuj në shpinë e vrapuan pas Kreshnik Spahiut kur ai lëshonte shqiponja në Morinë dhe shembte me shkelm një mur simbolik që ndante ende shqiptarët. Për këtë arsye grupimet e tifozëve marrin shpesh më shumë ngjyrimet e organizatave nacionaliste se sa ato sportive dhe për këtë arsye shumë, por vërtet shumë shqiptarë, të hënën u ndjenë krenarë për kryeministrin e tyre, i cili "bash mu në mes të Beogradit ia plasi bombën Serbisë". I tha që Kosova është shtet i pavarur, gjë që në fakt ka vite që dihet edhe nga vetë serbët.

Në kuadër të ridimensionimit të rolit të tyre në rajon, në kushte të reja gjeopolitike, po aq sa kanë nevojë për një "rilindje" ekonomike, shqiptarët kanë nevojë edhe për një rilindje morale, kombëtare a nacionale, ta quajmë si të duam. E ndërsa punët e rilindjes ekonomike nuk janë duke shkuar edhe fort mirë pasi duan para, këto të tjerat mund të shkonin mirë edhe me një deklaratë, ndaj dhe Rama s'kishte si ta linte t'i shkonte dëm ky rast.

Rama është një politikan dinak dhe s'u mendua shumë nëse do të mërzitej apo jo Beogradi, apo Aleksandri dhe se çfarë suksesi do të kishte vizita e tij atje. Ai e dinte se çfarëdo që të thoshte ai, Beogradi nuk do ta njihte Kosovën dhe asgjë nuk do të ndryshonte, të paktën së shpejti, për mirë, mes dy vendeve. Ndërsa tregtarët e miellit, skrapit, këpucëve dhe mallrave të tjerë do ta vazhdojnë të shesin e blejnë edhe më shumë mes tyre, pavarësisht se çfarë ndodhi apo do të ndodhte në pallatin "Serbia".
Padyshim që Rama nuk do ta bënte këtë nëse në mes do të ishte një marrëveshje 1 miliard dollarëshe. Është njësoj si të shkosh në Azerbajxhan e t'i thuash Alievit të bëjë zgjedhje të drejta, kur të gjithë e kanë mendjen te tubat e gazit.

Kështu që Rama e voli këtë vizitë për t'u bërë heroi, sipas njësisë matëse shqiptare, edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Ndërsa Vuçiç, i gjendur mes presionit të nacionalistëve ku bën pjesë edhe ai vetë (shumë të egër në krahasim me nacionalizmën shqiptare) zgjodhi të heqë kufjet dhe të mos dëgjojë me veshët e tij "gjëmën" që po ndodhte. Në fakt, politika serbe e nivelit më të lartë ka 2 vjet që zhvillon bisedime me një shtet që s'e njeh. Bisedon për doganat, kontrollin e kufijve, minoritetet, rendin, luftën kundër krimit... Vuçiç do të mjaftohej t'i thoshte Ramës se "bisedimet me Kosovën i ndërmjetëson Brukseli dhe ne nuk dimë që ky rol t'i këtë kaluar Tiranës tashmë". Por ai preferoi të bëjë gjeste të tilla aspak normale për një kryeministër, për të kënaqur dhe ai të vetët, ata që mendojnë se të paktën këta, "viktimat", nuk mund të kenë kurajën e guximin të na e thonë, të na fyejnë mu këtu në shtëpinë tonë, aty ku ua kanë thënë në fakt të gjithë udhëheqësit e BE-së. Deklarimi i Ramës kishte edhe një vlerë tjetër. Tashmë "ç'kishte për t'u thënë u tha" dhe nuk pritet më lajm në këtë drejtim. Kjo i hapi rrugë që në takimet e ardhshme të flitet më shumë për ekonomi. Kjo deklaratë theu mitin se serbët janë sundues dhe shqiptarëve u duhet të jenë të nënshtruar.

Qetësia me të cilën Rama i tha Aleksandrit: "˜Pranojeni, s'keni ç'bëni. Kosova tani është, nuk zhbëhet më...' i hapi rrugën një epoke, kur të dy popujt, qeveritë dhe politikanët në tërësi ta shikojnë njëri-tjetrin me syrin e të barabartit dhe ta kërkojnë armikun jo më mes tyre, por tek varfëria e përbashkët, siç Rama u shpreh.
MENTOR KIKIA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.