E Enjte, 03.28.2024, 05:02pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
METAFORA E LIRISË OSE DIALOG I PËRFYTYRUAR ME VETEN
Esé nga REXHEP SHAHU

E Enjte, 11.13.2014, 08:52am (GMT+1)




Dashurinë dhe lirinë i kemi shkruar me lotë
Ende nuk i kemi shkruar me gjak...


E nisa që në krye me këto dy vargje të miat, që përcjellin atë që më mundon.
Mendohet e thuhet se kur kërcasin armët, heshtin muzat. Por shqiptarët duket nuk e patën këtë fat, ose nuk kaluan nëpër një fat të tillë, pasi për to nuk pushuan kurrë armët. Kur nuk kërcasin armët kundër të huajit, në ia shprazim vetes.

E kemi bërë paqen më në fund dhe pushuan armët e zjarrit që villnin vdekje, por nuk pushuan kurrë armët tona të luftës imagjinare në mendjen tonë, luftë që rrit frikën, vret lirinë dhe pengon rritjen.

Lufta imagjinare duket se i ka bërë si Don Kishotë shkrimtarët e poetët. Mua më duket vetja si Don Kishot që i dal tankut përpara.

Liria ia ka mundësuar gjithkujt që i bie dielli fytyrës të thotë se jam shkrimtar, poet. Ka shumë libra, shumë vargje, por druaj se poezi ka pak. Thuhet se nuk lexohet poezia e letërsia për shkak se njerzit nuk lexojnë. Lexuesi nuk mundet të gjurmojë e hulumtojë ku është poezia e vërtetë. Atij i bie në dorë një libër me vargëzime banale të ndonjë poeti të shpikur dhe neveritet. Se nuk ka një kritikë, që në mos bëftë gjë tjetër, në mos krahasoftë dhe evidentoftë vlera, së paku në vija të trasha të njoftojë lexuesin se çfarë duhet lexuar e çfarë jo, një kritikë që nuk i bën apologji mediokritetit.

Pushteti i inferiorëve të bashkuar, i divizioneve të mediokërve është i madh, shkatërrues dhe i papërballueshëm si gjithmonë e si kudo.

Sot ne shqiptarët kemi një atdhe që është aq sa u ka teprue pushtuesve tonë.

Komunizmi erdhi në Shqiperi përmes pushkatimesh dhe jo me mbrëmje vallëzimi. Nëse nuk do ta shkruajnë këtë të vërtetë shkrimtarët shqiptarë, që dinë të shkruajnë, nuk do t'i pranojnë varret brenda.

Më bëhet shpesh të them se ne shqiptarët jemi si kompraçikosët e Hygoit. Jemi rritë në kushte të enës së deformuar, të vozit të deformuar. Edhe liria jonë më duket ka marrë format e vozit, format e qelisë së burgut.

Pushtimi serb dhe pushtimi komunist kanë sjelle deformim aq te rëndë sa vështirë të bëhëmi normalë edhe për shumë kohë.

Diktatura komuniste në Shqipëri, në emër të krijimit të njeriut të ri, përçudnoi njerzit aktualë, i deformoi pa mëshirë, i burgosi në burgje dhe në kampe përqendrimi me tela me gjemba, shkurt prodhoi kompraçikosë në gjysmën e dytë të shekullit të 19, mu në mes të Europës, kompraçikosë nga njerzit e racës më të admmiruar e të lakmuar nga Europa që në shekuj i ka përdorë këto njerëz për përmirësimin e racave të tjera.

Fara e njeriut të ri që mbolli diktatura komuniste në Shqipëri, si në sera, ara e kopshte, polli monstra të përbindshme të dhunës ndaj të dobtit, të përbuzjes ndaj të pamundshmit, ndaj të vobektit, kampionë të vesit, polli zotvrasës, nënëvrasës, atdhevrasës, babëvrasës, gruavrasës, gruashitës, motërvrasës, fëmijëvrasës, fëmijëshitës, motërshitës, që e kanë të moralshme arritjen e qëllimit me rrugët dhe mjetet më të pamoralshme duke shitë e këmbyer motrat, gratë e vajzat e tyre me poste, privilegje e përfitime të përkohëshme, duke vrarë qëndresën e njerzve, duke vrarë mirësinë, besën, nderin, krenarinë, duke bërë gjithçka e çdo gjë të shitshme në pazare të hapta e të fshehta.

Por diktatura komuniste në Shqipëri, historinë e të cilës shqiptarët po vonojnë ta shkruajnë duke ndëshkuar kështu përditë e më shumë veten dhe të ardhmen e tyre, duke ndëshkuar përditë e më shumë atdheun e fëmijët që lindin në këtë vend që ende premton pak se është peng i fijeve të helmëta të diktaturës komuniste dhe veseve që morën qytetarët në diktaturë, pra diktatura komuniste vazhdon të jetojë përmes dëshmive të rreme që përcillen në literaturën tonë të kohës së komunizmit e të postkomunizmit. Shkruhen shumë deshmi të rreme nga historianë të porositur që janë pengje të së kaluarës së tyre, që janë pinjollë e bij pinjollësh të diktaturës, nga shkrimtarë të shpikur gjithashtu pengje të diktaturës dhe të mungesës së talentit, të cilët kujtojnë se shkrimi është gjëja më e lehtë në botë, kur në fakt shkrimi është gjëja më e vështirë dhe e rëndë e botës, dhe dëmi që sjellin me shkrime të këqia është si të djegësh tokën me nepal ose si të helmosh ujrat e botës e të ngordhin gjithë qeniet që jetojnë në dete e oqeane.

Shkrimtarët që nuk shkruajnë të vërtetën e tyre për diktaturën, që nuk shkruajnë vetën e tyre edhe nëse janë ndëshkuar edhe nëse janë përkëdhelë nga diktatura, harrojnë se historia do t'i ndëshkojë për pjesëmarrës në krime, për moskallxim krimi, për dëshmi të rreme. Dëshmia e rreme është po aq e rëndë sa krimi i bërë nga diktatura se me dëshminë e rreme mbron krimin e diktaturën kriminale.

Shumë poetë e shkrimtarë mburren para njerzve të ndryshëm, para grave e familjarëve të tyre se kanë bërë apo janë duke bërë diçka, se kanë shkruar a se po shkruajnë. Por ta bësh diçka është tjetër e të shitemi apo të shtiremi se po bëjmnë diçka është krejt tjetër gjë.

E njejta gjë është edhe tek cilësia e të bërit të diçkaje. Ne shkruajmë, por shpesh harrojmë se ajo që shkruajmë e cënon rëndë të shkruarin si akt, si mision, se ajo që kemi shkruar në mënyrë jo të sinqertë, e shëmton misionin e qëllimin e magjisë së të shkruarit. Dalim sërish te ajo që më mirë të mos e shkruajmë një gjë se sa ta shëmtojmë një subjekt a një histori. Të shkruarit është gjëja më serioze e njerzimit sepse ka të bëjë me kujtesën e botës, me mosshuarjen. Po për fat të keq me këtë mision merren edhe ca njerëz që nuk kanë çfarë gjëje më të keqe të bëjnë me jetën e në jetën e tyre, ca njerëz që janë dështim total në jetë, që duan pak dritë dielli, pak vemendje që ju ka munguar gjithë jetën, pak dashuri që s'e kanë njohur kurrë, pak famë për të cilën janë garti të shesin fëmijët.

Para të huajit jemi dhe sillemi sikur jemi në shekullin e 22, para vetes jemi e sillemi sikur jemi në shekullin e 15.

Liria na mundëson të botohet sot gjithçka, të këndohet gjithçka, të shëmtohet, shuhet apo sfumohet kultura kombëtare, identiteti kombëtar dhe të mbytet nga telenovelizmi banal e bastard. Libra shqiptare nuk lexohen. Thonë edhe se s'ka. Por telenovela banale të huaja lexohen se tregu i letërsisë banale është treg gabi. Telenovela vrasëse shihen dhe sikur sillen enkas me bindë shqiptaret se ajo është jeta që duhet të bëjnë, se jeta moderne është ajo turke a meksikane ku kurvëritë e skllavëritë s'kanë të sosur, ku nuk flitet askund për jetë reale e bindesh se vetëm për punë nuk ka nevojë kjo botë por vetëm për kurvëri dhe shikimi i telenovelave është punësim më vete, është punë e papaguar që shkatërron shijet dhe vret punën.

Janë marrosë të gjithë për tu bërë të famshëm. Merri lekë familjes ose shit trupin dhe bëj këngë. Jemi këngëtarë për dere, poetë për dere, shkrimtarë për dere. Çdo adoloshent del poet, çdo pensionist del ose historian ose poet adoloshent. Letërsia e poezia nuk është kompensim dashurie por si e tillë po merret sot. Të deshpëruarit a të deshpëruarat në kushtet e mungesës së dashurisë shalojnë poezinë. Si në kushtet e agresionit të banaliteteve të huaja dhe pranimit që i bëjmë ne, si në kushtet e presionit të mediokriteteit, ajo që cënohet e demtohet rëndë është identiteti kombëtar i shqiptarëve, të cilin na e kanë sulmuar e nuk do të pushojnë kurrë së sulmuari të tjerët.

Më bëhet se liria ka peshë më të rëndë se mungesa e saj dhe, ndoshta për shkak të kohës së gjatë në paliri, druaj se është e vështirë sjellja në liri, administrimi i lirisë dhe vetes në kushte lirie.

 Sepse edhe nëse jam i lirë nga pushtuesi, qoftë i huaj, qoftë vendas, nuk jam i lirë nga vetja, dhe prangat me të cilat kam të lidhur guximin, besimin dhe të ardhmen, janë më të forta e të rënda se zingjirët me të cilët më lidhte këmbët pushtuesi, xhelati, gardiani, komandanti, kryetari, komisari, sekretari, brigadieri, përgjegjësi, shefi, drejtori...
Çdo krijues në botë, e thotë apo jo, deshiron të ketë lexues, të njihet, të publikohet sa më shumë dhe nuk pajtohet me mos vemendjen e publikut ndaj tij. Mospajtimi me pavemendjen jo gjithmonë shërben si nxitje për punë të madhe, për guxim të madh për ta shfrytëzuar lirinë dhe mundësitë e arta që jep ajo. Sepse harrohet neni i parë - i lirë me qenë i sinqertë, i lirë me besue dhe me bindë veten se vetëm shpirti është i shenjtë. Mungon guximi me u përballë me veten, me temat e mëdha e të thella të marrjes thellësisht me veten tonë.

Ditët e para sa u çlirua Kosova, shkova ne Gjakovën e vrarë e të djegur me mikun tim Izet Durakun. Mua mu duk se aty ku ka patur më pak serbë, shkatërrimi e ka patur dorën më të rëndë. Nga mijëra rrëfime e dëshmi që kam dëgjuar, nuk më hiqet nga mendja se si një grua, ne ikje për të shpëtuar, hodhi tej foshnjën e saj. Ditët e vitet kalojnë dhe unë përditë e më shumë kujtoj ate grua. Nuk di si ta lexoj e ta shkruaj. Në gjithë krijimtarinë tonë ne vdesim për të shpëtuar fëmijët. Në gjithë poezinë time deri sot unë vdes që të shpëtoj fëmijët e mi. Por jo, nuk kam qenë i sinqertë, as trim, as i ndershëm. Nuk përballem me të vërtetën si në gjyqin e fundit para zotit. Letërsia ime, e jotja, e atij, e këtij, a e shfaq shpirtin e sejcilit.

Une nuk e shkrova kohën dhe atmosferën e pushtimit serb në Kosovë apo të pushtimit komunist në Shqipëri, nuk ia shplova rrënjët asaj historie.

Në burg, në internim, në shtëpi në kushte mjerimi e skamje, nëna shqiptare arrnonte me fijet e flokëve të saj pantallonat plot arna të djalit, që për shkak të arnave të shumta nuk dihej se cila copë ka qenë fillestare për ato pantallona. Unë nuk e kam shkruar këtë letërsi, se druhem, frikem, nuk jam i lirë.

Në këtë letërsi që dëshmon pushtimin serb unë shoh edhe fuqinë e dy gishtave lart, shoh a ka qenë e mjaftë kjo për të thënë unë e bëra detyrën ndaj atdheut, shoh lotë, ndjej dilemën, a me derdhë lotë a me derdhë gjak....

Por shoh edhe ata që tërhoqën gishtin në këmbëz të pushkës, dhe që na mësuan se tani e gjithmonë është nder e lavdi me vdekë për atdhe. Edhe pse ka që kullosin atdheun i harrojnë shpejt shokët e rënë në luftë, shokët e plagosur në luftë, shokët që mbetën pa sy, pa duar, pa këmbë, se i lanë në luftë dhe nuk mund të rendin nëpër tubime, nuk mund të duartrokasin...

Unë vuaj që nuk bëj dot letërsi të tillë emocionale që të mund ta djeg me akull lexuesin dhe ta ftoh apo ta ngrij me zjarr. Unë nuk po mundem të bëj letërsi që të çlirohem nga vetmashtrimi, nga vetmburrja, se nuk jam thellësisht i sinqertë me veten, me ëndrrat e mia, se mua më vjen turp nga ëndrrat e mia të gjumit të thellë.

Ne ende nuk i shkruajmë dhe rrëfejmë në mënyrë të sinqertë e të ndershme tragjeditë e dëbimit e të largimit të shqiptarëve nga atdheu. Kemi patur shume debime e debohemi perdite. Se liria jonë nuk ka shpëtuar ende nga dhuna më e egër që ushtron frika jonë ndaj vetes tonë.

Per fund, do te lexoj dy vargje te hershme te miat:

Une e atdheu jemi jek e jek
Çerek jam unë, atdheu çerek...


REXHEP SHAHU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MEDITIM NË KAMPIN E SHFAROSJES TË TEPELENËSNga RESHAT KRIPA (11.13.2014)
'HEROIZMI' I RAMËS SI PJESË E NEVOJËS PËR RILINDJE KOMBËTARENga MENTOR KIKIA (11.13.2014)
RAMA T'I LUTEJ VUÇIÇIT QË TA ZHBLLOKOJË KRIZËN NË KOSOVËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (11.12.2014)
RRETH VIZITËS SË KRYEMINSTRIT RAMA NË BEOGRAD DHE BLLOKADËS SË BERAT BUZHALËS NË FACEBOOKNga ELIDA BUÇPAPAJ (11.11.2014)
DR ELEZ BIBERAJ - SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT NË UDHËN E RIMËKËMBJESNga FRANK SHKRELI (11.10.2014)
PUTINI DEL NË MBROJTJE TË PAKTIT MOLOTOV-RIBENTROPNga Prof. dr. ESHREF YMERI (11.10.2014)
TEATRI KOMBËTAR, CENSURA E DJESHME ZYRTARE ËSHTË ZËVENDËSUAR SOT ME NJË CENSURË TË FSHEHTËNga RESHAT KRIPA (11.10.2014)
AI VEND KU NUK LEJOHEN KUNDËRKANDIDATURAT, ËSHTË DIKTATURËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (11.09.2014)
NJË KOP PËR BASHËN APO PËR PD-në E RE?Nga MENTOR KIKIA (11.09.2014)
NGA NJËRA ANË VLAN &PDK – NGA ANA TJETËR AMERIKA & AMBASADA E SHBA NË KOSOVË– Zonja Clinton nuk do ta kishte toleruar këtë situatë 5 muajNga ELIDA BUÇPAPAJ (11.08.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]