VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

GËZUAR DHE PËR SHUMË VJET 28 NËNTORI
Nga FRANK SHKRELI

E Mërkurë, 11.26.2014, 07:28pm (GMT1)


 Bota që kur është zënë, Shqipëria gjallë ka qënë, ka thënë Naim Frashëri. Dhe gjithnjë gjallë do të jetë!  102 vjeë Shqipëri! Më në fund në liri!  Shpallja e Pavarësisë është festa më e madhe e çdo kombi, e sidomos për Shqipërinë dhe për shqiptarët, ndonëse ajo erdhi pas disa shekuj nën Perandorinë osmane, pushtimesh të huaja dhe vuajtjesh të mbrendshme.  Gjatë gjithë historisë, kombi shqiptar i qëndroi besnik trashëgimisë së vet kombëtare duke kundështuar dhe duke luftuar armiqët dhe pushtuesit që donin t'a zhduknin nga faqja e dheut.
 
Ëndërra  shekullore për liri që digjte në zemërat e shqiptarëve, më në fund u realizua më 28 Nëntor, 1912, kur kombit shqiptar, ngritja e Flamurit kuq e zi të Gjergj Kastriotit-Skënderbe në Vlorë,  i gëzoi sytë dhe zemrën shqiptarëve kudo.  Fatkeqsisht ky gëzim nuk zgjati shumë, pasi kombi shqiptar u gjetë prap, para një historie fatzezë të shekullit të kaluar, histori e cila ka lënë plagë të rënda në trupin e kombit që sot e kësaj dite ia kanë ngadalësuar hovin drejtë një të ardhme më të mirë. Por festa kombëtare e 28 Nëntorit duhet të shërbejë si një frymëzim dhe burim fuqie, megjithëse njerzit mund të ndjehen të lodhur dhe të zhgënjyer sidomos nga çerek shekulli i kaluar,  25-vjetë pas shëmbjes së komunizmit.  Por, megjithkëtë nuk duhet harruar se kombi shqiptar mbijetoi regjimin më të egër komunist në Europë dhe se gjatë gjithë historisë është përballur me probleme të llojllojshme dhe tragjedi të vështira, e që më në fund ia ka dalë qëllimit. 
Por, mjaftë me të kaluarën e vështirë! I takon këtij brezi të shqiptarëve, të kësaj klase politike në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha trojet autoktone në Ballkan, që më në fund"”të lënë mënjanë, të heqin dorë njëherë e mirë nga dallimet dhe interesat vehtjake dhe partiake dhe të shikojnë drejtë interesave të përbashkëta, me qëllim që të ndërtohet një bashkësi  vëllazërimi dhe të ideali kombëtar, ashtu siç e donin Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Buletini  e tjerë, në vitin 1912.  Është përgjegjësi morale e këtij brezi që të bëjë ç'mos që të fillojë përpjekjet për të krijuar bazën e një bashkjetese -- besë e bashkim me njëri tjetrin -- për  një komb ashtu siç e këndonin Naim Frashëri, At Gjergj Fishta dhe të tjerë.  Kurrë më parë në historinë e tij, kombi shqiptar nuk ka qenë në gjëndje më të mirë dhe më të përshtatshme se ç'është tashti që të harmonizojë dhe bashkrendojë mundësitë dhe aftësitë  e veta për krijimin e një shteti modern, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, në përputhje me interesat kombëtare, në përshtatje të vlerave perëndimore dhe në bashkpunim me organizmat euro-atlantike. 

Në këtë mënyrë dhe në këtë ditë të lavdishme të historisë së kombit shqiptar, ju që sot kini privilegjin dhe nderin të keni në duarët tuaja frenat e fatit dhe të ardhmen e shqiptarëve,  jo vetëm që me një bashkpunim më të ngusht politik do të nderonit Atdheun dhe lavdinë e atyre patriotëve që shpallën Pavarësinë e kombit shqiptar më 28 Nëntor, 1912 por njëkohsisht  do të ringjallni ndjesitë dhe shpresa të reja për një rilindje të vërtetë për mbarë kombin shqiptar, si pjesë e asaj familjeje të madhe trako-ilire, që sipas At Gjergj Fishtës, ishte "në nam e në za në historinë e fiseve dhe të kombeve".  Ka ardhur koha që kombi shqiptar, me nder e krenari, përsëri, të zejë vendin që meriton dhe që i takon në radhët e fiseve dhe të kombeve  të lira dhe të përparuara.
Ky brez i kësaj klase politike që sot është në krye të kombit shqiptar, duhet të jetë i vetdijshëm se këtë borxh ia kanë atij brezi patriotësh të zgjedhur të kombit, të cilët -- nën rrethana shumë më të vështira se sot -- gjetën mënyra bashkpunimi me njëri tjetrin për t'i hapur kombit shqiptar rrugën e lirisë si dhe ditë fatlume të pavarësisë, që gëzon sot kombi shqiptar në dy shtete.  Njëkohsisht, ata i kanë borxh edhe brezave të ardhëshëm që të  mos shkelen dhe mos të nepërkëmbet mundi, djersa, sakrificat dhe parimet e Rilindasve që i dhuruan kombit  pavarësinë!

Të pakën kjo është dëshira ime e sinqert nga Amerika e largët dhe besoj e shumë shqiptarëve kudo në botë.

Për shumë mot e gëzuar 28 Nëntorin, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë.

FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.