VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Barometri diplomatik
JO, SERBISË 'DALJE NË DET'
Prof. Dr. MEHDI HYSENI

E Shtunë, 11.29.2014, 12:01pm (GMT1)


*** Si Nikola Pashiqi (ish-kryeministër i ish-Mbretërisë Serbe dhe i ish-Mbretërisë Jugosllave " 1912...1926"), si Slobodan Milosheviqi (ish-president i Serbisë gjenocidale, 1992-1999), ashtu edhe Ivica Daçiqi (ministër aktual i Jashtëm i Serbisë së Tomislav Nikoliqit, president, 2014) të gjithë këta (në kohë dhe në rrethana të ndryshme historike dhe politike) kanë pasur dhe, edhe sot kanë një strategji të pandryshuar të përbashkët-"daljen në deti" të Serbisë së Madhe. Kjo strategji, edhe sot, në kohën e integrimeve euroatlanike, paraqet rrezik potencial për popujt dhe territoret e Kroacisë, të Bosnjës dhe të Shqipërisë.
*** Këtë sëmundje psikopatologjike shekullore të Serbisë së Madhe kolonialiste, pushtuese dhe gjenocidale, para ca ditësh e ripohoi edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq në Konferencën Themeluese të Makrorajonit Adriatik-Jon, bërë në Bruksel, më 18 nëntor 2014, i cili, nënvizoi se "Objektivi strategjik i Serbisë është dalja në deti".( http://www.vecernji.hr/svijet/srbijanski-ministar-dacic-srbiji-je-strateski-cilj-izlaz-na-more-974229//).

Kjo do të thotë se, edhe Serbia e sotme me në krye T.Nikoliqin (president), me A.Vuçiqin(kryeministër) dhe me Ivicia Daçiqin (minister i Jashtëm), ende nuk ka hequr dorë nga strategjia politike e hegjemonizimit dhe e ekspansionizimit kolonialist, neokolonialist dhe militarist ndaj territoreve autoktone të Shqipërisë dhe të Kroacisë mbase kjo është "formula" e vetme, që Serbia të realizonte qëllimin strategjik shekullor të saj, edhe për "daljen në det", ashtu siç veproi dhe luftoi, këtu e 100 vjet më parë (1912-1999).

Kjo deklaratë provokuese e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, gjenezën e ka më se njëshekullore (1912-2014), e cila, edhe sot në fillim të dekades së dytë të shekullit XXI, figuron e pandryshuar në elaboratet hegjemoniste dhe terroriste famëkëqija antishqiptare të shovinistëve serbomëdhenj siç janë : Jovan Cvijiq, Vasa Qubrilloviq, Ivo Andriq, Dobrica Qosiq, Slobodan Milosheviq...etj.

Këtë e provon edhe Projekti i parë zyrtar i qeverisë serbe për jetësimin e objektivit strategjik "dalja në deti" e Serbisë, ishte " ndërtimi i vijës hekurudhore Danub-Durrës" autor dhe propozues i të cilit ishte vetë kryeministri i qeverisë serbe, Nikola Pashiq, i cili e kishte përfshirë në "15 pikat e Traktatit të Fshehtë të Aleancës Ushtarake të Mbretërisë Serbe me Esat Pashë Toptanin, të nënshkruar në Nish, më 17 shtator 1914".
"Dalja në deti" e Serbisë (në çfarëdo cilësie) rrezikon interesat stretgjike të Amerikës dhe të aleatëve të saj në Ballkan.

Para së gjithash, këtë kërcënim serioz të Serbisë ndaj interesave gjeostrategjike, ushtarake dhe ekonomike etj. ndaj SHBA-së dhe Evropës Perëndimore, si dhe ndaj interesave gjeopolitike të Kroacisë, të Bosjës dhe Shqipërisë, duhet mbajtur parasysh, në plan të parë, kursin e politikës "dualiste" zyrtare të Beogradit, i cili, njërën anë, do hyrjen në BE, kurse në anën tjetër, nuk do të shkëputet nga zona e influences së Rusisë në Ballkan. Këtë rreshtim (të bazuar në tradicionalen historike të interesave strategjike të "nënës Rusi" në Ballkan), e dëshmon, edhe çasja negative e politikës zyrtare të Serbisë ndaj Ukrainës, e cila, me gjithë apostrofimin e BE-së, ajo ende nuk ka vendosur saknsionet ndaj Moskës, për shkak të ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

Gjithashtu, zbarkimi i arsenalit dhe i trupave ushtarake ruse në territorin e Serbisë (në emër të stërvitjes së përbashkët të trupave serbo-ruse, kinëse për të luftuar terrorizmin në rajon) afër kufijve të Bosnjës dhe të Kosovës, është demonstrim i hapët ushtrimit të forcës dhe i politikës së kërcënimit me forcë , që paralajmëron jo vetëm Kosovën, Bosnjën dhe Kroacinë, por, para së gjithash, edhe faktorët politikë dhe ushtarakë ndërkombëtarë paqësorë, të pranishëm në Ballkan, që në mënyrë permanente, të jenë vigjilentë dhe në gjendje gatishmërie në ruajtjen dhe në mbrojtjen e stabilitetit, të sigurisë dhe të paqes në Ballkan. Në këtë kontekst, duhet analizuar dhe vlerësuar, edhe ndërtimin e bazës ushtarake ruse në Nish si kundërpeshë Bazës ushtarke amerikane në Bondstill të Ferizajt.

Demilitarizimi i Serbisë qetëson Ballkanin

Nuk ka asnjë dilemë se pa reformimin dhe demokratizimin evro-perëndimor, si dhe pa demilitarizimin total të Serbisë së mbeturinave politike fashistoide të Milosheviqit, të Sheshelit, të Nikoliqit, të Daçiqit dhe të Vuçiqit (të gjithë këta, gjatë viteve 1992-1999, ishin veprimtarë dhe bashkëpunëtorë politikë lojalë dhe "dora e djathtë" e regjimit çetniko-fashist dhe gjenocidal të Slobodan Milosheviqit), as Shtetet e Bashkuara të Amerikës e as Evropa Perëndimore, nuk duhet pranuar, as lejuar që Serbia të ketë "dalje në det", sepse kjo ende ushqen ambicie dhe ka pretendime territoriale si ndaj Shqipërisë, ashtu edhe ndaj Kroacisë dhe Bosnjës, gjithnjë , duke u mbështetur në ndihmën tradicionale politike dhe ushtarake të Rusisë. Këtë, para së gjithash e dëshmon edhe "Republika srpska", e cila u krijua me terror, me agresion dhe me gjenocid (1992-1995) në sy të Evropës dhe të tërë botës, edhe pse sipas rregullave, normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare, është e papranueshme, sepse është krijuar me forcë dhe me gjenocid.

Skandali diplomatik i Daçiqit në Bruksel


Këtë deklaratë provokuese të ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiq, masmediat kroate me të drejtë e cilësuan si "skandal diplomatik" në Bruksel, për shkak se kjo bëhet ditën e shënimit të masakrës në Shkabër në afërsi të Zarës, kur "Serbia më 1991 bëri masakër ndaj popullsisë kroate, me qëllim që të dilte në deti".

Kjo deklaratë me përmbajtje retrograde vampirizuese e Ivica Daçiqit, se "Objektivi i Serbisë është dalja në deti", do të duhej, të diskreditohej nga të gjithë pjesëmarrësit e Konferencës Themeluese të Rajonit Adriatik-Jon", sepse në fokus ka ringjalljen dhe riaktivizimin e strategjisë shekullore të Serbisë së Madhe, që duke pushtuar dhe kolonizuar territoret shqiptare dhe kroate, të dalë në Detin Adriatik.

Strategji e vjetër gjenocidale


Vështruar në retrospektivën historike, të gjitha luftrat pushtuese të derisotme të Serbisë (1912-1999) kundër Shqipërisë, Kroacisë dhe Bosnjës, kanë qenë në funksion të zbatimit të strategjisë politike dhe gjeopolitike të saj për "daljen në det".

Kjo strategji politike e Serbisë është vjetër sa edhe të gjitha luftërat gjenocidale dhe agresionet pushtuese kolonialiste të saj në kurrizin e popujve dhe territoreve autoktone të Kroacisë, të Bosnjës dhe të Shqipërisë Etnike (1912-1999).

Mirëpo, me gjithë viktimat e shumta milionshe shqiptare, kroate dhe myslimane boshnjake, të shkaktuara nga luftrat gjenocidale pushtuese të Serbisë për të "dalë në deti", deri më sot, asnjëra prejt tyre nuk ia ka arritur qëllimit, që të "rrumbullakësonte" një strategji të tillë fashiste hitleriane në kurrizin e Shqipërisë dhe të Kroacisë (1912-2014).

Sa më sipër, Serbia duhet të japë prova konkrete, së pari, duke hequr dorë nga rreshtimi në aleancën me Rusinë, së dyti, duke e njohur Republikën e Kosovës, së treti, duke hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj territoreve autoktone të Kroacisë, të Bosnjës dhe të Shqipërisë, si dhe së katërti, të demilitarizohej pa asnjë kusht dhe pa asnjë garanci. Vetëm një diskurs i këtillë I Serbisë së stome me përmbajtje të politikës paqësore ndaj vendeve të theksuara fqinje, do të t'i hapte rrugë të sigurt Serbisë, që të aderonte në BE dhe në NATO. Ndryshe, ashtu sikurse ka deklaruar edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq në Konferencën Themeluese të Makrorajonit Adriatik-Jon në Bruksel, më 18 nëntor 2014, Serbia kurrë nuk do të braktisë strategjinë e saj shekullore të "daljes në deti" në kurrizin e territoreve dhe të popujve të Kroacisë, të Bosnjës dhe të Shqipërisë. Këtë e kanë provuar edhe tri gjenocidet e fundit të Serbisë së Slobodan Milosheviqit kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1992-1999).

Prof. Dr. MEHDI HYSENI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.