VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DËSHMI TË KRIMEVE KOMUNISTE
Nëpër faqet e librit “Rikthimi i dhimbjes”
Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

E Martë, 12.02.2014, 08:23am (GMT1)


 
Në një shkrim të paradisaditshëm, të botuar në internet me titull "Në gjurmët e krimit komunist", pata folur për takimin që pata në fillim të tetorit me zotin Enver Lepenica që më dhuroi tre libra mjaft interesantë nga korpusi i pasur i krijimtarisë së tij në lëmin e historiografisë. Në bisedë e sipër, kur ra fjala për ngjarjet e kohës së luftës në krahinën e Vlorës, më këshilloi që të lexoja librin e Sofokli Lazrit me titullin e lartpërmendur, i cili, sipas tij, ishte mjaft tërheqës për ndodhitë që përshkruhen në të.

Për të rënë në gjurmët e këtij libri, i cili, siç më tha bashkëbiseduesi im i nderuar, ishte botuar gjashtë vjetë më parë, vendosa t'i telefonoj zonjës Drita, bashkëshortes së prof. Sofokli Lazrit, me të cilën kemi qenë kolegë për shumë vjet në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Ruse të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Pas pyetjes sime se si mund ta gjej librin në fjalë, zonja Drita më rekomandoi të interesohesha në Shtëpinë Botuese "Toena", ku libri ishte botuar në vitin 2008. Pasi telefonova atje menjëherë, më njoftuan se pas dy ditësh mund të shkoja ta merrja.

E lexova me një kërshëri të jashtëzakonshme, vetëm gjatë një pasdite deri në darkë vonë. Gjithsej 174 faqe.

Vrasja barbare e Ramize Gjebresë

Kur e mbarova së lexuari, një valë dëshpërimi ma përshkoi gjithë trupin. Autori, si mjeshtër i penës, në këtë libër është zhvendosur në vitet 1943-1944, në zjarrin e luftës antifashiste, asokohe kur ai, si anëtar i një çete partizane, ishte gjithsej 20 vjeç. Boshtin kryesor të këtij libri e përbën historia e dashurisë tragjike të Ramize Gjebresë me Zaho Kokën. Por jo më pak mbresa të dhimbshme më la marrëdhënia e autorit me një nacionalist të nderuar dhe vrasja enigmatike e sekretarit organizativ të qarkorit të Vlorës Mynyr Xhindi.

Sofokli Lazri e përshkuan me hollësi njohjen me Ramize Gjebrenë dhe ndalet në marrëdhëniet e saj me Zaho Kokën, me të cilin ai kishte të bënte se ishte nga fisi i nënës së tij, flet për gjyqin partizan që u organizua kundër saj dhe vendimin për pushkatim. Ai shkruan me dhembje në shpirt:

"Unë s'kam dashur të mësoj as të dëgjoj për detajet e atij gjyqi, as për qëndrimet individuale të gjykatësve. Ata i kam pasur shok e miq, kam luftuar së bashku me ta, kam punuar prapë bashkë me ta pas luftës. Jam përpjekur në çdo mënyrë ta evitoj këtë bisedë për t'u njohur me shkallën e mëkatit të tyre... Ekzekutimi i Ramizesë u krye në mënyrë barbare, tmerronjëse e kafshërore" (f. 71-72).

Çuditësisht, para Brigatës V, në fshatin Ramicë të Smokthinës, vendndodhja e komandës së Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, ku do të kryhej ekzekutimi i Ramize Gjebresë, nuk foli as Komandanti i  Brigadës, Shefqet Peçi, as komisari, Hysni Kapua, as zëvendëskomisari, Manush Myftiu. Fjala për të folur iu la Hito Çakos. Me këtë rast, autori nënvizon:

"Duhej të dukej se kërkesat për masa të rrepta dhe radikale vinin nga poshtë, ndërsa ata që ishin lart zbatonin dhe realizonin dëshirën e masave, të popullit. Kjo u shndërrua pastaj në një metodë banale e që u përdor gjerësisht në Partinë e Punës për spastrimin e "zullumqarëve" të saj të brendshëm" (f. 72-73).

Më poshtë, në librin e vet Sofokli Lazri citon frazën e vetme që Hito Çakua pati shqiptuar për ekzekutimin e Ramize Gjebresë:

"Gjyqi partizan e dënoi Ramize Gjebrenë me vdekje për çështje morali" (f. 73).

Dhe autori i librit shpërthen:

"Por në emër të cilit moral? Atij islamik, kristian, të Papa Zhulit, të kanunit të Lekë Dukagjinit apo të sulltan Selimit? Normat e moralit në Shqipëri kanë qenë të ndryshme, ashtu siç janë edhe sot. Parimet etike mbi të cilat mbështetej kodi civil francez, që ishte marrë nga Zogu si model për gjyqet shqiptare, kishte mbetur një filozofi e huaj për shumicën e njerëzve... (po aty).

Për edukatën e shëndoshë që kishte marrë në familje, për formimin e tij si i ri me ide përparimtare, i ndikuar me siguri edhe nga fakti që babain e kishte emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sofokli Lazri nuk mund të ndante kurrsesi të njëjtat pikëpamje për moralin me ata që vendosën ta pushkatojnë padrejtësisht një vajzë partizane që ishte në lulen e rinisë. Ja se si arsyeton ai për ata që morën atë vendim të kobshëm për vrasjen e Ramize Gjebresë:

"Ata kishin bërë shkolla, kishin jetuar nëpër qytete dhe ndonjëri kishte qëndruar edhe jashtë shtetit. Por tek ata jetonin dy shpirtra. Ai komunist-liberal dhe ai tradicional turko-oriental shqiptar. I dyti ishte më i ngulitur, ishte thithur bashkë me qumështin e nënës. I pari ishte akoma në embrion, i parritur dhe rrethohej nga një atmosferë tepër konservatore e që, për t'u burrëruar, do të duhej të kapërcente shumë pengesa dhe të bënte shumë sakrifica" (f. 142).

Sofokli Lazri e ka përjetuar me një gjendje mjaft të rënduar shpirtërore vrasjen e Zaho Kokës më 08 qershor 1944. Është folur e shkruar shumë për Zaho Kokën, është theksuar se ai shkoi të nxirrte 2-3 gjermanë që qenë strehuar në kishën e vogël Shën Pjetër të Vunoit, siç e përshkruan në këtë libër edhe vetë Sofua, pas një përpjekjeje që u bë me një repart gjerman, i cili u shpartallua plotësisht. Por, çuditërisht, dy shokë që e shoqëronin Zahon kur po i drejtoheshin kishës, e patën braktisur dhe patën marrë arratinë.

Në këtë libër autori bën një vlerësim të jashtëzakonshëm për Zaho Kokën:

"Mungesën e burrërisë ai nuk e toleronte, as te vetja, as te të tjerët. Në Ramicë ai i mori mbi vete të gjitha fajet. Dhe pranoi të gjitha dënimet sipas kanuneve shqiptare. Me ndërgjegje të pastër vendosi që kryqin e rëndë të "mëkatit" ta mbante vetë. Ai do të pranonte çdo qortim për gabimet e çdo dënim për fajet, por nuk do të pranonte kurrë të rrinte me shokë që i shmangeshin luftës, me hileqarë e mburravecë. Ai nuk kërkonte të ishe medoemos trim si ai, as bindje të pakushtëzuar. Ai donte vetëm ndershmëri e shoqëri të sinqertë, ndryshe le të rrije në shtëpi. Dhe pati nga ata që në fillim shkuan me të, por që ai i dëboi me përçmim kur ata u lodhën ose filluan të ecnin mbi udhë e nën udhë" (f. 78).

    Ku ta dish. Ndoshta Zaho Koka shkoi me vetëdije drejt gjermanëve për ta marrë plumbin në ballë se me siguri që nuk i dhimbsej më jeta, ngaqë po përjetonte një gjendje shpirtërore mjaft të rënduar. Prandaj Sofo Lazri shkruan:

    "... atë ditë qershori gjendja e tij shpirtërore ka qenë mjaft e turbullt, gjë që në kohë lufte është tepër e rrezikshme. Zahua në atë kohë ndihej i vetmuar dhe i braktisur" (f. 156).

    Edhe sikur Zaho Koka të kishte dalë i gjallë nga lufta, me siguri që atij do t'ia hante kokën paslufta enveriane, për shkak të karakterit të tij burrëror.

Fisnikëria nacionaliste përballë egërsisë komuniste


    Në këtë libër janë mjaft prekëse faqet ku autori përshkruan takimin që ka pasur me një figurë të nderuar atdhetare nga fshati Gjorm, i cili përmendej si fshat nacionalist.
Kompania ku ishte partizan Sofua, qe caktuar të ruante Urën e Gjormit, si një pikë strategjike, për të mos lejuar kalimin e trupave armike që mund të vinin nga Vlora drejt Luginës së Mesaplikut. Pasi kaluan ca ditë shërbimi te ura, një pasdreke Sofua vendosi të ngjitej lart në breg, mbi lumë, për të pikasur ndonjë shteg nga mund të tërhiqej kompania në rast se do të ishte e detyruar ta bënte një gjë të tillë. Kur doli majë bregut, vuri re një kasolle. Kur iu afrua kasolles, nga dera e saj doli një i njohuri i tij, Ymer Rakipi nga Gjormi, një nacionalist me autoritet ky, me të cilin Sofua ishte njohur në burgun e Vlorës. Më 05 nëntor 1943, forcat partizane, mes 24 shtëpive që kishin djegur në fshatin nacionalist të Gjormit, kishin djegur edhe shtëpinë e Ymer Rakipit, pasi i kishin vrarë paraprakisht të birin më 27 gusht 1943, Neki Ymerin, ish-komandantin e Çetës Plakë të Vlorës, me urdhër të Enver Hoxhës, sepse Nekiu ishte kundër ndërhyrjes së Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës në punët e brendshme të Partisë Komuniste të Shqipërisë.

    Xha Ymeri e ftoi Sofon të hynin në kasolle. Atje, pasi theri një kec dhe e poqi në saç, u shtrua bashkë me Sofon të hanin, duke e shoqëruar mishin me raki. Pasi mbaruan, Sofua e këshilloi xha Ymerin që ato pak berra t'ia jepte ndokujt t'i mbante se po vinte dimri dhe në atë kasolle nuk mund të banohej, prandaj të ikte të rrinte në shtëpi.

    Por xha Ymeri iu përgjigj:
    "- Më the që të rri në shtëpi... Po shtëpinë që kisha a nuk ma dogje ti?" (f. 133)
    I tronditur keqas, Sofua, me çiltërinë e një njëzetvjeçari, ia kthen:
    "Partizanët mundet.., por as unë, as shokët që ishin me mua s'kemi bërë gjë. Ç'kanë bërë të tjerët, nuk e di. Por sikur të më kishin ngarkuar si detyrë për ta bërë një gjë të tillë, do ta bëja pa asnjë fjalë, si ta dija që ishte jotja, si mos ta dija. Edhe imja të ishte, do ta digjja" (po aty)
    Kur po ndaheshin, xha Ymeri i thotë:
    "Tani i mbaruam të gjitha ç'kishim për të thënë. Nesër pasdreke, në daç hajde vetë, në daç dërgo njeri të marrë nja dy-tre kuleçë të misërt e t'ua ndash djemve" (f. 134).
    Dhe këtë rrëfim mallëngjyes për takimin me atë plak nacionalist, Sofua e mbyll në një mënyrë prekëse:
    "Zbrita tek ura i trishtuar, por edhe i mahnitur nga fisnikëria e këtij plaku lab, nga urtësia e bujaria e tij" (po aty).

Vrasja pabesisht prapa krahëve, një nga mënyrat e "dekorimit" komunist

Episodi i tretë, mjaft tronditës në këtë libër, lidhet me vrasjen e Mynyr Xhindit, sekretarit organizativ të qarkorit të Vlorës, i diplomuar në Paris. Sofua shpreh tronditjen e thellë që përjetoi kur mori vesh për vrasjen e tij, sepse ai ishte ndarë me të pak kohë më parë. Ai shkruan:

"... S'kaloi as një orë kur se kush erdhi e na tha se kishin vrarë Mynyr Xhindin. Si zakonisht, pyesnim e bisedonim se ku u vra e qysh u vra... Ne mbetëm përsëri të tronditur, plot dyshime e pikëpyetje. Por kur të nesërmen doli një komunikatë e Komitetit Qarkor që i bënte homazhe figurës së Mynyr Xhindit dhe shprehte hidhërimin e thellë për "vrasjen e tij në luftë kundër armiqve", ne u qetësuam disi. Pas disa ditësh, një shok imi që ishte ndodhur afër vendit të vrasjes, më tregoi, nën betimin tim për kokën e nënës, për ideal e për Shën Spiridhonin, shenjtin e Vunoit, se çfarë do të thoshte, do t'i mbaja për vete e nuk do t'ia thoja kujt, në asnjë rrethanë, se Mynyrin e kishin vrarë prapa krahëve. Më shumë se nga ky zbulim, u shqetësova për atë që duhet të ruaja për tërë jetën një "sekret" që unë s'kisha pse ta dija e që s'doja ta dija" (f.152).

Vrasja pas shpine jo vetëm e nacionalistëve, por edhe e komunistëve atdhetarë që gjatë viteve të luftës, qe shndërruar në një dukuri të zakonshme kriminale, me të cilën synohej që të varrosej përfundimisht nacionalizmi shqiptar dhe të çimentoheshin themelet e pushtetit personal të Enver Hoxhës, shërbëtorit besnik të shovinizmit serbomadh. Dr. Vasfi Baruti shkruan:

"Fara e helmët e kundërnacionalizmit që u hodh në mbledhjen themeluese të Partisë prodhoi fryte të helmëta për "dekorimin" me plumb pas shpine të qindra nacionalistëve gjatë luftës e pas lufte, me "rrezikun" e nacionalizmit u përgatit dhe strategjia për qëndrimin antikombëtar ndaj Kosovës, në interes të politikës kolonialiste të Titos" (Vasfi Baruti. "Enver Hoxha në optikë të re". Shtëpia Botuese "UEGEN". Tiranë 2013, f. 256).
Pas vrasjes së Mynyr Xhindit, Sofokli Lazri rri e përsiat:

"S'e di sa kohë mbeta i fundosur në mendime mbi atë fron buzë Vjosës. Përpara se të dilja partizan, kisha blerë në librarinë "Argus" të Cancos në Tiranë një libër për Stalinin, të përkthyer në italisht e të shkruar nga një revolucionar ruso-kaukazian... Shkruhej për spastrimet e viteve '30 në Bashkimin Sovjetik. Ndër vrojtimet, karakterizimet që bënte, autori shkruante, ndër të tjera, se "revolucioni po hante bijtë e vet". Padashur, në mënyrë intuitive e spontane, m'u duk sikur edhe te ne, në Partinë Komuniste e te partizanët, mjaft ngjarje u ngjasonin atyre të viteve '30 në Bashkimin Sovjetik. Ramizeja, Mynyri, vrasjet e mjaft komunistëve që u quajtën fraksionistë, në atë përfundim të çonin. Mos edhe te ne, pa filluar e mbaruar mirë, revolucioni kishte filluar të hante bijtë e tij? Ndoshta. Mund të ishte një paralele e hequr keq. Unë nuk dija çfarë të mendoja, veçse të torturoja shpirtin tim të njomë, idealist e romantik" (f. 153).

Kishte një ndryshim thelbësor mes "revolucionit që po hante bijtë e vet" në Bashkimin Sovjetik dhe në Shqipëri. Në Bashkimin Sovjetik bëhej fjalë për kundërshtarët politik të vijës së Stalinit, të cilët ishin për zhvillimin evolucionist të vendit dhe përfaqësoheshin nga Nikollaj Buharini, teoricieni i ekonomizmit dhe personaliteti më erudit i udhëheqjes sovjetike, ndërkohë që Stalini ishte për një vijë të ashpër në zhvillimin e vendit, për kolektivizimin e menjëhershëm dhe tërësor të bujqësisë që solli si pasojë vdekjen e miliona fshatarëve nga uria. Pikërisht ata komunistë, kundështarë të Stalinit, përfunduan para skuadrave të pushkatimit dhe që Gorbaçovi i rehabilitoi në vitin 1988. Kurse në Shqipëri ndodhi krejt ndryshe. Para skuadrave të pushkatimit ose me plumb pas kokës përfunduan të gjithë ata nacionalistë apo komunistë-nacionalistë që ishin kundër ndërhyrjes së emisarëve të shovinizmit serbomadh në punët e brendshme të Shqipërisë. Të tillë komunistë-nacionalistë ishin  Anastas Lulo, Mustafa Gjinishi, Mynyr Xhindi, Neki Ymeri etj.

Por si ishte e vërteta e vrasjes së Mynyr Xhindit?

Dr. Vasfi Baruti shkruan:

"Vjeshtën e parë (tetor '43) intelektuali i shquar vlonjat Mynyr Xhindi, i biri i funksionarit të ndershëm vendor në regjimin Zogist, "dekorohej" nga krerë të qarkorit të partisë  së Vlorës. Xhindi i krahëqafuar nga dy kuadro të larta të Brigatës V, Luftari e Çobani, ia marrin këngës labe e teposhtë zabelit dora e njërit ia preu këngën në gojë me plumb pas koke sekretarit politik të rajonit. Po atë ditë shkruhej e "shpërndahej" një trakt me dy rreshta: "Trakt për Mynyr Xhindin. Më 4 nëntor ('43) u këput nga gjiri i familjes së tij dhe nga radhët e F.N. (Frontit Nacionalçlirimtar) prej plumbave të hidhur shoku Mynyr Xhindi". Trakti s'do koment, do të ishte i tepërt. Trakt me dy rreshta, që vetëm trakt s'mund të ishte. Pyetja është: kush i lëshoi ata plumba të hidhur që i morën jetën Xhindit? Këtë nuk e sqaron trakti! Ati i Mynyrit, Arshiu, vitpasvitshëm në kërkim të vrastarit dhe varrit të të birit dhe asnjë gjetje s'pati. Shumë vite më vonë djali merr statusin e "dëshmorit" se kishte rënë (!) heroikisht në luftë, por emri i tij mungon në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (1985) e s'mund të ishte ndryshe" (Vasfi Baruti. "Enver Hoxha në optikë të re". Shtëpia Botuese "UEGEN". Tiranë 2013, f. 126-127).

Urdhërdhënësi i vërtetë për vrasjen e Mynyr Xhindit ishte Hysni Kapua. Dhe ja sepse:
Një ditë prej ditësh, kur Mynyr Xhindi ndodhej në Ramicë dhe pranë tij gjendej Hysni Kapua, ky i fundit, nuk dihet se për ç'arsye, nxori nga xhepi kuletën dhe diç po kërkonte në të ndarat e saj. Mynyr Xhindit, fare rastësisht, i zunë sytë një fotografi të Titos në njërën nga të ndarat e kuletës së Hysniut dhe ndërhyri menjëherë:
- Ç'ne ajo fotografi e Titos në kuletën tënde?
Hysniu s'e hapi gojën. Mynyri ndërhyri përsëri:
- Ti duhet të mbash në kuletë fotografinë Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit e jo të Titos!

Hysniu përsëri bëri shurdhmemecin. Por s'kaloi shumë kohë dhe një ditë të bukur Mynyri "u dekorua" me plumba pas kokës.

Këtë histori të dhimbshme ma pati rrëfyer një nacionalist nga Kanina, me të cilin u njoha rastësisht para disa vjetësh gjatë një shëtitje që po bëja në Parkun e Madh të Tiranës.
Ja se me çfarë hipokrizie të pështirë flet krimineli Hysni Kapo në Plenumin e Beratit për vrasjen e Mynyr Xhindit:

"Si provë terrorizmi më i keq është vrasja e Mynyr Xhindit. Po ta shikojmë çështjen mirë si komunistë, ai s'duhej vrarë. Shpirti terrorist vazhdon edhe sot, edhe te përgjegjësat e lartë. Ka disa që mendojnë se ky mjet, terrori, është i rëndësishëm për të fituar Partia. Këtë shpirt e ka futur Dushani që na fliste me simpati për një punë të tillë. Unë e di që kam bërë gabime në Vlorë për punë morali, por mua s'më është bërë asnjë kritikë nga shokët e Komitetit Qëndror. Unë kam konstatuar se përveç Mehmetit, shpirtin terrorist e ka edhe Shulja (Kristo Themelko), i cili më ka thënë se po s'i zhdukëm tani, s'kemi kohë kur t'i zhdukim. Ai mendon se kështu do të kalojmë në socializëm" (Enver Lepenica. "Parti komuniste apo parti terroriste. Dokumente të Ballit Kombëtar". Tiranë 2013, f. 385).

Domosdo. Partia Komuniste e Shqipërisë me Enver Hoxhën në krye, e selitur me kujdes nga emisarët e shovinizmit serbomadh, qe shndërruar tërësisht në një mafie politike terroriste. Pranda Sejfulla Malëshova deklaronte në Plenumin e Beratit:
"... Me terror po i zgjidhim të gjitha punët. Po duken simptomat e degjenerimit nga një parti politike në një bandë kriminelësh" (po aty, f. 386).

Përmbajtja e librit të Sofokli Lazrit më bëri të kthehem prapa në vite. Siç e përmenda më lart, me zonjën Drita kemi qenë kolegë dhe jepnim lëndën e analizës së tekstit në grupe paralele të studentëve të gjuhës ruse. Ishte fundi i viteve gjashtëdhjetë dhe fillimi i viteve shtatëdhjetë. E kujtoj si pedagoge mjaft të talentuar dhe si një metodiste të shkëlqyer në procesin e mësimdhënies, nga e cila unë, si pedagog i ri që isha, pata përfituar mjaft nga përvoja e saj. Për t'i pasur të njëjta kërkesat ndaj studentëve në lëndën e analizës së tekstit, meqenëse jepnim mësim në grupe paralele, konspektet i përgatisnim bashkë. Prandaj disa herë pata shkuar për vizitë në shtëpinë e zonjës Drita, e cila asokohe banonte në katin e dytë të një pallati përballë ndërtesës së gazetës "Zëri i Popullit". Aty pata rastin të njihem edhe me bashkëshortin e saj, Sofon, me të cilin bënim edhe biseda të lira kur shkëputeshim për ca çaste nga përgatitja e konspekteve. Nga bisedat që Sofua bënte me ne, m'u krijua bindja që ai ishte një komunist tolerant, me prirje liberaldemokrate dhe që vlerësonte transparencën në marrëdhëniet e njerëzve. Sot, nga largësia e gati 45 vjetëve që kanë kaluar që nga koha e atyre bisedave me Sofokli Lazrin, çdokush, po të kishte qenë i pranishëm aty, besoj se tani do të rrinte e të përsiatte:

"Sikur në udhëheqjen e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe të Partisë së Punës të Shqipërisë, ta kishin marrë sipërinë të tillë komunistë të kultivuar, liberaldemokratë dhe tolerantë, si Sofokli Lazri, me siguri që nuk do të kishim pasur luftë civile, vëllavrasje në vitet e luftës dhe as luftë aq të egër klasash pas vitit 1944, e cila në vitet '80 të shekullit që kaloi solli shkatërrimin e ekonomisë dhe vendin e çoi në buzë të greminës".

Kjo përsiatje sigurisht që do të ishte utopike. Sepse Partinë Komuniste të Shqipërisë e kishte në xhep shovinizmi serbomadh, i cili e kishte peshkuar me kohë argatin e vet besnik me emrin Enver Hoxha, prandaj edhe e vuri në krye të saj që të bënte gjëmën që bëri me luftën civile gjatë viteve të luftës dhe me luftën e egër të klasave pas luftës. Pikërisht me Enver Hoxhën në krye të Partisë Komuniste të Shqipërisë, siç thotë me shumë të drejtë dr. Kastriot Dervishi në studimin e tij me titull "Flagranca e marrëdhënieve shqiptaro"‘jugosllave në vitet 1944-1948", shovinistët serbomëdhenj, përmes emisarëve të tyre në Shqipëri, "arritën tre objektiva që i patën vënë vetes: themeluan PKSH"‘në si agjenturë solide të tyren, futën vendin në një luftë civile dhe larguan nga pushteti elementin nacionalist shqiptar" (Gazeta "55". 27 shkurt 2003).

Santa Barbara, Kaliforni
02 nëntor 2014


Prof. Dr. ESHREF YMERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.