VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TË IDENTIFIKOHET DËMI NJERËZOR, MË PAS DËMSHPËRBLIMI MORAL
Nga SULEJMAN GJANA

E Premte, 12.19.2014, 12:51pm (GMT1)


Kam përzgjedhur tre momente që m'u dukën të rëndësishme për të pasuruar diskutimin: Momenti i parë vjen nga libri i Prof. Uran Butka "Lufta civile në Shqipëri" (2006) ku në faqet 519-520 thekson se :..."Në harkun kohor prej 28 tetorit deri 16 nëntor 1944 (...) njësitet guerile bashkë me "Batalionin e disiplinës", komandot ushtarake dhe forca të tjera komuniste që kishin hyrë në kryeqytet, u futën nëpër shtëpitë tiranase dhe arrestuan 400 persona të dyshuar ose të njohur si kundërshtarë politikë, të cilët i grumbulluan në Zall Herr. Ndërkohë, vranë pa gjyq dhe masakruan qindra qytetarë të tjerë, nën parrullen e asgjësimit të "reaksionit" dhe spastrimit të vendit nga "reaksionarët" ...

Momenti i dytë vjen nga libri i z. Vladimir Dedijer, "Marrëdhëniet Shqiptaro-Jugosllave" e botuar në vitin 1948, ku thuhet:.."Brigadat shqiptare zbërthyen rrethin gjerman në Tiranë dhe asgjësuan afro 1200 njerëz të Legalitetit dhe reaksionarë të tjerë".

 
Momenti i tretë vjen nga libri i sapo botuar i studiuesit Çelo Hoxha "Krimet e Komunistëve", ku identifikohen 265 persona në qendër të formacioneve partizane, që kanë kryer krime të dokumentuara ndaj popullsinë shqiptare gjatë luftës së tyre për pushtet, dhe ku vë në dukje se disa prej tyre nderohen akoma si dëshmorë, sepse janë vrarë gjatë LDB-së.

Ndërsa unë shtoj se disa të tjerë marrin edhe tituj "˜Qytetar nderi' apo "˜Nderi i Kombit', siç ishte rasti i kriminelit Rrahman Parllaku, këtë vit. Dihet tashmë botnisht se komunistët kanë shkaktuar krime mizore, tortura çnjerëzore, terror e dhunë në të gjithë Shqipërinë.

Nuk do të përmend emra të veçantë për mos me qenë mëkatar ndaj atyre që nuk mund t'i citoj këtu për arsye të listës së pafundme. Problemi është se në Shqipëri nuk kemi bërë asnjëherë "˜Nurenbergun' tonë. Dhe për mua, kjo është e kuptueshme, pasi pushtetarët dhe qeveritë e pas 90-ës nuk kishin sesi të bënin vetëvrasje. Madje, edhe ligi për dëmshpërblimin e ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë kufizon periudhën prej 30 nëntorit 1944, duke konsideruar viktimat e partizanëve dhe komunistëve gjatë LDB-së, në të njëjtën mënyrë siç e bënë komunistët gjatë diktaturës dhe duke legjitimuar kështu tezat e komunistëve.

Prandaj edhe marrin tituj "˜Qytetar nderi' dhe "˜Nderi i Kombit' kriminelë të LDB. Prandaj edhe disa analistë e gazetarë me mungesë skrupujsh morale dhe pa etikë profesionale, flasin e shkruajnë sot më keq se "Zehri i Popullit" dje. Unë nuk mendoj se mund të jepet dëmshpërblim pa vendosur më parë drejtësi dhe pa identifikuar kriminelët.

70-vjetori i të ashtuquajturit çlirim hap përsëri një plagë kurrnjëherë të mbyllur; ushqen përçarje, emocione dhe ndarje të shoqërisë; dhe, në fundore, pengon emancipimin tonë. Përkujtimi i krimeve dhe masakrave nuk mjafton!

Për mendimin tim, hapja e dosjeve është një detyrim sa aktual aq edhe emergjent. Por hapja e dosjeve nuk duhet të jetë një qëllim në vetvete, pasi secili prej nesh e di mirë se kush kanë qenë kriminelët, secili e di se kush e ka raportuar, kush i ka dalë dëshmitar, cilët ishin prokurorët, kush i ka dënuar. Në këtë kontekst, hapja e dosjeve mund të konsiderohet si një formalitet, por një formalitet i nevojshëm gjithsesi.

Duhet të çlirohemi nga "Sindroma e Stockholmit", ku i persekutuari vazhdon të mbrojë persekutorët e vet. Përndryshe do të lëmë dyshime se të gjithë paskemi qenë vërtet bashkëvuajtës e bashkëfajtorë. Dekomunistizimi dhe drejtësia nuk do të realizohen kurrnjëherë, për aq kohë sa do vazhdojmë të mashtrohemi për interesa vetjake nga politikanë të paskrupuj që luajnë me padijen dhe varfërinë e shqiptarëve.

Tashmë, unë pyes edhe veten: Ku janë familjarët e atyre 1200 viktimave të Tiranës që përmend Vladimir Dedijer në librin e tij? Çfarë kauze mbrojnë ata, dhe, a do të zgjohen ndonjëherë nga gjumi në të cilin i ka futur regjimi komunist me dhunë përgjatë 50 viteve, si dhe qeverisjet kripto-komuniste pas "˜90-ës? Ka ardhë koha të bashkohemi e të marrim në dorë fatet dhe problemet tona, pa pritur asgjë prej ndokujt, përveç vetvetes dhe atyre që ndajnë e duan të mbartin e mbrojnë pa dredhi e pa mashtrime kauzën tonë. *

Nga fjala e mbajtur më dt. 25.11.2014 në Akademinë e Shkencave në Tiranë, në Konferencën Përkujtimore të 70-vjetorit të viktimave të terrorit komunist në Tiranë."

SULEJMAN GJANA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.