VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TV-THAÇI ME CENSURË DHE PA DINJITET, MADJE EDHE NDAJ TË VDEKURVE
Nga DONIKA GËRVALLA-SCHWARZ

E Hënë, 01.19.2015, 08:39am (GMT1)



Tepër është tepër: gjatë paraqitjes në RTK të nderimeve me rastin e 17 janarit në varrezat në Dubovik, në të cilat prehen Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, TV-Thaçi, ose i ashtuquajturi Radiotelevizion i Kosovës dje dëshmoi edhe një herë fytyrën e tij të shëmtuar.

Raportimi selektiv shkon deri aty sa heshtet rreth faktit që, për të shprehur nderimet e tyre, të pranishëm ishin dhe kryetarët e zgjedhur të komunave Pejë dhe Istog, deputetë të shumtë të Kuvendit, përfaqësues të shoqatave të ndryshme, personalitete nga jeta publike, nxënës shkollash dhe qytetarë të shumtë nga e gjithë Kosova, vetëm për të përsëritur gjatë gjithë ditës pamjet nga nderimet e një deputeti të vetëm, Ramush Haradinajt. Sa selektive, e ulët dhe jodinjitoze.

Familja jonë e ka refuzuar në vazhdimësi përvetësimin politik të Jusuf Gërvallës nga cilido krah politik në Kosovë. Jusuf Gërvalla u vra, sepse luftoi për një Kosovë të lirë. Për një Kosovë të qytetarëve të saj dhe jo të kastave politike.

Kërkoj nga RTK-ja dhe personalisht nga kryecensuruesi Hashim Thaçi: Ndaleni këtë censurë jodinjitoze në RTK, dënojini përgjegjësit, kthejeni lirinë e fjalës dhe të shtypit.
Blini një PDK-Propaganda-TV tuajin, paratë që keni bërë ndërkohë do t'ju mjaftonin e tepronin. RTK duhet të kthehet në një televizion të pavarur, në përputhje me interesin publik, për të cilin edhe është themeluar. Nuk guxon të mbetet më i degraduar në një televizion të propagandës së PDK-së dhe të Thaçit.

Të martën, më 20 janar 2015 në orën 12, familjet e veprimtarëve të vrarë, të atyre që ranë pre e atentateve politike, do të protestojnë para ndërtesës së qeverisë për të kërkuar zbardhjen e vrasjeve politike ndaj familjarëve të tyre, veprimtarëve dhe mbështetësve të Presidentit Rugova.

Realiteti në Kosovë është mjaft i hidhur. Për herë të parë që nga koha e okupimit të Kosovës, shqiptarët po largohen në numër të madh nga Kosova, duke shitur madje pronat e tyre, duke hequr dorë nga nënshtetësia e tyre.

Kush refuzon dhe ngre zërin bëhet viktimë e një sistemi të bazuar në krim, korrupsion, manipulim dhe censurë.

Kjo nuk është Kosova për të cilën sakrifikuan jetën heronjtë tanë.

Ata që dëshirojnë të jetojnë me nder dhe dinjitet në një Kosovë vërtet të lirë duhet të ngrenë zërin. Si shqiptarë kemi të drejtë të dimë se cilët shqiptarë vranë shqiptarë të tjerë për arsye politike.

Qeveria e ka për detyrë të zbardhë krimet. Kryetari i një qeverie nuk ka as dinjitet dhe as peshë nëse nuk arrin ose nuk don të zbardh krimet politike të kryera në Kosovë.
Një popull krenar dhe dinjitoz ngrihet në këmbë kur zëdhënësi i Beogradit në Kosovë, anëtar i Qeverisë Mustafa, mohon gjenocidin serb në Kosovë dhe fyen me një gjuhë të ulët viktimat e këtij gjenocidi, ndërkohë që në anën tjetër vetë Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe Kryetari i Parlamentit dyshohen të jenë të implikuar në krimet ndaj shqiptarëve të guximshëm, ndaj kundërshtarëve të tyre politikë.

Është i sëmurë ai që censurën dhe propagandën e përdor madje edhe atëherë kur përkujtohen heronj të vrarë. Është i sëmurë dhe jo larg mentalitetit të sëmurë të regjimit serb.

Është koha t'iu kthejmë dinjitetin heronjve tanë dhe popullit tonë të poshtëruar.

DONIKA GËRVALLA-SCHWARZ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.