VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PERËNDIMI DHE ILUZIONET E HUMBURA NË UKRAINË
Nga ROGER COHEN, New York Times

E Enjte, 02.12.2015, 08:21am (GMT1)



Sfida më e vështirë për një komunist, sipas vëzhgimeve, është që të predikojë të shkuarën. U kujtova për këtë vëzhgim teksa dëgjoja ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrovin, i cili, me qëndrimin e një burokrati sovjetik, tha në takimin e Mynihyt, se ishte Bashkimi Sovjetik vendi që doli hapur kundër ndarjes së Gjermanisë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Askush nuk e mbajti dot gazin. Të gjithë gjermanët e mbajnë mend mirë se si u nda Berlini dhe se si u ndërtua muri famëkeq. Por në një farë mënyre Lavrovi kishte të drejtë, pasi po të kishte patur mundësi, Bashkimi Sovjetik do ta gllabëronte të gjithë Gjermaninë. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Rusinë e sotme të Putinit, kur shohim ndarjen e Ukrainës. Sipas Lavrovit, aneksimi i Krimesë ishte një kryengritje popullore e një populli që ka të drejtë të vendosë vetë për veten. Kështu, Lavrovi sugjeron se ukrainasit janë përfshirë kohët e fundit nëpër "orgji të dhunës nacionaliste" ndaj hebrenjve dhe pakicave ruse.

Por në fakt, aneksimi rus i Krimesë, ka thyer dy parime të rëndësishme të Kartës së Kombeve të Bashkuara, "integritetin territorial të një shteti" dhe "pavarësinë politike të tij". Gjithashtu, Rusia theu edhe angazhimet e saj të vendosura në Memorandumin e Budapestit në vitin 1994, ku zotohet se do të respektonte kufijtë territorialë të Ukrainës. Kështu, del qartë se vendburimi i dhunës nacionaliste nuk është Kievi, por Moska. Dhe prej andej, kjo dhunë derdhet në Kiev. Në Moskë, Putini ka kultivuar një fabul të rrezikshme për Perëndimin, e cila po gjeneron histeri kolektive në pakicat ruse në Ukrainë.

Në të njëjtën optikë, Lavrovi përpiqet të evidentojë gjëra të paqena në Ukrainë, siç janë dhuna ndaj hebrenjve dhe pakicave ruse. Putini, me veprimet e tij, nuk ka bërë gjë tjetër vetëm sa i ka kujtuar njerëzimit se fashizmi është ideologji është groteske dhe lind prej antiarsyes. Ai vazhdon të ngulë këmbë në mënyrën më absurde se ndihmesa ruse Lindje të Ukrainës është thjesht një fabul e sajuar prej Perëndimit. Këtë praktikë e konfirmoi edhe Lavrovi kur thoshte se revolta në Lindje të Ukrainës është një revoltë popullore ndaj shtypjes së një shteti kukull të Perëndimit. Por ukrainasit nuk janë arra që të luash me to.

Dy plus dy bënë pesë. Ky ka qenë një slogan sovjetik. Ka qenë një nocion i përmendur në vitin 1931, parimi i së cilit ishte se planet pesëvjeçare ruse mund të përmbusheshin brenda katër vjetëve. Akoma nga Moska dëgjojmë të njëjtën matematike, se dy plus dy bëjnë pesë. Kjo matematikë zhgënjyese ka mbizotëruar në të gjitha ekuacionet e negociatave për paqe në Ukrainë. Është folur shumë për një armëpushim të sponsorizuar nga Franca dhe Gjermania; për zgjidhje jo ushtarake të çështjes; të dërgimit ose jo të ndihmave ushtarake për qeverinë ukrainase nga Perëndimi apo edhe të shkeljes së rezolutës dhe përgatitjes për luftë.

Por duket se pema e rezolutës nuk po pjek asnjë kokërr të ëmbël. Është koha që Perëndimi të përballet drejt me Putinit. Fakti që Rusia nuk ka dërguar tanket e saj në kufi me Ukrainën, apo që nuk ka instaluar sistemet antiraketore është shumë kuptimplotë. Putini e di se Ukraina është e dobët dhe nuk ka arsye të bëjë provokime aq të hapura për ta gllabëruar atë. Ai e di se në Lindje të saj nuk vjen asgjë e keqe, pasi Lindja kontrollohet nga rebelët prorusë. Pra, Putini frontin me Ukrainën e ka shtyrë në Kiev dhe në vend të tankeve dhe raketave, ka dërguar prorusët atje. Ai nuk do ta lërë kurrë të qetë Ukrainën dhe kjo është më se e dukshme.

Mirëpo gështenjat që piqet nuk po i nxjerr me dorën e vetë, por me dorën e pakicave dhe të rebelëve. Mirëpo, përballë kësaj loje të pistë, Perëndimi nuk mund të luajë pastër. Rregullat e lojës i ka vendosur Rusia, ndaj duhet t'i përshtatemi që ta fitojmë. Kështu, gjuha e përbashkët do të ishte mobilizimi i ushtrisë, i dronëve dhe i raketave antitank. Duhet forcuar me patjetër ushtrua e Ukrainës që Putini të fillojë të mendohet dy herë. Ky është vërtetë një risk i madh, por edhe diplomacia ka një risk të lartë sepse është shumë burokrate.

Në këtë pikë, koha e humbur e Perëndimit është kohë e fituar për Putinin. Kujtojmë se Rusia ka dy dekada që e përgatit aneksimin e Ukrainës. Që pas shkëputjes së saj nga Bashkimi Sovjetik, Rusia ka ndikuar ilegalisht në vend dhe e ka çarmatosur atë ndër vite. Ushtrisë ukrainase nuk i kanë mbetur asgjë tjetër veçse disa syze që shohin në errësirë. Diplomacia e tanishme e Perëndimit në një Ukrainë është një iluzion i rremë dhe aspak realist. Dy plus dy bëjnë katër, si në kohë lufte ashtu edhe në paqe.
Përktheu: Erald A. Deliu


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.