VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - SHOQËRIA CIVILE TË RINOVOHET - QË SHTETI TË MOS DEHUMANIZOHETNga PËRPARIM KABO

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 02:21pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
SHOQËRIA CIVILE TË RINOVOHET - QË SHTETI TË MOS DEHUMANIZOHET
Nga PËRPARIM KABO

E Premte, 02.27.2015, 12:15pm (GMT+1)


"Rotary club" mbush një shekull e një dekadë jetë. Ai u krijua në 23 shkurt 1905. Një shifër impresionuese po të hedhim shikimin pas në pikënisje . Për Club-in që përfaqëson sot anekënd botës dimensione dinjiteti, lirie dhe përgjegjshmërie, kjo është një histori suksesi. Për realitetin tonë shqiptar do të mjaftonte të thoshim, se së paku nisur nga 23 vitet e fundit, është krijuar dhe funksionon edhe "˜Rotary Club Albania' duke e sjellë "˜Rotary'-n me dinjitet edhe në Shqipëri.

Nëse mendojmë se si ishte vendi ynë i 110 vite të shkuara, tabloja vjen e trishtë. Po të rishohim në ekranin e kujtesës se si ishte shoqëria në periudhën e diktaturës, ku individi si institucion nuk ekzistonte, njeriu dhe shoqëria ishin të njësuar dhe strehuar te shteti totalitar, në krye të të cilit ishte udhëheqja dhe udhëheqësi. Është e qartë përse edhe si term "shoqëria civile" ose nuk njihej, ose ishte herezi, ose ishte diçka që nuk kishte lidhje me historinë tonë unikale të vetizolimit.

Në hyrje të viteve "˜90-të ne kishim dëshirën dhe vullnetin të ndryshonim, detyrimin dhe përgjegjësinë ndaj historisë dhe brezave, ndaj na duhej edhe modeli. "˜Rotary Club' erdhi në Shqipëri në kohën e duhur dhe me dinjitetin e duhur, ndaj dhe u mirëseardhë e ndërtoi ngrehinën e vet institucionale. Ishte koha kur viheshin gurët e qoshes në murin e shoqërisë civile. Në këtë përvjetor kemi detyrimin civil dhe intelektual të themi, faleminderit nga zemra "Rotary International Club", respekte dhe mirënjohje për "Rotary Club Albania". Shoqëria civile në Shqipëri ka një histori të saj, suksesi dhe dështimesh, përgjegjësie dhe detyrimesh. Në vijueshmëri do duhet të daravitet mjegulla në kuptimin e vendit dhe rolit të shoqërisë civile në raport me shtetin dhe me tregun.

Vetëm kështu nuk do të ngatërrohet siç edhe ndodh, opozita politike me oponencën civile. E para, është çështje pushtetit dhe rotacionit politik. E dyta, është e lidhur me shqetësimin e shoqërisë që shteti dhe institucionet përfaqësuese të kuptojnë me vetëdije dhe të ushtrojnë funksionin e "shërbenjësit publik". Shoqëria civile nuk duhet ta shohë si armik sipërmarrjen dhe tregun, por si gjenerues të zhvillimit ekonomik dhe njëherësh nuk duhet as edhe të shndërrohet në mënyrë mjerane në një shërbëtore pa padinjitet ndaj oligarkisë, thjesht për disa fonde që mund të sigurojë prej saj. Shoqëria civile duhet të vetëkurohet sipas parimit "shoqëria civile për shoqërinë civile" me objektivat madhorë krijimin e "komunitetit civil të ligjit" si një bashkësi ku marrëdhënia bazohet në vetëdije e edukatë ligjore, që nga ajo e bashkëjetesës qytetare, ku parimi universal është barazia para ligjit, deri te kuptimi i vetëdijshëm mbi detyrimet. Kështu do duhej të krijohej morali i ligjit dhe autoriteti i tij në një shoqëri demokratike.

Nëse sot kemi shifra të larta të moskorrektesës së qytetarëve ndaj detyrimeve gjithfarësh, që në thelb shprehin edhe marrëdhënie ligjore, civile, apo administrative, pa hyrë në detaje, do duhet të themi se shoqëria civile në tërësi dhe operatorët e saj të përhershëm apo me kohë të pjesshme nuk e kanë kryer si duhet dhe deri në përmbyllje detyrimin, punën e tyre. Duhet kuruar njeriu dhe shoqëria që të kuptojë dhe zbatojë detyrimet që burojnë prej asaj, që në hyrje të viteve "˜90-të u emërtua nga Komisioni Venecias si "Demokracia përmes ligjit". Fatkeqësisht ende kemi sjellje individuale, komunitare, apo partiake, ku demokracia shihet veç dhe ligji veç. Demokracia instrumentalizohet si populizëm dhe reagim pa motiv e dobi mbarëshoqërore. Ndërsa ligji parashtrohet nga politika dhe ligjbërësit si një çelës që shtrëngon situatën dhe do të mund të parandalojë shkeljet dhe kriminalitetin, falë hartimit të ligjeve që rrisin ngarkesën e detyrimeve apo vitet e heqjes së lirisë në rastet penale. Po t'i përthyejmë këta mentalitete në filozofin e sjelljes, do duhet t'i lexojmë. Keqkuptimet me demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut e kanë dëmtuar shoqërinë dhe shtetin, sepse kanë krijuar iluzione mbi humanizmin dhe shtetin human, thjesht po qe se ai toleron informalitetin dhe mospagesën e detyrimeve nga ana e qytetarëve, ai është "HUMAN". Kështu parimi jam "i taksuar ndaj jam i përfaqësuar" anashkalohet. Shteti e pushtetet i shmangen shqetësimit që do të krijonte një shoqëri civile e shëndetshme, aktive, kurajoze dhe sfidante ndaj arrogancës apo indiferentizmit, mungesës së transparencës dhe informalitetit korruptiv shtetëror.

Ndërsa keqkuptimet me shtrëngimin ligjor e shkëpusin shtetin nga detyrimet si "Public Servant", duke braktisur detyrat parandaluese përmes politikave të zhvillimit. Qartazi. Nëse shteti e lejon që gjendja të vijë në raste ekstreme edhe si grumbullim gradual i neglizhuar dhe pastaj të mendojë se po të rritet dënimi në ekstreme, atëherë të tjerët do të tremben dhe nuk do ta bëjnë më po atë akt kriminal, apo diçka të ngjashme. Kjo sjellje nuk bën sens, nuk ka të bëjë me humanizmin e shtetit. E gjithë kjo do të thotë që shteti nuk e di se ç'po ndodh me shoqërinë që ai drejton dhe ndodhet përballë një realiteti të faktit të kryer. Ja një shembull me ndjeshmëri të lartë. Nëse krimi, deri ai me marrje jete, kryhet nga mosha të reja dhe shumë të reja, shumica të lindur dhe të rritur në këta vite të transformimit demokratik, atëherë cili është reflektimi që do të duhet të bëjë shteti? Arsimimi, edukimi, familja, trajnimi sportiv, motivimi i kohës së lirë, filozofia e sjelljes, jeta në natyrë, dialogimi mes brezave, edukimi artistik që nga fëmijëria, mbajtja larg nga vesi, shmangia e deformimit që vjen nga goditja e butë e medias ç'orientuese, braktisja e librit, anashkalimi i punës në komunitet, mosmbajtja e një raporti edukues moral me religjionin, etj. e etj. nuk kanë funksionuar si duhet në shoqëri. Është vendi që me ndjenjë përgjegjësie të pyesim të gjithë operatorët e shoqërisë civile, të cilët mbulojnë një problematikë të tillë. Cila është përgjegjësia juaj? Të pyesim dhe shtetin, cila është përgjegjësia jote? Porse edhe çdo individ do duhet të pyesë veten, sa dhe si kam ndihmuar unë veten time dhe shoqërinë që të mendojë si një shoqëri e lirisë, sipas parimit liberal-demokrat, "në fillim rregulli, pastaj liria". Kjo është problematika e hapur e rinovimit si shoqëri dhe si shtet në kuadrin e asaj që njihet si "Demokratizimi i Demokracisë".

"Rotary Club" është modeli pozitiv që duhet ndjekur se si komunikohet me shoqërinë, si punohet me komunitetin jashtë interesave meskine komerciale, aq prezente te shumë operatorë të shoqërisë civile. Rinovimi i shoqërisë civile tashmë është imperativ. Autoriteti i tipit pushtetor te shumë operatorë të shoqërisë civile do duhet të marrë fund. Më shkoqur. Nëse në politikë "X" person do të qëndronte 25 vite në krye të një posti, një realitet i tillë do të thoshte që ende politika dhe mentaliteti politik është i vjetër, ka mbetur si atavizëm nga regjimi totalitar dhe duhet korrigjuar, duke i hapur rrugë qarkullimit të elitave.

Po nëse në një institut, fjala vjen i Medias psh., si operator me shumë përgjegjësi në shoqërinë civile, i njëjti individ qëndron mbi 20 vite në drejtimin e tij, ky lloj pushteti brenda shoqërisë civile si e ka emrin? Po jap unë një version, pa u nxituar dhe duke drejtmenduar. Ky quhet "pushtet personal" brenda shoqërisë civile. Po partnerët ndërkombëtarë rezidentë në Shqipëri dhe ata jashtë vendit, a nuk e shohin këtë realitet kur vijojnë të lëvrojnë fonde për operatorë të tillë të shoqërisë civile. Pse nuk merret shembulli i "Rotary Club", që aktivitetet i kryen jashtë orarit të punës, nuk merr fonde për të ngritur të famshmet projekte si edhe bëjnë "gjahtarët e fondeve", porse bën punë të mira dhe me vlerë, si dhe zbaton rotacion në drejtimin brenda forumeve të veta? Jemi të shqetësuar, sepse në vitet e fundit ka ndodhur që OJF-të hapur të shpërfaqen si aleate dhe megafon me një parti politike dhe simotra e saj, me një tjetër parti. Një palë ngre në qiell punën e pozitës së radhës, të tjerat nxijnë punën e saj dhe i bëjnë fresk mendimit zyrtar të opozitës politike të radhës. Kulmi ndodhi kur individë të shoqërisë civile, organizatën e kthyen në parti politike dhe nga partia kërcyen në pushtete. Do bënte sens që pas një aktiviteti të gjatë politik si edhe ndodh në botën e civilizuar, kur individi largohet nga jeta politike aktive, me qëllim që eksperienca dhe bagazhi të mos shkonin dëm, të ndërtonin aktivitet si operatorë të shoqërisë civile.

Ç'ka ndodhur në Shqipëri, s'ka lidhje me kuptimin dhe rolin e shoqërisë civile në sistemin e demokracisë funksionale. Për rrjedhojë, krejt pa sens gjejmë mënyra veprimi dhe sjellje të OJF-ve, bazuar në mentalitetin e shtetit, si edhe takojmë qëndrime shtetërore si të jenë operatorë të shoqërisë civile. S'ka deformim më të thellë kur shoqëria civile dhe operatorët e saj imitojnë shtetin dhe shtetarët. "Inops,potentem dum vult imitari, perit- I dobëti shkatërron veten nëse kërkon të imitojë të fuqishmin".

Dalja nga kjo gjendje është një tjetër detyrim për rinovimin e shoqërisë civile në vendin tonë. Kurimi i krizës së përfaqësimit është një detyrë imediate për shoqërinë civile, në mënyrë që vendi ynë të dalë më në fund nga modeli i "monokracisë dyfishe" dhe të ndërtojë pluralizmin politik shoqëruar me bashkëjetesë dhe dialog politik normal. Është një realitet që na dhemb, por "regjimet e sotme", pothuaj në të gjithë ish-lindjen komuniste, nuk ngjajnë ende plotësisht me shoqërinë e hapur. Ato të sjellin në mendje më shumë regjimet që u rrëzuan bashkë me "Murin e Berlinit", sa kohë që oponenca shtypet ose mbytet dhe ndarja e pushteteve trajtohet si rivalitet kontradiktor interesash.

Një situatë e tillë na bën të mendojmë thellë dhe me preokupim, duke pyetur: Ku është shoqëria civile sot në vitin 2015-të dhe cilat janë përgjegjësitë saj? Le të shohim më nga afër një histori kontributesh dhe suksesi te "Rotary Club" dhe rruga do të duket jo aq e gjatë, jo aq e mbjellur me vështirësi. Shembulli pozitiv është modeli, respektimi tij është lindja e një shembulli të ri. Ne kemi nevojë për të! Vitaliteti shoqërisë civile vitalizon humanizmin e shtetit dhe lartëson individin në misionin e tij si operatori bazë i një shoqërie demokratike. Të mos harrojmë atë që thonin latinët: "Audentes fortuna juvat.- Fati ndihmon ata që guxojnë".
PËRPARIM KABO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
VILAJETI I KATËRTNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.26.2015)
PSE LDK NË ZVICËR MASHTROI ME EMRIN E TEUTA RUGOVËS  Nga ELIDA BUÇPAPAJ (02.25.2015)
LE TË HAPEN DOSJET!Nga RESHAT KRIPA (02.25.2015)
STRATEGJIA E INVESTIMEVE KINEZE NË EUROPË - MUNDËSI E ZHVILLIMIT TË TROJEVE SHQIPTARENga ARTUR VREKAJ (02.23.2015)
ADHURIM PËR TY PETRO ZHEJI...Nga PËRPARIM KABO (02.23.2015)
NE MEGJITHATË DO TË FITOJMË PËRSËRINga UK LUSHI (02.22.2015)
MAFIA JONË - MË E LUMTURA E BOTËSNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.21.2015)
MOS HARRONI PËRBINDËSHIN KOMUNIZËM!Nga RESHAT KRIPA (02.20.2015)
DOSJET! PËR CILIN BIEN KUMBONËT?Nga SAMI REPISHTI (02.19.2015)
Letër publike ministrit të drejtësisë z Hajredin KuçiPROKURORIA E SHTETIT ËSHTË PROKURORI E SHPIFJEVE DHE KURDISJEVENga GANI MEHMETAJ (02.17.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]