VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SA PËR KUJTESË BASHKATDHETARËVE TË MI, NË MBARË TROJET ETNIKE DHE NË DIASPORË
Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

E Shtunë, 03.21.2015, 09:18am (GMT1)



    Në faqen internetike të gazetës "Dita" të datës 23 shkurt 2015, lexova një material mjaft interesant të zotit Bedri Islami, me titull:
"KOMENT: Pas një deklarate aspak rastësore. A do t'ia japë presidenti Nishani shtetësinë shqiptare z. Janullatos?".

Katër ditë më vonë, më 27 shkurt 2015, në faqen internetike të gazetës "Tema", lexova artikullin e Prof.dr. Skënder Gjonit, me titull: "Na "mjafton" një Shën Kozma".

Ca ditë më vonë, dhe pikërisht më 10 mars 2015, në faqen internetike të gazetës "Dita", lexova materialin me titull: "Replikë me gazetën "Dita" për shkrimet e Bedri Islamit e Skënder Gjonit: të paktën kini respekt për të vërtetën!", me autorë prof. dr. Robert Andoni, prof. dr. Aleksandër Sallabanda, Atë Emanuel Lusha, Atë Ilia Mazniku.

Gjatë këtyre ditëve që kanë kaluar pas leximit të tre materialeve të lartpërmendura, kam përsiatur gjatë me veten time: neve, shqiptarëve, na ka goditur një fatkeqësi e rëndë kombëtare. Ngrihet shqiptari kundër shqiptarit për qejfin e Janullatosit, i cili, gjatë këtyre gati 23 vjetëve të punës së tij, si guvernator faktik i Greqisë, i ka zbatuar me përpikëri të gjitha objektivat që shovinizmi grekokaragjoz ia pati vënë si detyrë, në kuadrin e misionit të tij politik në Shqipëri. Po si shpjegohet, xhanëm, që Janullatosi nuk po largohet nga Shqipëria? Nuk po largohet se ai gëzon mbrojtjen e tradhtisë brendashqiptare.

Tek po përsiasja për këtë problem, më erdhi ndër mend një deklaratë e një personaliteti të shquar ukrainas, të cilën e ka bërë publike pas rrëzimit nga pushteti të presidentit-tradhtar të popullit ukrainas, Janukoviçit. Ky personalitet ukrainas quhet Dmitri Vidrin (1949), politikan, politolog, publicist, këshilltar i katër presidentëve, deputet i  parlamentit i sesionit të pestë:
    Dmitri Vedrini ka formuluar në një mënyrë kuptimplote thelbin e idesë origjinale kombëtare të Ukrainës "së pavarur", duke e kaluar në skaner klasën politike ukrainase. Ai deklaron:
    "Tradhtia përbën atë fundament mbi të cilin po qëndrojmë, mbi të cilin ne kemi ndërtuar jetëshkrimet, karrierat, fatet tona dhe gjithçka tjetër. Ne kemi tradhtuar gjithçka. Ne kemi bërë një betim dhe kemi puthur një flamur. Pastaj e kemi tradhtuar këtë betim dhe këtë flamur, kemi filluar të puthim një tjetër flamur... Nga gjithë ky veprim tërësor, ku ka pasur mijëra tradhti të vogla, të mëdha dhe mesatare, në thelb, erdhi e lindi ky vendi ynë. Erdhi e lindi politika ukrainase, erdhi e lindi botëkuptimi dhe morali ynë" (Citohet sipas: "Kujtime të një njeriu naiv në hartën e korrigjuar të qiellit. Janukoviçi nuk tradhtoi, atë e tradhtuan". Marrë nga faqja e internetit "russkiy malchik". 27 shkurt 2014).

    E, pra, të nderuar dhe të respektuar bashkatdhetarë, a nuk ndodh e njëjta gjë edhe te ne? A nuk e ka bërë të vetin moralin e tradhtisë kombëtare klasa jonë politike? Vallë a nuk është forca e moralit të tradhtisë kombëtare të klasës politike shqiptare ajo që vazhdon ta lejojë Janullatosin të kryejë detyrën e guvernatorit të shovinizmit grekokaragjoz në Shqipëri?

    Për pasojat e rënda që e prisnin vendin tonë pas ardhjes së Janullatosit me mision të pastër politik në krye të Kishës Ortodokse Fanoliane, intelektuali i shquar Abdi Baleta dhe disa intelektualë të paktë, e patën ngritur zërin që në fillimet e viteve '90. Por, fatkeqësisht, intelektualët shqiptarë dhe mjetet e informimit masiv heshtën. Prandaj edhe Janullatosi e ka arritur qëllimin e vet: shqiptarët i ka përçarë në pro dhe kundër tij, kurse klasës politike ia ka mbyllur gojën hermetikisht. Domosdo, përderisa klasa politike noton në batakun e tradhtisë së interesave kombëtare.

    Prandaj edhe Presidenti Nishani, nëse do t'ia japë shtetësinë shqiptare Janullatosit, "nuk do të bëjë ndonjë gjë të madhe", vetëm do të shtojë një qëndismë tradhtie më shumë në "stolinë" e tradhtisë tradicionale shqiptare, duke filluar nga tradhtia e deputetëve që shkuan dhe i dorëzuan Viktor Emanuelit kurorën e Skënderbeut, duke vazhduar me tradhtinë e Enver Hoxhës në marrëdhëniet me Beogradin, duke ardhur te tradhtia e Ramiz Alisë më 13 janar 1991, kur në Tiranë pranoi kërkesën e Micotaqisit për ardhjen e Janullatosit në krye të Kishës Fanoliane, për ta përmbyllur me votimin e deputetëve tradhtarë të parlamentit shqiptar për ngritjen e varrezave të ushtarëve agresorë grekë në territorin e Shqipërisë së Jugut.

    Janullatosi po shkon drejt fundit të jetës së tij. Prandaj edhe Athina shoviniste (siç theksojnë me shumë të drejtë zotëria Bedri Islami dhe prof. Skënder Gjoni) kërkon që ai të marrë pasaportën shqiptare, në mënyrë që kur të iki në botën tjetër, të varroset në njërën nga kthinat e themeleve të kalasë ortodokse që ka ndërtuar në qendër të Tiranës, me qëllim që varri i tij të shndërrohet në simbol për mbarë Greqinë dhe mandej të shpallet "shenjtor", me objektivin që vendvarrimi i tij të shërbejë si kufiri verior i pretendimeve territoriale greke.

    Sot Shqipëria ka nevojë të ketë në krye një president me dinjitet të lartë kombëtar që të nxirrte një dekret të posaçëm për largimin e menjëhershëm nga vendi ynë të të gjithë klerikëve të huaj, duke filluar nga Janullatosi dhe duke vazhduar me klerikët e fesë islame dhe të fesë katolike. Nëse nuk largohen klerikët e huaj, dyshoj se përçarja fetare në perspektivë ka për t'u shëndërruar në një rrezik serioz për vendin tonë.

Charlotte, Karolina e Veriut
21 mars 2015

Prof. Dr. ESHREF YMERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.