VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Pjetër Arbnori, dorëshkrimet që zbulojnë jetën e burgut Nga Fatmira Nikolli E Djelë, 01.24.2010, 07:07pm (GMT1)
Në të shihet qartë dashuria dhe kujdesi, ndërkohë që në fund të letrës që mban datën 1 mars 1964, shkruhet, "Jueji Pjetri", frazë që e gjejmë në të gjitha letrat. Libri "Shumë e dashuna nanë" është një mënyrë për të hyrë më thellë në botën e tij, një botë e madhe prej intelektuali e eruditi. Por, veç të tjerash, edhe një botë dhimbjeje e malli që na vjen e dokumentuar në letrat e 29 viteve burg. Mandej, veç të tjerash, ky libër na tregon njëra pas tjetrës ditët e përjetimet e tij, kërkesat dhe nevojat, dëshirat dhe urimet e një njeriu që pjesën më të bukur të jetës së tij e kaloi i mbyllur. Ndërkohë që libri tjetër: "Pse do të rrëzohet komunizmi", sipas studiuesit Novruz Xh. Shehu, që e ka përgatitur atë, është një traktat politik që është shkruar në burg në vitin 1964. Ai është mbështetur në programin e Partisë Social Demokrate, të shkruar në vitin 1961, arsye për të cilën u dënua me pushkatim e më vonë me 25 vite burg. Tezat janë shkruar me majë lapsi në letër cigareje, në të dyja anët, me inteligjencë, kujdes, vullnet të mahnitshëm, fakt që e bën këtë program, të rrallë e ndoshta unikal për përmbajtjen, për formën, për mënyrën në të cilën e ka shkruar. Ky traktat është padyshim shprehje e disidencës së plotë të Pjetër Arbnorit, duke u bërë simbol i inteligjencës antikomuniste shqiptare dhe një nga simbolet e inteligjencës europiane.
Drejtori i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, Mujë Buçpapaj, vlerësoi se "Pjetër Arbnori përbën intelektualin më të shquar të gjysmës së dytë të shek 20, duke u shndërruar në simbol të lirisë dhe rezistencës komuniste". Ai solli në vëmendjen e të pranishmëve faktin se atëherë kur Shqipërinë e frikësonte edhe trokitja në derë nga sigurimi i shtetit, kur sheshet kumbonin nga thirrjet për PPSH dhe Enver Hoxhën, Arbnori bëri një traktat filozofik brenda burgjeve të diktaturës që parashikonte rënien e komunizmit në Shqipëri, dhe kjo ka qenë shkëndija e parë e dridhjes së perandorisë së kuqe". Drejtori i qendrës "Arbnori" foli dhe për librat, "E dashuna nanë" dhe "Pse duhet të bjerë komunizmi", botuar nga shtëpia botuese "Nacional", e përgatitur nga studiuesi Novruz Shehu. "Në librin e "˜E dashuna nanë' përfshihen letrat që Arbnori i ka çuar nënës së tij gjatë viteve të burgut. Ato dallojnë nga stili, metaforat dhe simbolet që përdor Arbnori, dhe përshkruajnë jetën e një të burgosuri politik dhe të familjes së tij në Shkodër, episodet më të tmerrshme ne burgjet e diktaturës", - tha Mujë Buçpapaj. Zv/ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Nikoll Lesi tha se, "e gjithë jeta e Arbnorit ishte jeta e njeriu që luftoi dhe kontribuoi për lirinë dhe demokracinë në vend". Pasi vlerësoi figurën e Pjetër Arbnorit, ai ftoi të jenë pjesë e politikës shqiptare dy fëmijët e Arbnorit, duke thënë se "ata kanë një mbiemër ta madh e rrugën e kanë të shtruar". Në këtë aktivitet folën edhe Sherif Merdani, Genc Pollo, Simon Murakaj, Demir Pojani. Pjetër Arbnori, i njohur dhe si "˜Mandela shqiptare', u lind në qytetin e Durrësit, në 18 janar të 1935. Në vitin 1960, pas përfundimit të studimeve, filloi punë si mësues letërsie në një shkollë të Kavajës. Në atë kohë, së bashku me intelektualë të tjerë, morën iniciativën për të formuar Partinë Social Demokrate, partia e parë opozitare, duke sjellë kështu tentativat e para të pluralizmit në Shqipëri. Por, kjo lëvizje e tyre u vu re nga Sigurimi i Shtetit dhe shtatë prej aktivistëve u burgosën. Pas një periudhe dyvjeçare mes torturave dhe hetimeve të gjata, Pjetër Arbnori mori dënim me vdekje. Më tej ky dënim u ndryshua, duke u kthyer në 25 vjet dënim në burgun e Burrelit. Menjëherë pas lirimit, në janar të 1990, mori pjesë në demonstrata kundër regjimit komunist të zhvilluara në Shkodër. Po në të njëjtin vit ai u rreshtua mes themeluesve të Partisë Demokratike. Prej vitit 1991 deri më 2001, Pjetër Arbnori ishte pjesë e pandashme e parlamentit shqiptar, ku në fillim ishte deputet e më tej kryeparlamentar, në vitet 1992-1997. Pjetër Arbnori është ndarë nga jeta katër vite më parë, në vitin 2006. www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |