E Martë, 08.04.2020, 12:41am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
SARANDA, ATRAKSION APO REFUZIM
Nga PËRPARIM KABO

E Djelë, 03.29.2015, 10:25am (GMT+1)



E kujt është Saranda? Kjo është më shumë se një pyetje, është një ese e hapur sa reale jetësore aq edhe teorike e meditative. Si për çdo qytet përkufizimi  në logjikën formale do të ishte: Qyteti është hapësira historike e konkrete e një habitati që ka identitetin e vet, ka ritualin, fizionominë, traditat dhe sjelljen historike në breza ndaj realitetit gjeografik, klimaterik, ndaj florës dhe faunës, ka raportet me detin dhe tokën, me ujin dhe me ajrin, me ekonominë dhe me religjionin; tek e fundit se çfarë bën ky komunitet antropo-historik për të sotmen dhe çfarë lë për të ardhmen…

Ky do të ishte përkufizim korrekt, porse i paplotë, i mbyllur dhe refuzues. Saranda dhe përgjithësisht qytetet bregdetare dhe turistike kanë kufijtë virtualë, tejet fleksibël dhe që zgjerohen për me tepër sot jo thjesht nga kujtimet apo përshtypjet e vizitorëve të cilët vijnë qoftë edhe njëherë këtu; por se në kushtet e dixhitalitetit virtual elektronik, Saranda është afër dhe larg vetëm një clik në cilindo mjet të gjeneratës së “smart phone equipment”. Të administrosh një qytet të mbyllur është punë e zymtë dhe shpesh jo atraktive. Të drejtosh dhe administrosh një qytet të hapur, ku prej disa dekadash është prezente mobiliteti i njerëzve, godinave dhe bizneseve, kulturave dhe civilizimeve; është një punë tejet e vështirë.

Unë jam krenar si qytetar, si sarandjot dhe si studiues, që pikërisht Saranda dhe bashkia e saj e besoi idenë time dhe e ndërtoi këtë forum të shoqërisë së hapur që quhet “Konferenca e përvitshme e qytetit”. E falenderoj kryetarin e bashkisë Stefan Çipa për mendjehapjen e tij dhe për besimin që pati tek kjo ide, por edhe për vullnetin dhe vendosmërinë. Pa bujë ju sugjeroj anëtarëve të qeverisë prezent në këtë tubim, si dhe anëtarëve të nderuar të Parlamentit ta konsiderojnë këtë medium komunikimi. Kudo nëpër Shqipëri të gjithë faktorët relevantë, shtetërorë, ligjvënës, ligjbërës, shoqëria civile, akademikë, sistemi arsimor, arti dhe kultura, biznesi dhe religjioni, do të duhet të bëhen pjesë e “Konferencës së Qytetit”, çdo vit në të gjitha qytetet e vendit tonë. Kështu maksimalizojmë faktorët, shmangim sjelljet e ngushta dhe penguese që kanë ndodhur shpesh për shkak të grupimeve bllokuese brenda njësive kolektive përfaqësuese si edhe janë këshillat bashkiakë dhe ata komunalë; por edhe ndikojmë që vështrimi mbi qytetin si problematikë, si zhvillim, si kulturë europiane qytetare, si sjellje bazuar tek vetëdija që buron nga atributet që njeh për komunitetin e qytetit dokumenti serioz “karta europiane urbane” që drejtohet nga parimi “Qyteti në Qendër”, të ndërtohen hap pas hapi, si themele të vetëdijes qytetare.

Është e kuptueshme që zhvillime të këtij karakteri nuk ndodhin në një ditë, por se është po kaq e vërtetë që çdo ditë që ikën nuk kthehet më. Koha e humbur është histori e humbur. Koha e fituar është histori e fituar. Kjo konferencë e përvitshme është sfidim i kohës pa emër dhe shërbim ndaj qytetarit sarandjot, por edhe ndaj të gjithë atyre që e shohin “qytetin e krijuar nga shenjtorët” si një atraksion, si një destinacion në udhëtimin e tyre të jetës. E konsiderojnë si një vend që duhet vizituar, si një hapësirë ku mund të jetohet edhe me kohë të pjesshme, si një treg ku mund të investohet, si një “landscape” ku mund të krijohet art dhe kulturë, si një ambient antropologjik ku mund të shkëmbehet emocion pozitiv, si vend ku mund të rivitalizohen energjitë njerëzore pozitive. Le të hyjmë në zemër të problematikave që ka qyteti i Sarandës. A është Saranda një qytet i gjallë, aktiv gjithëvjetor? Apo është një qytet herë i gjallë e herë i fjetur? Mos vallë si në baladën tone të vjetër të fjalës së dhënë e të mbajtur, mbi kalë udhëton një i gjallë dhe një i vdekur, Doruntina e gjallë me Kostandinin e ngritur nga varri? Larg metaforës, unë e them me zë të plotë se jo vetëm në Sarandë, por në të gjithë bregdetin tonë, kemi edhe qytetin e vdekur. Pallate ku nuk ndizen dritat për muaj të tërë, deri sa të vij behari, ose më keq akoma të ndërtuar, por që nuk janë shitur, e askush nuk banon atje.

Ngrehinat buzë detit pa frymë njerëzore brenda tyre, si edhe shprehet shkrimtari ynë Ismail Kadare në një poezi të hershme, “janë si guacka prej të cilave janë hequr perlat”. Jemi përballë një marrëzie gatuar nga investitorë pa vizion, nga drejtues lokalë të zhveshur nga dashuria për qytetin, nga banka që nuk kanë respektuar kriteret ekologjike e turistike në kreditimet e tyre, nga projektues që vranë hapësirën dhe mbeten peng të butaforisë urbane, nga urbanistë që kryqëzuan parimet shkencore të urbanizimit dhe hapësirës jetike urbane, duke ndërtuar jo thjesht godina, por duke na mallkuar me “klaustrofobinë urbane” të qytetit, duke guxuar madje të zhduknin nga hapësirëpamja edhe vetë detin. Të gjitha këto veprime kanë krijuar një kosto, me ekuacionin e thjeshtë në parashtrim faktorësh, por shumë i vështirë për t’u zgjidhur sipas pyetjes: “Saranda është atraksion apo refuzim?” Natyra në Sarandë që nuk ka arsye si kudo, por që ka cikle vegjetacioni dhe gjetje të ekuilibrave në mijëvjeçarë ekzistence, është( më saktë ishte) atraksion; ndërsa veprimi i njeriut me (pa)arsye dhe interesa, na rezultoi refuzim. Edhe në aspektin ekonomik dhe monetar u kryen llogari kallpe. Çfarë duhet të bëjmë? Qyteti nuk mund të mbetet peng i njollave të betonit, i Kostandinit të vdekur. Qyteti duhet të ringjallet, duhet të shtojë magnetizmin tërheqës. Pjesa turistike iu saldua qytetit në zonën e banuar, çka nuk duhet të ndodhte. Ky realitet shterpë duhet refuzuar në treg, me qëllim që dështimi të jetë i atyre që e ngritën, dhe kostoja e humbjes gjithë po aq; dhe jo e buxhetit të taksapaguesve.

Përtej refuzimit duhet të mendojmë për zhvillime të reja turistike. Ka hapësira bregdetare ende të virgjëra, gjire deti, dhe gadishuj ku kanë mbetur vetëm tunelet e ushtrisë së kohës së diktaturës e ku mendja e gabuar dhe dora shkatërruese nuk kanë mbërritur. Në ato hapësira duhet ndërtuar turizmi real, me qëllim që qytetari skandinav që vjen të investojë apo të jetojë një pjesë të vitit, të mos i ndodhë si me shtëpitë që ata blenë në krye të herës në Sarandë, ku sa hap e mbyll sytë t’i dalë një godinë përpara si pjellë e marrëzisë. Kështu refuzuam një nga tregjet më solidë dhe më dobiprurës që ka aq nevojë për diell dhe klimë mesdhetare. Nëse do kishim një “koloni norvegjezësh, suedezesh dhe finlandezësh” me shtëpi në Sarandë, do të kishim dhe një pelegrinim turistik nga ajri nga toka dhe nga deti, pra do zgjeronim tregun e biznesit dhe atraksionin gjithëvjetor. Por do të kishim dhe investime të tyre dhe një gjallërim të tregut dhe punësimit. Ja pra çfarë kemi humbur.

Zonat e reja turistike do të sjellin zgjerimin e qytetit të Sarandës si atraksion, porse ato mund të ndërtohen duke zbatuar raporte rigoroze mes natyrës dhe ndërtimit. Si e ka Austria, Hungaria, Zvicra, Republika Çeke, 15% ndërtim 85% natyrë dhe gjelbërim. Ndërtime të ulëta mesdhetare me kombinime mes xhamit, drurit, hekurit dhe gurit tradicional, si dhe me shfrytëzimin e energjisë diellore. Këto qendra do të nxjerrin jashtë lojës së tregut të turizmit godinat gërdalla, aspak të bukura dhe të frikshme që shkojnë drejt qiellit në mënyrën më absurde, dhe ashtu të zhveshura pa banorë brenda, të ngjajnë si jetime. Atraksioni sot në turizëm nuk është më luks dhe hotel me mermer, apo interiere e dekoracione si në pallatet e dikurshme mbretërore. Në Itali çdo vit mijëra turistë nga Skocia dhe Irlanda, shkojnë për të bërë turizëm bio, që lidhet me natyrën e virgjër dhe ushqimet bio si djathëra dhe verëra të prodhimit artizanal të disa zonave. Kjo përvojë duhet të sillet edhe tek ne, në bregdetin tonë me shërbime të këtij karakteri. Ishulli i Santorinit në Greqi është një nga destinacionet turistike të lakmuara. Kam qenë atje qysh në vitin 1999. “Camary beach” ku qëndrova nuk është se afronte ndonjë befasi si peizazh natyror. Porse pjesa perëndimore e ishullit që quhet Hija (fjala shpjegohet me gjuhën shqipe, ikja e dritës kur dielli perëndon, është errësira ose hija) ka një reliev krejt shkëmbor. Në çdo perëndim dielli në një hark-kohor disa minutësh, atje shkrepen qindra blica aparatesh që fotografojnë zhytjen e diellit në det. Hotelet në këtë zonë janë shtëpi tradicionale direkte në shkëmb, me sofate dhe dritare të thjeshta me kortina, me mindere dhe me pjergulla e lule në ato pak oborre. Atje s’ka asfalt, as teleferik. Poshtë në det në një pjerrësi gati të frikshme, zbritja dhe ngjitja bëhet me mushka, pra s’ka fluturim me balona. Mbi atë transport me kafshë, lëvizin turistë skandinavë, nga Vendet e Ulëta dhe Europa Qendrore. Në restorante gatuhet sipas traditës, ku zënë vend lakrat e egra të zonës. Nuk e harroj një byrek me spinaq të ngrohtë të sapodalë nga furra që kam ngrënë atje. E zonja e lokalit nga anglishtja ime më morri për britanik, por unë i shpjegova se jam shqiptar dhe kështu gatuajnë dhe mëmat tona. Këtij ambienti turistik unë i them atraksion.

Më ka rënë rasti të shoqëroj në bregdetin e Lukovës, Bunecit e Borshit, zotin David Cohen, ish-ambasadorin e Izraelit në Shqipëri, madje dhe të përktheja për të në një intervistë që ai dha për TVSH. Ai theksonte se zonat e virgjëra janë atraksioni më i madh ku mund të organizohet një turizëm ekzotik, i thjeshtë dhe bio, mjafton që të mos ndotet deti nga ujërat e zeza dhe nga ujërat me detergjente që përdoren për shërbimet hoteliere. Dëshiroj të ndalem këtu në një problematikë kombëtare. Është emergjente që vendi ynë duhet të ketë më në fund një masterplan kombëtar afatmesëm dhe afatgjatë, së paku për 100 vitet e ardhshme, të punimeve inxhinierike nëntokësore. Ndotja e ujërave është gjëmë kombëtare. Ruajtja e tyre e pastër është e lidhur me të sotmen dhe me të ardhmen, është një nga “Objektivat e mijëvjeçarit”. Republika e Shqipërisë e ka firmosur dhe ratifikuar “Marrëveshjen e Johanesburgut”, porse u bënë rreth 15 vite dhe ende nuk ka studime fizibiliteti për atë që do ta quaja pa ndroje “rrugët e nëndheshme të kombit”. Londra, Parisi, Amsterdami, etj; janë të bukur dhe të organizuar mbi tokë, porse ata qytete janë po kaq të bukur e të mirëorganizuar edhe nëntokë. Po Saranda jonë, a është e mbrojtur nga ujërat e zeza dhe nga ato të bardha përzierë me kimikate që përdoren në hotele dhe restorante? Jo. Ajo që u realizua në Pogradec duhet të kryhet edhe në Sarandë, deaktivizim i ujërave të zeza me impiante në mënyrë që në det të derdhet vetëm ujë i pandotur. Kolektori në Çukë është i pamjaftueshëm, prej andej ujërat e zeza janë jashtë një disiplinimi rigoroz dhe marrëdhëniet me ujërat e nëndheshme janë jashtë çdo kontrolli. Një investim i tillë do ta shndërronte Sarandën në një atraksion. S’ka më kohë për të humbur. Qyteti në stinën e verës e kalon numrin e popullsisë rezidente dhe numrin e makinave disa herë. Buxheti për qytetin është po ai. Kjo situatë e sforcuar lyp ndryshim. Ligjvënësit do duhet të ndërhyjnë në legjislacion dhe duhet të aprovojnë taksa lokale, ndryshe situatat e pakëndshme dhe menaxhimi territorial do të shkojë keq e më keq. Heqja e mbetjeve urbane në pikun e verës është e pamundur me atë buxhet. Ndaj fjala vjen 500.000 turistët që vijnë këtu sipas statistikave, do të paguanin një taksë 1 euro nëse ata qëndrojnë më shumë se një ditë dhe një natë, shuma prej 500.000 euro krijon mundësinë që bashkia dhe sektorët e shërbimeve të saj, të kenë buxhet të mjaftueshëm për një qytet të pastër, pa mbeturina, të krijojnë vendgrumbullim dhe përpunim ekologjik, larg qytetit. Kudo në çdo vend të BE është kjo taksë. Nuk po flas për taksat e majme në Saint Tropez , apo në Venecia, por se brenda një normaliteti edhe tek ne, kjo shifër është e përballueshme nga çdo pushues në Sarandë. Qyteti duhet të shndërrohet në një hapësirë këmbësore, ndaj duhet menduar që në hyrje të qytetit të ketë disa parkingje me pagesë ku lihet makina.

Nëse dikush do të shkojë në Butrint, Lëkursë Finiq apo tek Syri i Kaltër, mund të shkojë ose me shërbim të specializuar urban, ose duke paguar ekstra po qe se do të shkojë me mjetin e tij. Lëvizja e kufizuar e makinave e mbron qytetin dhe ul ndotjen me gazra dhe me zhurmë. Qyteti do duhet të gjallërohet dhe në një dimension tjetër atraktiv, jeta në det. Në vendet ku kalon lumi Danub, ka jetë të gjallë aktive dhe shërbimesh në anije në lumë, restorante, koncerte etj. Tek ne deti vetëm shihet me sy, ende s’ka aktivitete ditën dhe natën me anije të ndryshme në det. Ky realitet i zbrazët është një atraksion i munguar. Si mund të gjenerohen të ardhura nga sipërmarrja nëse jeta e detit është e munguar? Në qytet dhe në rrethina ka objekte muzeale, por se një muze të qytetit etno-arkeologjik ende nuk e kemi. Prej dy vitesh zhvillohet në Sarandë një event ndërkombëtar, “Dea film festival”, por Saranda ende nuk ka kinema. Ndërsa festivali i teatrit në Butrint me përvojën që ndërtoi, duke ndrequr diçka mund dhe duhej të vazhdonte, kurse në fakt prej disa vitesh është ndërprerë. Është me interes që në pellgun ku ndodhet qyteti, bashkëpunimi shumëplanësh turistiko-argëtues duhet ndërtuar me Korfuzin, Pargën, Janinën, etj. Të gjithë të huajt që vijnë për herë të parë e mendojnë “aventurën” me një zbritje me avion në ishullin e Korfuzit dhe mandej me traget në Sarandë. Nuk ndodh që të zbresin tek ne nga ajri sepse nuk është e mundur, e mandej të kalojnë në anën tjetër të detit. Ja përse thashë në hyrje të parashtresës, se Saranda atraksion apo refuzim, është një çështje e hapur që kërkon zgjidhje të studiuara dhe të mirëmenduara, për të mos bërë gabimet e derisotme. Mundësitë janë, konferenca e qytetit na bind.
PËRPARIM KABO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
TOM DOSHI HERO APO VIKTIMËNga ELIDA BUÇPAPAJ (03.28.2015)
PRESIDENTI BUJAR NISHANI VIZITOI SHQIPTARËT NË MAL TË ZI"Zoti President, Malësia don Komunë".Nga FRANK SHKRELI (03.27.2015)
RASTI DOSHI - KUPOLA SHTRËNGON RADHËT, POPULLI SHTRËNGON SHPIRTINNga SKËNDER BUÇPAPAJ (03.26.2015)
BlogQYTETARË, KUPOLA MAFIOZE PO MERR NËN KONTROLL ÇDO GJË NË VENDIN TONË!Nga ROMEO GURAKUQI (03.26.2015)
SHQETËSIMET E KONGRESIT AMERIKAN MBI LIRINË E MEDIAS NË TURQINga FRANK SHKRELI (03.24.2015)
JA KUSH ËSHTË JANULLATOSI DHE VANGJEL DULEPërsëri sa për kujtesë shqiptarëve atdhetarë, në mbarë trojet etnike dhe në diasporëNga Prof. dr. ESHREF YMERI (03.22.2015)
22 MARSI DITA E PËRMBYSJES TË DIKTATURËS NUK ËSHTË NË KALENDARIN E FESTAVE ZYRTARE KOMBËTARENga ELIDA BUÇPAPAJ( Ribotim - e botuar më 22 Mars 2014) (03.22.2015)
DEKLARATAT KËRCËNUESE NGA TIRANA ZYRTARE TË PAPËRGJEGJËSHME - LAMTUMIRË BE - ALO PUTIN, ERDOGAN, AJATOLLAH, XI JINPING????? - ( Në vigjilje të takimit të radhës BE-Shqipëri të martën në Tiranë) - Nga FRANK SHKRELI (03.21.2015)
SA PËR KUJTESË BASHKATDHETARËVE TË MI, NË MBARË TROJET ETNIKE DHE NË DIASPORËNga Prof. dr. ESHREF YMERI (03.21.2015)
LOJA ME LETËRNJOFTIME DHE NËNSHTETËSI NË MAQEDONINga NEBI MËRSELI & UK LUSHI (03.19.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Gusht 2020  
D H M M E P S
            1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30 31          
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]