VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

 AQ NEVOJITET, VULLNET POLITIK DHE BASHKËPUNIM I TË GJITHËVE
Për të gjetur varret masive të personave të zhdukur nga regjimi komunist shqiptar gjatë periudhës 1944-1990
Nga FRANK SHKRELI

E Enjte, 04.02.2015, 09:44pm (GMT1)


Kaq nevojitet, "Vullnet politik dhe bashkpunim i të gjithë aktorëve", citohet nga gazeta Illyria e New Yorkut  të ketë thënë Z. Mathew Holiday i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur -- gjatë një tubimi që u mbajtë të mërkurën në hapësirat e Ministrisë për Mirëqenie Sociale dhe Rinisë në Tiranë. Fjala është për "Vullnet politik dhe bashkëpunim i të gjithë aktorëve" në Shqipëri, qofshin ata aktorë shtetërorë, qeveritarë, shoqërorë dhe individë të veçantë -- ndihma e të cilëve është e një rëndësie thelbësore për të gjetur varret masive të personave të zhdukur, me gjyq dhe pa gjyq, nga regjimi komunist shqiptar gjatë periudhës 1944-1990 -- për t'i gjetur dhe për t'i identifikuar ato viktima të komunizmit, numri i të cilëve sipas vet autoriteteve shqiptare, llogaritet të jetë mbi 6000 persona.  Ky ishte apeli që u bëri autoriteteve shqiptare, Z. Mathew Holliday i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur të mërkurën në Tiranë. 

Në portalin e Ministrisë Për Mirëqenje Sociale thuhet se në këtë tryezë konsultuese, siç e quan ajo tubimin, morën pjesë zëvendësministrja e MSR-së, znj. Gentjana Sula, përfaqësuesi i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur, z. Matthew Holliday, drejtori i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, z. Bilal Kola, si dhe përfaqësues të shoqatave të të përndjekurve dhe intelektualë.  Njoftohet gjithashtu se, siç thuhet, me mbështjetjen e kësaj Ministrie, pranë Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë do krijohet sektori i të zhdukurve, i cili gjithnjë sipas Ministrisë së lartë përmendur, është projektuar të jetë porta pritëse e të gjitha kërkesave dhe informacioneve mbi procesin e gjetjes së personave të zhdukur gjatë periudhës së diktaturës.  Ndërkaq, edhe përfaqsuesi i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur, Mathew Holliday, në emër të organizatës së tij, premtoi ndihmesën teknike dhe mjekësore për të gjetur dhe për të identifikuar personat që kanë humbur si rrjedhojë e krimeve të komunizmit kundër popullit të vet dhe fati i të cilëve nuk dihet për pothuaj 70-vjetë tani.  Ndonëse apeli i tij të gjithë aktorëve nuk përmendet në portalin e Ministrisë,  ai nuk humbi kohë që të paralajmëronte se suksesi i kësaj ndërmarrjeje varet nga "vullneti politik, meqënëse mund të zbulohen fakte historike dhe dëshmi, ndaj duhet bashkëpunim i të gjithë aktorëve", theksoi ai. Që ky proces të shënojë sukses, do të nevojitet gjithashtu dëshmia dhe bashkpunimi i ish-zyrtarëve të regjimit komunist, mbrenda dhe jashtë institucioneve të tanishme të shtetit shqiptar.  Është e pamundur që të mos ketë dokumentacion dhe të mos ketë dëshmitarë që dinë se ku gjënden shumica e këtyre varreve masive, nevojitete vetëm "vullneti politik dhe bashkpunimi i të gjithë aktorëve".  Vetë Ministria njofton në portalin e saj se është evidentuar "numri i personave të zhdukur në mbi 6000 veta dhe se numri i varreve masive të pa identifikuar dhe pothuajse të pazbuluar asnjëherë shtrihet në të gjithë vendin, në rreth 30 vënde ekzekutimi". Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur ka ofruar ndihmesën teknike dhe ekspertizën mjekësore.  Atëherë ku qendron problemi, pse nuk bëhen hetimet e nevojshme për zbulimin dhe për identifikimin e eshtrave të të zhdukurve nga regjimi komunist?
             

Zëvendësministrja Sula u shpreh se trajtimi i kësaj teme prek thelbin e drejtësisë së munguar dhe se shteti dhe shoqëria u ka borxh të gjithë atyre personave që sot e kësaj dite nuk kanë gjetur prehje, duke shtuar se "Hapja e zyrës për Personat e Zhdukur pranë Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë është një hap mjaft i rëndësishëm i kësaj qeverie, jo vetëm administrativ, por edhe moral, për të ndihmuar dhe lehtësuar kalvarin shumë vjeçar të familjarëve të të zhdukurve."  Zëvendësministrja Sula, tha se, "Hapja e zyrës ka për qëllim që të fillojë një kapitull të ri në trajtimin e kësaj çështjeje kaq të ndjeshme, e cila gjer më sot është trajtuar në mënyrë sporadike dhe në mungesë të një qasje të koordinuar institucionale", theksoi znj. Sula.

Megjithëse vonë dhe ndonëse mbetet për tu pa serioziteti i kësaj nisme, është mirë  që të pakën po flitet për këtë fenomen-plagë të pazgjidhur të shoqërisë shqiptare dhe që Ministria e Mirëqenjes Sociale organizoi një tubim të tillë për një çështje që kërkon zbardhje për një çerek shekulli tani. 

Njerzit që dëshirojnë informacion, mbi të gjithë familjarët dhe të afërmit e viktimave të zhdukura të komunizmit, shpresojnë dhe luten që kjo nismë, jo vetëm të jetë një hap drejt "Një kapitulli të ri", siç pretendoi zëvëndës-ministrja Sula, por duhet të konsiderohet si një përgjegjësi morale dhe shtetërore, që kjo çështje  të zbardhet njëherë e përgjithmonë. 

Por,fatkeqsisht vetë njoftimi në portalin e kësaj Ministrie mbi takimin e mbajtur në Tiranë në lidhje me këtë çështje, të bën të dyshohet mbi seriozitetin e angazhimit zyrtar të autoriteteve shqiptare për realizimin e ndonjë suksesi eventual të kësaj ndërmarrjeje, ndërkohë që thuhet se,"suksesi i kësaj nisme do të varet shumë edhe nga bashkëpunimi dhe eksperienca që do të sjellin përfaqësuesit e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur".  Duket sikurë topi i kësaj nisme po hidhet në kopshtin e Komisionit Ndërkombëtar.

Vetë përvoja e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur gjatë viteve të kaluara në marrëdhënjet e tija me autoritetet shqiptare duket se nuk ka qenë e kënaqshme, kryesisht për arsye të mungesës së interesimit të Tiranës zyrtare për këtë çështje.  Në portalin e tij mbi Shqipërinë, Komisioni Ndërkombëtar duket se shpreh pesimizëm mbi seriozitetin e autoriteteve shqiptare për zgjidhjen e kësaj çështjeje.  Në lidhje me këtë, Komisioni thotë se ndonëse,"Ç'prej vitit 1991, autoritetet shqiptare kanë miratuar më shumë se 24 akte ligjore në lidhje me viktimat e ish-regjimit, gjithnjë mbizotërojnë dyshimet dhe mos interesimi për fatin e personave të zhdukur dhe për identifikimin e vendeve ku  mund të jenë varret e të zhdukurve", duke shtuar se në Shqipëri, "pothuaj nuk është bërë asgjë për tu ofruar ndonjë ndihmë konkrete familjeve të të zhdukurve."  Komisioni  Ndërkombëtar për Personat e Humbur thotë gjithashtu se mungesa e informacionit dhe mosinteresimi zyrtar për të afërmit e tyre të zhdukur nga regjimi komunist është diçka tepër e vështirë që të pranohet nga familjet e tyre. Për më tepër, kjo mungesë informacioni dhe mos angazhimi zyrtar për zbulimin dhe identifikimin e të zhdukurve, sipas Komisionit Ndërkombëtar, "Po pengon gjithashtu mbarë shoqërinë shqiptare që të shkëputet njëherë e mirë nga trashëgimia e saj totalitare."

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur pohon se megjithë përpjekjet e pakta institucionale të Shqipërisë për të zgjidhur çështjen e të zhdukurve të regjimit komunist, janë familjarët e këtyre viktimave ata që kanë vazhduar të kërkojnë dhe të zbulojnë vet eshtrat e të afërmve të tyre.  Duke lexuar raportin  vihet re njëfarë zhgënjimi me përvojën e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur në Shqipëri. Komisioni pohon se në prill të vitit 2010 përfaqsues të këtij enti ndërkombëtar kanë filluar kontaktet e rregullta me qeverinë shqiptare, me disa grupe jo qeveritare që merren me të drejtat e njeriut si dhe me familjet e të zhdukurve duke u ofruar atyre ndihmë teknike për zbulimin dhe identifikimin e të zhdukurve.   Në raportin e Komisionit Ndërkombëtar i datës 18 qershor, 2014, theksohet se në tetor të vitit 2012 Kryeministri i atëhershëm, Z. Sali Berisha kishte lënë të nënkuptohej se ai do të organizonte një konferencë në mbështetje të propozimeve të bëra nga Komisioni Ndërkombëtar për gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve nga komunizmi, por ç'rej asaj kohe nuk është shënuar ndonjë përparim në këtë fushë, përfundon raporti i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur.

Është e qartë siç ve në dukje edhe Komisioni Ndërkombëtar se autoritetet shqiptare, tani dhe më përpara gjatë këtyre 25 viteve, ç'prej shembjes së komunizmit, nuk kanë treguar vullnetin e nevojshëm politik dhe as nuk kanë ofruar bashkpunimin e duhur për gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve të regjimit komunist.  Për më tepër, duket sikur ata presin që dikush tjetër të merret me këtë çështje, por kjo është përgjegjësia e autoriteteve të Shqipërisë, nëqoftse ato janë me të vërtetë serioze.  Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur, ashtu siç ka premtuar, mund të japë ndihmesën e tij teknike në këtë mes, por jo në një boshllëk dhe në një atmosferë mungese të vullnetit të mirë dhe të bashkpunimit serioz nga autoritetet përkatëse.  Andaj që ndihmesa e këtij komisioni të dalë me sukses në gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve të regjimit komunist në Shqipëri, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur ngulë këmbë ekziston nevoja   për një vullnet politik më serioz dhe për bashkpunimin e aktorëve në të gjitha nivelet qeveritare të Shqipërisë, nëqoftse autoritetet shqiptare me të vërtetë janë të vendosura, siç tha edhe zëvendësministrja Gentjana Sula "për të ndihmuar dhe lehtësuar kalvarin shumë vjeçar të familjarëve të të zhdukurve". 

Kjo përgjegjësi nuk mund t'i kalohet askujt tjetër sepse kjo është një përgjegjësi  themelore e autoriteteve shtetërore dhe qeveritare të Shqipërisë.  Por familjet e të zhdukurve vazhdojnë të shpresojnë kundër shpresës se një ditë do të mësojnë fatin e keq të të afërmëve të tyre se ku, kur dhe pse u zhduken ata pa shënjë e pa gjurmë. Mbetet për t'u parë nëse autoritetet shqiptare me të vërtetë janë serioze, që më në fund, të përballen me këtë çështje.  Zbulimi i së vërtetës është obligim ligjor dhe moral i autoriteteve të qeverisë dhe të shtetit shqiptar ndaj mijëra familjeve të viktimave të komunizmit të cilat 25 vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit ende presin me durim të zbulojnë të vërtetën mbi fatin e të dashurve dhe të afërmëve të tyre të zhdukur nga regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha!  Por, zbulimi i së vërtetës kërkon bindjen morale,vullnetin e mirë dhe bashkpunimin e të gjithëve,   që fatkeqsisht kanë munguar gjatë 25-viteve të fundit,e që sipas Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur njëkohsisht "vazhdon të  pengojë mbarë shoqërinë shqiptare që të shkëputet njëherë e mirë nga trashëgimia e saj totalitare."

FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.