VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

In Memoriam
NJERIU I MIRË YLLI VEJSIU
Nga ANDON DEDE, Nju Jork

E Djelë, 04.05.2015, 02:25pm (GMT1)



Në njoftimet që u dhanë për ndarjen nga jeta të Ylli Vejsiut, u evidentuan disa nga funksionet që ka pasur apo ndihmesat që ka dhënë ai në fusha të ndryshme të shkencës tek ne. Të gjitha ishin më se të vërteta, ai i meritonte, madje shumë më tepër se aq sa u thanë e u shkruan. Edhe unë, po të filloja këtu e të radhisja tërë studimet e tij, të botuara në revistat shkencore apo dhe si libra më vete, lista do të qe tepër e gjatë e shkrimi do të qe i plotësuar qoftë vetëm me to. Por unë do të flas për Yllin si njeri dhe as që do ndalem në studimet dinjitoze që ka realizuar ai në ekonomi, sociologji e sidomos në fushën e demografisë. Kush është kurioz të njihet me to, e ka fare të lehtë, qoftë përmes mjeteve elektronike, po ashtu edhe nëpërmjet skedareve në gjithë bibliotekat e vendit. Unë po përpiqem të hedh dritë në disa aspekte që lexuesi apo dashamirësi i Yllit nuk do t'i gjente në ato burime, tjetër punë se sa do ia arrij qëllimit. Duke iu përmbajtur këtij parimi, unë jam i vetëdijshëm se, kur flasim e shkruajmë për persona publikë, cilëtdo qofshin ata, rëndësi ka vepra që kanë lënë dhe jo aq shumë personaliteti i tyre vetjak, njerëzor. Kemi tërë ata njerëz të shquar, në politikë, art, shkencë e kudo, qi si njerëz mund të mos meritonin ndonjë vëmendje, por që me kontributet e tyre kanë hyrë prej kohësh në panteonin e lavdisë.

Pas kësaj hyrjeje, dikush edhe mund të më kthehet, pa të keq: "Po, vërtet, ç'na duhet ne se kush ka qënë Ylli Vejsiu, si njeri...Neve na intereson ajo që ai ka bërë e ka lënë pas...". Megjithëse edhe unë jam dakord me këtë lloj arsyetimi, nuk heq dorë nga imja dhe ja sepse: unë nuk po i caktoj atij vendin që do të zërë ai në shkencë e aq më pak në politikën shqiptare, se edhe të doja ta bëja këtë, nuk e kam atë tagër. Por unë i përmbahem mendimit se ne sot, si vend, si popull e si shoqëri, para së gjithash e mbi të gjitha kemi nevojë për njerëz të mirë, me integritet. Dhe e kundërta: nëse Shqipëria ka rënë sot në këtë derenxhe që po e përjetojmë të gjithë, arsyeja kryesore, sipas meje, është se në politikë e qeverisje i kanë munguar pikërisht njerëzit e mirë.

                *    *   *

E njoha së pari kur punoja në Televizion. Ma rekomanduan për një bisedë dhe shkova e takova në zyrën ku punonte, në mos gaboj në Komisionin e Planit të Shtetit. Që në atë përballje të parë, më la përshtypjen e njeriut të edukuar, të kulturuar e të sjellshëm. Me miratimin e shefit të vet, pranoi të vinte. Mbasdite, kur e prita për të bërë regjistrimin, më tha si me drojtje: "A do të vonohemi shumë se më duhet të shkoj një çikë herët në shtëpi, se nesër do të nisem për në Kinë?". Duke mos qënë fare i sigurt se si do të shkonte regjistrimi, i thashë se qe i lirë të shkonte dhe i urova rrugë të mbarë. Ma merr mëndja se gjithkush tjetër nuk do të kishte pranuar të vinte, po qe se të nesërmen do të udhëtonte jashtë shtetit, kur kemi parasysh se dalje të tilla, në atë kohë, përbënin eveniment për të gjithë ne.

    Më pas, fati e solli që të punonim bashkë, madje në një zyrë, në Institutin e Studimeve M-L, pranë Komitetit Qëndror. Atë mëngjez që do të vinte ai, e bëra rrugën për në zyrë me një ndjenjë kënaqësie si të prisja ndonjë mik të vjetër e të afërt. Për këtë u nisa pak më herët, për të bërë dhe përgatitjet e rastit. Por, kur mbërrita tek zyra, shoh se ai po më priste tek dera, kishte vajtur para meje. Ndjenja e detyrës qe një cilësi e brendëshme e tij.

Duke punuar në një zyrë me të, arrita të njoh në thellësi e gjithanshmëri personalitetin e tij, si njeri i kulturuar, i sjellshëm, erudit dhe i gatshëm të bisedoje me të për çdo temë e çdo fushë. Unë e quajta veten me fat e të privilegjuar që mu dha rasti të punoj me të, edhe pse për pak kohë. Nga ai kishe se ç'të merrje edhe në bisedat më të zakonshme që bëhen përditë në zyrë, në kafe e kudo. Ishte një kënaqësi e veçantë ta dëgjoje atë tek shtjellonte mendimet, me atë zërin e tij të qetë e të shtruar që të imponohej. Thashë edhe më lart, se rrezatonte kulturë e njohuri të gjithanshme e nuk kursehej nëse i kërkoje ndonjë konsultim më të zgjeruar, siç qe p.sh. momenti im që po përgatisja temën studimore në një fushë të afërt me interesat e tij shkencore. Ai mu gjend pranë qysh në konceptimin fillestar të saj, në përpilimin e pyetësorit që realizova e deri në miratimin në Komisioni e Lartë Shkencor, antar i të cilit qe dhe ai. Madje ai qe dhe një nga oponentët e disertacionit tim.

    Por s'qe e thënë që ai të qëndronte gjatë tek ne, edhe pse emërimi i  tij aty e kishte zanafillën tek ata lart fare, për të mos thënë tek numuri një i asaj kohe. Se nga doli një "vigjilent" andej nga lagjia dhe informoi organet kompetente se "Ylli nuk mund të punonte në atë institut se dikur babai i vet paskej pasur një problem me shtetin...". E thërresin Yllin në zyrën e kuadrit dhe ia njoftojnë largimin. Ata që e kishin prurë as nuk u ndjenë fare. Ditën e fundit dolëm bashkë dhe pas një kafeje, e përcolla deri tek rruga e Elbasanit. Më bëri përshtypje reagimi i tij: tepër i përmbajtur, pa asnjë mllef, i vetëdijshëm se të tilla gjëra mund të ndodhnin. Madje kureshtjes time për ndonjë emër, se nga e kishte peshqesh këtë që i ndodhi, iu shmang: "As që më intereson fare, ma ktheu, e ç'rëndësi ka?" U përqafuam e u ndamë si miq të ngushtë.

Kontaktet me të i ruajta edhe më vonë. Për gjithë sa po flasim, është fjala për vitet e fundit të 80-ës, të shekullit të kaluar, pra kur po i vinte fundi edhe vetë sistemit që po përjetonim.

    Kur nisi greva e urisë e studentëve, rastësisht mora vesh se aty qe futur dhe Ylli. U habita se me sa e njihja unë, nuk qe për të tilla veprimtari. "U fut se ka djalin atje" shtoi bashkëbiseduesi, -  pa të qe për Yllin, nuk futej". Unë nuk i vura rëndësi asaj që po thoshte ai, por me këtë rast m'u kujtua një dimension tjetër i Yllit, ai i prindit, dobësia e madhe që kishte ai për të birin. U ndala tek ky episod jo pa qëllim: kur dëgjova "Zërin e Amerikës", në darkë, si zakonisht, pati një intervistë edhe me Yllin. Më kujtohet bile edhe hyrja që bëri kronisti i njohur i përtej oqeanit kur tha se "në këtë grevë ka jo vetëm studentë, por dhe intelektualë të tjerë, si Prof. Dr. Ylli Vejsiu...". Por, kur e pyeti Yllin se si qe futur aty, ky, me një sinqeritet të habitshëm, pohoi atë që më pat thënë i njohuri im pak më parë: "Hyra se kisha djalin...". Pastaj ai e zgjeroi motivimin, por tashmë ato që thoshte nuk tërhiqnin më vëmendjen. Dikush do ta quante këtë një sinqeritet të tepëruar, deri edhe naivitet, kur kemi parasysh retorikën e të tjerëve që i binin gjoksit se po bashkoheshin me studentët për liri e demokraci etj.etj. Jo se Ylli nuk  i kishte edhe këto motive, por unë e përmenda këtë episod për të treguar se ai nuk dilte dot nga vetja.

    Më pas ai u aktivizua shumë në zhvillimet demokratike dhe u zgjodh njëzëri kryetar i Degës së PD-së së Tiranës. Në atë kohë PD-ja i kishte zyrat tek rruga e Kavajës, jo larg institutit ku punoja dhe unë. Takoheshim, bisedonim e për ndonjë problem edhe bashkëpunuam. Ndjeja kënaqësi që po më jepej rasti të bëja dhe unë diçka për të. E shihja në mitingje e në veprimtari të tjera dhe po habitesha me veten. Po e them pa ndonjë paragjykim se ai nuk qe për politikan. Me këtë absolutisht nuk dua të mohoj sadopak vlerat apo aftësitë e tij. Mendoj se këtë vlerësim për të e ndaj dhe me të tjerët që e kanë njohur. Më pas ai u zgjodh deputet e u emërua ministër i Arsimit në qeverinë e parë të PD-së. Prapë po e  them se ai nuk qe i përshatshëm për atë post, jo për nga përgatitja e formimi, por nga ato cilësi që duhet të ketë një funksionar, në atë post, në kushtet e vendit tonë, në stadin që po kalon i ashtuquajturi tranzicion tek ne. Prapë po e theksoj se më këtë pohim unë nuk ia ul aspak vlerat e aftësitë atij. Në të kundërt ia rrit, sado e çuditëshme të duket. Politikani apo dhe qeveritari tek ne, duhet të ketë pikërisht ato vlera e cilësi që kishte Ylli, por kjo është vetëm teorikisht apo virtualisht. Përvoja çerekshekullore e tranzicionit tek ne ka dëshmuar të kundërtën. Ja pra që pohimi im ia shton vlerat atij. E përsëris: Politika nuk qe stofë që i shkonte.

    Unë në atë kohë punoja në Institutin e Studimeve Pedagogjike, që varej direkt nga ky dikaster. Për marrëdhëniet e ngushta që kishim pasur, logjika më e thjeshtë e donte që unë t'i ruaja edhe më tej kontaktet me të, por kjo nuk ndodhi. Nuk i shkova asnjëherë në zyrë, edhe pse mund të kisha ndonjë problem me dikasterin. Kur, në një nga ato seminaret që bënim shpesh në ato vite, u përballa me të. "Pse nuk ke ardhur asnjëherë tek unë?" më tha ai pa të keq. "As mos prit që të vij" i thashë edhe unë me të njëjtën gjuhë. "Eja nesër se kam një problem të vogël që dua ta konsultoj me ty!" më tha. I shkova. Pasi ma ekspozoi çështjen, më kërkoi mendim dhe unë i fola si të qemë miq e shokë, pa asnjë paragjykim e tendencë. Qe fjala për drejtorin e ardhëshëm të institutit ku punoja, por kjo nuk ka asnjë rëndësi.

    Një ditë prej ditësh troket dera e zyrës time dhe më del përpara një miku im i vjetër, Vasil.P., oficer. Njiheshim që në Unike me të. Ishte nxënës i shkëlqyer dhe më erdhi keq që përfundoi thjesht oficer kur mund të kishte pretendime më të mëdha. Jeta na kishte ndarë e rrallë fort takoheshim. "Kam një hall të madh, ia nisi ai. Siç mund ta dish, unë kam dy vajza me glaukomë. Njera prej tyre kërkon të regjistrohet në Shkollën e Gjuhëve të Huaja, por atje na thonë se janë plotësuar vendet dhe s'ma pranojnë. Unë mora vesh se ti e ke shok apo mik ministrin. Të lutem do të më ndihmosh...". "Dëgjo Vasil, ia ktheva, tepër i prekur nga sa më tha, - unë vërtet njihem me të, por më beso se që kur është bërë ministër nuk i kam shkuar asnjëherë në zyrë, edhe pse kam pasur ndonjë problem. Por ty nuk të kundërshtoj dot, jo vetëm për miqësinë që kemi pasur por sidomos për hallin që ke". U çova dhe shkuam bashkë në ministri. Ylli, sapo i tha sekretarja se kush kishte ardhur, më priti menjëherë. I thashë përse kisha vajtur. Edhe ai u prek e ma preu shkurt: "Unë jam dakord, por duhet të bisedosh dhe me drejtorin e drejtorisë përkatëse. Thuaj se unë jam dakord...". Aty e tek drejtori, që për fat qe po një i njohuri im, V.M. që kishte punuar tek ne në Institut. Por, për habinë time, ai nuk pranoi dhe më kundërshtoi. "Po ta hap derën për këtë, tha ai, vijnë dhe të tjerë pastaj. Jo, nuk jam dakord...". "Dëgjo, i thashë, e para që edhe ministri është dakord. E dyta, as të kam ardhur ndonjëherë për të të kërkuar ndonjë favor, por a e kupton se me ç'rast kemi të bëjmë: një vajzë e verbër kërkon të vazhdojë shkollën dhe ne të mos ia krijojmë këtë mundësi, qoftë dhe si përjashtim?!". Por, qe e kotë, ai nuk lëshoi pe. Vasili u bind se s'mund të bëja më shumë. Ja, ky tip politikani i duhej Shqipërisë në këto vite, që as do t'ia dijë për humanizëm e më the të thashë... Jo rastësisht ai më pas u bë dhe ambasador ndërsa Ylli u zëvendësua me një tjetër. A thua të qe ndonjë ministër tjetër në vend të tij nuk do e çonte deri në fund miratimin që më dha mua? Ndaj thashë se politika nuk qe stof për të. Ishte kjo arsyeja që unë as i kërkova e as prita ndonjë favor nga ai kur u bë ministër  dhe, mbi të gjtiha, po e them me shumë sinqeritet, se as nuk pata ndonjë qejfmbetje. Për një gjë jam i sigurt: që nga ai, si ministër, shumë miq e të afërt kanë ngelur të zhgënjyer e të pakënaqur. A mund të kuptohet shqiptari pa i kërkuar ndere e favore atij që ka pushtet, e për më tepër në një post si ai?!

    Nga gjithë sa më sipër, nuk di nëse lexuesi më dha të drejtë për mesazhet që doja të transmentoja apo jo, gjë që nuk ka shumë rëndësi. Mua më erdhi shumë keq që e la këtë botë një njeri i mirë, nga ajo racë që po rrallohet përditë e më tepër tek ne dhe kjo më mjafton e më qetëson që munda të shkruaj këto rreshta për të.
   

ANDON DEDE


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.