VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PARLAMENTI I SHQIPËRISË SOT DHE DJE
Nga ROMEO GURAKUQI

E Djelë, 04.05.2015, 03:40pm (GMT1)



Me 27 mars 2015, në zyrat e Parlamentit të Shqipërisë, drejtuesi aktual i këtij institucioni, në ditën më të errët të demokracisë shqiptare, organizoi një audiencë përzgjedhore, sipas nuhatjes së qarkut solidar të së majtës, për të përkujtuar 95 vjetorin fillimet të jetës kuvendore politike shqiptare, bazuar aso kohe në Besë, Fisnikëri, Hierarki vlerash intelektuale e sociale dhe respektim të kodeve të Konstitucionalizmit, Lirisë e Marrëveshjes ndërshqiptare, pa dallim.

Sot:

95 vite pas Fillesës, Parlamenti i Shqiperisë, kuptuar si administratë dhe si organ i kuvendimit dhe vendimarrjes pluraliste mbarëshqiptare, nën kujdestarinë e një familjeje, është shndërruar, përmes shantazhit, presioneve jo ligjore dhe propagandës, në një institucion sektar, njëanshmërisht i projektuar dhe përjashtues të çdo strukture pluraliste, intelektuale të paformatuar në Zyrën e Sekretares Kuadrovike të nomenklatures së re. Prirja më e fundit është bllokimi dhe izolimi i çdo opozicion në aulen parlamentare dhe vendimarrjen tërësore të tij. Kjo politike e projektuar në këtë institucion duke filluar nga tetori 2013, ka filluar gradualisht të shtrihet gjërësisht në të gjithë jetën politike të vendit. Duke filluar nga data 25 dhe 26 mars 2015, praktkisht Shqipëria është vendosur nën sundimin e një sistemi njëpartiak, antiparlamentar, i artikuluar permes partive të kontrolluara nga financuesit në prapaskenë të fushatave të tyre elektorale, kontrollit të fortë të institucioneve të drejtësisë e kontrollit të ligjshmërisë, qartesisht me një dorë të vetme, extra juridike dhe jashtë arsyetimit shkencor të jurisprudencës. Parlamenti aktual ka degraduar në një grupim deputetesh pa qendrueshmëri karakteriale, pa ndergjegje humane, pa kurajo profesionale e qytetare; të pilotuar me urdhnime politike në unison, të mbarsur me sjellje inkoherente. Ndërkohë, në rezultat final, gati e gjithë shoqëria civile dhe media, nën frikën që shkakton paskrupullsia e zemres së pushtetit, merr pjesë me naivitet, droje, pasiguri dhe servilizem të përshtirë, në Shkeljen e Kushtetutes dhe European Convention of Human Rights, që është pjesë e brendshme e legjislacionit tonë.

Në cilin vend të NATO-s mund të verifikohen sjellje kaq puthadore të përfaqësuesve të popullit, kur verehet përdorimi politik, extra juridik i organëve të pavarura, kur konstatohet ekzistenca e një establishmenti policor që kërcënon deshmitaret, një sistemi policor që nuk siguron jetën e deshmitarëve, nuk siguron garancinë e proces verbaleve, serverave, filmimeve të marra me vendim gjyqesor, kur nuk siguron vulosjen e provave, kur ndodhet para skandalit të një kupole të dukshme dhe të padukshme, që kontrollon çdo gjë në këtë vend, duke vrare lirinë? Duhet të kuptoni se vendi praktikisht ndodhet nën një sistem tipik autoritar, më të gjitha pushtetet e kontrolluara nga një burim i vetem i autoritetit, që mund të bëjë gjithshka, ndaj kujtdo që i del para. Kjo kupolë vepron ndaj gjithë popullit, socialist, demokrat, medias, qytetarëve dhe intelektualëve, të cilëve edhe mund t'i thërrasë në ceremoninë e fillesës së parlamentarizmit, kur atë e kanë vdekur në praktikë. Sot nuk bëhet fjalë vetëm për lirinë e një deputeti, që ka rënë në grackën e hakmarrjes së pabesë, por për lirinë e çdo qytetari të Republikës, nga Gegnia në Toskëri Jemi në rrethanat e delegjitimimit të institucioneve nga perdorimi i Shtetit për interesa partikulariste. Duhet t'ju kujtoj së në këtë formë ka fillue Mussolini në Itali, trusti i lulelakrës së Gjermaninë e viteve 1930' dhe ati shpirtëror i komunizmit shqiptar, Enver Hoxha më 1945.

Kapaku final i çdo gjëje është Renia e Republikes Parlamentare: një rreth i tërë njerëzish të të gjithë kupolës të akuzuar publikisht nga një deputet, për përfshirje në intrigë, ose dekonspirues të hetimit të komplotit, që kur i shfaqet në publik si skandal, nuk gjejnë dot shpëtim tjetër veç vënies në përdorim të metodave të hetuesisë së Aranit Çelës dhe Rrapo Dervishit. Jemi në një rreth ku duket se Republika nuk ka mekanizma më të lartë institucionalë të pavarur, që ta çmontojnë krimin, fshehjen e krimit dhe zbulimin e të vërtetës për Publikun. Problemi me i rëndë sot mbetet zbulimi i se vertetes, hetimi i saj transparent në publik, shpetimi dhe ripërteritja e republikes dhe lirise dhe mbrojtja e deshmitareve të penduar. Republika asht ne rrezik, neqoftese se ajo nuk ka rënë. Ndërkohë opozita duhet të kuptojë se Parlamentarizmi i ka dhënë një mundësi të artë për të çmontuar krimin në Parlament: Komisionin ad hoc për hetimin në Publik dhe impeachment-in e Zyrtarëve të përfshirë në shkeljen e Kushtetutës, Betimit ndaj Shqipërisë dhe Ligjit.
Ndërkohë Fillesa e Parlamentarizmit ka qenë një nisje natyrore e një vendi shumë të prapambetur"

95 vite më parë, më 27 mars 1920, në Tiranë u mblodh Asamblea Kombëtare, e cila doli prej zgjedhjeve të përgjithshme të zhvilluara në muajin shkurt 1920. Ky ka qenë i pari parlament pak a shumë i zgjedhur në historinë e vendit. Kabineti qeveritar u formua nga të njëjtët anëtarë (gjithsejt nëntë), ashtu sikurse ai i formuar në Kongresin e Lushnjës në muajin janar të 1920, me Sulejman Delvinën si kryeministër dhe Ahmet Zogun si ministër të punëve të brendshme. Parlamenti shqiptar i filloi punimet me leximin e një mesazhi të ardhur prej Këshillit të Naltë të Regjencës, ku shpreheshin qartë: 1. Dëshira që Shqipëria të lejohej të jetonte në një harmoni përfekte me fqinjët e saj, grekët dhe jugosllavët; 2. Shpresa që Italia do të linte mënjanë politikën e saj të mëparshme dhe do të respektonte pavarësinë dhe integritetin e plotë të Shqipërisë. 3. Në letër shprehej mirënjohja ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Woodrow Wilson, për mbështetjen e tij fisnike ndaj çështjes shqiptare; 4. Bëhej një lutje për të gjithë botën e qytetëruar për drejtësi ndaj Shqiperisë.

Partitë politike të përfaqësuara në Parlamentin Shqiptar, filluan menjëherë të lindnin pas kësaj ngjarjeje. Disa nga ata kërkonin që në Shqipëri të vendosej një sistem perëndimor i demokracisë, me një opozitë parlamentare, por të tjerë dëshironin të përjetësonin një stil të administrimit të trashëguar që nga koha e Perandorisë Otomane, e kështu pushteti të mbetej edhe më tutje në duart e pronarëve të mëdhenj të tokave. Detyra parësore e qeverisë së re shqiptare në Tiranë u bë nxjerrja jashtë, mundësisht me mjete paqësore, e trupave të huaja nga territori shqiptar dhe eliminimi i të gjitha ndikimeve të huaja në vend. Situata e brendshme politike në Shqipëri, gjatë vitit 1920 dhe në vijim, ka qenë e kushtëzuar nga një numër faktorësh objektivë dhe subjektivë. Kongresi i Lushnjës, kishte krijuar një regjim të përkohshëm parlamentar në vend, por në planin praktik ky sistem funksiononte në mënyrë jo demokratike dhe të gjithë deputetet zgjidheshin nga lart. Zgjedhësit e kategorisë së parë dhe të dytë, u bindeshin në mënyrë të verbër urdhërave të marrura. Kësisoj, Dhoma e Deputeteve, me përjashtime të rralla, koinsistonte kryesisht në emërime të njerëzve, të bërë nga pak udhëheqës politikë, të cilët në këtë mënyrë, siguronin një bindje shembullore të deputetëve, pa u shqetësuar fare se këta mund të ankoheshin se kishin nevojë të konsultoheshin me zgjedhësit e tyre. Në këtë mënyrë mund të thuhej se kjo lloj demokracie shqiptare ishte e kufizuar plotësisht në thelbin e saj dhe e përqëndruar tërësisht në Tiranë, kryeqytetin e ri të vendit. Shqipëria, në pamjen e parë, dukej sikur kishte udhëheqës politikë të zgjedhur në mënyrë demokratike, por në realitet kjo nuk ishte e vertetë. Pushteti i këtyre udhëheqësve shqiptarë të kohës varej jo mbi votën e zgjedhësve, por mbi forcën e armëve të pasuesve të tyre.

Shqipëria e sapodalë nga sundimi i gjatë obskurantist otoman ishte vendi më i prapambetur i Europës, e nga një vend i tillë nuk mund të prisje që të dilnin në mënyrë demokratike, apo të vetëvetishme, administratorë me përvojë dhe të aftë. Pjesa më e madhe e popullsisë ishte një klasë fshatare, masivisht analfabete, e kësisoj liderët e kësaj klase, bejlerët e trashëguar nga Perandoria Osmane, nuk mund ta kuptonin dot ndryshe dashurinë për atdheun, vetëm si një dashuri dhe prirje drejt pushtetit. Personat e arsimuar ishin të paktë në numër, nuk ishin të pajisur me artin e të qeverisurit, e mbi të gjitha ishin pa kurrfarë të drejte nga klasa e bejlerëve të ish perandorisë, e cila kishte zënë tanimë, njëlloj si më parë, vendet në administratë dhe i mbarështronte punët me metodat e vjetra otomane.

Figura më e respektuar në Shqipëri në këtë periudhë ka qenë Aqif Pashë Biçakçiu i Elbasanit, babai i Kongresit të Lushnjës. Një figurë politike me një të kaluar të pastër, i vetmi që mund të mobilizonte në shkallë nacionale popullin në situatat e emergjencave. Rivali i tij kryesor, ka qenë Shefqet Bej Verlaci i Elbasanit, i cili kishte hyrë së fundmi në jetën politike të vendit. Ai ishte një prej feudalëve më të pasur të Shqipërisë dhe pasuria ishte ajo që i jepte atij rëndësinë që kishte. Ahmet Bej Mati Zogolli ishte i fejuari i vajzës së Shefqet Verlacit. Një figurë tjetër e spikatur ka qenë Hasan Bej Prishtina, nga Shqipëria Verilindore. Kjo figurë, në disa anë qendronte mjaft afër qendrimeve politike të Aqif Pashës, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit dhe në qoftë se këta udhëheqës do të mund të realizonin bashkimin e forcave përherë, rezultatet politike për Shqipërinë do të kishin qenë krejt pozitive në kahun përparimtar. Në një pozicion të dhunshëm opozitar me Aqif Pashën dhe Hasan Beun ka qenë Ahmet Zogu, një njëri me pak pasuri aso kohe, por me një forcë të qëndrueshme pasuesish të armatosur, të përbërë nga 500 mercenarë nga krahina e tij, dhe me mbështetje nga vjehrri i tij i parë Shefqet Verlaci. Në kohën për të cilën po flasim, Ahmet Zogolli ka qenë vetëm 27 vjeçar, i pajisur me një shpirt vendimarrjeje të shpejtë, me ambicje dhe kurajo për të mbizotëruar me çdo kusht mbi rivalët dhe aspak fleksibël. Ai gradualisht do të bëhej figura kryesore që do t'i peshojë jetës politike shqiptare në mënyrat nga më të përkundërtat, rreth të cilit do të përqëndroheshin në vijimësi, ngjarjet politike të vendit. E vetmja figurë e krishterë që mund të mobilizonte një forcë të rëndësishme të armatosur ka qenë Marka Gjoni, pasuesi i Preng Bib Dodës, prijësi i Mirditës. Ai në kohën në fjalë, zotëronte një forcë prej 2000 burrash të armatosur. Për këtë arsye Mirdita zotëronte një peshë të veçantë politike në sy të bashkëkombasve të tjerë shqiptarë. (Më vonë Mirdita do të copëtohet administrativisht. Njëlloj sikur fuqitë e mëdha dikur copëtonin trojet shqiptare, shtetarët shqiptarë, në vazhdimësi e në mënyrë të heshtur, e kanë copëtuar Mirditën ndër pesë njësi të ndryshme administrative brenda shtetit shqiptar). Berthama tjetër e fuqishme e shqiptarëve katolikë, Malësia, në kohën që po flasim, nuk e zotëronte më peshën e saj madhore tradicionale, që kishte pasur në jetën e brendshme të Shqipërisë, për shkak të copëtimit në dy pjesë dhe mbetjes jashtë kufirit politik, madje nën një regjim të rreptë ushtarak serbo-malazias, të pjesës më të madhe të Hotit, Grudës, Triepshit dhe Kojës. Pjesa tjetër e përfaqësisë politike shqiptare, përbëhej nga tregtarët orthodoksë të Korçës, Beratit, Gjirokastrës dhe Vlorës. Mosmarrëveshjet që kishin përfshirë komunitetin e krishtërë orthodoks, në lidhje me Kishen Kombëtare Orthodokse dhe shkollat, i kishin hequr kësaj bashkësie deri edhe forcën lokale të përbashkimit. Regjenca përbëhej nga Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani, Imzot Luigj Bumçi, i cili përshkruhet si njeri inteligjent dhe me karakter të lartë dhe Dr. Turtulli, i krishterë orthodoks i martuar me një grua franceze dhe që konsiderohej si personi me inteligjent dhe më i arsimuar në Shqipëri.

Parlamenti i parë do të ripërtërihej në muajt mars, prill dhe qershor 1921, pas zhvillimit të zgjedhjeve të para pas Kongresit të Lushnjës për Dhomën e Deputetëve. Duke qenë se këto kanë qenë të parat zgjedhje politike në Shqipëri, vlerësohet se ato janë zhvilluar më me pak ndikim të paarsyeshëm, d.m.th nuk ka pasur shumë imponime, dhe më me shumë paanshmëri. Dhoma e re e Deputetëve e mbajti mbledhjen e vet të parë me datën 21 prill 1921 në Tiranë dhe në këtë mbledhje morën pjesë 57 deputetë nga gjithsejt 75 vende që kishte ky institucion. Të ftuar të pranishëm në mbledhjen e parë ishin edhe ministri britanik dhe ai italian në Shqipëri. Fjalimi i Regjencës u lexua nga Dr. Turtulli. Më 17 qershor zgjedhjet u zhvilluan edhe në Shkodër dhe me 25 qershor 1921 Dhoma e Deputetëve u mblodh në përbërje gati të plotë më 77 deputetë, të cilëve pas zgjedhjeve në Himarë do t'u shtoheshin edhe dy të tjerë (Pra Himara dhe Bregu në tërësi duhet të përfaqësohet vetë, jo me marioneta politike. Ky është mesimi i etërve tanë tolerantë e largpamës).

Në parlamentin e dytë shqiptar të vitit 1921 grupet kryesore që u formuan ishin: Partia Progresiste, Partia Popullore dhe Blloku Katolik. Përveç tyre, si deputetë të pavarur, qendronin Fan Noli dhe Hasan Prishtina me pak nga deputetët e "Drinit" nga Shqipëria Verilindore. Dy grupet e mëdha, Progresistët dhe Populloret, kishin në realitet programe të njëjta, dhe secili prej tyre fliste për reforma, arsimin dhe zhvillimin material të vendit. Partia në pushtet, Progresistët, mes së cilëve fillimisht gjendeshin edhe pjesa më e madhe e 20 deputetëve orthodoksë, shkallë-shkallë filloi të quhej Partia e Bejlerëve. Të krishterët, duke e ndjerë pafuqishmërinë e tyre përballë bejlerëve, filluan një fushatë kundër atyre. Ahmet Bej Mati, me mjaft finesë, përfitoi nga kjo lëvizje për t'u bashkuar me "Unionin e Shenjtë", që synonte t'i jepte fund pushtetit të bejlerëve, megjithëse ai vetë i përkiste grupit më esktrem të vetë bejlerëve. Fan Noli për arsye praktike u shkri me Popullorët dhe pastaj me kombinimin e "Unionit të Shenjtë", ndërsa Blloku Katolik, megjithëse u bashkua në lëvizjen kundër bejlerëve, e përqendroi aktivitetin e vet kryesisht për Shkodrën dhe krahinën e saj. Menjëherë pas mbledhjes së Parlamentit, Ahmet Beu formoi atë që në historinë politike të Shqipërisë së asaj kohe njihet si "Klika", një lloj shoqërie e fshehtë e krahasueshme me atë që në Turqi njihej si "Komiteti Turk për Bashkim dhe Përparim". Anëtarë të mirënjohur të kësaj organizate kanë qenë, Ahmet Bej Zogu, Eshfref Bej Frashëri, Kolonel Maliq Frashëri, Kolonel Xhavidi, Kolonel Ismail Tatzati, Xhafer bej Ypi, Bajram Fevzi Beu, Sotir Peci, Kolë Thaçi, Mustafa Maksudi, Rexhep Bej Mitrovica.

Kështu nisi jetën parlamenti i parë shqiptar, rruga e të cilit do të ndërlikohej në rrjedhen e vitit 1924, me revolucion dhe kunderrevolucion; me fashistizim më 1939, komunistizim më 1946, liberalizim më 1992, për të përfunduar sot me një degradim gati të plotë në gjendjen e një autoritarizmi antiliberal, shoqëruar me një propagandë intensive të modeleve që ndërtoi në Shqipërinë e vitit 1939, 1940 Giro dhe Parini, dhe një zhvillim punimesh e urdhnimesh parlamentare të ngjashëm me Këshillin e Epërm Koorporativ Fashist të vitit 1940.

27.03.2015
ROMEO GURAKUQI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.