VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

70 vjetori i gjyqit special
KOLABOACIONIST APO PATRIOT...?
Nga RESHAT KRIPA

E Mërkurë, 04.22.2015, 03:21pm (GMT1)



    Në 70 vjetorin e gjyqit special natyrshëm  të lind pyetja: Çfarë kanë qenë personazhet që aktivizoheshin në administratën shtetërore në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, kolaboracionist apo patriot? Kjo pyetje qëndron pezull në skakierën e politikës shqiptare. Mendimet janë të ndryshme dhe shpesh herë përplasen midis tyre. Historianët e periudhës totalitare i rendisin politikanët që morën pjesë në administratën shtetërore të kohës në radhën e kolaboracionistëve. Madje, për këtë shkak, shumë prej këtyre politikanëve, si pjestarët e grupit të gjyqit special, me vendosjen e pushtetit komunist, shkuan në satër pa as më të voglin hezitim. Të tjerët ishin detyruar, për të mos pësuar të njëjtin fat, të merrnin rrugën e emigrimit në vendet perëndimore ku gjetën një strehë të sigurtë dhe një liri veprimi, ku asnjë organ shtetëror i këtyre vendeve nuk i radhiti në rradhët e kolaboracionistëve.
    Pas ndryshimeve demokratike lindi edhe nje kategori tjetër historianësh që ngjarjet e asaj periudhe i shikonin me nje sy tjetër. Kjo kategori ngulte këmbë, me të drejtë, se ngjarjet historike nuk duheshin parë bardhë e zi. Ylberi ka shtatë ngjyra dhe të gjitha ato duhen patur parasysh. Ndaj çdo gjë duhet parë në prizmin e periudhës kur ka ndodhur.
    Personalisht, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, kam qënë mjaft i vogël për të kuptuar të vërtetën. Hera-herës dëgjoja tim atë kur bisedonte me miqtë e tij të ngushtë, opinione mbi figurat kryesore të luftës. Vija re se opinionet e tim eti binin ndesh me ato që na mësonte historia që bënim në shkollë. Por pata fatin që u arrestova  Them pata fatin se, gjatë kësaj kohe, mësova se Shqipëria kishte edhe një histori tjetër, ndryshe nga ajo që kisha mësuar në shkollë. Këtë histori ma mësuan ata burra të rrallë që zor se mund t'i vijnë më këtij kombi. Ata ishin doktor Isuf Hysenbegasi, Avokatët Xhevdet Kapshtica, Fatosh Kokoshi dhe Haki Karapici, kleriku Padre Mëshkalla dhe përkthyesi Gjon Shllaku, agronomët Meçan Hoxha dhe Sami Bitincka, mësuesit Tahir Hoxha dhe Matish Çefa dhe plot të tjerë që nuk po i përmend pasi do të duheshin faqe të tëra.
    Këta burra më flisnin për ngjarjet dhe personazhet kryesorë që ishin ndeshur gjatë periudhës së luftës me njëri-tjetrin. Më flisnin për ata që kishin pranuar të merrnin pjesë në administratën e lartë të pushtuesit, për shkaqet pse kishin pranuar dhe nëse kishin vepruar drejt apo jo. Më flisnin edhe për aktivitetin e tyre në të kaluarën, për luftën e gjatë dhe përkushtimin e tyre në dobi të vendit. Në sytë e mi gjithmonë e më shumë lartësoheshin figurat e këtyre martirëve të shquar që u sakrifikuan për Shqipërinë. Kështu tek unë u formua një opinion i plotë mbi aktivitetin e zhvilluar prej tyre ndër vite.
    Kohët e fundit, me zhvillimin e madh që ka marrë interneti, shfletoj faqet e tij dhe lexoj mbi këta burra. Çuditërisht ato përputhen me opinionin e krijuar prej meje qysh prej vitesh.
    Do përqëndrohem vetëm në dy prej tyre, njëra nga e djathta dhe tjetra nga e majta

1. Patër Anton Harapi:
    
1921-1924, drejtues i revistës "Ora e Maleve".
    1924, përkrah opozitës shqiptare me në krye Nolin, Gurakuqin, Fishtën e të tjerë.
    1920-1930, ideator i organizimit politik të demokristianve shqiptarë dhe përpjekjet për krijimin e një partie të këtyre parimeve
    1930-1936, Drejtor i revistës "Hylli i Dritës".
    13 shtator 1943, anëtar i Këshillit të Lartë të regjencës. Pjesmarrës i marrëveshjes me komandën gjermane që i konsideronte hebrenjtë qytetarë shqiptarë, si rezultat i së cilës asnjë hebre nuk iu dorëzua gjermanëve. Lidhur me këtë ai i tha ushtarakut të lartë gjerman:

    Marrëveshja është që trupat gjermane do ta përdorin territorin shqiptar vetëm si urë kalimi për në Greqi, pa i cënuar dhe pa ndërhyrë në çështjet e brendëshme shqiptare.

    Më 1945 Arrestohet dhe dënohet me pushkatim. Në sallën e gjyqit i deklaron gjykatësve:

    E pranova detyrën se nuk mujshe me pamun Shqypninë të pushtueme prej anarkije, nuk dojshem të krijohej nji babiloni shqyptare me luftë vllavrasëse qi zhgatërronte katundet, familjet. Ndjeva mëshirë si për popull e gjithashtu edhe për Shqypni.
    Qeshë i shtrënguem të zgjedh njerën dysh: a të baj nji marri tue e pranue këte detyrë, a të tregoj nji dobësi tue u largue. Vendosa ma mirë të baj nji marri ose, sikurse thonë ata shqyptarë qi duen të ruhen të pastër, desha të kompromentohem!"

    Ky ishte Patër Anton Harapi

2. Emrush Myftari

Një i ri komunist kosovar, pjesmarrës i luftës së Spanjës përkrah brigadave internacionale, shokë me Xhemal Kadën, Petro Markon, Skënder Luarasin. Më 17 prill 1941 Jugosllavia kapitulloi përpara ofensivës gjermane. Emrushi së bashku me një grup shumë të madh pejanësh pret ardhjen e çlirimtarëve gjermanë, siç i quante ai, ndërsa një grup serbësh ishin ngujuar në bashkinë e qytetit për ta pritur "okupatorin" me armë. Me mbërritjen e tanksit të parë gjerman, Emrushi hipën në tanks dhe së bashku me turmën e madhe i drejtohen vendit ku ishin serbët. Fillon përplasja. Nga ana kosovare vriten dymbëdhjetë trima. Së fundi serbët detyrohen të dorëzohen. Për këtë veprim, Emrushi u dënua me vdekje nga komunistët, vendim që mundi të zbatohej në vitin 1945.
Si duhet t'i quajmë veprimet e këtyre herojve, kolaboracionizëm apo patriotizëm? Ata i thirri zëri i atdheut pasi  ishin pikërisht gjermanët që kishin krijuar Shqipërinë Etnike të ëndërruar prej shekujsh. Ishte Gjermania që kishte korigjuar një gabim të pafalshëm të kryer nga Franca dhe Anglia në Konferencën e Londrës. Ishte së fundi Gjermania që e trajtoi vendin tonë jo si një vend të pushtuar por si një vend të lirë. Dhe ishin pikërisht komunistët ata që, duke mohuar vlerat kombëtare, ia kthyen sërish këto krahina jugosllavisë, armike e betuar e popullit tonë.
Në të njejtat kondita kishin luftuar dikur paraardhësit e tyre. A nuk ishin Ismail Qemali, Abdyl dhe Sami Frashëri, Vaso Pashë Skodrani dhe të tjerë, funksionarë të perandorisë turke? Por kjo nuk i pengoi të luftonin edhe për mëmën Shqipëri. Atëhere përse këta quhen patriot dhe intelektualët tanë kolaboracionista?
Një miku im më thoshte një ditë:

    Bota baltën e bën njeri, kurse shqiptarët, për fat të keq, njeriun e kthejnë në baltë.

    Nuk doja t'i besoja sentencës së mikut tim, por ngjarjet e kohëve të fundit e vënë në dyshim ndërgjegjen time. E lë në ndërgjegjen tuaj, të nderuar pjesëmarrës, të gjykoni mbi drejtësinë e mendimeve të mia të shprehura në këtë shkrim. Do të mirëprisja çdo mendim hapur dhe pa prapaskena, madje edhe ato kundra, që do të më paraqiteshin. Unë jam në pritje.
    

RESHAT KRIPA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.