VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

METODAT AUTORITARISTE NË DREJTIM TË SHTETIT DHE ZGJEDHJEVE
Nga ROMEO GURAKUQI

E Hënë, 05.11.2015, 10:07am (GMT1)


Askush nuk e kishte menduar se pas gati 25 viteve të rënies së shtetit të PPSH, shoqëria shqiptare dhe Shteti ynë, do përjetonin një rikthim të strukturave autoritariste të sjelljes qeveritare, një imazh publicistik të aktivitetit shtetëror, të shoqëruar me një kontroll të gjithanshëm dhe represion mediatik dhe faktik mbi shoqërinë. Jemi në një fazë të pluralizmit jo funksional, në një vend të kontrolluar nga një qeveri bipolare, në të cilën është martuar jakobinizmi majtist propagandistik, gangsterizimi politik dhe krimi në krye të Parlamentit; një qeverisje që priret të kontrollojë të gjitha pushtetet e pavaruna e të shkallmojë plotësisht pluralitetin e autonomitë e pushteteve vendore. Shteti shqiptar, e mira publike, politika e drejtë, e ardhmja e vendit është bërë serish e njëanshme dhe po identifikohet me Qeverinë Socialiste dhe Rilindase, përmes shpalljeve zyrtare periodike, nga goja e një Kryeministri dhe një Kryeparlamentari (dy bashkekryetarëve "karizmatikë" dhe absolutë në Mazhorancës). Çdo ditë publiku dëgjon altoparlantin që këndon refrenin e superioritetit të vullnetit shtetëror, të mishëruar vetëm në dy parti politike, pamje që krahasimisht në histori më rezultojnë të organizuara mbi modelet e metodat e Klubit Jakobin dhe të Partisë së Këmishëzinjve.

Konceptimi i sjelljes politike e elektorale, i komunikimit publik, niveli i transparencës së burimeve të financimit të fushatave, veprimet ilegale të grumbullimit të kartave nga Partia e Drejtorëvë të Fortë, kanë krijuar një klimë të rëndë dhe plotësisht të papranueshme për një proces normal zgjedhor për një vend kandidat për EU.

Për të kuptuar cilësinë e demokracisë dhe kuptimin qe kanë dy Parët e Shumicës për procesin zgjedhor dhe lirinë e zgjedhjes, mjafton të kujtosh mënyrën se si "burri me sopatë në dorë" hyri në pronën e paprekshme të Bashkisë së Shkodrës dhe Klubit të Futbollit "Vllaznia", me datën 3 maj 2015 dhe fjala e pafamë e tij, në kundërshtim me Kushtetutën, bazuar mbi modelin fashist, e mbajtur në Teatrin Migjeni.

Nuk e kishtë bërë në Shkodër as gjenerali de Fourtou në dhjetorin e vitit 1918, e as të tjerë pas tij. Askush nga ata nuk ka guxue me hy në Shkodër, në kryeqytetin kulturës shqiptare, pa thirrë parinë e atij vendi dhe qytetarët ma te spikatun. Duke mos respektuar rregullat e lutjes dhe të kërkesës ndaj zotërve të shtëpisë, në majin e vitit 2015, Paresia kryeministrore social-integriste, hyri në derë të Shkodres, pa trokitë, pa i kerkue leje zotërve të shtëpisë, pa thirrë njerëzit e parisë intelektuale dhe qytetare dhe projektuesin e stadiumit "Loro Boriçi, pa dorëzue nji kërkesë për vlerësim e ekspertizë extra partiake, për projektin e zyres projektuese kryeministrore. Ishte një veprim i dhunshëm që vetëm kopetë e turmat jo qytetare e lejojnë, e arsyetojnë dhe i formësojnë dekor e skenë. Ata që kanë marre guximin me hy në këtë formë, përmes përdorimit të forcës së pushtetit, pa u ftuar e pa respektuar normat e etikës, kanë ba nji gabim të paarsyetueshëm. Askush nga shoqnuesit nuk kanë pasur asnji tager juridik dhe as parësor, për të kryer ceremoninë e pritjes dhe percjelljes, në mjediset zyrtare të Bashkësisë Shkodrane, e aq me pak, vendimarrjen mbi projektin, me e përdorë për fushatë politike. Ndodhi një shkelje e kodeve normale të komunikimit mes autoriteteve centrale dhe autoriteve vendore dhe injorimi i Kartes se Autonomise se Pushtetit vendor, ne nje vend qe don me u ba pjese e EU. Por pyetja më e vetëvetishme është: çfarë kompromisi dhe çfarë skenari ka pranuar kryeministri me palen që sulmon qytetin nisur nga Tenda e Qypit?

E solla këtë shembull të spikatur nga moria e një spektakli të pangjashëm zgjedhor, për të bërë një përgjithësim të fushatës së sivjetme zgjedhore: 1.Zgjedhjet zhvillohen në rrethanat kur mazhoranca ka vendosur nën kontroll të plotë institucional, me metodat e dorës së fortë, idhnake, hakmarrëse, kompromentuese, që zakonisht përdoren nga partitë qevërisësë në vendet post sovjetike, të pjesës më të madhe të institucioneve të pavarura dhe burimeve financiare të vendit. 2. Zgjedhjet zhvillohen në një vend me ekonomi në kolaps total, me burime investimi të kyçura nga politikat jo me interes konkurencial, me një varfëri gjithnjë në rritje, nga qendra e vendit drejt periferive, largim masiv të qytetareve zgjedhes nga vendi, me krim të rrugës të përhapur në mënyrë të frikshme, që nga ana tjetër rrit edhe më shumë se në të shkuaren, mundësinë e një procesi të blerë zgjedhor nga periferia e kësaj shoqërie të mjeruar. Vendi po shkon ne zgjedhje me një numer votuesish që vjen e zvogëlohet përditë për shkak të emigracionit dhe prishjes së konditave për kthimin e emigrantëve për të votue; 3. procesi ndodh pas një tronditjeje të thellë, në zhvillim e siper ende, që kësaj mazhorance, i ka ardhur nga dy deputetë të rëndësishëm të saj, që shkallmuan imazhin e drejtësisë për të gjithë njëlloj dhe kujdesit ndaj varfnise shqiptare, të ekipit Rilindãs; 4. Zgjedhjet zhvillohen kur Parlamenti shqiptar ka degraduar në një institucion vendimarrës unilateral, drejtuar nga një personazh nën akuzë publike nga deputeti Doshi, të cilës zotëria nuk i ka dhënë shpjegimet e përshtatshme teknike mbushamendese dhe nuk i ka hapur rrugën procesit të hetimit të paanshëm në Parlament, vullnetarisht me dorëheqje. Në kundërthenie me parimet e kushtetutes së një Republike Parlamentare, sipas të cilave, institucioni përfaqësues i sovranit drejtohet nga një Speaker of House, që normalisht është vetëm një moderator pa asnjë pushtet vendimarrës, drejtimi aktual i Parlamentit ka marrë mbi vetë pushtete vendimarrëse extra konstitucionale, që po i rëndojnë rendit legjislativ, ekzekutiv, juridik dhe vendimarrjes politike në vend. 5. Zgjedhjet zhvillohen në rrethanat e një konkurence politike pa arbitër, në të cilen Shteti e ka të shkatërruar pozicionin e Qeverisë si gjykatës i kthjellët i rendit politik, social e krahinor, të Ministrisë së Brendshme që ka nënvendosur Policinë e Shtetit, si mbrojtëse të ligjit e rendit; 6.zgjedhjet krahinore po konceptohen si zgjedhje të përgjithshmë politike, shumë të rëndësishme për imazhin e qeverisë, të demtuar nga përfshirjet në skenare antiligjorë, të pangjashme me një vend kandidat për EU. Furia e hershme e fushates, sinkronizimi i aktivitetit, sulmet ndaj kadidatëve pa asnjë përjashtim, janë tregues i një konceptimi nën presion politike e frike i procesit zgjedhuer krahinuer. 7.Publiku po sheh një Kryeministër me dy pamje: a. të trimëruar, hakërryes, ironizues, tallës e poshtërues ndaj kujtdo që bën pjesë në popullin asnjanës dhe popullin opozitar; "indiferent" në dukje ndaj çdo zëri ta pavarur publik e mediatik, injorues dhe moskëkçarës ndaj ekspertizës dhe b) pamja e nënshtruar, "korrekte", shërbenjëse, deri edhe frikësuar ndaj Speaker-it të Parlamentit, të cilit i afrohet me përuljen tipike të një maggiordomo besnik, çdo të enjte në skenën e Kuvendit të Parësisë Nacionale; 8. Zgjedhjet po shoqërohen serish, me perdorimin intensiv të disa skifterëve të propagandes politike denigruese, skifterë që i përkasin politikës dhe medias.

Është krijuar përshtypja e thellë në vend se qeveria komandohet nga interesa ekonomike e financiare obscure, që shkojnë përkundër ndërtimit të një tregu të lirë të rregulluar, përkundër interesave të shoqërie të hapur të europianizueme dhe një mjedisi pluralist nacional. Në qoftë se shoqëria shqiptare nuk arrin të bëjë një verifikim e korrigjim të kësaj situate, atëherë historia e lirisë në këtë vend është e ndërprerë dhe zgjedhjet e kësaj radhe do jenë një proces i deshtuar, që do të demtonte rëndë demokracinë e integrimin e Shqipërisë në EU. Kjo sjellje politike nuk është modeli i udhëheqësisë së kohës sonë, dhe këta nuk janë liderët që koha jonë e re e Shqipërisë së re duhet të kënë në krye të punëve të vendit. Nuk bëhet fjale, për deshtimin e tyre për me krijue një tokë të volitshme shqiptare për zhvillimin në paqe sociale, prosperitet ekonomik dhe demokraci liberale, por për nji përpjekje të paramendueme me vendos një pushtet majtist me bazament themelor nga ish Zona e Parë Operative, ushqyer nga organizatat kriminale që kanë financuar dhe po financojnë në prapavijë procesin zgjedhor. Në fund fare, një shpjegim konstruktivist i politikës, nuk mund të neglizhojë, e të mos analizijoë edhe gjendjet psikologjike e emocionale të aktorëve të kesaj skene, strukturat e mendimit të shprehura përmes komunikimit, vendimarrjeve e mimikave të përditshme.

Bëhet fjalë për një binom diktatorial, autoritarist që komandon jo vetëm drejtimin politik të vendit përkundër standardeve të demokracisë, parlamentarizmit e konstitucionalizmit, por edhe pikat kyçe të organit të hetimit (orientimi i hetimit të akuzes se deputetit të Shkodrës, jashtë formulimit të objektit, indikatori ma i qartë), organit të kontrollit të pasurive (askush nuk guxon në këtë organ të bëjë verifikimin e të ardhurave që çuan në vendosjen e pasurisë marramendese në Bllok dhe Lalez e gjetkë), një dorë e fortë kontrolli mbi sistemin gjyqësor që priret gjithnjë e të rritet.

Regjimi autoritarist i krijuem e ka damtue radikalisht zhvillimin e vendit dhe përforcimin e demokracisë, kontribuoi në përmbylljen e procesit të djegies edhe të një brezi tjetër shqiptarësh, duke e kthyer prapa tashmë procesin e integrimit të vendit. Zgjedhjet e ardhshme krahinore, që në fakt po përjetohen si zgjedhje të përgjithshme dhe test i publikut për një qeverisje me një cikel të shpejt degradimi e të mbërthyer nga skandale të njëpasnjëshme, kërkojnë një mbikqyrje të gjithanshme nga organizmat ndërkombëtare. Por Shqipëria nuk mund të lejohet të jëtë edhe më tutje njolla e zezë e Europës. Ajo vetë është e paaftë të krijojë një rend në liri. Ndaj këtij vendi, shtetet europiane është e nevojshme të zbatojnë një formulë speciale për integrim: Reformim nën mbikqyrje strikte (një EULEX-ALBANIA) nga institucionet e përhershme të EU, mbi funksionimin e Parlamentit, proceseve zgjedhore, marrëdhenieve dhe organizimit të partive politike, kuadrit ligjor të proceseve zgjedhore. Fokusi kryesor do të duhet të jetë mbikqyrja e parametrave të Shteti Ligjor, Ndarjes së Pushteteve, menyra e ushtrimit të aktivitetit dhe parimet e veprimit të Prokurorisë, Institucionit të Kontrollit të Pasurive të qeveritave në gjithë kohët dhe reformimi i sistemit të drejtësisë brenda reformës së përgjithshmë konstitucionale, që do të duhej ta përfeksiononte Skemën e Qeverisjes. Vendi është i rrezikuar nga përzjerja e politikës me krimin e organizuem dhe Shqipëria, në qoftë se nuk do të trajtohet si rast i veçantë nën proteksion, do të jetë në vazhdimësi rasti i një demokracie të deshtuar dhe i një hapësire të së keqës në kontinentin e vjetër.

Tiranë, me 9 maj 2015

ROMEO GURAKUQI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.