E Premte, 03.29.2024, 01:06am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

PA TABU

Nga Elida BUÇPAPAJ


E Enjte, 02.18.2010, 07:46pm (GMT+1)

 

E kam filluar gazetarinë atëhere kur besohej se vendosja e demokracisë në Shqipëri do të ishte një punë orësh, ditësh apo muajsh. Në vitin 1991 kur, ndonëse diktatura komuniste e Tiranës ishte më e diskredituar se kurrë, më mizore dhe më e sofistikuar se kurrë, qe krijuar një terren shpresëdhënës për të larë duart me të, për ta rrëzuar nga themelet ngrehinën e saj kriminale që ishte e zhytur në krime dhe gjak, me qëllim që pluralizmi të mos ishte virtual. 

Në vitin 1991-1992 kur fillova të botoj shkrimet e para, ishte koha optimale që shoqëria shqiptare të rilindte si feniksi, dhe shteti i së drejtës të ngrihej në themele të shëndosha, larg çdo inercie që do të mund të riciklonte eksponentët e Sigurimit apo eksponentët që kishin shërbyer në infrastrukturën e regjimit diktatorial. Ashtu si u veprua në të gjitha ato vende të Evropës Lindore të cilët prej një dekade janë anëtare të NATO-s dhe BE-së. A mund të mendohet se një eksponent  i regjimit të Honekerit apo Egon Krencit  të jetë sot Ministër apo Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë apo i Republikës të Polonisë apo i Çekisë?

E kam filluar gazetarinë, si njëra nga dy korrespondentët e parë të Zërit të Amerikës. Xhevdet Shehu disa muaj më parë kishte qenë gazetar i Zërit të Rinisë, organ i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste. Unë tek Zëri i Amerikës punova për tetë muaj, ndërsa Xhevdet Shehu për disa vjet rresht. Meqë Skënderi, im shoq, ishte Drejtori i Përgjithshëm i RTSHsë, mendohej se unë nuk mund të mos ndikohesha nga qëndrimi zyrtar i qeverisë të re demokratike. Ndërsa të kishe qenë gazetar i organeve të Komitetit Qendror për absurd nuk thoshte asgjë.

Shkrimet e para i kam botuar në shtypin pluralist, që në fakt zor të ishte i tillë, sepse edhe gazeta Rilindja Demokratike ishte e kontrolluar. Fakti që pjesa më e madhe e gazetarëve që botonin aty më vonë do të ktheheshin në eksponentë të Partisë Socialiste e vërteton këtë. 

Edhe sot e kësaj dite pavarësia e shtypit në Shqipëri ashtu si edhe në Kosovë  është pothuaj e pamundur. Simpatitë e gazetarëve dhe botuesve nuk përjashtohen, por një shtyp dhe media e kontrolluar nga politika dhe nga oligarkët, të cilët i ushqen me financime politika, përjashton çdo mundësi për lulëzimin e shtypit të lirë dhe destinacion i fjalës së lirë është vetëm vyshkje dhe komprometim.

Të shkruaje më 1991 se Sigurimi i Shtetit duhet të shpërbëhej tërësisht apo se Arben Puto nuk meritonte të ishte në  krye të Komitetit të Helsinkit, pasi kishte lidhje të ngushta familjare me Manush Myftiun nuk ishte gjë e lehtë. Kërcënimet i merrnim për ditë. Si një refren i këtyre 20 viteve të tranzicionit.

Në varësi me periudhën, kërcënimet kanë qenë ose të drejtëpërdrejta ose të stërholluara. Një formë e tyre është edhe izolimi nga eksponentë që dikur i kanë shërbyer diktaturës dhe sot  janë nëpunës të lartë të shtetit demokratik. Më kanë kërcënuar dhe izoluar ngaqë nuk i njoh tabutë.

Nuk i kam njohur tabutë që kur e kam nisur këtë profesion në vitet 1991-1992. Kohë kur isha e trimëruar, sepse besoja se diktatura i takonte së shkuarës. Isha me plot energji duke e parë gazetarinë si mënyrën më ideale për t'u përballuar me një karakatinë që kutërbonte. Ajo përballje direkte kërkonte kushtimisht që të mos i njihje tabutë.

Në vitet 1991-1992 e shihja veten time me fat. Vuajtjet që kisha hequr si e bija e një gazetari dhe poeti ndaj të cilit diktatura kishte ndërmarrë gjithçka për të depersonalizuar, tani i shihja si motivim që më jepte forca për të shkruar dhe shprehur të vërtetën.

Ndihesha me fat, sepse ndërsa diktatura kishte bërë gjithçka që të më ndrydhte e frikësonte, familja kishte edukuar tek unë një qenie sa delikate aq edhe me personalitet. Jashtë shtëpisë gjatë viteve të diktaturës jetoja ferrin, por me familjen time jetoja në parajsë. Im atë kishte bërë gjithçka që të më kulturonte. Mësuesit e mi të gjuhëve të huaja ishin Afërdita Asllani, e bija e Ali Asllanit, Filip Ndocaj dhe i madhi Pedro Zheji . 

Në vitin 1991-1992, kur iu shpalla luftë tabuve, e bëja këtë nga pozitat e një njeriu të lirë. Isha pa njolla nga e kaluara. Siç thuhet rëndom nuk kisha gëlltitur një lugë me çorbë të prishur. Duke qenë tepër e re integritetin tim të pacënuar e shihja përparësi, por eksperienca më vonë tregoi se kjo ishte e metë. 

Koha tregoi se të gjithë ata që kishin qenë pjesë e infrastrukturtës të diktaturës gradoheshin dhe bënin karrierë. Kush kishte punuar në Komitetin Qendror apo në institucionet që vareshin prej tij i ndihte fati, dhe karierën e kishin të garantuar. Le t'i marrim një për një.

E keqja më e madhe është se tani bëjnë karshillëk nga  kolltukët e shtetit demokratik, të cilin e anatemuan për një pjesë të mirë jetës së tyre. Unë vazhdoj  të ndihem fatlume në vlerat e integritetit tim, ndërkohë që nuk i shoh më me indiferencë ish eksponentët e Partisë të Punës dhe ish-Eksponentët e Sigurimit dhe Komitetit Qendor që rehatohen nga kolltukët e shtetit demokratik dhe mua më shohin si një dele të zezë.  Sepse delet e zeza, (në fakt, kobet e zeza) janë ata.

Sot pas njëzet vjet tranzicion kur Shqipëria ka hyrë në NATO dhe shpejt hyn në BE, unë jam shumë më tepër e trimëruar se në vitet 1991-1992. Unë nuk i kam njohur tabutë atëhere kur në netët që Tirana nxinte nga blackout-it na fluturonin mbi kokë plumbat, dhe jo tani kur gjithçka është shumë më lehtë se atëherë.

 

Elida BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
OKB T'I MBROJË GAZETARËTNga NIK KRASTEV (02.18.2010)
Pavarësia e Kosovës: 17 Shkurt 2008 - 17 Shkurt 2010 (Dokumente dhe fotogaleri) (02.17.2010)
NË MBROJTJE TË BERLUSKONIT  - Marrë shkas nga letra e Elvira Donez botuar tek La RepubblicaNga Elida BUÇPAPAJ (02.16.2010)
TË VËRTETAT E HIDHURA TË LINDJES SË MESMENga Roger COHEN. New York Times (02.12.2010)
RUSIA, PA TË ARDHMENga FRASER CAMERON, New York Times dhe International Herald Tribune (02.11.2010)
AMERIKA ENDE NUK KA HUMBURNga PAUL KRUGMAN, New York Times (02.08.2010)
VALBONA E KALTËR NË ZI PËR AVNI MULAJNNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.06.2010)
LABIRINTI LIGJOR I KOSOVËSNga IAN BANCROFT, The Guardian (02.04.2010)
Mësimi i maqedonishtes nga klasa e parë, një ngërç politik për MaqedoninëNga Dr AVZI MUSTAFA (02.01.2010)
HUMBJA E BESIMIT NË AFGANISTANNga ERIK MALMSTROM, New York Times (01.30.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]