VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

EDHE PAS 19 VJETËSH SHQIPËRIA ENDE NUK I KA DËNUAR KRIMET E KOMUNIZMIT

Nga Elida BUÇPAPAJ

 


E Shtunë, 02.20.2010, 07:19pm (GMT1)

 

Më 20 shkurt 1991, populli i Tiranës si një uragan rrëzoi shtatoren  e diktatorit Enver Hoxha, por mjerisht prej asaj dite deri më sot Shqipëria ende nuk i ka dënuar krimet e komunizmit. Vendi që ka përjetuar regjimin stalinist më të egër në të gjithë Evropën Lindore dhe Ballkan - edhe pas 19 vite të  përmbysjes së komunizmit - përjeton anormalitetin më të papranueshëm duke vazhduar të mos kërkojë falje për viktimat e sistemit komunist. Në këtë mënyrë vetvetiu lind pyetja: A është rrëzuar vërtetë diktatura në Shqipëri apo mbijeton duke diktuar dhe imponuar vullnetin e vet si një shtet paralel shumë më i fuqishëm se shteti demokratik.

Distancimi nga e kaluara e zezë diktatoriale është alfa dhe beta e një shteti që kërkon të rifillojë jetën si një demokraci Perëndimore. Në Shqipëri ky është një mision i pamundur. Procesi i ndriçimit të së kaluarës ka mbetur në nivelin e retorikës dhe pathosit sepse  Shqipëria deri më sot nuk është përballur ende me të kaluarën. Për ironi të fatit edhe disa ekponentë të diktaturës të cilët u gjykuan gjatë viteve 1992-1996 pas ngjarjeve dramatike të 1997-tës u rehabilituan dhe u dëmshpërblyen.

Në shkurt të vitit 2006 parlamenti Evropian votoi  Rezolutën 1481, "Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe klikës së tij në Shqipëri" e cila kërkonte dokumentimin e krimeve komuniste dhe demaskimin e tyre, por Shqipëria vazhdon të mbetet rasti unik në Evropën Lindore që nuk e ka përmbushur detyrimin e saj ndaj shoqërisë shqiptare.

Pjesë e klikës së Enver Hoxhës është Ramiz Alia, diktatori i fundit i Shqipërisë, i cili asnjëherë nuk ka pranuar fajin dhe nuk iu ka kërkuar falje shqiptarëve për monstruozitetin e regjimit, pjesë e të cilit ishte edhe ai vetë..

Mund të thuhet me plotë gojë se Shqipëria është vendi i vetëm në Evropën Lindore që tregon përkujdesje ndaj udhëheqësave të diktaturës dhe klikës komuniste. Më 20 Shkurt 1991 populli i Tiranës do të përmbyste shtatoren e diktatorit, ndërsa më 22 Shkurtin e vitit 1991, dy ditë pas rrëzimit të shtatores të Enverit, Ramiz Alia do të firmoste Dekreti numer 7459 "Per respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve". 

E kur krimet e komunizmit në Shqipëri rrezikojnë harresën kolektive, në ekranet dhe gazetat e Tiranës Ramiz Alia paraqitet si një burrë shteti që edhe sot e kësaj dite vazhdon të gjykojë viktimën.

Në asnjë  televizion të Europës, në asnjë media evropiane, askund dhe askurrë nuk mund të japin leksione për demokracinë ekponentët e klikave të diktaturave, siç ndodh mjerisht në Shqipëri.

Gjatë krizës së Kosovës, kur EuroNews do të intervistonte kriminelin e luftës Arkanin, Christiane Amanpour do ta konsideronte këtë një turp për shtypin dhe fjalën e lirë, ndërsa mediat dhe shtypi i majtë i Tiranës është i mbushur me moralin që Ramiz Alia u bën viktimave të regjimit komunist.

Në asnjë vend të Europës Lindore nuk mund të ndodhë që në nivelet më të larta të drejtësisë, dhe të polititkës të qendrojnë ata që firmosën varjen në litar. Rasti i Fehmi Avdiut i cili nga deputet i PS vazhdon të bëjë karrierë në institucionet më të larta të drejtësisë tregon inkriminim të politikës, e cila ka njëzet vjet që i zvarris shqiptarët në tranzicionin e pafund. Dhe ky tranzicion do të zgjasë për sa kohë nuk do të kryhet procesi i ndriçimit dhe denoncimit të kalvarit komunist.

Në Partinë Socialiste sot janë ricikluar bijtë dhe nipat e nomenklaturës më të lartë të regjimit komunist, të cilët nuk janë distancuar nga etërit dhe gjyshërit e tyre, ndërsa në Partinë Demokratike vazhdojnë të bëjnë karrierë segmente të infiltruara të kastës së kuqe dhe eksponentë me Dosje, të cilët mbeten një kontigjent i rrezikshëm për demokracinë shqiptare.

Pa kujtesë kolektive dhe pa pastërti të politikës nuk mund të ketë funksionim të demokracisë.

 

Elida Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.