VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

"TIMES": MESDITA NË TURQI


E Hënë, 03.01.2010, 12:53pm (GMT1)

 


Konfrontimi mes Ankarasë dhe ushtrisë mund të jetë katastrofik.

Turqia, shtyllë e NATO-s, anëtar i mundshëm i Bashkimit Evropian dhe aleat strategjik i Perëndimit në Lindjen e Mesme, sot gjendet buzë katastrofës.

Nëse konfrontimi aktual ndërmjet Qeverisë së moderuar islamike të kryeministrit Rexhep Taip Erdogan dhe establishmentit ushtarak provokon një grusht-shtet, apo nxit dhunë politike dhe fetare, humbjet e Perëndimit për stabilitetin rajonal dhe shpresat për këtë fuqi ekonomike në rritje do të jenë të pallogaritshme.

Ajo që është në lojë, nuk ka rëndësi kritike vetëm për Turqinë, por për mbarë botën myslimane: A është islami politik, madje edhe ai i moderuar, në përputhje me demokracinë, autoritetin e shtetit dhe institucionet laike?

Tensionet janë zbutur paksa që nga lirimi i tre komandantëve të lartë të ushtrisë, që u morën në pyetje për komplotin e pretenduar.

Por, me gjithë bisedimet e kryeministrit me gjeneralin Ilker Basbug, kreun e forcave të armatosura, dhe premtimet e tyre të përbashkëta për ta zgjidhur krizën "brenda rendit kushtetues", frika dhe spekulimet e kanë kapluar vendin.

Tregjet e bursave kanë rënë, ndërsa ndarjet sociale dhe politike po thellohen. 14 njerëz të tjerë u morën në pyetje, duke e çuar në pothuaj 40 numrin e ushtarakëve të arrestuar.

Turqit e habitur shohin se si oficerët e tyre, deri dje virtualisht të paprekshëm nga autoritetet civile, tash akuzohen se kanë komplotuar të hedhin bomba në xhami, të provokojnë dhunë dhe të përshkallëzojnë konfrontimin me Greqinë, komplote që janë sa cinike, aq edhe bizare.

Mosdurimi mes Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim dhe forcave të armatosura filloi kur kjo parti erdhi në pushtet në vitin 2003 dhe u thellua nga animozitetet e të dyja palëve.

Armata, një kohë të gjatë, ka parë veten si mbrojtës të shtetit laik dhe nga vitet e 1960-ta ka intervenuar katër herë për t'i përmbysur qeveritë, për të cilat besonte se e minonin traditën Kemaliste.

Por, Partia e Drejtësisë u tregua sfidë më e fortë. Duke përkrahur moderimin publikisht, ajo tregoi se nën drejtimin e zotit Erdogan, njeri kompetent për ekonomi, i përkushtuar për t'i shtyrë reformat sociale dhe efektiv për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, partia fitoi popullaritet tek elektorati shumë më tepër se qeveritë e korruptuara në të kaluarën.

Ndërkaq ushtria, bashkë me establishmentin legal dhe shumë intelektualë turq, kanë dyshime të thella ndaj partisë, për të cilën thonë se po promovon agjendë islamiste, duke i shtypur zërat kritikë dhe gazetat dhe duke u përpjekur, për të parën herë, që të kufizojë rolin dhe fuqinë e forcave të armatosura konservatore dhe nacionaliste.

Partia e Drejtësisë është e bindur se armata ende planifikon përmbysjen e saj. Konfrontimi i dy vjetëve më parë rreth zgjedhjes së presidentit Abdullah Gyl për president, u përcoll me një përpjekje të Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur partinë të jashtëligjshme dhe për t'ua ndaluar kryeministrit dhe kolegëve të tij të merren me politikë.

Zoti Erdogan i zmbrapsi gjeneralët, duke bërë thirrje për zgjedhje. Kështu, armata u gjet në situatë të vështirë për të bërë ndonjë përpjekje për përmbysjen e Qeverisë.

Konfrontimi është një përballje, të cilën Erdogan duhet ta fitojë. Është e papranueshme që në një vend, kandidat të BE-së, armata të jetë imune nga gjykatat civile, të ketë veto mbi politikën, të bllokojë zgjidhjen për Qipron, apo të frikësojë Qeverinë.



Por, zoti Erdogan duhet të ketë takt, durim dhe vendosmëri për të penguar çdo zemërim të establishmentit ushtarak, që mund ta fusë Turqinë në vorbullën, të cilën komplotuesit e grusht-shtetit dukej se synonin ta krijojnë. (http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.