VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

FISNIKËRIA E UDHËHEQJES OSE FISNIKËRIA - KY VIRTYT I MUNGUAR NË SHQIPËRI

Nga SHEFQET MEKO, Minneapolis, SHBA


E Enjte, 03.04.2010, 05:59pm (GMT1)

 

 

 

 

 

Jam mbi 10 vjet larg Shqipërisë, dhe ai vend, përveç nostalgjive të së shkuarës sime pasionante, nuk më intereson në planin tim personal! Minesota, shteti ku jetoj, më është ëmbëlsuar në jetën e përdtishme, edhe pse nuk e zëvendëson atdheun e parë. Aty nuk  vij aq shpesh, si dikur kur kisha nënën e babain gjallë, nuk kam asnjë synim karriere apo ambicje partiake... Gjithsesi, jam gjysma aty edhe pse dua të shkulem dhe zhdukem. Nuk kam aspak urretje për vendin tim, përkundrazi e dua si djepi i ëndrrave të mia të bukura...Edhe pse ishin ëndrra në "kohën e Enverit" ato ishin iluzione të bukura...Pasione, dëshirë, shpresë... Nëse vijoj më tej e di që do të më akuzojnë për  "komunist" ose "kripto-komunist", për "spiun" apo "këlysh i regjimit" e ku di unë...Asgjë nga këto nuk do të më bënin përshtypje, nëse vetë shoqëria shqiptare përveç "epsheve politike", do të mund të ishte realiste, do të mund të ishte më racionale në gjykimin që u duhet bërë politikave dhe politikanëve tanë... Dy dekadat e Shqipërisë në demokraci, iu ngjajnë më shumë "dy llogoreve" brënda  vetë kombit, se sa dy dekada të emancipimit dhe civilizimit  të pritshëm.

 

Ne duhet të pranojmë se dolëm nga një diktaturë komuniste së cilës  të gjithë ia mbanim "patericat" dhe e "zbukuronim"...Edhe unë në një mënyrë apo tjetër,  kam qënë "në valle"... Trimat dhe të mençurit komunizmi ose i vrau, ose i burgosi...Ne që nuk ishim as në burgje as në gjyqe, na mbetet të jemi realistë tek e shkuara dhe tek e ardhmja e dmokracisë... Gjej rastin të kërkoj falje për ndonjërin, që padashje e kam lënduar me shkrimet e kohës së propogandës komuniste, ndërkohë që jam i sigurt që kurrë nuk spiunova, apo  dëshmova për ndokënd  në gjyqe politike. Unë mendoj se pajtimi më i mirë brenda një kombi është prosperiteti dhe drejtësia për të gjithë, prej tani dhe në vijim.

 

Në një shoqëri demokratike dhe të lirë nuk ka vend për "valë urretjesh" por gjithsesi fajtorët direktë duhet të ishin dënuar me kohë, jo tani pas 20 vjetësh të flasim sikur sapo përmbysëm diktaturën...Kjo është një lloj "vendnumero" që gjithsesi dëmton të ardhmen e një vendi dhe kombi të lashtë siç është kombi ynë.Gjithë shoqëria duhet të zgjohet në "kërkim të kohës së humbur" duke bërë presion tek klasa politike shqiptare që të  mishërojë norma dhe morale të pranueshme nga të gjithë. Pra nuk mund të ecim thjesht "pas të madhit",apo thjesht pas "pragmatizmit politik"...Ky është një moment kur shoqëria duhet të zgjohet tërësisht dhe të gjejë rrugën e progresit, jo vetëm për brezin që jeton të sotmen, por edhe për nipërit dhe stërnipërit që do t'u takojë të lindin dhe rriten atje, në Shqipëri... Pra, të zgjohemi në emër të një lëvizjeje progresiste që kapërcen verbërinë e sotme politike të njërës apo tjetrës parti, duke themeluar seriozisht shtetin e së drejtës dhe barazisë para ligjit.

 

Ne në këto vite demokracie nuk pamë kurrë udhëheqës fisnikë. Nuk pamë kurrë njerëz dinjitoze, që e dinë se cili është misioni dhe mbasi e arrijnë ose dështojnë ikin...Ikin. Ikja është ajo që i tmerron politikanët e Tiranës. Duke e parë veten "të ikur'" ata mendojnë se kanë vdekur...Jo hej burra. Ikja në politikë është fisnikëri. Ikja në politikën moderrne është përgjegjësi dhe dinjitet, është largpamësi përtej vetes tënde, është vizion që i duhet shoqërisë së emancipuar. Mos e bëni kaq tragjike ikjen, se ne të gjithë, në një formë apo tjetër, ikim...Ikim që të gjejmë nje fillim tjetër. Ikim që të mos bëhemi "ngërç" për zhvillimin...

 

Unë jam produkt i atij vendi, që ndihem i kënaqur që nuk i përkas më "idjotësisë  politike" së atjeshme. Nuk dua të fyej askënd, dhe nëse kjo  ju fyen, sinqerisht ju kërkoj ndjesë. Nuk ka fisnikëri në politikën shqiptare. Ka vetëm makutëri, ego, diktat, përdhosje, shpifje, fyerje, dhunë, intrigë, pështymë... Sa shumë pështymë në sytë e politikanëve tanë. Sa  gjynah, edhe syrratpështyrë ata sërish janë udhëheqës të kombit tim të origjinës. Nuk do të kishte një podium të dytë në botën demokratike që mund të duronte kaq shumë faqepështyrët e Parlamentit të Shqipërisë.  Kurrkund, përveç se në vendet që sundohen nga klika dhe diktatorë... Dhe ndiej dhimbje për këtë realitet tragjik, ku luhen tragji-komeditë e botës në një pëllëmbë vend që quhet Shqipëri... 

 

Nuk ka një komb të dytë në glob që të shohë ashiqare se si tallen njerëzit me aspiratat e veta dhe sërish populli të heshtë dhe të "nusërojë". Nuk ka një komb tjetër në Europë, që të shohë se si përdhoset e drejta e tij dhe të heshtë...Popujt në Europë dhe Amerikë nuk presin thjesht të flasin partitë dhe "liderat" por bëjnë gykimin e  tyre dhe lëvizin...Në Tiranë njerëzit lëvizin nëse "flet Partia" dhe "të mëdhenjtë"... Ja, vështroni, edhe tani populli pret "thirrjen e nënës"  që të protestojë për çmimin e dritave apo krizën që i është hedhur mbi shaptulla! Një shoqëri e lirë vetëorganizohet për t'u mbrojtur nga shteti dhe flet me zërin e vet para thirrjeve politike.

 

Me vjen keq për ata mjeranë që kujtojnë se demokracia do vijë në Shqipëri. Mos harrroni miq se oratorët perfektë të demokracise ishin në Greqi, por vetem pas shekujsh idetë e tyre u implementuan nga Amerika e cila edhe tani nderon "baballarët e kombit" dhe nuk heq presje nga kushtetuat themeluese. Dhe nëse vetë shoqëria amerikane pranon se kjo lloj demorkacia është e pamjaftueshme dhe bëhet  vigjilent ndaj çdo  rreziku ndaj demokracisë apo tentative për kufizimin e lirive nga qeveria e tyre, ç'mund të thonë vallë të tjerët?

 

Një shoqëri që pretendon të jetë e lirë për indivindin dhe gjithkënd tjetër, kurrsesi  nuk mund të jetë një tekë apo "huq i keq". Nuk ka një shembull të dytë në demokraci kur ndërsa opozita ankohet (populli ankohet), kërkon një verifikim, (e drejtë elementare nëse dyshon në rezultat) ndërsa ai që është në pushtet flet për "dhëmbë e dhëmballë"... Nuk ka një shënjë më të keqe se kjo për të dëshmuar  keqmanaxhmin e demokracisë. Në kësi rastesh  nëse do kishim fisnikqëri në politikën shqiptare, gjëja më e thjeshtë do ishte: Eja dhe  më kontrollo. Eja dhe shikoje  humbjen  tënde!

 

Nuk ka një hajdutëri më të keqe se sa ajo që mbahet mbas ligjit dhe Maliqit.Nuk ka një zhgënjim më të madh të popullit kur shesh se vota e tij "darovitet" majtas apo djathtas... Nëse ne jetuam gjysëmshekulli diktaturë, kjo erdhi edhe për arsyen se shumica e popullit, ishte keqinformuar dhe kurrë e mirinformuar për të vërtetën që lëvizte në  nomenklaturën e partisë-shtet. "Ideologjia e partisë" ishte si lugat, që shfaqej  befas dhe të digjte nëse  "devijoje"... Ne ishim një shoqëri e përgjumur, ku "shoket e partisë" dinin gjithshka dhe shumica vetëm brohoriste...Një ditë u zgjuam, mësuam se socializmi dështoi, se  "tribunët" e partisë nuk ishin të tillë, por thjesht "kukulla" qe nuk mund ta përballonin mençurinë e popullit. Në ato vitë që binin "idhujt" e Byrosë Politike kam shkruar diku një artikull dhe pyesja: Ku janë "tribunët" e djeshëm?!... Ata  ishin fshehur pas kuintave të zyrave të veta, dhe dërgonin servilët e tyre të dëgjonin se ç'thuhej në mitingje dhe demonstrata, se ç'shkruanin gazetat që nuk mund të kontrolloheshin prej tyre...Ata i trembi populli i informuar, populli që donte ndryshimin dhe solli ndryshimin...

 

Qysh nga ato ditë të arta të protestave antikomuniste, ne pamë se vërtet populli në vetvete ka një   talent  dhe fuqi befasuese... Njerëzit e lirë morën iniciativa, mësuan përmes dhimbjes, lojën e tregut dhe biznesit dhe i ndryshuan faqen Tiranës dhe Shqipërisë...Nëse vëren mrekullinë e incitivave private në shërbimet publike dhe sociale, në turizëm dhe argëtim, në marketing  dhe manazhimin e nevojave të tregut, janë kryesisht individë, të inkurajuar nga një kuadër ligjor liberal që kanë ndryshuar gjithçka... Tashmë, pas këtij investimi katoik në 20 vjet, pas gjithë këtyre leksioneve të suksesit dhe dështimit në treg dhe ekonomi, pas rolit të individit dhe politikave, ne shohim fare qartë në Shqipëri një krizë institucionale. Një  krizë politike që i ka rrënjët jo thjesht tek pozita apo opozita, por tek vetë realiteti politik shqiptar i cili nuk është gjë tjetër që nga fillimi deri në fund veçse një realitet "dy-llogoresh": Ne dhe Ata. Ju dhe Ne. Demokratë dhe komunistë. Spiunë dhe Martirë. Gënjeshtarë dhe të ndershëm. Heronjë dhe viktima. Të  pastër dhe të korruptuar! Llafazanë dhe brohoritës! Familjarë dhe jo familjarë. Mafia dhe Antimafia! Shtet dhe antishtet...


Kriza politike që ka përfshirë është në pritje të një zgjidhjeje! Atë vështirë se mund ta zgjidhin "lordët" e Brukselit, as edhe deklaratat nga Departamenti i Shtetit Amerikan. Atë duhet  ta zgjidhin vetë shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë! Ndaj në këtë moment krize,  ku "topat" dhe "gjylet" hidhen sa majtaj dhe djathtas, duhet  pak fisnikëri, pak burrni.  Duhet ai vullnet i mirë që  t'i shërbehet ligjit dhe shoqërisë së të drejtës duke e provuar këtë. Unë mendoj se politikani historik i shqiptarëve në këtë moment krize ka vërtet "edhe gurin edhe arrën".

 

Unë mendoj  se tani pas 20 vjetësh betejë për  një shoqëri të së drejtës dhe të barazisë para ligjit, pas 20 vjetësh, debate, përplasje, intriga politike, klane dhe antiklane, ne nuk kemi asgjë që të jetë e qëndrueshme dhe jashtë "kulteve" të Sali Berishës dhe Fatos Nanos.

 

Edi Rama, duke qënë një  "i promovuar" nga Fatos Nano, ka mësuar aq shumë nga "ustai" i vet saqë ia kaloi madje duke i kthyer kurrizin dhe duke e akuzuar  si "armik"  i socialistëve... Tamam shprehja "komunizmi ha bijtë e vet..."!  Ndërkohë, nuk ka një udhëheqës tjetër në botë që "nga inati i sime vjehrre shkoj dhe fle me mullixhinë"...Nanua e bëri këtë për egon e vet politike, jo për partinë që rinovoi nga burgu.. Ky politikan i zgjuar, qytetar, intelektual por edhe mjeshtër intrigash në strofknë e vet, duket se u ka dhënë "mësime" politike sa Bërishës aq edhe Ramës! Por ai ka humbur shansin e "rilindjes" tjetër...

 

Më befason fakti  se mendjet e mëdha të kombit nuk flasin publikisht! A ju kujtohet si u bashkua uragani intelektual kundër Ramiz Alisë që "dhelpëronte" me pushtetin? Është koha për një lëvizje të tillë! Është koha  që të mençurit  e Shqipërisë të flasin, për ta çuar në vend nderin e Shqipërisë dhe vetë të vërtetën për ëndrrën demokratike! Nuk mund të ndërtojmë "Shqipëri Evropiane"  pa hedhur themelet e një demokracie të qëndrueshme, ku të gjithë japin lloagri para ligjit.

 

 

Sidoqoftë, të mos harojmë: Demokracia nuk është individi me pushtet, por liria e individit pa pushtet! Një njeri fisnik respekton këtë liri. 

Shefqet Meko


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.