VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
"CHRISTIAN SCIENCE MONITOR": GJYKIMI I KARAXHIQIT: A DO TË VENDOSET DREJTËSIA? E Premte, 03.05.2010, 11:55am (GMT1)
Aktakuza drejton gishtin ndaj Karaxhiqit edhe për masakrën e korrikut të vitit 1995 në Srebrenicë, ku u vranë 7500 djem e burra boshnjakë. Me përjashtim të Sllobodan Millosheviqit, që vdiq në qelinë e tij në vitin 2006, pa përfunduar gjykimi, Karaxhiqi është figura më e lartë që del para gjyqit. Ashtu si Millosheviqi, edhe Karaxhiqi ishte njeri politik, jo ushtarak. Pushteti i tij nuk vinte nga pushkët, por nga retorika nacionaliste. Lidhja mes fjalëve të tij dhe kasaphanës që pasoi, do të jetë në qendër të gjykimit në ditët që vijnë. Do të jetë ajo sallë gjyqi, ku viktimat dhe dëshmitarët e tjerë do të dëshmojnë për ato që kanë dëgjuar t'i thotë Karaxhiqi dhe krimet që përjetuan më pas. Në sytë e prokurorit të çështjes, kalifornianit Alan Tieger, është më shumë se e mjaftueshme për të lidhur fjalët e Karaxhiqit me tmerret që pasuan në terren. Tieger ka përmendur në akuzë dhe fjalimin e Karaxhiqit në seancën parlamentare të tetorit të vitit 1991, ku ai kërcënoi joserbët: "Rruga që ju keni marrë, do t'ju çojë drejt e në ferr. Dhe, ferri është se kombi mysliman përfundimisht mund të zhduket". Pastrimi etnik që mori jetën e mijëra njerëzve filloi vetëm katër muaj më vonë. Vetëm duke provuar lidhje të kësaj natyre, Tieger me ekipin i tij do të kërkojë dënimin e Karaxhiqit. Karaxhiqi do të përpiqet ta distancojë veten nga ata që kryen krimet në terren. A do ta vendosë ky gjyq drejtësinë, është një pyetje që mund të rezultojë pa përgjigje. Ajo çfarë mund të jetë drejtësi, për disa është padrejtësi. Por, ky gjykim do t'u japë viktimave një mundësi t'i tregojnë historitë e tyre. Dhe bota duhet t'i dëgjojë. (http://www.evropaelire.org) www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |