VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - POETI MES TË VRARËVE TË TIJ (Poezi mbi lëkurën e jetës)Nga VISAR ZHITI

                                                                                      

E Martë, 04.16.2024, 10:18am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

POETI MES TË VRARËVE TË TIJ (Poezi mbi lëkurën e jetës)

Nga VISAR ZHITI


E Martë, 03.09.2010, 02:15pm (GMT+1)

 

Është botuar ne italisht nje permbledhje me poezi e poetit të shquar nga Kosova, Ali Podrimja, me titull "Deserto invasivo" ("Shkretëtirë gllabëruese"), përgatitur nga studiuesja e letërsisë shqipe, dr. Blerina Suta., e cila se bashku me profesor Filippo Bettini-n, jane dhe perkthyesit e librit, të prezantuar në kolanën, "Scritture per il Mediterraneo". Botues është "De Angelis Editore" dhe në ballinë të librit është një foto bardh e zi e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.

 

Libri është i ndarë në kapitujt: "Dritarja e hapur", "Ti udhëton ende", "Të jetosh", "Derisa nuk do të shkruaj poezinë për nënën", "Një trung digjet mbi pllajën shurdhe" dhe "Rrëshqet një liburnë".

 

Në shkrimin e hyrës nënvizohet se fjalët e Podrimjes janë si gurët, me atë forcë dhe me atë qëndresë.

 

Libri mbyllet me një pasthënie të Visar Zhitit.

 

-

 

Ishim mbledhur në një festival nderkombëtar poezie, këtu në Itali, poetë nga të gjithë anët e botës, nga Mesdheu, nga Europa Qendrore, Afrika, Azia, Amerika.

 

Nga Ballkani, nga gadishulli më poetik i botës, duhej të vinte dhe Ali Podrimja, që të lexonte poezitë e veta, por ai mungoi. Dërgoi vetëm një letër të shkurtër, që organizatorët e festivalit më dhanë leje ta lexoj.

 

Nuk mund të vij, shkruante Podrimja, se jam i zënë me mbartjen e kufomave në truallin tim. Po varros të vrarët e mi. Lajmëroni dhe ministrin tuaj të jashtëm, ta dijë dhe ai...

U krijua një heshtje e rëndë ashtu si vetë mungesa e Podrimjes. Që kishte dërguar fantazmën e vet. Vinte nga ajo nga pllaja epike e Kosovës, ku kishte rifilluar genocidi dhe masakrat mbi një popull të pafajshëm, të përgjysmuar, që po duronte gjithë madhështi të heshtur e të zymtë. Më pas do të fillonte përzënia dhe eksodi i madh si në bibël. Ata po iknin nga shtëpitë e tyre, që po digjeshin, ashtu siç iknin dikur nga Troja e lashtë, vargan i gjate, Eneidë e re, duke mbajtur mbi kurriz etërit pleq ashtu si Eneu të atin e tij. Eneu ishte dardan, ashtu siç besohej se janë dhe pararendësit e kosovarëve. Po përsëriteshin ikjet, luftrat, zjarret, vetëm se në qiell nuk po endeshin gjysmë-perënditë dhe perënditë e Olimpit, por avionët bombardues luftarakë të shekullit XX. Të fundit të atij shekulli dhe të fundit të asaj lufte.

 

Mes kaosit dhe apokalipsit ishte dhe poeti Ali Podrimja, jo vetëm që te dëshmonte, por që t'i jepte kurajo popullit të tij. Mblidhte psherëtimat, plagët, amanetet, dritën e fundit të syve, shpresën,  legjendat dhe i fuste në poezi. Duke i dhënë kështu zë heshtjes së popullit të tij, durimit - forcë, rebelimit - frymëzim. Ndërsa poezisë, ta themi patjetër, i dha modernitet. Atë që nisi me poetët e tij bashkëkombas në Kosovë, me Esat Mekulin dhe vazhdoi me të tjerët, edhe me Din Mehmetin, për të cilin RAI në kohën e bombardimeve mbi Beograd dhe Kosovë dhe lajmin e zi që ishte vrarë, por që e takuam të gjallë pas vdekjes së vet. Një plejadë e tNrN poetësh kosovarë do të përkryenin poezinë e tyre. Kujtojmë Azem Shkrelin, poetin panteonik, që vdiq në kulmin e burrërisë, i pushoi zemra sa zbriti në aeroportin e Prishtinës. Kurse Ali Podrimja solli thirrjet e shpirtit, instiktive si ulërima e ujkut mbi borë, teksa vështron hënën.

 

Poezia e Ali Podrimjes vështron plagën e madhe dhe me dritë të lirisë.

 

                                                               *   *   *

Kur atdheu është përgjysmë, dhëmbja nuk është përgjysmë, por përkundrazi, shtohet përtej vetvetes dhe bëhet e hiperpoetëshme, vërshon me shkulme duke e përmbytur pa kufi truallin. Sheh se çarja e madhe e mespërmestë nuk është vetëm e tokës, por dhe e historisë, e ndërgjegjes kolektive duke mbërritur dhe te vetanakja si mbi një rrafshinë, ku priten të rifryjnë shtrëngatat... shtrëngatat e frymëzimit poetik.

Poeti i gjysmës së andejme, i Dardanisë së hershme, Ali Podrimja, është më i frymëzuari, sublim dhe i tëri dhembje prej dheu, e kockët, që trand peizazhet ballkanike ku përshfaqen pllanga gjaku mbi gurë, aq sa shpesh Ai na ngjan si këngëtari elegjiak i gurëve të plagosur. Duke qenë sintetik, por dhe i asosacioneve tronditëse, vargu i Podrimjes na lejon, sipas meje, komentet e kapërcimeve pindarike, ndërkohë Poeti Ynë është më shumë homerik dhe konkretisht ngjan dhe me orteqet e Homerit më të fundit në Ballkan, me Gjergj Fishtën, bashkatdhetarin e tij, gjithsesi me të kundërtën e tij, se poemat e Podrimjes janë tejet të shkurtëra, dramatikisht me pak vargje, ku satirën therëse bardi i ri e ka shndërruar në ironi të idhët, similitudat në metafora, tradicionalen në moderne.

 

vdekja më e shpejtë se unë

 

 megjithatë deri në vdekje

do ta kërkoj atë që e humb

 

kryesorja: Jetën ta jetosh pa e vrarë

 

 

Dikur kam shkruar se Ali Podrimja, ashtu si Naim Frashëri, poeti kombëtar i shqiptarëve, Dantja i tyre i vonë, e ka shkrirë poezinë intime me atë të fatit kolektiv të kombit. Dhe jo ku mbaron njëra dhembje, të fillojë tjetra, por së bashku, më shumë se luftëtari me armët e veta. Libër pas libri, fjalë pas fjale, poeti ka mbushur ditarin e atdheut, shkrimi shpesh i ngjan grafikut të temperaturës, zëri i tij është i ngarkuar me barrën e jetës si me gjënë më të çmuar dhe më të shenjtë duke përvijuar kështu figurën e profetizuesit dhe si në legjendë, gjysma kërkon gjysmën.

 

Unë e shoh aty

ku nuk është më

 

                Prandaj dhe Podrimja sjell britmën e thellë të gjakut të fisit të lashtë dhe ne befas kuptojmë se ajo është dhe britma jonë e tanishme dhe rrojmë edhe nga shkaku i asaj britme... shpesh pa shenja pikësimi, madje dhe pa atë shkronjën e madhe nistore, moderne, pra, ku fuqia e demontë shemb kohërat, kufijtë mes saj dhe mbetet bëma e pakohë ose e gjithëkohëshme.

Koha heraklitiane te Podrimja, aq sa rrjedh, po aq ngrin e pezullt me magjinë e poezisë. Imazhet janë sa të befta, edhe të çuditshme. Dhe s'është befasia që i bën të çuditshme dhe as çudia që i kthen në të befta.

 

                                                       Sytë i lan në shuplaka të engjëjve

 

Mbi të gjitha është poet i dinjitetit njerëzor. E zbulon atë sidomos te vuajtja, te humbja dhe plaga, te kujtimi, te guri i themelit, te çelësi, ashtu si dhe te shpata, te heshtja dhe patjetër te Fjala. Prandaj përditshmërinë e sintetizon me fuqinë absolute të varrit. Ndërkohë jep kushtrimin që fisi i tij të mbijetojë, ekzistenca është detyrë. Jeta, edhe ajo e jona, është pasuri e botëve dhe kohërave, si e tillë meriton gjithçkanë e mundur dhe të pamundurën, luftën në emër të saj.

Ali Podrimja thërret në ndihmë simbolet kombëtare dhe ballkanike, të të gjithë arealit mesdhetar, bëhet këngëtar i qëndresës së madhërishme dhe si poet është hermetik po aq sa dhe kraharori i njeriut. I mjafton plaga për të parë brenda. Dhe na duket sikur shohim më shumë me plagët se sa me sytë. Dhe besojmë bashkë me të se

 

                                                               Dritë e plagës i verbëron

 

kohërat dhe sunduesit e tyre. Poeti Ynë është ekzistencial, por jo individualist. Mbartës i mbijetesës së kombit të vet, jo vetëm si histori, por dhe si përvojë dhe si thesar të ardhmërisë. Ai shpesh është qytetar i acartë, i një dimri të pambarimtë, i pambrojtur mes erërave në ishullin e atdheut të përgjysmuar, ku s'ka det, por dallgë të ngrira. Duke qenë në gjysmëItakën e vet, njëkohësisht ai ravgon brenda vetes për në Itakën tjetër të atdheut. Atdheu i tij është prej mishi, jo vetëm prej malesh, fushash e bëmash, prej gjaku aq sa dhe prej ujërash, është Njeriu dhe qielli i tij, jo vetëm trualli ku shkel, madje është dhe nëntoka e të vdekurve, ëndrra e tyre që krijon sipër vesë, mjegulla e fantazma.

 

Letra, ku shkruan Podrimja, sikur është lëkura e jetës. Poezitë e tij janë hedhur mbi pergamenë të hershëm, një palimpsest kohërash, por dhembja është e gjithsecilit si një rrjepje, si një torturë e porsa shpikur, moderne, që i bëhet i shpirtit.

 

Ai i përket një populli martir, që ndërsa i jep botës një Kryetrim, Gjergj Kastrioti - Skënderbeun, për të cilin në piedestalin e statujës së tij në Romë, në sheshin "Albania" shkruhet "Impavido difensore della civiltà occidentale", ("Mbrojtës i paepur i qytetërimit Perëndimor"), nxjerr dhe një Nënë Terezë, e cila bën profesion dashurinë ndaj gjithë njerNzimit, prandaj dhe poezia e tij ka ashpërsinë e shpatës dhe përdëllimin e lutjeve të murgeshës së madhe. Është një shpatë që lutet për paqe dhe krijim, por më parë për drejtësi dhe më parë për punë dhe triumf për të qenë sa mN njeri. Ndaj dhe vepron.

 

Njerëz të jenë edhe gurët, edhe pemët, edhe ujqit, pra t'i kthejmë poetit edhe atë që ishte edhe gurë, edhe ujk, edhe pemë, kryq dhe këmbanë, varr edhe djep. Dhe shfaqet bukuria:

 

trupi yt, oj grua -

mbrëmje e rrëzuar në gjunj.

 

Poezia e Podrimjes vazhdon të përkthehet dhe në gjuhë të tjera, pas atyre ballkanike, edhe në polonisht, turqisht, gjermanisht, frengjisht, anglisht, duke emocionuar lexuesit kudo, edhe përtej kontinentit. Shpresojmë dhe në italishten e ëmbël. Por poezia e Podrimjes, mbi të gjitha, u bë pasuri shpirtërore e popullit të vet, duke i sugjestionuar ata, që të kuptojnë më mirë vetveten, të luftojnë për vetveten në emër të individit, të kolektivitetit të tij, te identitetit dhe universalitetit, për të qenë shqiptar dhe europian njëkohësisht. gjithnjë e më shumë njeri.

                Edhe vetë Presidenti i parë i Kosovës, Gandi i Ballkanit, Ibrahim Rugova, gjeti herët te Podrimja pajtueshmërinë e idealitetit me realitetin, që, kur nuk përputhen në jetë, lindin tragjiken. Poezia e Podrimjes, sipas tij, është "rrëfim i pambyllur".

 

                                                                                              *   *   *    

Po unë po tregoja në fillim për një festival poezie në Itali, ku Ali Podrimja mungonte. Ai është poet i mungesës që kërkon të përmbushet. Që ndikon në ndryshimin. Se ja, të gjithë poetët nga bota, të mbledhur në atë festival, pas letrës së Podrimjes, donin të ndryshonin diçka në përzgjedhjen e poezive të tyre, donin të shtonin apo donin të hiqnin, varg, strofë, metafora, se Ali Podrimja u kishte shkruar të gjithëve, që s'mund të vinte dot, ishte i zënë me varrosjen e të vrarëve të tij.

 

Dhe të vrarët e Ali Podrimjes në këtë libër këndojnë.

 

NJE SHTESE QE E BERI KOHA: Kosova tashmë është Republikë e pavarur, shteti më i ri në botë, por me një popull të hershëm, të vuajtur deri në martirizim. Natyrisht, u bë lufte për t'ia arritur kësaj ëndrre, por unë besoj, pa e tepruar, se e para ishte poezia, ajo që bën ëndrrën. Dhe prapë pas luftës vjen poezia.

Tani jemi një komb me dy shtete, por si përherë me një poezi, me poetë të përbashkët, të njëjtë, udhëheqësit shpirtërorë, që pas çdo fitoreje tërhiqen në heshtje. Dhe pikërisht aty ngrihet nje tempull i padukshëm.

 

 

Visar Zhiti


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ARABIA: INSHALLAH, OBAMANga MAUREEN DOWD, New York Times (03.07.2010)
EPOPEJA E JASHARAJVE (Dossier) (03.06.2010)
"CHRISTIAN SCIENCE MONITOR": GJYKIMI I KARAXHIQIT: A DO TË VENDOSET DREJTËSIA? (03.05.2010)
FISNIKËRIA E UDHËHEQJES OSE FISNIKËRIA - KY VIRTYT I MUNGUAR NË SHQIPËRINga SHEFQET MEKO, Minneapolis, SHBA (03.04.2010)
BOSNJA DHE SERBIA LUFTOJNË PËR EKSTRADIMIN E GANIQITnga Radio Evropa e Lirë (03.04.2010)
RUSËT E SHOHIN SHBA NDRYSHENga KEVIN O'FLYNN (03.04.2010)
NJË BOTË PA ARMË BËRTHAMORE - STRATEGJIA E RE BËRTHAMORE E PRESIDENTIT OBAMA (03.03.2010)
"TIMES": MESDITA NË TURQI (03.01.2010)
PLAGËT DHEMBIN KUR FTOHENNga HELENA KADARE (02.27.2010)
A ËSHTË NË RREZIK TURQIA?Nga ROBERT TAIT (02.27.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]