VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

FESTAT KOMBËTARE I BASHKUAN NXËNËSIT E SHKOLLËS SHQIPE TË KANTONIT VAUD (Fotoreportazh)

Nga ISNI IDRIZI

Fotot LUL IMERI


E Mërkurë, 03.10.2010, 10:49am (GMT1)

 

 

 

 

Si zakonisht në festat e rëndësishme kombëtare si nxënësit, mësimdhënësit ashtu edhe aktivistët e LAPSH-it nuk ngurojnë ti përgjigjen ftesës për organizimin e një manifestimi të përbashkët shkollor. Kështu ndodhi edhe më 28 shkurt 2010 në Lozanë. Kjo ishte hera e tretë radhazi që bashkërisht këshillat komunale të LAPSH-it që veprojnë në kantonin e Vaud-it të organizojnë një manifestim të tillë.


Kësaj radhe festohej 2 vjetori i Pavarësisë së Kosovës dhe Dita e Mësuesit. Shumica e nxënësve që vijojnë mësimin në gjuhën amtare në kantonin Vaud ishin prezent në sallë. Fjala është për nxënësit nga Rolle, Morges, Nyon, Yverdon dhe Lozanë. Edhe kësaj radhe mungoi vetëm mësimdhënësi Musa Pali nga Veveja me nxënësit e tij.


Pjesëmarrja e prindërve, bashkatdhetarëve dhe miqve të Shkollës Shqipe ishte e madhe kështu që edhe fëmijët ndiheshin të frymëzuar për të kënduar, recituar apo vallëzuar. Ftesës për pjesëmarrje në manifestim iu përgjigj edhe ambasadori shqiptar nga Maqedonia zoti Ramadan Nazifi i cili me prezencën e tij nderoi këtë tubim festiv në Lozanë. Nxënësit u paraqitën në skenë me një me një program të bukur, të zgjedhur dhe të përgatitur mirë.
Nuk mungoi as shpërblimi i shpeshtë i publikut me duartrokitje. Ishte paraparë që programi të zgjatë 90 minuta dhe të fillon në ora 14:00. Ashtu edhe ndodhi. Ka pasur edhe mysafirë të cilët të mësuar me organizime tjera erdhën me vonesë, në kohën kur mbaroi manifestimi. Pasi mbaroi programi i paraparë fëmijët e vazhduan festën me valle dhe muzikë të përgatitura enkas për këtë qëllim.


Duke pasur parasysh se manifestimi ka qenë krejtësisht shkollor, i përgatitur vetëm nga nxënësit e shkollës shqipe, pjesëmarrja e prindërve dhe bashkatdhetarëve tanë nëpër gjithësi ka qenë e lakmueshme. Besoj se kësaj radhe si mysafirët ashtu edhe pjesëmarrësit janë ndarë të kënaqur me programin e manifestimit dhe mënyrën se si u përcjell ky manifestim.

 

 

 

Disa përshtypje të marra nga pjesëmarrësit në manifestim:

 

Edhe njëherë, shfrytëzoj rastin të ju falënderohem për ftesën për pjesëmarrje në manifestimin shkollor me 28 shkurt 2010.
Ishte kënaqësi e  veçantë qe isha prezent në një eveniment të tillë ku fëmijët tanë në diasporë, në rastin konkret në Lozanë, dëshmuan se largësia nga atdheu dhe jeta në mjedis tjetër, nuk paraqesin vështirësi për kultivimin e vlerave kombëtare.
S'ka dyshim se ishte një manifestim i qëlluar dhe shumë mirë i organizuar. Veçanërisht më pëlqeu pjesëmarrja nga më shume qytete të Zvicrës, respektivisht shfaqja e përbashkët e nxënësve të moshave të ndryshme. Me pikat kulturore dhe folklorike të  prezantuara, nxënësit shqiptarë në kantonin e Vaud-it, e argëtuan këndshëm  publikun, gjë që vërtetohet edhe me pjesëmarrjen masovike të bashkatdhetarëve dhe nga komentet pas manifestimit.
Me shpresë se edhe në të ardhmen do të kemi rastin të jemi prezentë në manifestime të ngjashme, ju përshëndes përzemërsisht.

 

Ramadan Nazifi, Ambasador i RM në Bernë

 

Tani më, shqiptarët në diasporë po i kthehen dalëngadalë vetvetes (identitetit). Po e shohim këtë edhe nga pjesëmarrja gjithnjë e më e shtuar nëpër manifestime festive të ndryshme shqiptare (jopolitike). Kështu ndodhi edhe në Lozanë në këtë manifestim të denjë, ku frymohej krejtësisht shqip.
Sapo hymë në sallë, ndaluam një çast për tu mbushë frymë burimore. Një kënaqësi të përshkon trupin, kur sheh organizatorët të kujdesen për mbarëvajtjen e parafillimit të manifestimit si mirëvendosjen e të pranishmëve, vendosjen e nxënëseve në prapaskenë, fillimin me kohë dhe zgjatjen e planifikuar të spektaklit. Padyshim, po u përgatite mirë, punët shkojnë edhe më mirë. Kohëve të fundit, këta organizatorë pothuaj janë profesionalizuar.
Manifestimi filloi me kohë. Përnjëherë, skena u mbush me fëmijët e Shkollës Shqipe të kantonit. Kishim përshtypjen që një gjeneratë e re shqiptarësh, plot entuziazëm, po fillon së marshuari në të ardhmen e vet të sigurt. Para se të shpalosej programi nga Marigona dhe Ariana, jehon himni që ngritë në këmbë të gjithë. Isniu përshëndeti mysafirët dhe pjesëmarrësit.
Loreta mban fjalën e rastit për Festën. Vazhdohet me zërin emocionues dhe shpirtëror të fëmijëve me recitalet dhe këngët e zgjedhura me mjeshtri nga mësimdhënëset dhe mësimdhënësit e tyre. U kënduan këngët "Rroftë shqipja dhe vatani", "Kur të jesh i lumtur ti", "Gjyshe më fal", "O moj e bukur Shqipëri", "Nënës", "Këngë moj" dhe potpuri këngësh të ndryshme.
Pastaj, vijnë vallet ku duhet cekur se kostumet kombëtare të veshura nga nxënësit (tani gjithnjë e më shumë nëpër këso manifestimesh), i shtonin vlerën e duhur dhe ngjyrën e bukur tërë takimit. Vallja e "shqipeve të reja", po merrte zemrat tona për një çast, për ti dërguar deri në shkrepat e vendlindjes dhe për ti kthyer prapë në ulëset e sallës. Nga vallet veçuam vallen "Shota" dhe "Vallet e vendit tim".
Gjatë tërë kohës, z ëri magjik i recituesve të talentuar mbushte çdo anë e kënd të sallës duke shuar kërshërinë tonë të radhës. U recituan poezi e recitale të ndryshme si: "Dita e Pavarësisë", "Korça", "Flini të qetë", "Të dua sa Kosovën", "Rruga pa kthim ", "Legjenda e Kosovës" , "Gjuha jonë", "Mëmëdheu" "Refugjati", "Vendi im", "Pavarësisë", Kosovës ", "17 Shkurti", "Dita e lirisë", "Sa të dua Shqipëri" dhe vargje për identitetin shqiptar siç janë vargjet në vijim, që të çonin peshë nga emocionet:

 

Jam shqiptar, hej nuk kam faje; si n'midis ashtu në skaje...

 

Ose

 

Edhe nëse larg ti shkon, kudo në botë dhe atje jeton

 

ti mbetesh prapë ai që je, Shqiptar mbi tokë e shqiptar nën dhe.

 

Duartrokitjet tona emociononin fëmijët që me paraqitjet e tyre na emocionuan këndshëm dhe pashkëputur deri në fund të spektaklit kur nga të gjithë nxënësit edhe u këndua kënga "Shkolla Shqipe", k ëngë e cila u shpërblye në konkursin K-7 të LAPSH, e cila fillon kështu:

 

Sikur zogj, kah dera jote, me nxitim Ne fluturojmë,
Ti na pret me krah"˜ të hapur, Shkollë e gjuhës sonë...

 

Secili prind shqiptar e ndien peshën e këtyre fjalëve që burojnë nga zemra e fëmijëve tanë. Vërtetë një prezantim i denjë i Shkollës Shqipe të kantonit Vaud.
Për fund, dua ti uroj diasporës shqiptare që pikë së pari, arsimi shqip ti shkoj së mbari.

 

Besnik Camaj, profesor dhe poet

 

 

Ka qenë një manifestim dhe prezantim i denjë që më bëri të kujtoj fëmijërinë time dhe festat që organizonim në shkollë në Kosovë. Këtë për të thënë që puna që bëhet me fëmijë nga mësuesit e tyre është me të vërtet profesionale dhe me një angazhim të madh. U prezantua në mënyrë të shkëlqyer jo vetëm fakti që këta fëmijë dine të flasin gjuhën shqipe shumë mirë dhe ta ruajnë atë, por me vallet dhe këngët e tyre edhe një pjesë e kulturës sonë. Kjo me siguri është një shtytje për mësuesit e tyre të vazhdojnë angazhimin e tyre parësor, dhe shpresoj që të nxis sa më shumë prindër që të dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe. Duke mos harruar për fund që një ndihmë për shkollën shqipe nga shtetet tona do të ishte investimi më i mirë që ata mund të bëjnë për diasporën shqiptare.

 

Emrush Rexhaj, doktorant i mjeksësisë në CHUV

 

 

Manifestimi ishte në nivel shumë të mirë si nga organizimi njashtu dhe nga programi i cili kishte një përmbajte mjaftë të gjerë me mesazhe të qarta për të gjithë ata që kanë arritur ti kapin. Ndërsa pjesëmarrja sipas meja ka qenë jo aq sa është dashur të jetë duke pas parasysh organizimin në nivel kantonal, ku morën pjesë vetëm 5 Këshilla Komunale, duke pas parasysh numrin e madh të komunitetit tonë në Kantonin e Vaud-it. Për shembull nëse marrim numrin e nxënësve në vitin shkollor 1999/2000 në Kantonin e Vaud-it kishte 16 Këshilla Komunale-rajonale me 14 mësimdhënës 20 klasë dhe 382 nxënës dhe në këto vite kishte shumë ma pak shqiptarë me familje. Me këtë dua të them se vetëdija nuk është në nivel të duhur te prindërit dhe nuk kanë arritur akoma ta kuptojnë se është një domosdoshmëri e tyre e jo me dëshirë e tyre kur të duan që të dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën e mësimit plotësues, se do të pendohen ma vonë por do të jetë shumë vonë. Sepse për mua shkolla është e shenjtë, dhe për këtë na duhet forca e të gjithë prindërve, nxënësve, arsimtarëve dhe duke mos i lënë anash edhe organizatoret që janë që domosdoshëm. Pra edhe një herë ju dëshiroj në radhë të parë shëndet dhe shumë suksese.

 

Mustafë Rrahmani, sekretar i shoqatës kulturore shqiptare nga Nioni

 

 

Manifestimi i fundit ishte sigurisht më i miri që kemi mbajtur deri sot. Arsyeja e parë ishte ndoshta organizimi jashtëzakonisht i mirë ku çdo gjë ndodhi në kohën e caktuar që më parë. Arsye tjetër ishte përcjellja me shumë vëmendje nga prindërit dhe të gjithë mysafirët tjerë. Ata na dëgjonin, na përcillnin dhe interesoheshin se çfarë ishim duke kënduar, recituar ose vallëzuar dhe kjo për mua është kënaqësia më e madhe që mund të shpresojmë.


Një tjetër kënaqësi ishte ajo se pas manifestimit mysafirët lavdëronin nxënësit për shfaqjen, njoftoheshin me njëri tjetrin ose disa të tjerë bisedonin për manifestimin apo për gjëra të tjera në lidhje me atdheun.


Në këtë ditë e ndjeja veten shumë krenare. Së pari për shfaqjen dhe për pamjen e rëndësishme që i kemi dhënë Shkollës Shqipe. Pastaj për prindërit që me siguri ishin krenar për njohurit tona të marra gjatë mësimit të gjuhës shqipe. Përfundimisht isha më se krenare për arsyen e vetme që isha shqiptare.

 

Loreta Hoxha , nxënëse e klasës së 9-të, cikli i lartë, në Lozanë

 

Isni Idrizi dhe Lul Imeri


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.