VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHQIPTARË KUDO QË JENI MBËSHTETENI DIOGUARDIN TË ZGJIDHET SENATOR I SHBA !
Nga ELIDA BUÇPAPAJ

E Enjte, 03.11.2010, 08:38pm (GMT1)

 


Shqiptarë kudo që jeni, në SHBA, Kosovë, Shqipëri, Luginën e Preshevës, Maqedoni, Malin e Zi, Greqi, në diasporën tonë të SHBA apo të Europës, mbështetni ish-Kongresmenin DioGuardi që të zgjidhet Senator i SHBA.

Është hera e parë që një Shqiptaro-Amerikani i jepet një rast i tillë, në dy shekujt e fundit të historisë, dhe nuk dihet se kur do të mund të ripërsëritet kjo mrekulli, e prandaj nëse ndiheni sado pak shqiptarë, nëse krenoheni sadopak me rrënjët dhe gjakun tuaj, mbështetni ish-Kongresmenin DioGuardi që të bëhet Senatori i SHBA.

Që kur ish-Kongresmeni Dioguardi ka shpallur kandidaturën e tij, bota shqiptare dhe faktori shqiptar, do të duhej të zgjohej nga gjumi, dhe më në fund të kuptojë rëndësinë e këtij fakti. Sepse zgjedhja e DioGuardit në Senat nuk ka aq rëndësi për Xhoe DioGuardin, sa ka për ne shqiptarët, që paçka se sot duhet të jemi më të faktorizuar se kurrë, vazhdojmë të vuajmë nga inercia e kohës kur ishim të përçarë.

Lajmi se DioGuardi e ka shpallur kandidaturën për në Senatin Amerikan duhej ta bënte politikën shqiptare, të paktën në pesë shtete të Ballkanit, që të unifikohej për të mbështetur ish-Kongresmenin DioGuardi, i cili, bashkë me zonjën e tij Shirley Cloyes DioGuardi, kanë dhënë një kontribut të cilin nuk e ka dhënë asnjë shqiptar deri më sot për çështjen shqiptare,  sepse kanë qenë të parët që kanë sensibilizuar dhe kanë filluar lobimin në Washington D.C.

Askush nuk e dinte se ku binte Kosova dhe se kush ishin shqiptarët e Kosovës. Kosova nuk ekzistonte as si një shprehje gjeografike bismarkiane në ndërgjegjen e botës, deri kur DioGuardi filloi të dëshmonte në Kongresin e SHBA Holokaustin që përjetonin shqiptarët nën regjimin pushtues.

Askush nuk e dinte ku binte Kosova dhe kush ishin shqiptarët, deri kur ish-Kongresmeni DioGuardi, i cili me krenarinë e veçantë për prejardhjen e tij shqiptare dhe gjakun e shprishur arbëresh, do të mblidhte rreth vetes si përkrahës të tij emrat më të spikatur të politikës Amerikane këtë çerek shekullin e fundit, Senatorë e Kongresmenë si, Bob Dole, Joe Biden, Tom Lantos, John McKain, Ben Gilman, Henry Hyden etj etj.

Asnjë politikan shqiptar sot nuk ka 25 vjet kontribut, sa ka ish-Kongresmeni DioGuardi. Sepse që kur është zgjedhur Kongresmen në Kongresin Amerikan, më 1985, ai i është përkushtuar çështjes shqiptare, pavarësisë së Kosovës dhe faktorizimit të shqiptarëve, të cilët edhe sot e kësaj dite vuajnë inercinë e kohëve kur ishin të defaktorizuar dhe në mëshirë të regjimeve totalitariste si në Shqipëri ashtu dhe ish-Jugosllavi.

Xhoe DioGuardi filloi lobimin në Kongresin Amerikan, duke paraqitur që më 1986 të parën Rezolutë (H.Con.Res. 358) në mbrojtje të të drejtave të Shqiptarëve në ish-Jugosllavinë, rezolutë e cila një ditë më pas do të paraqitej nga Senatori Bob Doll, miku i Xhoe DioGuardit në Senatin Amerikan.

Largimi nga Kongresi nuk e ndali asnjë çast Xhoe DioGuardin, i cili më 1989, duke mbledhur rreth vetes shqiptarë të nderuar dhe patriotë të vyer, do të krijonte AACL, Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, të parën organizatë lobiste për të ndikuar në politikat në Washington D.C.

Xhoe DioGuardi nuk e rresht kurrë aktivitetin e tij në të mirë të çështjesh shqiptare duke bashkëpunuar me figura të ndritura të lobit çifut, siç ishte i ndjeri Tom Lantosh, me të cilin do të vizitonte disa herë Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi e Maqedoninë, ku Kongresmeni Lantosh do ta quante Kosovën nën Milosheviç një "Geto e Varshavës" në kohët moderne. DioGuardi do të sillte në Kosovë Bob Dollin, dhe do të çonte në Washington D.C. gjithë emrat më të spikatur të  klasës politike shqiptare dhe personaliteteve, duke filluar nga Ibrahim Rugova, Pjetër Arbnori, Sali Berisha, Adem Demaçi, Ramush Haradinaj etj. etj.

Një figurë brilante, me një reputacion të hatashëm në qendrën e politikës të SHBA, Xhoe DioGuardi do të ishte zëri më i fuqishëm dhe më i besueshëm në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi.

Në luftën e Kosovës, bashkë me bashkëshorten e tij, një njohëse e shkëlqyer e Ballkanit, do të vihej në mbrojtje të Pavarësisë së Kosovës dhe të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, duke mbështetur UÇK-në dhe liderët e saj.

Çdo popull në Ballkan do ta kishte krenari që të kishte një përfaqësues si Xhoe DioGuardi në Senatin e SHBA. Të njëjtën krenari duhet ta kemi edhe ne Shqiptarët. Por poeti latin Horaci na kujton duke na thënë  "Carpe diem" -  të përfitojmë sa më shpejt nga ky moment, të bëhemi koshient për këtë rast, të bëhemi të përgjegjshëm, sepse në Amerikë kemi një diasporë gati dyshekullore, nga për herë të parë del një kandidat me rrënjë arbëreshe për në Senatin e SHBA-ve. Dhe nuk duhet të vonohemi asnjë sekondë, sepse përsëri siç thotë Horaci, "Ndërsa jemi duke folur, çasti apo rasti magjik na ka shkitur nga duart". Kështu është ky moment për Shqiptarët, i pari në historinë e tyre. Andaj të mos e lëmë të na ikë.

Vargu i Fan Nolit, "Mbaju Nëno mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë", ishte në një kohë kur djemtë e Nënës, sado të mirë që ishin, ende nuk e kishin një post të rëndësishëm për t'i ardhur në ndihmë Nënës së tyre.
Siç është edhe tani. Në SHBA sot gjendet një diasporë e fuqishme shqiptare, së cilës  për herë të parë i jepet rasti që të përfaqësohet në Senat nga një Arbëresho-Amerikan.

Andaj Shqiptarë, kudo që jeni, nëse jeni, mbështeteni Xho DioGuardin që të zgjidhet Senator i SHBA.

Andaj Shqiptarë, nëse keni mësuar diçka nga historia, nëse keni mësuar diçka nga vuajtjet tuaja, gjatë diktaturave, gjatë Holokaustit, gjatë tranzicionit, tregohuni të përgjegjshëm dhe mbështetni Xhoe Dioguardin që të zgjidhet në Senatin Amerikan.

Andaj Shqiptarë, nëse doni që zëri juaj të dëgjohet në Washington D.C., nëse doni që avokati juaj të jetë në zemrën e politikës të SHBA-ve, nëse doni që e ardhmja e fëmijëve tuaj të jetë e sigurt, nëse doni që të ndiheni krenarë se jeni shqiptarë, mbështetni Xhoe DioGuardin me u zgjedhë Senator i SHBA-ve.

Sa herë që ne shqiptarët kemi pasur nevojën e tij, ai ka një çerek shekulli që na është ndodhur pranë, tani DioGuardi ka nevojën tonë, për të mirën tonë.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.