VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Absurdland :
NA ISHTE NJË HERË LDK-JA !


Nga Elida BUÇPAPAJ

E Shtunë, 04.03.2010, 02:34pm (GMT1)

..
Në epitafin e kësaj partie mund të shkruhet: "Na ishte një herë LDK-ja". Sepse LDK-ja ka ndalur së ekzistuari me vdekjen e Rugovës. Pas vdekjes së Rugovës organizmi i LDK-së i ngjante një organizate klanesh dhe bajraqesh, tregtarësh të grupacioneve politike që me Rugovën i kishte lidhur vetëm interesi për të fituar votat e popullit rugovian.

Shkallmimi i LDK-së nga themelet është parë që në krye, sapo vdiq Rugova, me heqjen dhe vendosjen e lidërshipit përmes konspiracioneve, duke marrë pushtetin përmes rrugëve që s'kishin të bënin aspak me demokracinë brenda partisë.

Tragjikomikja është se çdo gjë akrobatët matrapazë xhonglerë e kanë bërë duke mbajtur në gojë emrin e Rugovës, duke e shpërdorur emrin dhe idealet e tij.

LDK-ja nuk është më që kur s'është më Rugova. E kam provuar në lëkurë si gazetare që kam mbështetur Rugovën, kur pas vdekjes së tij jam ndeshur me mizorinë e çinovnikëve të një partie që s'ka më identitet, ku klanet brenda saj nuk njohin asnjë lloj morali, dhe që mund të shesin në treg edhe nënën e babën e tyre.

Kur humbën zgjedhjet e para në Nëntorin e 2007, doli ndonjë zë për reformim të LDK-së, por ky zë menjëherë u shua dhe u shit kur i afruan poste, dhe LDK-ja e thelloi edhe më tutje rrugën për çidentifikimin e mëtejshëm të partisë më të madhe të Kosovës, e cila sa ishte gjallë Rugova ishte partia që fitonte shumicën e votave të popullit të Kosovës.

Një eksponent i PDK-së na shkruante para disa kohësh, nëse ne e kemi kuptuar realitetin. Nuk është është e vështirë për ta kuptuar se çfarë realiteti përbën sot kjo karikaturë partiake që pretendon të jetë LDK-ja e Ibrahim Rugovës, por në fakt është kthyer në një banjë publike për PDK-në.

Këtë realitet dramatiko-burlesk, ku LDK-ja është katandisur në një parti katundi, me katundarë dhe proletarë në krye, të cilët për pushtet janë gati t'i kthehen diktaturës së proletariatit, (çka faleminderit Zotit kjo është vetëm imagjinatë boshe e kokave të tyre të zbrazta ), që besojnë se do të vazhdojnë të qendrojnë në pushtet duke kryer rolin e mercenarëve të paguar nga partia që e ka shumicën.

Edhe sa orë do të qendrojnë në pushtet, ata që e kthyen LDK-në në partinë e intrigantëve dhe intrigave ?! Tash që kanë larguar edhe Nekibe Kelmendin, një figurë ikonë në politikën e Kosovës, orët e tyre janë kthyer në sekonda.

Nuk ka rëndësi nëse i mban Hashim Thaçi në qeveri apo jo, sepse në zgjedhjet e ardhme ata që e kanë mbajtur sot peng LDK-në duke e kthyer në paren më të zhvleftësuar të krizës së politikës, do të marrin nga sovrani atë që meritojnë, humbjen përfundimtare.

Nëse dikur kemi thënë se ka nevojë të reformohet e majta në Kosovë, tash imperative është reformimi i qendrës së djathtë, që pozita dhe opozita të krijojnë një ekuilibër të fortë dhe të qëndrueshëm. Në themele të shëndosha dhe jo përmes maskaradave politike. Sa për LDK-në. Prej saj ka mbetur vetëm hiri dhe shprehja: "Na ishte një herë LDK-ja".
Elida BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.